Spotet televizive dhe mjedisi

18 Shkurt , 2013 • Reklama dhe Marketingu • by

Shqipëria siç do ta donim dhe Shqipëria siç nuk do ta donim: është mjaft interesante se si përmes disa prej spoteve që u dhanë shpesh gjatë vitit që shkoi nëpër televizione, mundëm të shihnim këto dy imazhe të realitetit tonë mjedisor dhe social. Ka spote të mençura për mjedisin, por ka edhe spote jo të moralshme për mjedisin, ashtu siç ka spote tipike maskiliste për dimensionin social, apo madje dhe tipike arrogante e krejt çedukuese për të.
Para se të rendisim spotet e Shqipërisë siç nuk e duam, duhet të veçojmë një spot që na jep një Shqipëri siç do ta donim: ky është spoti i Ministrisë së Mjedisit dhe GIZ-it, spoti më i mençur mjedisor ndoshta i gjithë këtyre 22 viteve demokraci. Ai fillon me një vajzë me flamur kuqezi në qafë, e cila gëzon e këndon në makinën e shokut të saj, e që më tej kollofit një byrek e rrufit një dhallë dhe e lidh qesen plastike, e vërvit nga dritarja e makinës tutje ndanë rrugës. Shoku i saj e shikon këtë, e ndal gozhdë makinën, del e mbledh qesen nga rruga, ia heq mikes flamurin kuqezi nga qafa dhe ikën duke e braktisur pa pishman në mes të rrugës. Nëpërmjet djaloshit spoti jep mesazhin fisnik se ai që e ndyn këtë vend nuk e meriton ta mbajë flamurin e tij dhe se patriot nuk është ai që mban një flamur në qafë a në kurriz, por ai që kujdeset për këtë vend sado pak. E pra, pikërisht kjo e këtij djaloshi është ajo Shqipëria që duam dhe shoqëria shqiptare që duam: një Shqipëri reaguese, jo indiferente, vitale, një shoqëri e cila i refuzon si lebros ata që ia mbushin anët e rrugëve me hedhurina. Spoti vendos pikërisht këtë përpjesëtim të drejtë midis dashurisë ndaj atdheut dhe kujdesit ndaj mjedisit të këtij atdheu, duke u identifikuar kështu si lëvizja më e mençur në këtë atmosferë euforie patriotike të 100-vjetorit. Për këtë mesazh të bukur social dhe mjedisor duhen përgëzuar MMPAU dhe GIZ, duke i lutur që ta mbajnë këtë spot edhe gjatë sezonit turistik, për ta bombarduar qytetarin shqiptar me këtë model të shëndetshëm patriotizmi. Është ajo për të cilën kemi nevojë ulëritëse.
Në kontrast të plotë me vlerat morale që kultivon ky spot i mençur mjedisor, më duket se qëndron një spot i kompanisë së çeliqeve në Elbasan, spot që po transmetohet në fashat më të shtrenjta orare dhe në televizionet më të shtrenjta “të majta” e “të djathta” bashkë. Ky spot na fton “të ndihemi krenarë për çelikun shqiptar që ajo kompani prodhon”. Për hir të së vërtetës, nuk ka ndonjë gjë të gabuar në fjalët e spotit, por ka një amoralitet në vetë bërjen këtij spoti: ka amoralitet pikërisht në guximin e kësaj kompanie për të harxhuar parà kaq të madhe për një spot kaq fodull. Thënë ndryshe, a mund të jetë krenare kjo kompani për atë që prodhon, në një kohë kur niveli i emetimeve në ajër nga trajtimi i skrapit mbetet prej 20 vitesh problematik dhe mbetjet e skorieve nuk çohen në landfille speciale, por buzë lumit, duke ndotur pakthyeshmërisht tokën e ujin?! Dhe kjo ndodh prej shumë e shumë vitesh, me gjithë presionin e pandërprerë ligjor të strukturave mjedisore qendrore apo lokale, apo me gjithë presionin e jashtëzakonshëm të shoqërisë civile apo të qytetarëve si në Elbasan, ashtu dhe në Tiranë. …Është e qartë se statusin social të kësaj uzine e ndihmon padrejtësisht fakti që qytetarët e Elbasanit e kanë atë si një nga vendet më të rëndësishme të punësimit, çka bën që të gjithë aktorët e presionit të jenë të detyruar të mbyllin një gjysmë syri, por ama vetë kompania nuk mund t’i mbyllë sytë: kjo nuk është e moralshme dhe nuk jep mesazhe të shëndosha shoqërore, për shkakun se kompania e di shumë mirë se sa shumë të sëmurë ka në atë zonë pikërisht për shkak të aktivitetit historik industrial, ku prodhimi i çelikut ka pjesën e luanit të ndotjes dhe të pasojave. Aq më pak mund t’i mbyllim sytë ne, qytetarët e këtij vendi. Rrjedhimisht, nëse ajo kompani ka kaq shumë parà për të shpenzuar për marketing imazhi, le t’i shpenzonte ato duke bërë aktivitete të “përgjegjshmërisë sociale”, konkretisht duke i ndihmuar këta të sëmurë me ilaçe të shtrenjta falas, me bursa studimi për universitet, me struktura sociale të asistencës etj. Nëse do t’i kishte bërë të gjitha këto me banorët jo fatlumë të zonës, vetëm atëherë le të na i tregonte në mesazhe promocionale edhe në televizione kombëtare. Ky do të kishte qenë mesazhi i duhur social që kjo kompani do t’i jepte kësaj shoqërie të lodhur shqiptare: pra, jo që “biznesi është mbi gjithçka”, por që “njerëzit janë mbi gjithçka”. Kjo do të ishte Shqipëria që ne do të donim, dhe kjo është ajo për të cilën ne kemi nevojë.
