Këto ditë, edhe pse ka skaduar me vakt e me kohë mandati i të zgjedhurve të Këshillit Drejtues të RTSH-së dhe i drejtorit të përgjithshëm, po diskutohet për emrat e Këshillit të ri të këtij institucioni. Janë përzgjedhur, deri tani, mbi 60 emra personalitetesh nga shoqëria civile dhe fondacione të ndryshme që kanë lidhje direkte ose indirekte me mediat… Këta 60 e ca emra të spikatur janë shoshitur nga Komisioni parlamentar i Medias. Prej tyre do të dalin, pas votimit në Kuvend, një dhjetëshe syresh; më pas, të përzgjedhurit do të zgjedhin drejtorin e përgjithshëm bashkë me drejtorët e tjerë, të Radios, të Televizionit etj., edhe strukturën ekzekutive dhe atë organizative të RTSH-së. Është rënë dakord që formula e anëtarëve të Këshillit të jetë “e balancuar”, d.m.th. gjysma nga opozita dhe gjysma nga shumica qeverisëse, plus një kandidaturë e Presidentit. Kjo është skema në vija të trasha. Kështu ka qenë e kështu, me sa duket, ka mbetur.
Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë analizë zyrtare, asnjë debat për ecurinë e mëtutejme të të ashtuquajturit RTSH publik, i cili, deri tani, zor se mund të mohohet ecuria nga degradimi pjesor në shfytyrim tërësor, të pakthyeshëm, duke u katandisur as shtetëror e as privat, as publik e as mirëfilli politik, njëlloj si pavijonet e spitaleve: edhe kështu, edhe ashtu, as mish, as peshk. Si përfundim RTSH është një deledash gjigant, pjella më e keqpërdorur e ndoshta edhe më e shëmtuar e tranzicionit; njëkohësisht edhe makineria më e lakmuar e më dobiprurëse për të përfituar kurrkushët publicitet, kurse askushët para të thata pa derdhur pikë djerse, pa talent e pa punë, për të bërë korrupsion të pastër e të shpejtë, pa u hyrë gjemb në këmbë. RTSH është kulla e ngujimit e interesit publik, e vlerave kulturore e arkivore kombëtare.
***
RTSH është gatuar e ndërtuar “ligjërisht” në mënyrë të tillë që jo vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit, po asnjë prokurori në botë nuk mund të ndërhyjë për të “zbardhur” abuzimet, vjedhjet dhe shpërdorimet, ngaqë “nuk mund të ketë ndëshkime kolektive”, por edhe pse quhet “publik”, i pavarur, i mbrojtur me një ligj të posaçëm, i përkthyer sipas standardeve të EBU-së, por i zbatuar sipas avazeve korruptive me VKM-ra të qeverisë, në rastin konkret nëpërmjet bordeve, projekteve dhe vendimeve “kolektive” të Këshillit Drejtues, të cilat nuk mund t’i nënshtrohen hetimit e gjykimit për të njëjtën arsye “ligjore”: se “në demokraci nuk mund të ketë dënime kolektive!”… Ndaj i ashtuquajturi “RTSH publik” nuk ka dhe nuk ndjen asnjë lloj detyrimi para publikut. Aty gjen me shumicë fajtorë pa faj. Edhe një herë në vit që KD e RTSH-së raporton në Kuvend, gjithçka bëhet formalisht, “sa për të larë gojën”. Nuk ka rëndësi sa e ulët është shikueshmëria e RTSH-së. Nuk penalizohet dot asnjë drejtues i lartë për shkeljet dhe abuzimet, as nga Kuvendi, as nga KLSH-ja, as nga Prokuroria, sepse quhet “i pavarur” dhe se vendimet i merr “kolektivisht”, me votim mbi 1/2 të KD-së… Organet drejtuese të RTSH-së janë përgjegjëse vetëm para kryeministrit. Për këtë mjafton të shihen kronikat e kryeministrave, që janë me mijëra orë më shumë edhe se kronikat e Enverit.
Rrënimi i këtij institucioni ka shkuar larg, aq larg sa tanimë nuk mund të përsëritet thënia e dikurshme që, “këtij institucioni duhet t’i gërryet edhe suvaja”… Po të ushtrohet kontroll i mirëfilltë në RTSH, nuk do të jetë e vështirë të zbulohen abuzime më të mëdha se ato në ERT-në greke, e cila u mbyll bash për këtë arsye. Por RTSH-ja nuk po mbyllet, as nuk do të hapet. Rrjedhimisht nuk ka për t’u reformuar, as ndëshkuar kush, gjë që do të thotë, (njëlloj si në organet e Drejtësisë ku jepet padrejtësi…), se nuk do të ketë përmirësim rrënjësor vetëm duke hequr Liun dhe emëruar Daliun. Drejtuesit e lartë të RTSH-së kanë më shumë imunitet se gjykatësit dhe deputetët, më shumë hapësirë për të përfituar, abuzuar e pasuruar, pa rënë në sy si të parët. Edhe aty funksionon për bukuri skema e votimit nga bordet, nga Këshilli Drejtues, të komanduar rëndom nga drejtorët, të cilët nuk firmosin e nuk kanë të drejtë vote në miratimin e projekteve, paçka se janë ata që do t’i vjelin ryshfetet dhe përqindjet pa vënë kund firmë. Kjo mënyrë “demokratike” për tenderat dhe “projektet”, që i përjashton formalisht titullarët e institucioneve dhe ministrive, është hileja më dinake e korrupsionit në shkallë kombëtare. Kështu ka qenë e kështu ka mbetur! Këshillat Drejtues, bordet, komisionet, janë shpikur si formula “demokratike” për të justifikuar “ligjërisht” vjedhjet, duke shkatërruar njëkohësisht edhe pavarësinë, efektivitetin dhe besueshmërinë e institucioneve. Dhe që i korrupton, herët a vonë, drejtuesit.
