I. Modeli universal
1. Ka ndryshuar pothuajse gjithçka në pronësinë e mjeteve dhe infrastrukturave të prodhimit dhe transmetimit të informacionit masiv. Pa e tepruar aspak mund të themi se ka lindur një ekonomi e mediave, e cila karakterizohet nga ligjësi ekonomike të reja. Modeli ekzistues ekonomik i mediave konvencionale jo vetëm është treguar i paaftë ta përballojë gjendjen e krijuar, por edhe po karakterizohet nga paaftësia për t’i dhënë impulse të reja financiare tregut të mediave. Mbi të gjitha kanë ndryshuar rrënjësisht marrëdhëniet midis ofruesit dhe konsumatorit të informacionit.
Në periudhën gutenbergiane ofruesi dhe konsumatori i informacionit ishin dy aktorë komunikimi të ndarë prej njëri-tjetrit. Njëri e konceptonte informacionin dhe tjetri pasi e blinte, e konsumonte. Në kushtet e komunikimit interaktiv në Internet gjendja ka ndryshuar. Gjithnjë e më shumë individë zotërojnë kompjuterat e tyre, lidhje në internet, telefona të lëvizshëm, dhe në miliarda, prodhojnë vetë ata, ritransmetojnë vetë ata, informacionin e marrë nga media apo të konceptuar në mënyrë krejt të pavarur.
Konsumatori është edhe prodhuesi i përmbajtjes së informacionit. Demokratizimi i komunikimit ka hyrë në një fazë të re. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e informacionit është falas, në kuptimin që përdoruesi i tij nuk paguan asgjë për ta marrë atë specifikisht. Në këto koniunktura, kur gjithçka ndodhet në një mundësi hyrjeje të lirë në botën e lajmit, cili është çmimi në treg i informacionit mediatik?
Jo më kot numri i blerësve të gazetave ka rënë dhe po kështu i ndjekësve të emisioneve televizive në mediat klasike të transmetimit audioviziv.
Rënia e komunikimit në duart e konsumatorit, krahas shumë pasojave pozitive dhe negative, solli raporte të reja pronësie midis dhënësit, marrësit dhe përmbajtjes së informacionit. Lidhur me këtë, studiuesi amerikan Paul Starr shkruan: “Ekonomia e re e informacionit e bazuar te “network” (lexo: komunikimi në web – shën. i autorit), ka disa përparësi të rëndësishme në realizimin e vlerave demokratike. “Modeli industrial” i vjetër i masmedias ka përfituar nga investime të gjëra kapitalesh dhe ofroi një platformë për t’i folur publikut nga ana dhe në emër një grupi relativisht të vogël njerëzish, por sot kostoja në rënie e kompjuterave i ka vendosur mjetet materiale të informimit dhe prodhimit kulturor në duart e një pjese të rëndësishme të popullsisë të botës – pothuajse një miliard njerëzish gjithandej globit”.
2. Krahas modeli ekonomik në krizë, ka ndryshuar edhe më shumë se më parë marrëdhënia e konsumatorit, e klientit, pra e audiencave, me mallin informacion. Në literaturën e sotme kjo përshkruhet si një gjendje “info-obeziteti”. Informacioni është rritur në përmasa të jashtëzakonshme. E çfarë të keqe ka? Ku është këtu problemi? Shumë informacion e “vret” informacionin. E “vret” sepse shpesh ai është prodhuar pa profesionalizëm dhe mbetet i pakonfirmuar, nga ana tjetër, e mbi të gjitha, prodhohet një informacion shumë herë më i madh sesa ai që konsumohet, a mund të konsumohet nga një individ me psikologji shumë të ngarkuar me stres, me informacion dhe me probleme të përditshme. E pastaj, për të tërhequr vëmendjen e publikut, mediat konvencionale po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt skandalit, raportimit të krimit, drejt një format medieje “people” e tabloid.
Publiku nuk informohet më një herë e mirë, por kërkon informacion të ri në çdo orë të ditës duke synuar informacionin më të klikuar në Internet, të çdo sekonde, dhe nuk ndjek thjesht agjendën e lajmit më të rëndësishëm të ditës. Vetë ideja e hierarkizimit të informacionit zhbëhet meqë nuk është më redaksia që e vendos këtë, por shpesh vetë audienca me interesimet që ndryshojnë nga çasti në çast.
