Krizës së thellë ekonomike e shpirtërore që ka mbërthyer gjithë sferat e jetës sonë, nuk i ka shpëtuar fatkeqësisht as shtypi i përditshëm, i cili këto vitet e fundit për të mbijetuar në tregun mediatik, është kthyer në sulmues agresiv ndaj privatësisë së subjekteve dhe individëve duke mbjellë pa kënaqësi, armiqësi e agresivitet. Edhe pse liria e shprehjes garantohet me ligj, pavarësisht zhvillimeve pozitive në këto vite të demokracisë, media, “jo e gjitha”, nuk ka qenë plotësisht e pavarur apo të bëjë së paku hapa progresive në fushën e komunikimit masiv. Është pozitive rritja e numrit të operatorëve në tregun e fushës, por përmbajtja e tyre, thuajse e njëjtë, informacioni fort i politizuar si në përmbajtje dhe në të shprehur e kanë larguar disi median e shkruar nga funksioni i informimit publik dhe e ka kthyer atë në shërbim të politikës për pushtet, mbrojtjes së biznesit privat, thënë më saktë, në shërbim të botuesve dhe jo të qytetarëve. Varfëria ka rrënuar dhe vetë shpirtin e Shqiptarëve. Shtypi i shkruar, pa hyrë në medien në përgjithësi, i ngjanë sot një tregu, ku për të mbijetuar për shkak të pa aftësisë së manaxhimit dhe të kushteve që ka sjell tregu i fushës, shet bashkë çdo gjë, që nga buka e deri tek enët e kuzhinës. Një shtyp, theksojmë jo i gjithi, ku se njeh qeni të zonë. Kush do shkruan çfarë të dojë, mjafton që ti pëlqejë pronarit, i cili në shumë raste nuk i përket fushës së media, ka hapur një gazetë për t’i bërë reklamë biznesit të vet. Sot, media e shkruar, jo e gjitha, është uzurpuar në ndonjë rast nga njerëz që s’të lënë rrallë të botosh, për shkak të mendjes shterpë të ndonjë anëtari stafi, i cili të zvarrit, për arsyet që di ai vetë, deri sa të lodh e të detyron të bredhësh dyerve të redaksive, si lypsarë duke injoruar edhe vetë vlerën e asnjë që shkruan. Me gjithë rezultatet e pamohueshme në fushën e informimit publik, përsëri gjendja e tij është për të ardhur keq. Ai i nivelit të parë, është mbërthyer nga politizimi i tij i tejskajshëm, duke lënë jashtë vëmendjes hallet e mëdha të publikut shqipëtarë. Rendja shpesh pas publikimit të negatives, për t’u bërë i lexueshëm dhe shmangia e progresives në një shoqëri demokratike, ka bërë që në një masë të konsiderueshme, shtypi të jetë jo fort i lexueshëm, por edhe më pak i besueshëm. Në praktikë, vihet re se elementë të veçantë të ndonjë stafi të shtypit të shkruar, nuk njohin mirë ligjet e shtetit për marrjen e përcjelljen e informacionit tek publiku i gjerë, duke bërë që shpesh herë të shkelen konventat, liritë e të drejtat e njeriut dhe Kushtetuta. Ligji për median e shkruar përcakton saktë se përpara se të botojë çdo material, gazetari duhet të verifikojë saktësinë e tij, përmbajtjen etike dhe besueshmërinë e burimit të informacionit, në të kundërt do të cenojë rëndë moralin lirinë dhe dinjitetin e vetë botuesit. Një pjesë e shtypit është mbërthyer nga elementë të partishmërisë, ku shpesh ndodh që nuk mundë të botosh një shkrim në se del kundër boshtit të sajë, qoftë edhe politik. Një pjesë e gazetave rëndin pas botimit të shkrimeve që i bëjnë reklamë biznesit të tyre, duke harruar se ajo është një dritare e hapur për informimin dhe edukimin e gjithanshëm kulturorë të publikut të gjerë. Pa mohuar gazeta dhe elementë të talentuar, e me kontribute të veçanta në fushën e gazetarisë, vëmë re edhe gazetarë, që s’njohin kodin e etikës në marrjen e përcjelljen e informacionit tek publiku i gjerë. Shpesh, varfëria ekonomike i ka kthyer disa stafe në varfëri deri në shpirt, sa që ka edhe nga ata që s’mbijetojnë