***
RTSH e sotme nuk mund të quhet më publik, dhe as mirëfilli politik, por thjesht një mercenar tipik ballkanik. Sepse edhe këtë shërbim prej puthadori të pafytyrë nuk ka ditur ta kryejë jo më me profesionalizëm, por as me dinjitetin më minimal. Nuk ka qytetar që nuk e di se RTSH është keqpërdorur herë si kobure e herë si letër higjienike, nëse do të përdorim shprehjen e famshme të Berishës për një gazetë amerikane… Për këtë degradim (aq sa korridoret janë lyer herë blu e herë rozë, sipas ngjyrës së partisë që vinte në pushtet…) nuk është fajtor vetëm mungesa e konkurrencës dhe moskokëçarja “e ligjëruar” për të hyrë, apo për të mos u futur në garë me televizionet private dhe kombëtare. RTSH-në e ka mbytur mbipesha, paaftësia, ndryshku, mediokriteti, klientelizmi dhe tahmaja e pakufizuar e të paaftëve megalomanë dhe e servilëve profesionistë, të cilët dinë të ikin përherë “në drejtim të paditur”…
Humbja e interesit dhe vëmendjes së publikut për RTSH-në e sotme nuk ka ardhur rastësisht, ngaqë RTSH ka degraduar pak nga pak në një shërbëtor të zellshëm të qeverisë, në një media të lepepeqes që nuk ngjall asnjë interes publik, sesa në një gjigant të panevojshëm mediatik që ha e gëlltit fonde të pallogaritshme e të padukshme të cilat, në mënyrë të pavetëdijshme, në vend që ta pastrojnë, e pëgërin mjedisin social e kulturor me një diarre emisionesh e programesh të padobishme e shpesh edhe më të dëmshme se plehrat që hidhen nga ballkoni, apo se qeset e shishet plastike që mizërijnë nëpër brigjet e lumenjve e liqeneve tona. A mund të imagjinohet p.sh. që RTSH të udhëhiqte apo të pasqyronte propagandën kundër armëve kimike, meqë ky ishte interes direkt e jetik i publikut? A mund të sensibilizonte RTSH qytetarët për vrasjet e katër protestuesve të pafajshëm te kangjellat e Kryeministrisë?… Nëse gjendja e shkollave dhe e spitaleve është e mjerueshme, a ka dëgjuar kush në këtë vend që RTSH të ketë ngritur një shqetësim apo alarm të tillë? Etj., etj… Ndaj ngjan cinik përdorimi i fjalës “publik” për një megafon qeveritar si RTSH, qëllimi i të cilit nuk është mbrojtja e interesit të publikut, por i atij që është vënë në krye të qeverisë!
Nuk mjafton justifikimi “Hë mo, se këtë ekran nuk e ndjekin as ruralët”, edhe pse për të ne si qytetarë vazhdojmë të paguajmë një taksë, as pse RTSH është pronarja më e madhe e pasurive të paluajtshme (po ia marrin edhe pronat…), si edhe e arkivit të filmit TV (të cilët po ashtu kanë firuar…), as pse prej RTSH-së vilen qira disa milionëshe (dollarë) nga stacionet që i janë dhënë për transmetim Kinës, por sepse RTSH e ka për detyrë të përballojë atë që quhet tele-kulturë, më sak: kulturën e shpëlarjes së truve, nëpërmjet konsumizmit, bombardimit me “Big Brother”, me show, me konkurse miss-esh, me spektakle ku edhe fëmijët vihen të këndojnë tallavara, të vishen e të sfilojnë si femra kabaresh e pasarelash… RTSH jo vetëm që nuk përballet me këtë “kulturë” pabesh e spektaklesh rrëzëllitëse, “hollivudiane”, n’daç edhe “mulëruzhiane”, po në të kundërt tenton herë pas here të hyjë, si një provincial demode, në konkurrencë me televizionet private, edhe pse shpenzon shumë më tepër. Por kurrkush nuk merakoset për këtë dëm moral; kurrkush nuk del të thotë se sa milionë euro gëlltit në një vit kjo lubi e dështuar mediatike që kultivon parazitizmin dhe hiçkulturën. Asnjëherë nuk është bërë transparencë se sa janë të ardhurat e RTSH-së, si shpenzohen, ku shkojnë, a e jep qeveria direkt apo indirekt taksën që ne paguajmë për të (kjo bëhet për të ruajtur ndikimin politik mbi të…). Aq më pak nuk merakoset kush se sa efektive kanë pas qenë këto investime e shpenzime disa milionëshe, rrjedhimisht edhe sa është shikueshmëria, dobia dhe efektiviteti i këtij mediumi në nivel kombëtar. Sepse që nga momenti që zgjidhet Këshilli Drejtues dhe drejtuesit e lartë, këta “nuk kanë më punë” me Komisionin parlamentar të Medias, as me Kuvendin, që i ka zgjedhur, por vetëm me kreun e qeverisë, i cili mund t’i shkurtojë/shtojë fondet, si dhe të japë urdhër për shkarkimin e tyre. Është e njëjta “praktikë demokratike” si me drejtuesit e lartë të organeve të Drejtësisë, të cilët quhen të pavarur, por ama dihet tashmë se sa të pavarur janë realisht!