Studiuesi amerikan Eric Alterman citon botuesin e njohur Ruopert Murdoch të ketë thënë: “Koha kur lajmet dhe informacioni ishin të kontrolluar nga afër nga një grusht njerëzish, të cilët na tregonin se çfarë duhet dhe mund të dinim ka mbaruar… Sot konsumatorët dëshirojnë lajme sipas kërkesës, të përditësuara dhe në vazhdimësi. Ata dëshirojnë një pikëvështrim jo mbi atë që ka ndodhur, por si ka ndodhur… Dhe së fundmi, ata dëshirojnë ta përdorin informacionin në një bashkësi të gjerë, të flasin mbi të, të shtrojnë pyetje, dhe për më tepër të takojnë njerëz që mendojnë për botën si ata ose në mënyrë të ndryshme”.
Agjenda e komunikimit është shpërbërë në mijëra e qindra-mijëra tematika të veçanta, hierarkia e informacionit vjen si pasoja e kërkesës dhe e përdorimit të informacionit nga ana e publikut që klikon, ndërsa informimi i propozuar nga redaksitë po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga një informim i kërkuar. Nuk është më aq oferta që komandon kërkesën, por është kërkesa që orienton ofertën.
3. Vështirësitë e paraqitjes në treg të mediave konvencionale në kushtet e Internetit kanë vendosur në qendër të diskutimit çështjen nëse modeli i mediave private është pikërisht ai që duhet sot në periudhën postgutenbergiane. Kjo lidhet me një shqetësim rrënjësor. Në çfarë mënyre do të jenë me efikasitet financiar mediat private në një hapësirë komunikimi ku jo vetëm informacioni është me bollëk, por kur edhe vetë konsumatorët janë kthyer në ofrues informacioni? Fakti i krizës financiare që ka prekur sektorin e mediave nuk është i rastit.
Në këtë mënyrë, në literaturën e sotme shkencore perëndimore amerikane apo evropiane shtrohet edhe problemi rrënjësor që ka të bëjë me marrëdhëniet midis mediave private, mediave publike, mediave personale, si edhe modeleve të financimit publik të sektorit të mediave. Pavarësisht debateve dhe mendimeve divergjente të shprehura, diçka është duke zënë vend gjithnjë e më shumë dhe që përbëhet nga dy anë. Ana e parë lidhet me atë që sektori privat i industrisë së informimit, përballë krizës së rëndë financiare, shfaq shenja edhe të kompromiseve të paprincipta nga njëra anë me strategjitë publicitare të marketingut nga ana e kompanive, në dëm të informacionit objektiv, po ashtu edhe në kërkim të një aleance me pushtetet politike të kohës për të përfituar andej lehtësira financiare. Ana e dytë ka të bëjë me një lloj rikthim të mendimit drejt formave të reja të mediave publike që nuk kanë të bëjnë fare me mediat shtetërore, të cilat kanë një reputacion të diskredituar.
Mediat publike në formatet e tyre të reja shfaqin aftësi premtuese si forma të një gazetarie qytetare në shërbim të komunitetit, pra si media komunitare, media të agjencive publike, media që përfitojnë nga subvencione publike, media si fondacione të mbështetura nga mecenë vullnetmirë, etj.
Duke e treguar qartë këtë prirje, e vendosur pikëpyetje të rënda serioze mbi konceptin liberal ekstrem të funksionimit të mediave, studiuesi amerikan Victor Pickard, përpunon ndër të tjerë, edhe një model tê quajtur social-demokrat të sistemit mediatik të shoqërive moderne. Sipas tij: “Liberalizmi tradicional ka hyjnizuar shpesh një treg të ideve pa pranuar se aty ka pabarazi strukturore, sidomos sipas klasave, gjinisë, orientimit seksual dhe ndarjes raciale. Në rrafshin ideal, modeli i ri do të jetë më tepër radikal sesa liberal. Ai do të ndërfutet në rrënjët e pushtetit duke shqyrtuar pa hezitim të gjitha idetë dhe institucionet e vjetra… Ky sistem i mediave duhet të qëndrojë në antagonizëm me interesat e fuqishme që nuk respektojnë modelin tonë politik”.
