RTSH, sfidë e kapërcyeshme apo mision i pamundur!

26 Shtator , 2013 • Media dhe Politika • by

Që nga krijimi i sistemit dual mediatik në Shqipëri dhe lindja e televizioneve private, vendimmarrja për median shtetërore dhe më pas publike shqiptare ka qenë e mbushur me dilema të shumëfishta menaxheriale, editoriale, etike dhe morale. Vitet e fundit po ashtu.
Aktualisht RTSH ndodhet sërish në udhëkryq. Më aktualisht kam parasysh në fakt një periudhë 2-vjeçare, gjatë së cilës skaduan para indiferencës së të gjithë faktorëve mandatet e disa strukturave drejtuese dhe RTSH u shndërrua në protagonist sistematik të publikimeve mediatike ose të opsioneve të ndryshimit. Do kishte qenë mirë që institucioni – dhe, bashkë me të edhe të gjithë punonjësit e tij – të mos ishin mbajtur pezull. Po kjo nuk ndodhi.
Jo për faj të RTSH-së. Për përgjegjësi të aktorëve përgjegjës. Se RTSH nuk heshti. Disa struktura drejtuese ndoqën rrugën administrative. Personalisht e kam paraqitur problemin në tryezat vendëse dhe në konferencat ndërkombëtare, në biseda me politikanë të pozitës dhe të opozitës, në ministrinë e linjës dhe me pjesëtarë të Komisionit të Medias, në institucionet vendëse dhe në ato ndërkombëtare në Tiranë, me gojë dhe me shkrim. Drejtori teknik i RTSH-së u prononcua në shtyp për tenderin e dixhitalizimit, fatin e të cilit do ta vendosë gjykata. Po pa rezonancë. Diskutimi për ligjin e medias dhe strategjinë e kalimit në transmetime numerike zgjati pa fund. Ligji hyri në fuqi më 4 prill 2013, në prag të fillimit të fushatës elektorale, kur palët s’kishin më kohë për RTSH-në ose u interesonte ta mbanin peng. Dhe kalvari vazhdoi deri pas ndryshimit politik – kur RTSH u rivu në gojën e të gjithëve, hapur ose fshehur, në media apo kafene, në biseda private dhe konsulta profesionale.
Kur flitet për media publike, do duhej të flitej për interesa publikë. Po a e kupton shoqëria shqiptare se qasja ndaj RTSH-së është qasje ndaj interesit publik dhe ndaj pasurisë publike? Ç’kërkon shoqëria shqiptare prej medias publike? Cili është perceptimi dhe cilat janë pritshmëritë e grupeve shoqërore ndaj saj?
Më i sinqerti sigurisht, që është publiku, i cili pret që median publike ta besojë, që ajo ta informojë, edukojë dhe argëtojë, t’i ofrojë sa më shumë përmbajtje në sa më shumë teknologji – të varfrit, të dobëtit, të dhunuarit, të moshuarit presin të bëjë avokati. Të pasurit dhe oligarkët brenda publikut nuk besoj se presin gjë prej medias publike – natyrisht për sa kohë që s’kanë interesa kulturore, nuk e kanë jetën e tyre në arkivin e RTSH-së, s’kanë produkt për të reklamuar në mbarë territorin shqiptar, që e mbulon vetëm ajo dhe nuk i duhen antenat e saj.
Po për shkak të mbulimit të territorit deri aty ku nuk shkon kush, politika sigurisht që e do në anën e vet. Po, nëse e do të zhvilluar apo të pazhvilluar, këtë nuk e di as ajo vetë. Se kur është e pazhvilluar, nuk vlen sa duhet dhe, kur është e zhvilluar, nuk hesht sa duhet. Po, nëse është e zhvilluar dhe larg qoftë profesioniste, ka gojë të kundërvihet, ushtron prezencë aktive, ka mundësinë të imponohet dhe të zhvillohet dhe është e aftë të konkurrojë.
