Cili është gazetari/ja më i/e mirë në Shqipëri? Kjo është pyetja që më erdhi në mend kur dëgjova se dje, si çdo vit u ndanë çmimet Pulitzer për gazetarinë amerikane. Për këdo që e ka filluar profesionin e gazetarisë pas viteve ’90, Pulitzer ka qenë sinonimi i përsosmërisë gazetarseke, çmimi që shënonte kulmin professional të një gazetari. Artikujt që fitonin këtë çmim janë shkolla të vërteta për mënyrën sesi duhet raportuar në një demokraci ku gazetari është misionar i informimit të publikut.
Pyetja më ngeli pa përgjigje, sepse edhe pas 20 vitesh gazetaria shqiptare nuk ka arritur të krijojë një sistem vlerash hierarkikë për profesionin e vet. Sigurisht, në vite janë shpërndarë e dhënë shumë çmime dhe gazetarët me përvojë kanë në dosjet e tyre disa prej tyre. Unë vetë kam një çmim për programin televiziv të vitit 1999 nga Bordi i Medias i Fondacionit Soros, i cili më rezulton ta ketë nisur i pari këtë traditë dhe për disa vite ka qenë i vetmi në këtë fushë.
Pas tij, organizata të shoqërisë civile si Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Co-plan me çmimet e lidershipit, Instituti AKT dhe institucione qeveritare, mes tyre Ministria e Kulturës dhe ajo e Shëndetësisë, kanë shpërndarë çmime për gazetarët më të mirë sipas fushave që mbulojnë. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, organizata më e madhe e gazetarëve në vend shpërndan çmimin “Vangjush Gambeta” për gazetarët e ekonomisë.
Por të gjitha këto çmime, me gjithë dëshirën e mirë të organizatorëve të tyre për të nxitur e shpërblyer gazetarinë e mirë dhe qytetare, nuk e mbushin dot, as nuk duhet ta zëvendësojnë boshllëkun e një çmimi kombëtar të gazetarisë si ai Pulitzer, i dhënë nga një juri e përbërë nga 77 botues, redaktorë, shkrimtarë dhe profesorë që mblidhen çdo mars në Universitetin e Kolumbias për të gjykuar konkurentët për 14 kategori të gazetarisë. Mbi të gjitha, nuk sigurojnë dot atë vazhdimësi të nevojshme për prestigjin e një çmimi që simbolizon ruajtjen dhe përsosjen e standarteve të profesionit.
Një profesion rritet e zhvillohet edhe nëpërmjet nxitjes së konkurencës dhe egos profesionale. Në këto 20 vjet gazetaria shqiptare me të mirat dhe të metat e veta, ka formësuar vlera, të cilat do të duhet t’i ndajë me anëtarët më të rinj të komunitetit, por edhe me ata që qëndrojnë prej kohësh në profesion për të mos bjerrë cilësinë e raportimit, për të treguar se kanë standarde që i respektojnë dhe drejt të cilave duhet të shkojnë të gjithë. Pasja e një çmimi kombëtar si ai Pulitzer për gazetarët shqiptarë do të ishte një shtysë më shumë për të arritur më të mirën në gazetari dhe për të lënë pas dëshmi të punës së gazetarëve si modele për t’u ndjekur.
Sic thotë edhe një administrator i çmimit Pulitzer “lista e fituesve ndër vite është diçka më shumë se thjeshtë një regjistër emrash apo të dhënash biografike. Është një listë emrash të njerëzve të gazetarisë, letërsisë dhe muzikës, zotësia e të cilëve i mundëson kërkuesve të gjejnë gjurmët evolucionin historik në fushat e tyre përkatëse dhe ndihmon zhvillimin e shoqërisë amerikane”. Gazetaria shqiptare është aq e pjekur sa ta bëjë këtë tani. Gazetaria shqiptare e meriton këtë.
Botuar më 17 prill tek shqiptarja.com