4. Ndërkaq, mund të thuhet se kanë ndryshuar ndjeshëm marrëdhëniet midis mediave dhe publikut të tyre, apo audiencave. Në një farë mënyrë bashkë me relativizimin e rolit të “gate keeper”, pra të redaksive dhe newsroom-eve në prodhimin e informacionit, të cilët tashmë konkurrohen nga miliona editues të pavarur që gjenerojnë përmbajtje dhe lidhje mes komunikuesve në të gjithë planetin, ka ndryshuar edhe koncepti i audiencës. Pyetet nëse ka vend më të përdoret vetë termi “audiencë”, apo duhet folur për “audienca” në numrin shumës, pra për një zbërthim, çkërmoqje, të audiencës sinkronike që në mediat konvencionale e merr lajmin njëkohësisht përmes një transmetimi në një orë të caktuar të ditës? Mos vallë nuk ka më audiencë sa kohë që ajo në kushtet e mediave online ushqehet me informacione të ndërprera, të plotësuara gjatë 24 orëve, dhe që i konsumon në kohë të ndryshme, sipas pjesëve të saj përbërëse?
Më parë informacioni masiv bazohej te logjika e dhënies së informacionit, e shtyrjes së tij drejt publikut, pra ishte një model i bazuar te “push”. Kurse në komunikimin e mediave online, është publiku apo publikët që shkojnë kërkojnë informacionin në burime të ndryshme informative, pra e marrin atë sipas modelit “pull”, pra të tërheqjes.
Bashkë me këto transformime të gjithanshme është zbehur fort edhe koncepti i “prime time” në transmetimet televizive online, duke u kthyer në atë që literatura e sotme në këtë fushë e përkufizon si “my time”. Duke u mbështetur në konsumimin e një informacioni të marrë sipas kërkesës, pra nëpërmjet klikimeve në portalet e ndryshme në web ose “on demand”, është konsumatori ai që e përcakton kohën se kur do të ndodhet përpara ekranit.
5. Ndryshimi teknologjik dhe i kulturës profesionale, dinamikat në fushën e administrimit të mediave dhe të qarkullimit të mallit që quhet informacion kanë prekur fort edhe statusin e gazetarit, mënyrën e tij të integrimit në media si edhe marrëdhëniet mes gazetarëve brenda agjencive të informacionit. Këtu risitë janë të shumta e të shumëllojshme.
Agjencitë mediatike konvencionale të ndodhura nën presionin e vështirësive ekonomike janë të detyruara që të ulin nivelin që përcakton kushtet në të cilat kryhet profesioni në redaksi. Sikurse shkruajnë studiuesit e sotëm kjo gjendje përshkruhet edhe kështu: “Gazetat kanë më pak faqe se disa vite më parë, fashikujt e gazetave janë më të hollë, raportimet janë më të shkurtër. Ka më pak lajme të huaja dhe me përmasa kombëtare, më pak hapësirë për shkencën, artet, reportazhe dhe çështje të specializuara. Mbulimi i biznesit është përmbledhur në një hapësirë më të ngushtë ose është zhvendosur në një pjesë tjetër, më pak të rëndësishme të faqes… Personeli i redaksisë që nxjerr gazetën është më i vogël, më i ri, më i dhënë pas teknologjisë dhe i prirë t’iu shërbejë një kohësisht edhe funksionimit të shtypur edhe versionit në web të gazetës. Personeli është gjithashtu nën një presion më të madh, ka më pak kujtesë institucionale, më pak njohuri për komunitetin, ka më pak interes dhe dije sesi të mbledhë lajme dhe histori individësh. Ka më pak redaktorë për të kapur gabimet në shkrim”.
Gjendjen financiare të mediave të ndryshme e rëndon veçanërisht procesi i “çmediatizimit të reklamës”. Nëse media e deritanishme në një masë të madhe ka qenë e financuar nga reklama që kishte natyrë masive, pra nuk i drejtohej thjesht një publiku të përcaktuar dhe nuk matej në forma rigoroze për sa i përket efikasitetit të saj, reklama online gjithnjë e më pak kalon medoemos nga web e mediave, por kalon kryesisht nga motorët e kërkimit dhe nga faqet e portaleve të ndryshme që kanë më shumë vizitorë. Efikasiteti i saj matet me numrin e klikimeve mbi reklamën.
Reklama e çmediatizuar ka sjellë një rënie të buxheteve të mediave dhe ka transformuar krejtësisht peizazhin mediatik në të gjithë planetin.
Gazetarit i kërkohet gjithnjë e më shumë të jetë “multitask” dhe “multiplatform”, pra që të shkruajë edhe reportazhin, por të bëjë edhe intervistën, profilin, të raportojë edhe lajmin, të bëjë edhe analizën etj., ndërkaq duhet të bëjë lajmin të gatshëm për t’u raportuar edhe për transmetimin televiziv të kompanisë mediatike, por edhe për gazetën e shkruar apo edhe për web-in.
6. Karakteristikë e rëndësishme është përpunimi i një gjuhe të re të kodifikimit të informacionit mediatik online. Periudha e multimedias, e telefonisë mobile (të lëvizshme) dhe e përdorimit të Internetit, solli atë dukuri të rëndësishme që u quajt konvergjenca e mediave. Ky koncept përfshin një gamë të gjerë rrafshesh që nisin qysh me kodifikimin e gjuhës së përdorur në komunikim, e cila shpreh tashmë me një “alfabet” të vetëm edhe tekstin, edhe zërin, dhe figurën, dhe që vazhdojnë me mënyrën si ndërtohen redaksitë dhe newsroom-et dhe vendin e hierarkisë së funksioneve të gazetarëve dhe administratorëve në të, apo edhe politikat dhe strategjitë e kapitalit të kompanive mediatike.
Si do të funksionojnë redaksitë e gazetës, televizionit apo radios brenda një kompanie të vetme mediatike në kushtet e konvergimit? Si një e tërë duke e vendosur të gjithë informacionin në një ekran të madh qendror dhe duke e shpërndarë pastaj në mediat e veçanta, apo duke qëndruar si njësi ende të pavarura? Në çfarë raporti do të qëndrojë versioni mediatik i informacionit në mediat konvencionale në krahasim me ato online? Cilat janë ndryshimet ta zëmë mes një numri gazete në letër dhe po atij numri në versionin online?
Këto ndryshime përcaktohen nga fakti se informacioni në mediat konvencionale dhe i njëjti informacion i vendosur online, duke qenë të transmetuar nga kanale teknologjike të ndryshme, nuk mund të jenë të strukturuar njësoj. Edhe publiku i percepton ato në mënyrë të ndryshme. Nuk “lexohet” njësoj si në ekran ashtu edhe në një faqe letre. Te i pari lexohet vertikalisht, kurse te e dyta horizontalisht. Për këtë arsye studiuesi Bernard Poulet, pohon mendimin e tij se: “Leximi në web nuk ka asnjë lidhje me leximin në letër që shpesh është i ngadaltë dhe i mundimshëm, duke e kaluar syrin nga një cep te tjetri i faqes”.
II.
Rasti shqiptar
Nisur nga çfarë paraqitëm në këtë lexim bibliografik, dalin qartë shqetësimet e komunitetit të studiuesve dhe të analistëve të peizazhit të mediave sot. Ato nuk janë thjesht paraqitje teorike, por pasqyrojnë gjendjen dhe problematikat reale me të cilat ndeshet sot industria e informacionit masiv.
Po mediat shqiptare? Çfarë sfidash duhet të përballin në kushtet e këtij evolucioni teknologjik dhe mediatik që ka tronditur pesë shekuj tradita në këtë fushë? E shtrojmë këtë pyetje sepse ky ndryshim që në Shtetet e Bashkuara u përgatit shpejt, por gjithsesi me një lloj gradualiteti, në Shqipëri erdhi befasisht duke i gjetur të papërgatitura mediat vendase. Aq më shumë ato u ndodhën para një krize të fortë ekonomike dhe financiare, e cila lidhet si me humbjen drastike të lexuesit dhe largimin e audiencave nga mediat e transmetimit, por edhe me largimin e reklamuesve nga mediat duke humbur interesin për të bërë publicitet nëpërmjet tyre.
Sfida e tipit të parë kap rinovimin e kulturës profesionale të gazetarit. Gazetari shqiptar ende nuk është i përgatitur nga përvoja e tij, nga formimi dhe nga tradita e vet, që të përfitojë nga teknologjitë e reja të informacionit dhe të ndërtojë një komunikim interaktiv me audiencat e tij. Mjafton të shohim se sa prej gazetarëve dialogojnë në forumet e mediave me lexuesit e tyre lidhur me komentet që këta të fundit bëjnë. Po kështu vlera e shtuar, në formën e asaj që quhet “gazetaria e vlerës së shtuar”, në produktet publicistike është ende e dobët. Është fjala për analizën e ngjarjeve dhe informacionit, i cili si i tillë, si përgjigje ndaj pyetjes “Cfarë?” gjendet tani me bollëk dhe i prejardhur nga mijëra e mijëra burime pa pritur që të vijë ekskluzivisht nga ana e gazetarit. Pyetja “Si?”, ajo që është edhe më e rëndësishme në periudhën e komunikimit interaktiv, mbetet shpesh pa përgjigjen e duhur sepse gazetari është me formim të përgjithshëm, pra nuk e bën dot rolin e ekspertit. Për të mos folur, pastaj për kulturën e gazetarisë online, pra të shkrimit të lajmit në format e leximit dixhital duke përfshirë jo vetëm shkrimin në web, por edhe në teknologjitë e reja të komunikimit, sikurse është ekrani i “katërt”, apo ekrani i telefonave mobile “smartphone”.
Sfida e dytë e rëndësishme që është vendosur përballë mediave shqiptare ka të bëjë me profilin e vjetruar të orientimit të tyre thjesht si media gjeneraliste. Në kohën kur informacioni është “hiperlokal”, pra kur kërkon një kontekstualizim lokal të fuqishëm, për të ruajtur freskinë, dobinë, “vlerën e shtuar”, mediat shqiptare ende mbizotërohen nga një logjikë gjeneraliste e pakuptimtë që e dëmton peizazhin mediatik të vendit. Pretendimi është se gjoja se kështu kapet një audiencë më e gjerë, por në fakt audiencat e ndryshme humbasin interesat për këtë medie, e cila nuk shpreh asnjë identitet të qartë social.
Peizazhi mediatik shqiptar sot i mungojnë unshëm e dhunshëm pikërisht mediat e profilizuara tematike dhe mediat lokale që janë pothuajse në kushtet e transmetuesve të informacionit të ardhur nga kanalet e tjera televizive ose nga platformat dixhitale, janë më shumë antena ripërtëritëse sinjali.
Simbioza e mediave me politikën nuk i lejon ato sot të zbulojnë hapësirën demokratike të regjionalizimit të informacionit, të lokalizimit të lajmit, pra të ardhjes drejt publikut. Media shqiptare sot e injoron publikun edhe si audiencë, por edhe si autor i informacionit, si prodhues përmbajtjeje, pra në formën e asaj që quhet medie e bazuar në “informacionin e prodhuar nga publiku”. Kjo duket edhe në agjendën që ka media shqiptare sot. Në shtypin e shkruar ajo mbizotërohet nga lajmi, editoriali dhe opinioni politiko-politizues i faqeve të para, kurse në “prime time” televiziv mbizotërohet nga e njëjta tematikë politiko-politizuese, shumë e varfër kulturalisht, që shpaloset në emisionet e opinionit apo të debatit televiziv.
Sfida e tretë e rëndësishme e mediave shqiptare është rinovimi i kulturës së administrimit të tyre, që nis që nga format e pronësisë, e përfundon te administrimi i newsroom-eve apo redaksive.
Gabimisht ne ende e përkufizojmë keq atë që quajmë “media publike” duke e barazuar me radiotelevizionin publik. Sigurisht ky i fundit duhet të ndjekë një model të tillë, pra të jetë vërtet një media publike dhe jo shtetërore apo qeveritare. Por, koncepti i mediave publike në ditët e sotme është shumë më i gjerë sesa kaq.
