Ish-diplomati amerikan, James Rubin (ka qenë zëdhënësi nr. 1 i Departamentit të shtetit gjatë luftës së Kosovës) ka qenë para ca ditësh në Prishtinë, dhe vizita e tij ka tërhequr natyrshëm vëmendjen e medias së atjeshme. Më shumë se çdo moment tjetër i kësaj vizite, ka bërë përshtypje një deklaratë e tij dhënë së përditshmes ‘Zëri’: “Unë shpresoj që njerëzit, të cilët kanë qenë aq të rëndësishëm për revolucionin tuaj, për lirinë tuaj, të kenë mençurinë të largohen [nga skena politike] përsa kohë janë ende në kulmin e suksesit të tyre”. Kjo është një deklaratë që është kapur nga antenat e të gjithëve. Secili vuri re se James Rubin nuk i kurseu fjalët e mira në adresë të drejtuesve të UÇK-së, por në të njëjtën kohë secili nuk hoqi fare për të kapur mesazhin tjetër të tij, drejtuar të njëjtëve njerëz: “është momenti që të hapni rrugën; koha juaj ka ikur”. Ky mesazh ishte i qartë, i painterpretueshëm. Dhe në këtë kuptim, fjalët e Thaçit se “gazetarët e kanë keqkuptuar mesazhin e Rubin-it” janë një mufkë e madhe.
Thaçi mund të mos bënte asnjë tentativë për ta komentuar Rubin-in, dhe askush nuk do t’i kërkonte llogari. Nuk ka qenë i detyruar ta bënte këtë gjë. Ose ai mund të dilte për të thënë, se “po, e dëgjova çfarë tha Rubin-i, por kjo gjë nuk më shqetëson hiç, ngaqë ai thotë një mendim të vetin”. Ose mund të dilte për të thënë se “Rubin-i është një diplomat i nderuar, një mik i Kosovës, por me këtë deklaratë ka shkelur në një zonë të ndaluar; nuk është punë e tij të na tregojë se kush e kur duhet të ikë nga politika”. Ose mund të dilte për të thënë çdo gjë tjetër të mundshme, por jo atë që tha, jo pra për të thënë se është mass-media që është keqkuptuar. Pasi kështu i bie që të jetë Thaçi vetë i keqkuptuar, madje dy herë, njëherë me Rubin-in, e njëherë tjetër me gazetarët.
Këtë gjë bëjnë politikanët edhe në Tiranë në rrethana të ngjashme. Sa herë që media raporton besnikërisht një qëndrim të rëndësishëm kundër tyre, ata dalin e flasin për keqkuptime. E çuditshme. Duan të pengojnë/mbulojnë diellin me shoshë. Janë budallenj ata vetë? Apo na marrin për budallenj neve të tjerëve?
Ky shkrim është botuar në gazetën Dita, datë 26 nëntor 2013.