Disa probleme të ligjit për Radio Televizionin

4 Korrik , 2015 • Shkrimet më të fundit • by

Nga Mero Baze.

Ashtu siç pritej, zgjedhja e drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar po dështon për shkak të formulës bllokuese që është shpikur në ndryshimet ligjore të bëra në këtë ligj, në fund të mandatit të Kuvendit të shkuar. Ndryshimet nuk kanë prekur problemet reale që ka ai institucion për t’u shndërruar në media publike, ndërkohë që kanë shtuar varësinë e tij nga krahët politik, sidomos në përzgjedhjen e kandidaturave si për Këshill Drejtues, ashtu dhe në procedurën për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm.

Së pari, mishmashi ligjor rreth RTVSH-së nuk rregullohet më vetëm me statusin e RTVSH-së, por dhe me ligjin për mediat elektronike që ka diktuar këto ndryshime. Edhe pse formalisht ajo konsiderohet media publike, menaxhimi i saj është shtetëror dhe ndjek rregullat e institucioneve shtetërore. Si i tillë, do të vazhdojë të jetë një ndërrmarrje shtetërore dhe jo një kompani publike, që mund të konkurrojë në tregun e televizioneve shqiptare. Fjala vjen, ajo nuk ka ende liri për liberalizim pagash, për blerje speciale dhe nga ana tjetër ka liri për abuzime financiare, për projekte dhe klientelizëm, që e kanë shëmtuar përherë e më shumë atë godinë.

Pra, ndryshimet duhet të prekin statusin e RTVSH-së dhe duhet ta kthejnë atë realisht dhe ligjërisht në kompani publike.

Së dyti, është prodhuar një kontradiktë në fuqinë e institucioneve që drejtojnë RTVSH. Kryetari i Këshillit Drejtues është forcuar shumë në mënyrën sesi zgjidhet, aq sa i kanë caktuar atij një procedurë të veçantë, që fillon nga Komisioni i Mediave dhe përfundon në sallën e Kuvendit, siç zgjidhet guvernatori i Bankës apo drejtues të tjerë të agjencive shtetërore.

Veçse kjo rëndësi që ka në zgjedhje, nuk ekziston në drejtimin e RTVSH-së. Me aq procedurë të nivelit të lartë sa zgjidhet, ai duhet të jetë president i RTVSH-së dhe njeriu më fuqiplotë aty. E vërteta është se ai vlen vetëm për të zgjedhur drejtorin e Përgjithshëm me një votim banal të negociueshëm dhe të bleshëm dhe pas kësaj, ai është një hiç. Drejtori ka kompetenca dhe mbrojtje të tillë nga statusi i RTVSH-së, saqë kryetari i zgjedhur nga Kuvendi nuk është asgjë. Ai thjesht mund t’i miratojë disa projekte ose jo dhe s’ka çfarë bën asgjë tjetër. Biles dhe pagesa e tij është sa njëzet përqind e pagës së drejtorit të Përgjithshëm. E gjitha është një banalitet që duhet rregulluar. Ai që zgjdihet nga Kuvedi duhet të jetë më i forti në gjithçka. Ose të ndryshojë ligji dhe drejtori i Përgjithshëm të zgjidhet nga Kuvendi, ose nëse lihet kështu, drejtori i Përgjithshëm të zgjidhet me shumicë të thjeshtë dhe të mos gëzojë atë mbrojtje formal që gëzon në statusin e vjetër të RTSH-së, i cili duke u bërë miks me ndryshimet e reja ligjore, ka prodhuar një situatë të pamenaxhueshme në RTVSH.

Po kështu dhe anëtarët e tjerë të Këshillit, që po ashtu zgjidhen nga Kuvendi.

Nëse i hedh një sy Këshillit, e shikon se përveçse rekomandimet janë shumë politike, janë dhe shumë nënvlerësuese, pasi shumica e kanë parë atë si një shans për një honorar modest, po ashtu sa 10 përqind e pagës së drejtorit.

Së treti, ligji për RTVSH përveçse duhet të jetë i gjithë i përfshirë në statusin e RTVSH-së, duhet të azhornohet dhe me ndryshimet e reja në median dixhitale, TV në internet dhe gjithë produktet televizive të reja, që nuk kanë qenë parashikuar dhe nuk janë parashikuar ende në legjislacionin shqiptar.

Komisioni i Medias duhet të marrë me përgjegjshmëri këtë çështje dhe së bashku me OSBE-në dhe institucione të tjera rekomanduese, të bëjë ndryshime të shpejta dhe efikase ligjore, për të mos e lënë RTVSH peng të pazareve të pista politike dhe akoma më keq, të pazareve klienteliste për të blerë dy nga 5 anëtarët e opozitës, për të siguruar një mandat pashai mbi paratë e publikut shqiptar.

Dhe këtu nuk bëhet fjalë për të lehtësuar kontrollin politik mbi RTVSH, se dhe kështu siç është, dy kandidaturat janë më afër shumicës, por e kanë të pamundur të zgjidhen pa u bërë pis. Dhe që t’i jepet fund këtij turpi, duhet që ligji të ndryshohet dhe të fuqizohet profili publik i RTVSH-së dhe të respektohet kontrolli parlamentar mbi RTVSH-në, duke i dhënë rëndësi ose kryetarit të Këshillit Drejtues që zgjidhet nga Kuvendi, ose drejtorit të Përgjithshëm, por që dhe ai të zgjidhet nga Kuvendi. Kështu siç është bërë ligji, është tërësisht bllokues dhe i pamundur për t’u zbatuar.

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend