Shtypi ballkanik i ditëve të sotme është më shumë një zgjatim i politikës se sa përfaqësues i opinionit publik. Një pjesë e konsiderueshme e medias vazhdon të kontrollohet nga grupe të fuqishme politike.
Marrëdhënia midis medias dhe politikës në periudhën e tranzicionit post-komunist ka qenë shumë komplekse dhe është karakterizuar nga shumë kundërshti. Më shumë se gjithçka, politika ka pasur ndikim mbi zhvillimin e medias. Shtypi ballkanik i ditëve të sotme është më shumë një zgjatim i politikës se sa përfaqësues i opinionit publik. Një pjesë e konsiderueshme e medias vazhdon të kontrollohet nga grupe të fuqishme politike. Në njëfarë kuptimi, ato lloje komentesh që një numër autorësh (si Karol Jakubovicz, Mihai Coman, Colin Sparks dhe Tomasz Goban-Klas) kanë përdorur për të karakterizuar situatën e medias në shoqëritë postkomuniste kanë vlerë edhe për rajonin e Ballkanit: “Shtypi u bë pluralist, por jo i pavarur” dhe “Shtypi u bë i lirë, por jo i pavarur..”
Zhvendosja nga “modeli i medias sovjetike” tek “modeli i përgjegjësisë shoqërore” duket se ka qenë më i vështirë se sa ishte menduar. Zakonet e trashëguara nga koha e komunizmit duan të thonë që politikanët dhe partitë politike rreken pa pushim të ndikojnë – në fakt, të kontrollojnë – median, sepse vazhdon të mbetet e fortë bindja se kushdo që kontrollon informacionin ka edhe pushtetin. Klasat politike, të cilat nga natyra e kanë obsesion mbajtjen e pushtetit, siç thotë Goban-Klas “e konsiderojnë median jo si instrument madhor, por kryesor për politikën”. Goban-Klas më tej komenton, “Ky vizion për median është një-dimensional, i tejpolitizuar dhe i thjeshtëzuar; ai beson në rolin misionar të gazetarëve dhe në shtypin e ideologjizuar”.
Nëse do të më kërkohej të përshkruaj me dy fjalë kyçe problemin themelor me të cilin përballet media në Ballkanin e sotëm, pa dyshim këto fjalë do të ishin: ripolitizim dhe klientelizëm. Në fakt, këto mund të shihen si dy anët e së njëjtës monedhë. Duke ndjekur dialektikën e marrëdhënies midis medias dhe politikës, mund të pohohet pa hezitim që gjatë dekadave të tranzicionit paskomunist, politika ka ndikuar dhe i ka dhënë formë medias më shumë se sa media ka ndikuar dhe i ka dhënë formë politikës.
Eshtë fakt i pashmangshëm që një shoqëri e ngarkuar me konflikte dhe tejet e politizuar (çka vazhdon të jetë e vertetë për shoqëritë e Ballkanit) e infekton median e saj dhe e tërheq në konflikte e luftra, madje e përdor si një mjet të rëndësishëm për zhvillimin e këtyre konflikteve, duke shkatërruar kështu pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin e saj gjatë këtij procesi. Një pjesë e medias është treguar e paaftë t’i bëjë ballë presionit dhe joshjes së politikës (dhe jo vetëm politikës); një pjesë e medias thjesht e sheh të pamundur të imagjinojë rolin e vet jashtë këtij partizanizmi.
Kjo anshmëri, mbi të gjitha, është pasqyrim i natyrës së politikës, e cila perceptohet më shumë si konflikt se sa si dialog. Eshtë edhe pasqyrim i faktit që shoqëritë e Ballkanit janë më shumë shoqëri politike se sa shoqëri të informacionit, më shumë shoqëri politike se sa shoqëri civile.
Format më të zakonshme të klientelizmit politik gjenden tek transmetuesit publikë, të cilët në Shqipëri, IRJ të Maqedonisë, Kosovë dhe Malin e Zi vazhdojnë të jenë nën kontrollin e qeverive qendrore, të cilat i përdorin e keqpërdorin ato gjatë dhe përtej fushatave politike. Megjithëse do ishte e pamundur të krahasoheshin transmetuesit e sotëm publikë me bastionet e propagandës së periudhës së autoritarizmit të ri, prapëseprapë, në shumicën e rasteve, kanalet televizive të ashtuquajtura publike mbeten televizione të “tapetit të kuq: pra, janë të mbushura me protokoll dhe informacion të qeverisë. Këto kanale publike më shumë i ngjajnë një Ministrie Propagande se sa medias normale.
Klientelizmi në media përbën një fenomen kompleks që duhet parë si i lidhur ngushtë me kontekstin e zhvillimit shoqëror dhe politik në vendet e rajonit. Politika në Ballkan është shndërruar në tele-politikë. Në përgjithësi, debati politik dhe publik është zhvendosur nga sheshet e tubimeve në ekranet e debateve televizive, çka është sigurisht një zhvillim pozitiv. Ndërkohë që dikur politika zhvillohej në rrugë, tani ka kaluar në debatet e studiove televizive. Megjithatë, duket se medias i është dashur të paguajë një çmim për këtë ndryshim.
Kjo “tele-politikë” mund të shihet si një aspekt i mediatizimit të politikës, çka është një zhvillim tërësisht normal. Mirëpo duket se në vend të mediatizimit të politikës, në fakt, tele-politika përbën më shumë një klientelizimin politik të medias. Duke qenë se fokusi i medias zhvendoset nga publiku tek politika, për rrjedhojë, kjo i shërben politikës në vend që t’i shërbejë publikut. Ajo që vërehet në Shqipëri, Kosovë dhe IRJ të Maqedonisë është përdorimi, keqpërdorimi dhe abuzimi i medias nga politika.
Për ta përshkruar këtë situatë, analisti shqiptar Fatos Lubonja përdor termin “regjim mediatik”. Sipas Lubonjës, “ndërsa në regjimet e ashtuquajtura policore apo ushtarake, përdoren policia, ushtria, apo shërbimet sekrete që regjimi të qëndrojë në pushtet, në rastin tone përdoret media.” Ndoshta termi më i saktë për t’u përdorur në këtë rast është media-kracia. Megjithëse në teori, çështjet që kanë të bëjnë me median paraqiten si çështje të demokracisë, në realitet, ato shndërrohen në çështje pushteti. Siç shkruajnë Sandra B. Hrvatin dhe Brankica Petkovic, “sot duket e pamundur të qëndrosh në pushtet pa mbështetjen e medias”.
Samuel Huntington ka folur mbi rreziqet që i kanosen demokracisë nga vetvetja. Në fakt, instrumentalizimi i medias e bën median pjesë të kësaj loje. Nëse keqpërdoren, mediat shndërrohen nga mekanizëm i demokracisë në një mekanizëm që punon “për të reduktuar apo shkatërruar demokracinë”.
Ekziston edhe një prirje tjetër, e cila, në pamje të parë, mund të duket si e kundërta e kontrollit dhe presionit, por që në fakt të çon tek e njëjta gjë. Në disa raste, gazetarët mund të shkruajnë çfarë të duan,mund të kritikojnë sa të duan, mirëpo paskëtaj askush nuk reagon dhe nuk ndodh kurrgjë. Kjo gjendje është vëzhguar në Shqipëri, ku reagimi i dikurshëm nervoz ndaj kritikave tani po zëvendësohet me indiferencën totale ndaj këtyre kritikave. Njerëzit mund të shkruajnë çfarë të duan, por askush s’e vret mendjen. Në dy vitet e fundit janë botuar artikuj të rëndësishëm investigativë, por si autoritetet ashtu edhe sistemi ligjor as nuk kanë reaguar e as nuk kanë filluar hetimet që artikuj të tillë kërkojnë. Me fjalë të tjera, gazetarët kanë të drejtën të flasin, por jo të drejtën për t’u dëgjuar. Indiferenca ndaj kritikave çon në zhvlerësimin e fjalës së lirë.
Marrë nga shkrimi “Media e Ballkanit: Lost in transition?” botuar tek Revista “Akt”, numri 7, 2011