Në pamje të parë duket paradoksale që në një fushatë elektorale, në një epokë të komunikimit integral, të thuash se ‘televizioni nuk do ndihmojë askënd në këto zgjedhje’, kur emisionet politike janë shumëfishuar, gara për fashën 20.30 deri në 23.00 është bërë më e ethshme se kurrë, kur drejt emisioneve politike apo të aktualitetit janë investuar gazetarët më me emër dhe më ambiciozë të peizazhit audiovizual shqiptar. Pse, pra, në këto zgjedhje, televizioni nuk do të ndihmojë dot askënd?
Përballja e kësaj radhe Rama-Berisha, e dy prej armiqve shumë të hershëm e të pandërprerë politikë, ka së paku dy specifika, të cilat në thelb duket se ‘do të nxjerrin jashtë loje’ forumet televizive, edhe pse emisionet politike televizive në Shqipëri meritojnë të quhen realisht jo thjesht Dhoma e dytë e Parlamentit shqiptar, por Parlamenti i vërtetë shqiptar.
Arsyeja kryesore pse televizionet nuk do ndihnin dot në këtë fushatë as Ramën e as Berishën ka të bëjë me faktin që thellësia e problemeve që ka vendi, udhëkryqi ku ai ndodhet, sidomos ÇËSHTJA E MADHE EKONOMIKE DHE E ZHVILLIMIT, janë të një përmase e një rëndësie të tillë që do ta zhvendosin vëmendjen e zgjedhësve nga forma te përmbajtja. Që do të thotë: bindja do të krijohet jo si shije, pra jo si formë, por si përmbajtje, si zgjidhje, si alternativë.
Sfida e Berishës në këtë pikëpamje nuk është më të dalë bukur, të vishet casual, apo të këndojë ndonjë këngë, por të afrontojë thelbësisht problemin e madh ekonomik që ka Shqipëria në fund të një cikli ekonomik 20 e ca vjeçar, dhe në moshën e një krize ekonomike, të rajonit, fqinjëve apo Perëndimit mbarë. Shkurt, a do t’ua ndërtojë dot ai utopinë e re shqiptarëve në këto kushte?
Në këto kushte, ndoshta dhe ai e kupton që më shumë sesa për pyetje ‘të ëmbla’ te Fevziu, pyetje ‘të tharta’ te Balla, pyetje ‘të thella’ te Zheji, pyetje ‘elegante’ te Tare, pyetje ‘lëmuese’ te Xhunga, për pyetje ‘konforme’ te Babaramo, apo pyetje ‘pikante’ te Peka; ai ndoshta ka nevojë të konceptojë këtë përmbajtje të re. Ndaj nuk është çudi se pse Berisha po heziton të dalë në ekrane, po heziton të frekuentojë të njëjtat sallone si deri tani, duke iu drejtuar vetëm medias sociale apo masave. Ka shumë të ngjarë që, ndryshe nga më parë, të jetë i pranishëm te të gjithë. Sepse, në thelb, e kupton se për shqiptarët kësaj radhe nuk ka rëndësi sesi del në ekrane, se ku del e ku nuk del, por çfarë do të thotë për shqiptarët, duke u kërkuar atyre mandatin e tretë dhe historinë njëkohësisht.
Për Edi Ramën, i cili po sillet tipikisht me entuziazmin dhe tolerancën e atij që shpreson fort për të ardhur në pushtet, përsëri nuk është televizioni ai që do ta bëjë diferencën kësaj radhe. Ndaj ai ka thyer disa barriera: ka rishkelur në ato studio ku nuk ishte familjar këto vite, dhe është duke kërkuar territore të reja audience dhe bindjeje. Por, në thelb, shqiptarët e njohin Ramën si performant i imazhit televiziv, ndaj ata me insistim i kërkojnë atij diçka ndryshe: përmbajtje dhe madje të thellë. Kjo është arsyeja kryesore pse Rama kësaj radhe i është futur në njëfarë mënyre një programi politik. Kur deri më tani politika e tij zhvillohej në sferën e shijeve dhe misionarizmit. Prandaj ai i është futur taksave, administratës, shifrave dhe të tjerave si këto kategori, pavarësisht sesa po ia del, apo po ngatërrohet nëpër to.
Duke shkuar te të gjithë, në fakt, Rama po e kërkon thelbin e betejës së tij gjetkë; jo në ekrane. Sepse, këto zgjedhje zhvillohen në horizontin e paqartësisë, të mosbesimit dhe të pasigurisë, ku shqiptarët, të privuar nga ëndërrimi, të paktën, duan të mos rrezikojnë. Më mirë se ne gazetarët, më mirë se të gjithë kolegët tanë, këtë e kanë kuptuar Rama dhe Berisha. Ndaj media kësaj radhe, as i bën dot fitues e as i bën dot humbës.
Botuar në gazetën Mapo, datë 09.03.2013. Linku i shkrimit origjinal: http://www.mapo.al/2013/03/09/pse-televizioni-nuk-do-te-ndihmoje-askend-ne-keto-zgjedhje/