Aq e vërtetë e hidhët është kjo dukuri, sa anësia e hapur dhe e shpifur e RTSH-së për qeverinë, herë për të majtë e herë për të djathtë, ka pas ndikuar përherë në kah të kundërt: po të të përkrahte RTSH, do ta kishte më se të sigurt humbjen e zgjedhjeve kryeministri i radhës, i cili kishte “fituar” të drejtën ekskluzive për të emëruar e për t’i komanduar, pa nevojën e celularit, drejtorin e përgjithshëm bashkë me Këshillin Drejtues. Prej kësaj vartësie prej hyzmeqari (Kush të emëron e kush të shkarkon? – Kjo është kryeçështja!), si dhe të kontrollit hipotetik nga shumica qeverisëse, RTSH aktualisht ka përfunduar në një lavanteri pa asnjë ndikim pozitiv në shoqëri (sigurisht jo vetëm në fushën e lajmit), aq sa edhe publikut, edhe pse i merret taksa pa e pyetur, bashkë me faturën e energjisë elektrike, nuk i intereson më ky mjet propagande dhe edukimi, ngaqë nuk denjon më kush ta ndjekë e t’i hedhë as sytë.
***
Transformimi i RTSH-së në aset publik, sigurisht që nuk është punë e kollajtë. Ndryshimi i RTSH-së ka qenë premtim i fushatës së Ramës dhe një nga kërkesat e përsëritura të Brukselit për marrjen e statusit. Është këmbëngulur që RTSH-së t’i hiqet mundësia e (keq)përdorimit nga qeveria dhe ky institucion i rëndësishëm t’i kthehet më në fund publikut. Po a është e mundur kjo? Si mund të arrihet ky qëllim, teksa RTSH moralisht, kulturalisht e fizikisht e ka pësuar më keq se pronat publike, të cilave, me gjasë, u ka dalë pronari? Kush është e kush duhet të jetë “pronar” i RTSH? Sigurisht që publiku, thotë ligji!… Po si e kur do të ndodhë kjo mrekulli? Deri tani, si po duken bathët, po synohet të ndërrohen shpejt e shpejt kuajt e karrocës, paçka se rruga, destinacioni dhe karroca mediatike kanë për të mbetur të njëjtë.
Sepse OJF-të dhe shoqatat (shumica inekzistente, pa emër e pa ndikim në botën mediatike, aq më pak në publik) që kanë paraqitur 60 e ca kandidatët për anëtarë të KD të RTSH-së, ashtu si vetë kandidatët e vetofruar, e dinë fort mirë që për zgjedhjen e tyre (seleksionimin përfundimtar) do të vendosin dy kryetarët e partive më të mëdha, sigurisht “në respekt të balancimit të numrave”… Në vend të përdorimit si mashë për të nxjerrë gështenjat nga zjarri, një nga këto OJF do të bënte mirë, (si ka vepruar një e tillë në një vend ballkanik), të hidhte në gjyq qeverinë, e cila shkel të drejtat e njeriut duke mbledhur taksën për RTSH-në me dhunë, bashkë me faturën e energjisë elektrike, kur shumica e qytetarëve nuk e shohin kurrë këtë kanal… Por një gjë e tillë është e papërfytyrueshme tek ne! Sepse edhe OJF-të, tek e fundit, fondet nuk i marrin dot po të dalin kundër qeverisë!
Ndërtimi dhe respektimi sërish i formulës dy-partizane, edhe pse i maskuar me ca “të pavarur” nga OJF-të-kukulla, e degjeneron që në fillesë pavarësinë e nesërme të RTSH-së, duke mos ia kthyer publikut “pronën” që i takon. Kësisoj RTSH do të mbetet një ndërtim me leje, të cilin as nuk e prish dot, as nuk e legalizon dot!
Botuar në Gazeta Shqiptare, datë 4.12.2013