Stopfake: Përgjigja e Ukrainës ndaj propogandës

4 Gusht , 2014 • Liria e medias • by

E vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur botës së zhurmshme, të mbingarkuar dhe shpesh ç’orientuese të propogandës së internetit, duket se është krijimi i websajteve që merren me verifikimin e fakteve. Këto lloj websajtesh ndërtohen për të sfiduar spamet, propogandën, keqinformimin dhe “lajmet e rreme”. Një prej këtyre websajteve të kohëve të fundit, dhe ndoshta më impresionuesi, është Stopfake.

I lançuar nga Shkolla e Gazetarisë Mohyla në Kiev, Stopfake publikohet në rusisht dhe anglisht dhe u krijua me qëllimin kryesor që t’i kundërvihet propogandës së Kremlinit për Ukrainën. Ai mbahet nga pedagogët dhe ish-studentët e shkollës dhe synon ekspozimin e lajmeve të rrema në media.

Operatorët e Stopfake kanë shumë punë për të bërë. Në një prej raportimeve më të fundit, investiguesit zbuluan se Russia Today – një kanal televiziv rus, kishte gënjyer në një raportim të vetin fals mbi vrasjen e ushtarëve dezertorë ukrainas që kishin tentuar të braktisnin frontin e luftës.

Në një rast tjetër Russia 1 për të disatën herë kishte paraqitur një grua e cila përshkruhej si “aktorja e famshme” Mariya Tsypko. Ajo ishte intervistuar si dëshmitare në qytete të ndryshme të Ukrainës, diku si banore lokale, diku si viktimë dhe diku tjetër si dëshmitare okulare e gjoja krimeve të kryera nga ushtria ukrainase ndaj popullsisë civile.

Investiguesit e Stopfake shqyrtuan gjithashtu edhe disa foto të fëmijëve të vdekur që qarkullonin në web,  duke u paraqitur si viktima të operacioneve anti-terror të Ukrainës. Një nga këto foto u verifikua dhe u provua të ishte fotoja e një vajze 10-vjeçare të vdekur në një aksident rrugor disa vjet më përpara se fotoja të dilte në media.

Websajti sjell fakte edhe nga një program javor televiziv në rusisht, që përmban gënjeshtrat më të padëgjuara të propogandës.

 

Stopfake është websajt interaktiv dhe përdoruesit ftohen që të ndihmojnë në identifikimin e lajmeve false. Operatorët gjithashtu shpresojne për financime të tjera që vijnë edhe nga popullata. Ata thonë se kanë mbledhur rreth  8000 $ që nga dita e hapjes së websajtit në Mars 20014.

“Shumë njerëz nuk i shohin gjërat me vëmendje” – thotë Margo Gontar, një nga bashkëthemeluesit e Stopfake. “Ata thjesht ndjejnë që opinionet e tyre përputhen me lajmet e rreme dhe ndihmojnë në shpërndarjen e tyre virale përmes klikimeve. Kjo natyrisht është shumë më komode se sa përpjekja për të kontrolluar dhe për të verifikuar në mënyrë kritike lajmet.”

Shtimi i propogandës dhe i informacioneve false që përhapen nga interneti dhe mediat sociale, është përkeqësuar edhe për arsye të faktit se korrespondentët e huaj me eksperiencë dhe gazetarët që raportojnë për ngjarje të tilla janë pakësuar. Disa prej reporterëve ndërkombëtarë që kanë mbetur dhe flasin më shumë se një gjuhë të huaj si dhe kuptojnë kulturat lokale, dërgohen rrallë në zonat e luftës. Duke patur më pak gazetarë në terren, kontrolli për informacionin online është i pakët dhe nuk dihet kush është e vërteta: ajo që vjen nga kanalet e propogandës qeveritare apo ajo që vjen nga “lajmet” e çudirave apo bëmave. Kjo situatë ka bërë që interneti shpesh të bëhet burim i shpifjeve.

Në rrethana të tilla, është për t’u lavdëruar fakti që një shkollë e njohur e gazetarisë, përfshihet në “fact  checking” dhe jo vetëm që iu mëson studentëve leksionet bazë të profesionit të gazetarit, se si të verifikosh faktet nga dy apo më shumë burime apo se si të hetosh për të vërtetën, por gjithashtu ndihmon edhe në edukimin e publikut të gjerë. Nëse ka diçka për të cilën ende po insistohet në trajnimet e gazetarisë, edhe në kushtet e ndryshimeve të shpejta të redaksive, ky është pikërisht funksioni i “fact  checking” dhe i ndriçimit të fakteve.

Që nga fillimi, projekti ka arritur të ketë mesatarisht një milion e gjysëm vizitorë në muaj. Ai ka sot rreth 30 000 friends në Facebook dhe mbi 10 000 followers në Twitter. Por kjo është e papërfillshme krahasuar me legjionet e zhurmuesve dhe gazetarëve “freelance” të mobilizuar nga regjimi i Putinit sipas traditës më të mirë leninisto-staliniste. Këta zhurmues janë aktivë edhe në seksionet e komenteve në raportimet në media për Stopfake – duke u përpjekur të mbjellin dyshime lidhur me kredibilitetin e projektit. Por edhe përballë një opozicioni të tillë, një organizatë jo-fitimprurëse siç është Stopfake, mund të jetë e sukseshme në  mënyrën e vet.

Gjithsesi, inisiativat bashkëpunuese të fact-checking, të cilat nisën në botën anglo-saksone disa vjet më parë me websajte si Truthteller, Politifact, Factcheck dhe Fullfact, janë shndërruar sot në lëvizje mbarëbotërore. Një konferencë e kohëve të fundit, e organizuar nga American Poynter Institute dhe London School of Economics, mblodhi aktivistë nga më shumë se 21 vende, mes tyre edhe nga Argjentina, Australia, Italia, Serbia and Afrika e Jugut. Qëllimi ishte që të krijohen organizime dhe rrjete bashkëpunuese botërore për fact-checking. Kjo ua bën më të vështirë jetën politikanëve dhe njerëzve të tjerë të pushtetshëm.

Margo Gontar e Stopfake, deklaroi në Londër se ajo ndjehej e vetmuar përpara konferencës. Tani ajo është pjesë e një rrjeti që e bën atë të ndjehet më e fortë. Aktivistët e fact-checking e kanë mprehur vëzhgimin e tyre ndaj autokratëve si Putin apo Erdogan, duke ua bërë atyre më të vështirë përhapjen e propogandës dhe të lajmevë të gënjeshtra.

Përktheu nga anglishtja: Rrapo Zguri

Send this to a friend