Po aftësia konkurruese s’u intereson privatëve – se një media e fortë publike rregullon tregun dhe bllokon piraterinë, ofron marrëdhënie të rregullta punësimi, bën avokatinë e gazetarëve dhe konkurron me standarde. Asaj nuk ia vjedh dot arkivin dhe autorësinë e formateve, nuk ia zapton dot asetet dhe nuk ia përdor dot transmetuesit pa pagesë. Media publike e fortë bashkëpunon sinergjikisht me simotrat në rajon, kontinent e më gjerë, vendos standarde dhe imponon modele të zhvillimit të qëndrueshëm, përmes simbiozës me interesin publik. Shkurt – është model i rrezikshëm për tregun e parregulluar mediatik shqiptar.
Po edhe profesionistët e medias, nga duhej pritur mbështetja, janë të ndarë në kampe të ndryshme formimi dhe interesash: disa vënë në dyshim nevojën e ekzistencës së transmetuesit publik, dikush hedh opsionin e mbylljes, të tjerë atë të privatizimit, disa studiues e ruajnë fokusin tek interesi publik, po ndahen në opsione, të tjerë – sipas angazhimeve – variojnë në pozicione.
Në gojën e të gjithëve, për më shumë se dy vjet – vetë punonjësit e medias publike shqiptare presin ndryshim pa ndryshim, ngaqë kërkimi i ndryshimit u është shndërruar në rutinë shumëvjeçare. Ata i njohin simptomat e sjelljes së politikës dhe politikanëve dhe janë në gjendje të parashikojnë gjithçka në të ashtuquajtura “kohë të ndryshimit” – kohëzgjatjen e diskutimit në media, mediat që angazhohen dhe emrat që prononcohen, tematikën dhe frazeologjinë e qasjes, profilin e kandidaturave drejtuese, si edhe klanet që i mbështesin. Të sprovuar në situata nga më paradoksalet, kalorës gjyqesh të pafundme të fituara me shtetin dhe me institucionin, ata janë të përgatitur të presin gjithçka në dyert e tij: nga lulet dhe tapeti i kuq deri te lëvozhgat e vezëve dhe arkivolet simbolike, por mbi të gjitha kanë bindjen se sistematika do të vazhdojë, se parimin do ta mbysë interesi, profesionistin do ta mundë lobisti dhe se, çfarëdo që të ndodhë, s’do ndodhë dot thellësisht, ngaqë shumë ka që flasin, por askush s’e ka seriozisht.
A ka premisa për të shpresuar ndryshe?    RTSH është një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit. Për ithtarët e mbylljes, më duhet të theksoj, se transmetuesi publik është pjesë eksplicite e Traktatit të Amsterdamit të BE-së, pasi vlerësohet si një faktor i lidhur ngushtë “me nevojat demokratike, sociale dhe kulturore të çdo shoqërie, si edhe me nevojën e ruajtjes të pluralizmit në media”. Reagimi gjithëpërfshirës europian, pas mbylljes arbitrare të televizionit shtetëror grek ERT, duhet të ketë shuar çdo iluzion të këtij lloji. Në tranzicione shoqërore, teknologjike dhe ligjore, media publike merr rëndësi ekzistenciale për koherencën sociale dhe standardet demokratike, çka u jep interesave publike dhe jo parametrave të tregut rol përcaktues në menaxhimin e medias publike dhe në politikat radiotelevizive.
Miti I – Shoqëria shqiptare preokupohet për situatën e RTSH-së!
Mundet! Po diskutimi i deritanishëm për median publike është manipulativ, diktohet nga lufta politike e interesat klanore dhe gjen vend kryesisht në mediat konkurrente. Aktorët e debateve refuzojnë të prononcohen në TVSH, duke dëshmuar kompetencë të mangët demokratike dhe shmangie të analizës së tregut, ku media publike bën pjesë. Situata ka nevojë për monitorim sistematik, investigim në terren, parametra shkencorë vlerësimi, studime dhe, më pas, pse jo dhe diskutim publik. Kjo i bën problemet më të lehta në adresim dhe në zgjidhje, bën motivet e adresimit transparente dhe nuk e shpërfill ligjin e konkurrencës.