e qarkullojnë nga një gazetë në tjetrën si gjynahqarë, se nuk marrin rrogat në kohën e duhur. Gazetaria investigative sot është në pikë të hallit. Paaftësia profesionale, lidhja e ndonjërit me krimin për të mbuluar gjurmët e dikujt, shpesh i kalon caqet, duke i kthyer në gjobëvënës e denigrues të personalitetit të individit e të familjes, e shkelur rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Rrënimi i individit përballë pushtetit të medias është në nivelet ekstreme. Kjo fushë ka mbledhur në disa raste elementë të pa formuar, që për shkak të injorancës, kur duan çfarë nuk shpikin e spekulojnë me tituj bombastik për të nxirë realitetin objektiv. Ka nga ata, që jo vetëm etikën nuk e njohin, por edhe kur e njohin e shkelin me dashje. Fjala vjen edhe persona jo me interes publik, janë goditur si të korruptuar dhe Gjykata nuk i ka vërtetuar si të tillë. Femra të përdhunuara, viktima të pedofilsë, njerëz të vetëvarur e vrasje për shkak të hasmërive janë dhunuar shumë rëndë nga media. Nuk kemi parë qoftë edhe një rast, ku ai organ mediatik, pas nxjerrjes së identiteteve të viktimave, ndonjë herë pa asnjë interes për ngjarjen, t’i ketë kërkuar falje publike atij që i ka shkelur në kallo për mungesë etike.
Sot, mjafton të kesh qenë pjesëmarrës në një emision argëtimit në televizione dhe e gjen veten, pa u gdhirë dita, në ndonjë media, e merret lehtë me mënd se sa moral e produkt fals do të shesë ky njeri. Numri i lexuesve të shtypit ka rënë së tepërmi. Kjo vihet re në pikat e shitjes, kur shikon se pjesa e madhe e gazetave nuk shitet, e kthehet për tu grirë përsëri për letër. Ky s’është gjë tjetër veçse një shtyp në krizë, e për të ardhur keq. Po Shteti, në ç’raport qëndron me shtypin e shkruar, një nga dritaret e informimi publik? Në disa raste, kemi parë se ai ka qenë në rolin e selektuesit, blerësit, joshjes e kompromentuesit, për ta përdorur si mburojë nga qeverisja e mbrapshtë. Lajmi, nga mania për të qenë i pari në treg, nga ndonjë gazetë nuk është i saktë, çka i kthen lexuesit në indiferentë. Krizën e shtypit, veç tjerash, e thellon deri në një farë mase edhe leximi i faqeve të para nga mediat vizive çdo ditë, duke shuar kureshtjen e lexuesve, por dëmtuar rëndë marketingun e shtypit të përditshëm e orientimin e tij drejt një krize pa kthim. Edhe ajo pjesë e shtypit që e quan veten të pa varur, vetëm i tillë nuk është. Pa le të hysh në përmbajtjen e një pjese të gazetave të përditshme dhe do të zhgënjehesh. Mbi 30 % të faqeve të një gazete e zënë shkrimet mbi fjalëkryqet, horoskopët, femrash të zhveshura e thashetheme, etj. Publikimi i këtyre shkrimeve e bën shtypin, jo vetëm pa interes për lexuesin, por edhe aspak serioz në opinionin e gjerë. Ka ardhur koha që të rishikohet edhe legjislacioni shqiptar, jo vetëm për median në përgjithësi, por edhe shtypin e shkruar në veçanti, sepse nuk mjafton të thotë ky ligj, se shtypi është i lirë dhe këtu mbaron gjithçka. Aty ku mbaron liria e shtypit, fillon liria e individit, e cila edhe ajo mbrohet nga ligjet dhe kushtetuta e Shtetit Shqiptar dhe Konventat Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut. Ka ardhur koha për të thënë hapur se përdorja e gjuhës së urrejtjes dhe e pushtetit të medias për hakmarrje politike dhe më gjerë, për interesa personale, në kundërshtim flagrant me vetë të drejtën e informimit që i jep ligji, Kushtetuta, nuk sjell gjë tjetër veçse rigjeneron hatërmbetje, krijon hakmarrje dhe rrënon vetë median e shkruar në Shqipëri, duke e kthyer atë dritare, në një produkt pa vlerë në duart e lexuesit.