Media e ngordhur urie

28 Shkurt , 2014 • Menaxhimi i Redaksisë • by

Pakçka do ta përgënjeshtronte më mirë ligjin e shndërrimit të sasisë në cilësi, sesa numri i madh i të përditshmeve që botohen në Tiranë dhe pastaj edhe në uebin shqip: me dhjetëra.

Në krahasim me tundrën e acartë të shtypit shqip gjatë periudhës totalitare – ku blerësve u duhej të zgjidhnin thjesht midis Zërit të popullit dhe Bashkimit – pamja e sotme alarmon, sepse është simptomë mbipopullimi; dhe mbipopullimi dihet që sjell varfëri, sëmundje, dhunë, kanibalizëm dhe anomi.

Po a nuk janë këto njëqind lule dhe flutura, në kopshtin e tanishëm të mediave shqip, shenjë e pluralizmit të kthyer; ose arritje, madje triumf i fjalës së lirë? Jo detyrimisht, do të thoja – veç në qoftë se marrim për bazë një përkufizim numerik të pluralizmit.

Arsyet e këtij shumëzimi të paarsyeshëm të gazetave në Tiranë janë komplekse: politike, ekonomike dhe natyrore. Çfarë habit është, përkundrazi, si arrijnë të mbijetojnë këto gazeta, në rrethanat kur shumë prej tyre duhej të kishin falimentuar me kohë, sipas çdo logjike financiare; ose, më mirë, pse nuk ka ndodhur konsolidim, krahas shumëzimit.

Përndryshe, mund të sillen dëshmi të shumta, për të provuar se pasuria në gazeta nuk përthyhet gjë në pasuri informacioni, këndvështrimesh dhe opsionesh identifikimi për lexuesin.

Para së gjithash, burimet e materialeve – të cilat në më të shumtën e rasteve as që zihen gjëkundi në gojë. Shumë prej lajmeve kryesore të brendshme vijnë drejtpërdrejt nga zyrat e shtypit të partive ose të qeverisë; kur nuk merren të gatshme prej televizionit një natë më parë. Kjo bën që i njëjti lajm, me të njëjtin formulim teksti, të shfaqet gëzueshëm në disa gazeta njëkohësisht: i konfeksionuar, si të kish ardhur drejt e nga the Ministry of Truth.

Më keq akoma, materialet origjinale, zakonisht analiza ose opinione që gjykohen si me interes për publikun, shtegtojnë lirisht nga një gazetë në tjetrën – zakonisht pa njohje të së drejtave të autorit dhe të përparësisë së botimit. Kjo dukuri, për të cilën kemi folur më se një herë (sidomos këtu dhe këtu), i homologon mediat, duke provuar, në të njëjtën kohë, se pluraliteti i tyre është fiktiv; madje edhe kur të drejtat e autorit formalisht respektohen. Përmes këtij homologimi, krijohen fronte gazetash, zakonisht të koaguluara sipas vijave politike dhe të tilla që duket sikur kanë për synim t’i japin të njëjtat materiale një numri maksimal lexuesish: por ky nuk është më informim pastaj, pse është degraduar sakaq në propagandë.

Shumë rrallë sheh që një gazetë të përfshihet seriozisht në gazetari investigative – kjo kushton, dhe prandaj i është besuar televizionit, i të cilit media e shkruar në Tiranë po funksion si echo chamber. Edhe në ato raste fatlume kur një gazetë arrin vërtet të hetojë diçka me forcat e veta, përpjekjet i anulohen sakaq, sepse lajmin ia marrin menjëherë gazetat e tjera dhe ia përhapin poshtë e lart, duke ia zhvlerësuar primatin investigativ. Kështu, vjen puna që të gjithë e dinë se çfarë ka zbuluar Fiks fare, por askush nuk di se çfarë ka zbuluar Shekulli ose Dita.

Nga mënyra si e trajtojnë lajmin, të krijohet përshtypja se gazetat mbeten në qarkullim dhe vazhdojnë (të përpiqen) të shiten jo sepse sjellin diçka të re në krahasim me televizionin dhe Internetin, por më tepër për t’i shërbyer një lexuesi tradicional, i cili ende e kërkon gazetën thuajse mekanikisht, çdo mëngjes, bashkë me kafenë; çka do të shpjegonte edhe tirazhet jashtëzakonisht të ulëta të gazetave sot, të cilat ndonjëherë janë edhe më pak në numër se, bie fjala, klikimet e përditshme në një blog si ky yni.

E megjithatë, një gazetë që del çdo ditë, ka nevojë për materiale që të mbushë faqet, çdo ditë. Nuk ka nevojë të bësh studim krahasimtar shterrues, për t’u bindur se këto materiale, të çdo lloji, rimerren nga një gazetë në tjetrën – duke filluar nga lajmet, komunikatat për shtyp, kronika e zezë e më tej, te analizat e ndryshme; dhe duke vazhduar me botimin lumë të pjesëve nga dosjet dhe kujtimet për periudhën totalitare e më në fund me lajmet rozë, ose faqet thjesht pornografike – të cilat zënë vend gjithnjë e më të madh në programet, meqë klikohen shumë.