Miti II – RTSH dhe në mënyrë eksplicite TVSH nuk shihet!
Këtë s’e dimë! Dimë vetëm se është i vetmi ofrues audio-viziv në rreth 25% të territorit shqiptar. Se në Shqipëri as ka matje elektronike audience dhe as gatishmëri mbarëshoqërore për këtë. Ne s’e dimë sa shihemi, ndaj operojmë bazuar në shije dhe interesa. Matja elektronike e audiencës do t’i hapte rrugë konkurrencës së ndershme, do t’i jepte fund ndarjes arbitrare të reklamës, do të shëndoshte mediat dhe do të ndryshonte qasjen ndaj medias publike.
Miti III – TVSH nuk përmbush detyrimet e veta publike, sepse është e pabalancuar politikisht!
Ky pohim i referohet 10-minutëshit të parë të edicioneve informative të RTSH, gjithnjë në vëmendjen e politikës dhe mbetet në kuadrin e këtyre edicioneve, duke shpërfillur 23 orë program ditor, prodhuar nga gazetarët e TVSH-së me përkujdesjen profesioniste të balancimit të pozicioneve për çdo temë a trajtesë. Por shqetësimi qëndron, ndonëse do parë brenda parametrave të mbarë tregut. Qasja serioze për zgjidhjen e problemit, do të ndryshonte marrëdhëniet e politikës me Drejtorinë e Aktualitetit të RTSH-së – që prej 1999-s e pavarur nga Drejtoria e TVSH-së dhe e njëvlershme me të – dhe do të tentonte konsensusin historik për RTSH-në, në formën e një marrëveshjeje trepalëshe, ku pozita dhe opozita të angazhoheshin për mosndërhyrje dhe RTSH për paanësi. Kjo do ta mbante në ekuilibër politikën editoriale, por edhe do të mbështeste reformën e RTSH-së.
Miti IV – TVSH nuk ofron formate dhe cilësi në interes të publikut!
TVSH mbulon sot me prodhim 98,33 % të kohës 24-orëshe të transmetimit, ofron formate për të gjitha shtresat e popullsisë dhe disa marka autoritare, organizon rregullisht dy festivale, prodhon spektakle, filma dhe serialë, ofron ekskluzivitet aktivitetesh sportive kombëtare e ndërkombëtare dhe mbetet autoritet në prodhim sinjali për të gjitha eventet kombëtare. Diskutimi për cilësinë është diskutim tregu. Nën ndikimin e modelit italian, ne e identifikojmë cilësinë me paranë e derdhur për imazh, por jo me standardin e fjalës dhe investigimit – sipas modelit britanik, gjerman e skandinav. Po cilësi – do të thotë profesionalizëm dhe profesionalizmi ka parametra. Se cilët janë parametrat profesionalë të tregut tonë audio-viziv dhe cilat janë dallimet e tyre me ata të medias publike, këtë do ta hetonte sërish një studim i mirëfilltë me monitorim sistematik, investigim në terren dhe parametra shkencorë vlerësimi. Bota ka plot modele për të ofruar!
Miti V – RTSH u rëndon xhepave të taksapaguesve shqiptarë!