Mediat publike janë edhe agjencitë e komunikimit të institucioneve publike, si Kuvendi, Kryeministria, Presidenca, ministritë, universitetet, etj., media publike edhe media të mundshme që mund t’iu përkasin komuniteteve lokale dhe që mungojnë në formë thërritëse. Po kështu, të tilla janë edhe ato media që mund të funksionojnë me financime publike, apo si fondacione pa qëllime fitimi.
Hezitimi i rëndë që manifestojnë disa media midis formatit të tyre konvencional, klasik dhe atij online ka ardhur koha t’i jepet fund, sepse po i dëmton shumë rëndë. Në disa media është kuptuar sikur versioni online është kopje elektronike e versionit të gazetës së shkruar apo sikur transmetimet në ekranin e televizionit kalojnë thjesht online duke krijuar mundësinë për t’u ndjekur edhe në ekranin e kompjuterit.
Por, ky konceptim është jo vetëm i dëmshëm, por edhe i gabuar. Ai nuk kupton se audienca pret tjetër kulturë shkrimi, raportimi dhe transmetimi të lajmeve në versionin online, më sintetike, më të vrullshme, të aktualizuara minutë pas minute, të shkruar në forma jolineare, por me ndërthurje kodesh multimediale, si një sinkretizëm midis tekstit, figurës dhe zërit.
Në vend të zhvillimit të gazetarisë online, çka përbën një detyrë parësore të një revolucioni kulturor në fushën e informacionit masiv, shpesh gjendet rruga më e thjeshtë, ajo e vetëcensurimit të materialeve të botuara në versionin në letër të gazetës kur gazeta paraqitet online.
Kjo praktikë nuk sjell asgjë. Harrohet ajo që është më thelbësorja. Publiku i mediave online dhe publiku i mediave tradicionale nuk është aspak i njëjti. Një shkrim që ngjall interes në versionin në letër te publiku i gazetës, nuk është e thënë se ngjall po atë interes te publiku numerik. Nëse shkrimi i botuar në letër shkurtohet ose ndërpritet në variantin e edituar online, kjo nuk rrit kuriozitetin e lexuesit për të shkuar e blerë gazetën te kioska e lagjes. Përkundrazi, ai e braktis edhe versionin në letër dhe online të gazetës për të shkuar e marrë informacion në media të tjera që propozojnë informacion falas.
Prandaj, ideja e krijimit të redaksive apo newsroom-eve virtuale, të specializuara për editimin e versionit online të informacionit, sikurse krijimi i redaksive konvergjente, por që ndërthurin platforma editimi të ndryshme, mbetet një pistë e gjerë që kërkon trajtime strategjike të veçanta nga ana e administruesve të mediave dhe nga ana e studiuesve.
Sfida e katërt lidhet sa me modelin ekonomik të mediave shqiptare në kushtet e Internetit, aq edhe me administrimin e mediave. Media nuk mund të jetë vetëm informacion. As vetëm përmbajtje publicistike me zhanret e veta. Ajo ka nevojë edhe të jetë argëtuese, edukuese. Por, edhe kaq nuk mjafton. Kemi qenë të mësuar që media është edhe hapësirë publicitare. Sigurisht. Por, çfarë po ndodh tani që reklama po çmediatizohet?
Prandaj mediat, sidomos ato online janë të detyruara të kryejnë, ofrojnë edhe detyra e shërbime të tjera. Jo më kot ndërthurja e informacionit me shërbimet e tjera është një nga prirjet më të rëndësishme sot në fushën e mediave më të rëndësishme të planetit. Shesin bileta për gara me kuaj, bileta avioni, rezervojnë dhoma me qira gjatë periudhave turistike, ofrojnë vizita muzesh, etj., etj, në çdo rast kemi integrimin e industrisë së informacionit me atë tê shërbimeve në një plan shumë më të gjerë.
Botuar në gazetën Standart, 12 janar 2013
Tags:hiperlokalja, mediat e reja, mediat tradicionale, pronësia e mediave, redaksitë konvergjente