Në një shoqëri ku ka rrahje mendimesh mbi problemet e ndryshme, niveli cilësor i një shkrimi apo një emisioni televiziv matet edhe me peshën e temave të trajtuara.
Në ditët tona po ballafaqohemi me probleme epokale të një krize ekonomike botërore, ndoshta më e fuqishmja e historisë së botës perëndimore. Është një krizë që prek ndjeshëm dy fqinjët tanë, Greqinë dhe Italinë, që janë dhe partnerë shumë të rëndësishëm të ekonomisë sonë, veç faktit se në to jetojnë e punojnë më shumë se një milion qytetarë shqiptarë. Përtej “triumfalizmit” ireal të deklaratave të Kryeministrit mbi gjendjen e ekonomisë shqiptare, më duket se trajtimi i kësaj teme, i ndërvartësisë së politikës sonë ekonomike e pasojave të saj të drejtpërdrejta mbi qytetarët shqiptarë nga kriza e fuqishme e fqinjëve tanë, merr një rëndësi të dorës së parë.
Kam përshtypjen se në këtë fushë, në trajtimin e temave ekonomike, shtypi ynë paraqet një farë mangësie. Kjo ndikon drejtpërdrejt në formimin e një opinioni publik të mefshët në gjykimin e vendimeve të politikës në fushën ekonomike, vendime që lidhen, më shumë se çdo gjë tjetër, me jetën e përditshme të secilit. Është pothuajse e pashpjegueshme kjo dukuri, po të mbajmë para sysh se, gjatë njëzet viteve të fundit, janë diplomuar me qindra të rinj e të reja shqiptare për ekonomi, në universitetet më të mira të botës, që nga Bokoni e deri në Harvard.
Si ka mundësi që nga këta të rinj, bartës të një tjetër shkolle të mendimit ekonomik, shumë pak prej tyre marrin pendën për të shkruar mbi ato tema? Si ka mundësi që mendimi ynë ekonomik ka mbetur në vitin 1990, i përfaqësuar nga ekonomistë apo pedagogë të shkollës socialiste, të cilët instinktivisht mbeten robër të koncepteve të fituara në formimin e tyre intelektual në atë shkollë?
Këto fakte janë tregues të një farë mpakjeje intelektuale, që nuk vihet re në fusha të tjera, siç është politika, ku gazetarë e komentatorë të të gjitha prirjeve janë me tepricë; apo kultura, ku firmat e reja tregojnë një rritje cilësore, për të mos përmendur temat e “gosipit”, ku femrat lakuriq shihen në faqet e para të gazetave dhe imtësitë e jetës së tyre dashurore zënë faqet e brendshme. Nuk kam asgjë në kundërshtim me trajtimin edhe të këtyre temave, me që publikut i pëlqejnë e gazetat shiten, por më duket se vënia e gishtit në plagën e mungesës së vëmendjes mbi temat ekonomike, meriton një trajtim më të kujdesshëm.
Këto ditë të gjitha gazetat shqiptare po shkruajnë një lumë artikujsh e komentesh mbi të ashtuquajturin “debat gjuhësor” mes kryetarit të shtetit dhe kryetares së Kuvendit. Personalisht e quaj një gjë të parëndësishme, pasi bazohet në një keqinterpretim termash në të folur, që nuk i bën nder asnjërit prej “ndërluftuesve” dhe as politikës shqiptare që përfaqësohet prej tyre… Tema e gegërishtes dhe standardit, në të cilat ka gjetur strehë padrejtësisht diskutimi, është jashtë kontekstit të tij, nuk ka të bëjë me të, është shumë më e thellë dhe është akoma e hapur.
Ndërsa shumica e gazetarëve apo lexuesve marrin krahun e Jozefinës apo Bamirit, një intervistë e shkrimtarit Ben Blushi te Panorama hap një temë shumë interesante diskutimi. Është një temë ekonomike e bën fjalë për “borxhin publik” të shtetit. Në këtë periudhë furtunash financiare europiane e botërore, trajtimi i kësaj teme më duket një gjë e arsyeshme dhe mjaft e dobishme. A duhet të ketë një tavan të ligjëruar me kushtetutë borxhi publik që duhet të marrë qeveria për të përballuar kërkesat ekonomike të shtetit? Pyetja që shtrohet kërkon një përsiatje të thellë të problemit që, për shtrirje në kohë e pasoja, ka përmasa vërtet të mëdha e shqetësuese. Por kjo pyetje nuk gjeti asnjë jehonë në shtyp, me përjashtim të një shkrimi të shkurtër: “Harasani: Përcaktimi i borxhit në kushtetutë i lidh duart qeverisë.” Në atë shkrim, siç shihet nga titulli, jepet mendimi i deputetit Harasani, i kundërt me atë të kolegut Blushi e, njëkohësisht, mendimet e dy deputetëve të tjerë. Shkrimi pasohet nga tre komente, kurse shkrime të tjera kanë dhjetëra e herë qindra të tilla.
A duhet të zhytemi në borxhe për të zhvilluar vendin, madje duke i dhënë vetes të drejtën e privilegjeve, duke ua lënë bijve e nipave tanë faturën e pagesës, siç kanë bërë në shumë vende, që ne i marrim për modele zhvillimi, që sot përballen me një brez “indinjados”, që nuk i njeh dhe nuk do t’i respektojë ato borxhe, apo duhet të ecim me parimin “të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin”, duke i lënë secilit brez barrën e tij në rrugën e zhvillimit? Është një pyetje jo e lehtë për t’i dhënë një përgjigje, një mëdyshje që meriton të trajtohet më shumë në shtyp e në media, një nga temat e rëndësishme, që meriton përparësi në bisedat tona.
Botuar më 23.10.2011 në gazetën “Mapo“,