Kjo është mungesë informacioni. Buxheti i shtetit mbulon shpenzimet për Orkestrën e RTSH-së, pProgramin satelitor për bashkatdhetarët, projektet e mëdha artistike dhe investimet (gjithsej 23%). Pjesa tjetër, ku hyjnë pagat e shpërblimet e krijimtarisë, shpenzimet operative, pjesëmarrja në organizma ndërkombëtare si dhe projekte, shërbime dhe investime, që s’i mbulon buxheti i shtetit, mbulohen me të ardhurat nga taksa e aparatit, nga menaxhimi i aseteve dhe të ardhurat nga reklama. Marrëveshja për taksën e aparatit (disa herë më e ulët se respektivet e rajonit) – funksionale me këmbënguljen e RTSH-së vetëm që prej vitit 2009, është shoqëruar me jo pak luhatje bashkëpunimi si me KESH, ashtu dhe me CEZ, ndonëse duket të ecë drejt stabilizimit. Po nga taksa e aparatit mendohet të paguhet dhe kredia për financimin e kalimit të RTSH-së në transmetime numerike.
Miti VI – RTSH-së nuk ka ç’i duhen frekuencat dhe platformat numerike, se s’arrin të mbushë dot me program as TVSH2!
Në fakt, RTSH ofron sot: 2 programe kombëtare audiovizive dhe 2 programe kombëtare audio, 1 program audio në gjuhë të huaja, 1 program audio për bashkatdhetarët, 4 programe audiovizive rajonale dhe 1 program satelitor audioviziv – me profil gjeneralist. Vitin e shkuar filloi transmetimi edhe në kanale të dedikuara, si RTSH HD, RTSH SPORT, RTSH MUZIKË dhe RTSH ART, të cilave iu shtua dhe RTK. Oferta në internet plotësohet me transmetimin livestream.
Kjo qasje shpërfill hapur interesin publik, pasi nuk shpjegon se pas vitit 2015 askush s’do të konsumojë dot televizion jashtë platformave numerike, që privatët i ofrojnë me pagesë. Dy licencat e RTSH-së, dhënë me unanimitet nga Kuvendi i Shqipërisë para 6 vjetëve, synojnë mbulimin e gati gjithë territorit dhe më se 97% të qytetarëve shqiptarë me këtë shërbim, të cilin ata do ta marrin duke paguar vetëm taksën e aparatit.
Miti VII – RTSH është i sëmuri i shoqërisë dhe medias shqiptare! Çdo tentativë “ngjalljeje” është e destinuar të dështojë!
Në verifikim  të këtij pohimi nevojitet një analizë e thellë e problemeve të RTSH-së, vlerësim realist për deri tani dhe zgjidhje konkrete për: reformën strategjike – si konsensus politik për pavarësi editoriale dhe menaxheriale, reformën administrative – si kulturë moderne sipërmarrjeje, transparencë dhe efektivitet; reformën organizative, si rindarje e punës; reformën e burimeve njerëzore, si liberalizim punësimi; reformën logjistike, si plotësim standardesh kompetitive; reformën teknologjike – si dixhitalizim i prodhimit, transmetimit, arkivit dhe administrimit; reformën programore – si standardizim cilësie dhe reformën e imazhit institucional – si diversifikim, marketim dhe patronazh social. Rëndësia strategjike e RTSH-së dhe tregu i parregulluar mediatik diktojnë dhe kritere të studiuara përzgjedhjeje për profilin e personaliteteve drejtuese, stilin e drejtimit dhe kulturën e sipërmarrjes, si edhe një planifikim kohor rigoroz veprimi dhe monitorimi.
Me konsensus politik dhe ligj funksional, financim të sigurt dhe menaxhim modern, me vlera universale dhe pavarësi, me standard dhe diversitet, me transparencë dhe novacion – është e mundur gjithçka! Me pak fjalë: suksesi i reformës së RTSH-së varet nga serioziteti i qasjes së shoqërisë.
Fundja, çfarë bëjmë ne kur nuk na pëlqen vetja në pasqyrë? I biem pasqyrës apo tentojmë të rregullojmë veten?
TVSH është ekrani – televizioni jemi ne të gjithë – në të mirë dhe në të lig!
Ka ardhur koha të sillemi si të tillë!

Botuar në gazetën Panorama, datë 24 shtator 2013

Send this to a friend