Një pjesë e madhe e materialeve përkthehen – jo vetëm lajmet “e jashtme” dhe analizat nga media prestigjioze (Financial Times, Foreign Affairs, Der Spiegel, The Economist), por edhe trash-i i faqeve të dëfrimit, thashethemet për celebrities, artikujt e lehtë për kuzhinën, modën, shëndetin, humbjen në peshë, zarzavatet; sikurse “huazohen” fotografitë dhe videot nga YouTube. Kësisoj, ndonjë gazetë e vogël vjen dhe katandiset në faqen personale të pronarit të vet: një analizë therëse, ca opinione të qëmtuara andej-këndej nga faqet e gazetave simotra në Internet, një lajm për një këngëtare gjysmë të zhveshur që është divorcuar ose rimartuar me siguri i vjelë edhe ai nga ndonjë kopsht anës rrugës, një foto e Cristiano Ronaldos me të dashurën mundësisht në plazh, një artikull i Umberto Eco-s i përkthyer si mos më keq (në mos me Google Translate) dhe voilà. S’është për t’u habitur që kjo lloj zhvendosjeje drejt modelit container, t’i bëjë gazetat gjithnjë e më të vëmendshme ndaj faqeve të politikanëve në Facebook.

Dhe kjo na çon sërish te burimet e materialeve, meqë tekstet rrapa-shtrapa të marra nga Facebook-u nuk mund të zëvendësojnë – të paktën idealisht – agjencitë e lajmeve, ose burimet e gazetës vetë; pa çka se këtë e shohim të ndodhë përditë. Por kur vjen puna te burimet, problemi më serioz mbetet verifikimi i fakteve (fact checking). Shembull sa flagrant, aq edhe i freskët: të gjitha gazetat, pa dallim pronari dhe ngjyrimi politik, përcollën para dy ditësh një falënderim që e bija e politikanes ukrainase Julia Timoshenko i paskësh dërguar Berishës sonë, në lidhje me një gjest teatral të këtij të fundit në përkrahje të Timoshenkos mëmë të sapoliruar nga burgu; gazeta “Dita” zbuloi, ndërkaq, që teksti i falënderimit qënkesh i dy vjetëve më parë, edhe pse burimi mbetej i njëjtë: një agjenci lajmesh e quajtur “Presheva jonë.” Kështu, gazetat të gjitha kishin kaluar, dora-dorës, një rrenë të rëndomtë, të cilën e përgënjeshtruan vetëm ato media të cilat përfituan nga rasti për t’u tallur me Berishën. (Presheva jonë?)

Në situata mbipopullimi dhe shterrimi të rezervave ushqimore, njerëzit fillojnë të hanë ç’të munden: insekte, plehra, qen rrugësh, lëkura shalqini, mace, tagji, breshka, lëpjeta, minj, lëvore pemësh, gomerë. Që të gjitha mediat e Tiranës vrapuan kush e kush të botonte lajmin e dhënë nga “Presheva jonë”, kjo më provon jo vetëm degradimin e gazetarisë shqip në nivele prej buletini kampi pionierësh; dhe jo vetëm indiferencën imorale ndaj verifikimit të faktit; por edhe e sidomos që mbipopullimi ka marrë përmasa të papërballueshme; dhe media nuk po e kryen dot rolin e vet elementar, që të informojë publikun.

Mediat e shkruara, pra, janë në fazën e kanibalizmit – sepse nuk kanë me çfarë të ushqehen më. Idealisht, në Tiranë nuk duhej të kish më shumë se katër të përditshme: një me orientim të majtë, një me orientim të djathtë, një të qendrës dhe një me orientim trash (si Daily Mail, ose The New York Post, të themi). Ulja e numrit të mediave, ose konsolidimi, do të sillte vetvetiu një rritje të cilësisë: të përfytyrojmë, bie fjala, një gazetë ku të shkruajnë edhe Mustafa Nano, edhe Mero Baze, edhe Fatos Baxhaku, edhe Andrea Stefani, edhe Mentor Nazarko, edhe Ad Thano, edhe Koloreto Cukali, edhe Ben Andoni…; ose një gazetë ku të shkruajnë edhe Fatos Lubonja, edhe Artan Hoxha, edhe Alfred Lela, edhe Pëllumb Kulla, edhe Andi Bushati, edhe Armand Shkullaku, edhe Artur Zheji, edhe Arjan Vasjari… sa për të përmendur disa emra nga më të njohurit, dhe njëkohësisht më “të holluarit” dhe “të konsumuarit” për shkak të kalimit nga një faqe në tjetrën.

Paradoksi i gazetarisë së shkruar në Tiranë ka të bëjë pikërisht me faktin që gazetarë shumë të mirë dhe të përgatitur nuk arrijnë dot të ngrenë nivelin e mediave ku përftohen si gazetarë; çka do të thotë se konsolidimi i medias tashmë është nevojë urgjente, jo dëshirë: përndryshe, nuk ka fare kuptim që Tirana të ketë më shumë gazeta si pikë referimi se, të themi, Roma, Parisi ose New York-u. Nëse do ta refuzojmë që në krye parimin absurd një gazetar një gazetë, atëherë i bie që publiku, nëpërmjet institucioneve që e përfaqësojnë, të ndikojë aktivisht në uljen e numrit të gazetave, dhe sidomos së përditshmeve në qarkullim; qoftë edhe duke e ndihmuar këtë me mjete financiare dhe lehtësi të natyrës fiskale.

 

Send this to a friend