Të gjithë janë ndeshur me ‘triumfalizmin’ e new media (media e re), atyre që njihen edhe si media sociale. Në rastin e Pranverës arabe për shembull, e sidomos gjatë trazirave në Republikën Islamike të Iranit, u përmend edhe togfjalëshi ndjellës ‘revolucion në Twitter’ apo ‘në Facebook’. Këtë primat të medias së re, shumë e zhvendosën me gëzim në kontekste të tjera. Duke harruar megjithatë se konteksti është kryesor në këtë rast. Që do të thotë, Twitter apo Facebook, e bënë punën aty ku mediat tradicionale nuk mundeshin. Kjo sepse, në rastin e Iranit, mediat ishin të kontrolluara, ndërsa në vende të tjera të botës arabe sektarizmi dhe dhuna ishin aq të forta sa e bënin të pamundur praninë e gazetarëve profesionistë. Kështuqë raportimi i lajmit i mbetej një nëne të re që e shihte ngjarjen tek ndodhte që nga ballkoni i shtëpisë, apo një të riu vendas që gjendej në mes të turmës.
Duke ditur këtë, të kthehemi në kushte normale apo laboratorike le të themi, të funksionimit të medias. Shqipëria, besoj, si një vend i lirë i plotëson këto kushte. Duke ditur këtë, le të bëjmë disa pyetje që më duken themelore: A funksionojnë rrjetet sociale si media në Shqipëri? A e kanë zëvendësuar ato në një mënyrë a një tjetër gazetarin dhe rolin e tij në informim? A është Facebook, Twitter apo blogosfera, një alternativë e të themi gazetave, radios, televizionit?
Jo në asnjë rast, dhe Jo në të gjitha rastet. Absolutizmi i kësaj sigurie, ndoshta vjen edhe për faktin se unë jam gazetar dhe militoj në mediat tradicionale, e rrjedhimisht më intereson supremacia e tyre. Të gjitha këto janë të vërteta, por jo ndikuese te truizmi i madh se roli i gazetarit dhe gazetari si figurë dhe institucion bëhet edhe më i domosdoshëm bash për faktin se në skenë kanë hyrë mediat e reja.
Më shumë zhurmë se kuptim, po të citoj Senekën, më duken Facebook, Twitter e të tjera. Gazetari profesionist, edhe përballë kësaj bukurie të madhe e të papritur, që quhet new media, të cilat duken si kërcënim për të vjetrën por janë bekim, ka misionin e madh për ta bërë këtë kuptim që përmend Seneka, për t’i dhënë kuptim kaosit të informacionit. Për ta futur në dietë botën e sulmuar nga infobeziteti.
Punë e lehtë nuk është, por është njëkohësisht jo më e vështirë se çdo shndërrim. Te shndërrimi, dhe jo përmbysja, qëndron edhe kodi jo dhe aq sekret i kësaj here të gazetarisë, që nuk është hera e saj e parë. James Stayner, një politolog britanik, preferon ta quajë ‘gazetari interpretative’ këtë shndërrim, këtë cilësi të re që thërret era e re ku ka hyrë bota. Me konceptin e mësipërm ai don të përcjellë nevojën që ka publiku për të parë përtej ngjarjes, pasi lexuesi kërkon një interpretim të asaj që ka ndodhur. Një kontekst. Cilido qoftë ai: social, politik, historik, gjeostrategjik. Qoftë edhe të gjitha bashkë nëse ky është rasti.
Stayner, duket sikur paralajmëron vdekjen e erës së pesë W-ve të famshme dhe domosdonë e interpretimit, të kontekstit; një lojë pasqyrash që e fut dritën në të gjithë cepat: edhe në të shkuarën, edhe në të ardhmen. Pra, aty ku kurrë nuk kemi qenë, e kurrë ndoshta nuk do mundemi të jemi.
Gazetari nuk ka vdekur pra, sepse nuk ka marrë fund ekzigjenca dhe nevoja për Ndërmjetës. Madje ndërmjetësi, vini re, ndërmjetësi jo lajmësi, është më i nevojshëm se kurrë. Bota është në nevojën e madhe për t’u ndërmjetësuar me informacionin që ajo vetë prodhon. Ajo kërkon mjekët e informacionit, shestuesit e kësaj skizofrenie informative, dhe, është radha e gazetarëve to play doctor.
Lajmësin, e vërtetë, në dritën e zhvillimeve të reja, do mundet ta bëjë gjithkush. Të gjithë mund të lajmërojnë vdekjen e maces së fqinjit, shpërthimin e një bombole gazi, një targë shtetërore që shkel rregullat e qarkullimit, një VIP me dashnoren në X hotel, urinuesin publik në mes të ditës, a çfarëdo tjetër, nga dritarja e ngushtë e 140 gërmave të Twitter-it.