Një tjetër spot i çuditshëm televiziv mund të quhet tipik “vjedhës”: është mesazhi promocional i një kompanie të madhe karburantesh, i cili ka tekstualisht sloganin “Te ne, aq sa paguani, aq merrni”. Tani, a është e moralshme t’i thuash klientit që “motivi për të cilin duhet të vish tek unë është vetëm se unë nuk të vjedh, megjithëse e kam në dorë të të vjedh”?! A është Shqipëria që ne duam ajo ku shitësi e quan virtyt faktin që i jep klientit aq sa ai paguan?! Ky është mesazh i pamoralshëm dhe arrogant. Është mesazh që justifikon vjedhjen e të tjerëve. Kjo është Shqipëria ashtu siç ne nuk e duam, dhe kjo është ajo për të cilën ne nuk kemi nevojë.
Një tjetër lloj mesazhi jo i moralshëm është mesazhi maskilist që na vjen nga të paktën dy spote absurde. Ato na paraqesin një Shqipëri ashtu siç ne nuk e duam: një Shqipëri arrogante dhe të pasjellshme. I pari spot është ai i një lëngu frutash: për të na treguar ne konsumatorëve se kompania e ka gjithë gamën e shijeve të frutave, burri i thotë me nerva së shoqes shtatzënë në mes të natës që “po deshe ananas, shko e merre vetë në frigorifer, se u lodha”. Tani, unë shpresoj fort që asnjë burrë normal në Shqipëri nuk do të kishte surrat t’ia thoshte së shoqes shtatzënë një gjë të tillë, por ky tipi në këtë spot e bën. Dhe duke e bërë, jep një mesazh social tepër joedukativ, duke kultivuar modele tmerrësisht të shëmtuara te fëmijët tanë. Kjo, në fakt, është Shqipëria që do të na turpëronte nëse do të ekzistonte tani apo nëse do të ekzistojë ndonjë ditë. Spoti i dytë maskilist është ai i një kompanie celulare: tri vajza supersimpatike, secila më vete, i propozojnë me shumë mirësjellje dhe elegancë për bashkëjetesë një kokëleshi, d.m.th. një mashkulli idiot, i cili si përgjigje ndaj çdo kërkese prej tyre tronditet dhe çuditet aq shumë, sa që kërkon të zhduket në çast, duke u hedhur me panik në liqen, apo duke ikur vrap nga restoranti, a duke u zhdukur nga magjistari i cirkut. Vajzat bëjnë kërkesa më se normale, të tipit “i dashur, sa bukur do ishte sikur të jetonim bashkë!” etj., por ky tipi mendon se ia vlen më mirë të zhdukesh nga faqja e dheut, sesa të bashkëjetosh apo të martohesh me ndonjë nga ato vajza aq të qeta e elegante. Mesazhi social që jepet është ai se “vajzat në këtë vend nuk duhet të pretendojnë lidhje serioze” sepse “meshkujt e rinj në këtë vend ia mbathin kur të duan prej tyre”. Më maskiliste dhe diskriminuese se kaq nuk besoj se ka ndonjë mesazh. Kjo është Shqipëria që të paktën unë nuk do ta doja, dhe kjo është ajo për të cilën ne nuk kemi nevojë.
Kështu, në përfundim të këtij viti, pas të cilit do të duhej të ishim më të pjekur, për shkak se mbushëm 100 vjeç, unë shpresoj se budallallëqe të tilla si këto të fundit nuk do të përsëriten më në vitin që sapo ka hyrë. Shpresoj të kemi më shumë imazhe të Shqipërisë ashtu siç e duam dhe sa më pak modele të Shqipërisë siç nuk e duam. Të kujtojmë që mjedisi dhe situata sociale e Shqipërisë kanë nevojë për edukim mjedisor dhe social të shëndoshë, të kujtojmë që çdo gjë që themi e bëjmë do të na kthehet mbrapsht jo shumë vonë. Në cilësi mjedisi dhe në cilësi shoqërie, aq sa kemi dhënë, aq dhe do të marrim si shpërblim.

Botuar në gazetën Panorama, datë 5 janar 2013. Titulli i shkrimit origjinal: “Spote televizive”.
Linku i shkrimit origjinal: http://www.panorama.com.al/2013/01/05/spote-televizive-shqiperia-si-nuk-e-duam/#ixzz2H7b8DmkP

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend