Është një qasje e ndershme, mjaft pranë së vërtetës ajo për të cilën fliste Gilman Bakalli në Mapo. Për shumë kohë gazetat (dmth stafet e tyre) vetë e kanë besuar që i drejtoheshin një lexuesi të paditur që ashtu i donte “drutë” ose në rastin tonë, artikujt. Skup (spekulim), lista, dosierë, zbardhje të gjata. Ripërsëritje e të njëjtave zbardhje të gjata e të shkruara keq. Media e re televizioni dhe “foshnja online” është e joshur prej së njëjtës metodë të menduari. Fundi dihet. Mjaft të shihen tirazhet e gazetave.
Nëse nuk e kemi lexuar keq, Bakalli flet për lexuesin që konsiderohet si i lexueshëm. Pak a shumë; Ai (lexuesi) do ato që i japin dhe nuk do bëjë naze edhe nëse lajmi rezulton i rremë (kur shpallen vdekje që nuk kanë ndodhur) apo të themi, një shaka editimi me titull tjetër e përmbajtje krejt të pangjashme me titullin. Apo thjesht të mendohet se ai dëshiron të ushqehet me spektakël banaliteti, kofshë dhe fishekzjarrë, “fishekzjarrë” dhe kofshë. Një “ja si” është prej kohësh e mjaftueshme për t’i dhënë kuptim botës në median shqiptare pa bërë dallim.
“A nuk ndjehesh si mut, kur, pas gjithë këtij devocioni që dëshmon nga mëngjesi në darkë, dëgjon punonjësit e mediave teksa, ndaj kritikave publike për nivelin e ulët të disa të përditshmeve televizive e gazetareske, mbrohen publikisht me argumentin se e gjitha kjo ndodh për shkak të nivelit të ulët të audiencës, pra për nivelin e ulët timin e tëndin, të atij e të asaj, të të gjithë neve dhe juve pra, që notokërkemi në batakun e injorancës dhe moskuptimit”, shkruan Bakalli.
E megjithatë, përkundër sa thamë, e gjithë kjo është një “keqkuptim”. Bakalli mund të ketë dëgjuar punonjës mediash të japin atë justifikim të cilit ai i referohet, por e gjithë kjo është një shmangie nga e vërteta. Një lexim i alibisë, pa marrë parasysh provat. Dhe alibia është e dobët. Media nuk shkruan mirë sepse media është e paaftë ta bëjë këtë. Media ka një nivel të ulët sepse aftësia e saj është e ulët dhe jo sepse lexuesi nuk ka nivel. Kriza e saj është më e madhe se sa mund të mbulohet nga fodullëku dhe arroganca, që më shumë shërbejnë si alibi e pamundësisë dhe për rrjedhojë paaftësisë për të raportuar drejt, ndershëm dhe mirë.
Shkurt, media është në krizë dhe nuk është në krizën e arrogancës siç thotë Bakalli, përkundrazi është në krizë të modestisë. Media ka liri modeste, financa modeste, stafe edhe më modeste dhe për rrjedhojë, profesionalizëm krejt modest. Nuk mund të flitet gjëkundi para “faqeve për t’u mbushur”, për nevojën për t’u thelluar, konfirmuar apo shkruar mirë për një lexues që di të lexojë dhe që nuk është i lexueshëm mu sepse zgjedh vetë atë që i pëlqen. Gazetat u zhytën të parat këtu. Listat e pronarëve, dëmshpërblimeve dhe notave, nuk ishin në fakt ajo që kërkonin lexuesit. Ndërsa tirazhet e gazetave me apo pa lista kanë rënë në prag të mosekzistencës apo ekzistencës nga halli, është e qartë se ato kanë shkuar shumë larg nga ai që duan të kenë për klient. Ata kanë humbur njëkohësisht edhe “lexuesin” e listave, sepse ai nuk është çdo ditë në listë dhe lexuesin, atë që e shmangën prej pamundësisë për t’i dhënë diçka për të lexuar.
Kështu për sa është e vërteta, qasja e Bakallit lë mënjanë një mori të pafund të faktorëve që e kanë katandisur kaposhin në thellë. E ndërkohë që flasim media e re, që shihet edhe kjo gabimisht si alibi e varrosjes së të vjetrës, do të ketë me gjasë të njëjtin fat. Ashtu si paragjykimi për lexuesin, televizioni dhe media online, janë parë si armiqtë e shtypit, por me gjasë do të jenë armiqtë e vetes duke imituar dhe ndjekur në gjurmë të përditshmet. Gara për të sjellë “atë që do lexuesi” e përkthyer në një nxitim të tmerrshëm televiziv për të sjellë lajme të para të paqena apo pamundësi për të mbushur 24-orëshat me pamje dhe fiksimi i kamerave mu aty ku lexohen listat (në disa raste ato janë shfaqur në tv live) do të jenë po kaq shkatërruese për tv. Ndërkohë në online, edhe kaq i pabesueshëm për shkak të së panjohurës dhe skepticizmit ndaj teknologjisë, po përsëriten të njëjtat gabime të medias së shkruar në kulmin e saj dhe fillimin e fundit (1994-1996). Abuzimi i skajshëm me lajmin, publikimi i informacionit të rremë dhe të paverifikuar me qëllim marrjen e lexuesve, por pa marrë parasysh se çdo lexues i fituar kështu është një lexues i humbur, do t’i japë frytet e padëshiruara më shumë shpejt se vonë.
Por edhe kjo nuk bëhet prej dashjes. Nuk bëhet as prej besimit se gazetari, siç shkruan Bakalli, ka pushtet “të shtypë miza e njerëz” apo “varrosë njerëz me shpejtësinë e dritës dhe lehtësinë e mizës”, por për krejt të kundërtën e kësaj. Gazetari është i dobët. Mund ta keqkuptoni këtë si të doni. I dobët profesionalisht, i dobët financiarisht apo i dobët në prestigj dhe besueshmëri. Alibia, me lexuesin që kështu e do, ka kohë që nuk e kryen më funksionin e përkëdheljes së sedrës edhe për ata që e kanë besuar këtë. Lexuesit e kanë bërë të qartë siç dinë, janë larguar.
Botuar në gazetën Mapo. Titulli në original: “Kriza e gazetarisë s’vjen prej arrogancës, por prej modesties”