Sa më sipër është një trajtim universal i çështjes dhe brenda tij përfshihet, qoftë edhe incognito, rasti shqiptar. Nëse kërkohen imtësi, relievi shqiptar i medias së re vs asaj tradicionale ka përthyerjet dhe gungat e veta të pashoqe ndoshta. Në blogosferë për shembull, nuk kemi ende një markë. Një markë në kuptimin e një shenje të madhe që merret me lajmin. Gjëja më e afërt e një fenomeni është blogu Peizazhe të fjalës, i Ardian Vehbiut. Rasti i z. Vehbiu është në fakt ilustrimi ekselent i asaj që unë kuptoj/pranoj si gazetari interpretative, ose i gazetarit që është autor. Blogu i Vehbiut është pothuajse one man show megjithë ndërhyrjet simpatike e të thella të dy-tre bashkëpunëtorëve të cilët preferojnë të shkruajnë nën alias-e. Megjithatë, më shumë se një gazetë apo blog lajmi, Peizazhe të fjalës është ajo që vetë e thotë që në emër: një vademekum intelektual. Shumë i thellë për të qenë masiv, popullor apo i klikuar.
Respublica është një përpjekje tjetër në blogosferë, një mëtim për media të re: vjen megjithatë me një defekt që në lindje; është një ri-interpretim i lajmeve të medias tradicionale. Në ndryshim nga Huffington Post, të cilin edhe imiton, nuk i ka as njerëzit dhe as mjetet për të prodhuar gazetari të vetën made in respublica. Mbetet pra një përpjekje resprivata.
Më i zëshmi dhe më i klikuari është blogu peshku-pa-ujë, që është në fakt një magazinë me artikuj gazetash apo revistash, pra një riekspozim i punës së medias tradicionale. Sigurisht, ka elemente të medias së re, por bashin e vendit e zënë mallrat e ‘së vjetrës’.
Komunikimi megjithatë këtu ndërpritet: nëse këto përpjekje për media të re, ose imitojnë ose huazojnë nga mediat tradicionale, e kundërta nuk ndodh kurrë. Asnjëherë një gazetë, apo TV nuk i referohet një blogu, një gazete online apo uebsajti informativ. Ky ngërç, kjo ndërprerje në komunikim, pasqyrohet si i tillë, pra si një mëri shemrash, ku tjetër veçse në Facebook. Është një gjah i preferuar tashmë, i shumë fejsbukistëve, shigjetimi i protagonistëve të medias tradicionale. Të enjteve sidomos, kur Opinioni i Fevziut është në qytet, Facebook nuk është më një media në vetvete por një prapadhomë e një emisioni televiziv. Një Opinion i Opinionit. Ndoshta ky është një ndër shembujt më të saktë të asaj se si mediat e reja e kanë humbur duelin me tradicionalet. Kjo për shumë mund të jetë një lajm i keq dhe shenjë e asaj se konservatorja ende e mban në hekura trupin e shoqërisë shqiptare; se e reja hyn edhe më me vonesë se tjetërkund në këtë vend.
Nuk ka vend për alarm. Edhe kjo mund të shihet si më shumë zhurmë se kuptim, për t’iu rikthyer Senekës së urtë. Ironia është se ka zhurmë edhe në Opinion, edhe në Facebook. Ku mund ta gjejmë kuptimin atëherë?
Në Facebook jo, me siguri. Facebook dhe Twitter janë më shumë vitrina ku shëtisin manekinin e vetes persona që duan të jenë personalitete. Mediatizimi i vetes, të kuptohemi, është diçka krejt tjetër nga të konceptuarit e vetes si media apo si lajmës. Media tradicionale, megjithë shumë të metat, megjithë qindra hapat që hedh në të çalë, vazhdon të mbetet burimi i vetëm i lajmit. Në mes të zhurmës asaj i duhet të gjejë kuptimin. Mediat e reja, sigurisht që do vazhdojnë të jenë. Stoli për marshallah e kohëve të reja. Shenjë e tyre. Negociatorë të të vërtetave personale, por jo ndërmjetës të publikut me lajmin dhe ngjarjet.
*Shkrimi është përshtatur nga kumtesa e mbajtur nga autori si pjesë e modulit “Përgjegjësia e Gazetarëve në Demokraci”, Qendra Shqiptaro-Gjermane për trajnimin e Gazetarëve pranë Departamentit të Gazetarisë në UT.