Opinioni publik, media dhe gjyqësori

17 Korrik , 2014 • Liria e medias • by

Qytetarët shqiptarë kanë nevojë të informohen në mënyrë të vazhdueshme në lidhje me atë se çfarë po ndodh në gjykata dhe si po jepet drejtësia në një vend të caktuar. E drejta e informimit dhe e drejta për një gjykim të pavarur janë të mbrojtura dhe të parashikuara në aktet ndërkombëtare dhe ato shqiptare, duke renditur të parën Kushtetutën e Shqipërisë. Garantimi i autoritetit dhe paanësisë së Gjyqësorit përfshin çështje, në të cilat aktiviteti i Medias ka një ndikim të padiskutueshëm, aq më tepër që roli i kësaj të fundit nuk është vetëm informimi, por dhe zhvillimi dhe ndikimi në formimin e një opinioni publik.

Prandaj media e ka për detyrë të tregojë me objektivitet akuzat lidhur me një çështje penale që po shqyrtohet në gjykatë. Këto elemente mundet të hapen për publikun aq sa ato nuk prekin parimin e konfidencialitetit të hetimit. Gjithsesi, është e këshillueshme që media të përcjellë ato fakte apo elemente të akuzës që palët vetë, në një proces gjyqësor, i kanë ofruar publikut.
Po realisht a e ka të mundur media ta bëjë një gjë të tillë? A e kanë gazetarët aksesin e nevojshëm të asistojnë gjatë seancave gjyqësore për çështje të ashtuquajtura “të mprehta”?

Mbështetja ligjore

Referuar legjislacionit shqiptar, mbi bazën e Nenit 151, pikës 3 të Kodit Penal, filmimi dhe regjistrimi në vende publike, pra edhe përgjimi, është i lejuar. Në shumicën e rasteve, kur burimi i filmimit ose i regjistrimit është i identifikuar nga X ose Y person, atëherë ky fakt merret në konsideratë nga gjykata. Ndërsa kur filmimit ose regjistrimit nuk i del njeri për zot, pra filmimi është anonim, atëherë ky fakt nuk merret në konsideratë nga gjykata. Gjithashtu, në bazë të nenit 339 të Ligjit (Kodit Penal), “gjatë seancave gjyqësore lejohet të përdoren materiale video dhe audio, pasi këto seanca, përgjithësisht, janë të hapura për Median dhe për publikun”. Por realisht a ndodh kështu?  Me keqardhje “JO”. Për raste të të njëjtës natyrë, gjyqtarë të ndryshëm aplikojnë standarde të ndryshme dhe kjo është për të ardhur keq.

Këtu luan një rol të rëndësishëm dhe marrëdhënia ndërpersonale e medias me personat që ushtrojnë funksione publike, sikundër janë gjyqtari, oficeri i policisë gjyqësore, prokurori, drejtuesit e gjykatave dhe prokurorive, ministri i Drejtësisë apo edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Duhet të mbahet në konsideratë roli që luan media në forcimin e bindjes dhe besimit të publikut për dhënien e drejtësisë apo dhe gjykimin korrekt të një trupe gjykuese që ushtron funksionet e dhënies së drejtësisë. Shpesh konstatohet se një gjyqtar apo prokuror arrin të bëjë përpara në karrierë (promovim brenda Gjyqësorit, apo në politikë) edhe në sajë të imazhit të mirë të ofruar nga media.

Parimi i drejtësisë

Referuar nenit 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe të ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë”. Por, në përputhje me parimin e drejtësisë, media duhet të ofrojë mundësi të shpejta për një figurë publike (ose një person që ka lidhje me një figurë publike) për t’u përballur me shkeljet. Kur është e mundur, dhe në qoftë se kjo nuk do të rrezikonte publikimin e ardhshëm, gazetarët duhet të kontaktojnë dhe të dëgjojnë personin para publikimit; ndërsa pikëpamjet e tij duhet të prezantohen ashtu siç janë dhe brenda kontekstit në të cilën thuhen, ndryshe kjo përbën atë që në gazetari quhet “manipulim” i fakteve. Në fund të fundit, kjo është përgjegjësi e organeve editoriale (bordi editorial, shefi i editorialit, etj) të Medias për të vendosur rreth publikimit të materialeve, pa dëgjuar personin përkatës para publikimit.

Veçanërisht Media Audio-Vizuale ka një efekt shumë më të fuqishëm dhe më të shpejtë sesa media e shkruar. Në vendet publike (për shembull në rrugë, në transportin publik) individët mund të fotografohen dhe të filmohen pa pëlqimin e tyre, nëse këta persona janë pjesë e një turme dhe nuk fokusohen posaçërisht mbi të. Në të njëjtën kohë, është i lejuar fotografimi dhe filmimi i individëve, të cilët tërheqin vëmendjen qëllimisht nga veprimet e tyre, nga pamja apo në një mënyrë tjetër, si dhe ato që marrin pjesë në ngjarje publike (konferenca, protesta, etj) dhe për të shpërndarë foto të tilla dhe video- materiale. Në vende potencialisht të ndjeshme, për shembull në spitale, shkolla, burgje; është i nevojshëm pëlqimi i drejtuesit të institucionit.

Megjithatë, në legjislacionin shqiptar, për gazetarët ekziston edhe një nen i veçantë në Kodin Penal (Neni 159), që ka të bëjë me ruajtjen e sekretit profesional. Me fjalë të tjera, askush, pra as gjykata, nuk mund ta detyrojë gazetarin të nxjerrë burimin e informacionit, mjafton që ky informacion të jetë i vërtetë.

E drejta e privatësisë

Neni 8 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (Konventa 108 “Për mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale”) dhe neni 35 i Kushtetutës së Shqipërisë përcaktojnë se mbulimi mediatik duhet të jetë në përputhje me standardet e përgjithshme të mbrojtjes së të drejtës së privatësisë, në veçanti me parimin e saktësisë, proporcionalitetit, transparencës në sigurinë e përpunimit të të dhënave personale.

Media mund të mbledhë dhe të shpërndajë informacion në lidhje me jetën private të figurave publike, por me pëlqimin e tyre. Gazetarët nuk duhet të përdorin metoda mashtruese për marrjen e pëlqimit, por ata mund të ndërhyjnë në jetën private të figurave publike, pa pëlqimin e këtyre të fundit, vetëm kur ka shfaqje të justifikuar të interesit publik. Një ndërhyrje e tillë duhet të jetë proporcionale dhe të mos shkojë përtej asaj që është e nevojshme për të plotësuar një interes publik legjitim.

 

Send this to a friend