Shtypi në krizë dhe sfidat për mbijetesë

6 Gusht , 2012 • Ekonomia e Medias, Reklama dhe Marketingu • by

Flasin drejtuesit e të përditshmeve: Të ardhurat nga reklamat kanë rënë ndjeshëm

Shtypi i shkruar shqiptar është në krizë. Ky përfundim pranohet nga të gjithë edhe nëse për krizën e përgjithshme ekonomike të vendit ka ende diskutime. Ka disa vjet që gazetat kanë shkurtime në staf. Madje disa tituj nuk dalin më në treg. Sipas kryetarit të Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, vetëm në pesë vitet e fundit janë mbi 67 raste ankesash nga gazetarë që nuk paguhen në median ku punojnë.

Marketingu i medias së shkruar në këtë periudhë ku kriza është refreni i ditës ka vështirësitë e veta. Bizneset kanë ulur buxhetet për reklamë. Sipas kryeredaktorit të gazetës MAPO, Arion Sulo, shkaku kryesor i krizës së shtypit të shkruar vjen pikërisht nga mungesa e reklamave.

Të njëjtin mendim ndan edhe Robert Rakipllari, kryeredaktor i gazetës Panorama, i cili tregon për “Reporteri”-n se në krahasim me vitet e kaluara ka rënie të reklamës në një vlerë rreth 20 % të të ardhurave që vijnë prej tyre. Por as parashikimet nuk janë optimiste. Të ardhurat nga reklamat mendohet të pakësohen edhe më tepër.

Shqiptarja.com, duke qenë një media e re dhe në hapat e parë në tregun mediatik është më e ndjeshme ndaj vështirësive të krizës. Shefja e marktingut, Egla Shkurti thotë: “Një media e cila guxon të thotë hapur realitetin në Shqipëri nuk shikohet me sy pozitivë nga institucionet shtetërore dhe si rrjedhojë prezenca e tyre është e vakët në mediat që nuk janë pro qeverisë”

Sipas saj, edhe nga sektori privat nga ana tjetër ndjehet një ngurim në momentin kur nuk njihesh si media e pozitës.

Por pavarësisht kësaj, drejtuesit e pesë të përditshmeve: Panorama, Telegraf, Shekulli, MAPO dhe Shqiptarja.com, pohojnë se kriza nuk i ka detyruar të bëjnë shkurtime në staf.

Lëvizjet e gazetarëve bëhen për arsye të ndryshme. Drejtuesit pranë redaksive rrëfejnë arsyet e largimit të tyre.

Koço Kokëdhima, kryeredaktor i “Shekulli”-t flet për një konkurencë brenda redaksisë e cila siguron suksesin në treg. “Stafi përtërihet, pasi ka top lista dhe kush është në fund të saj zëvendësohet. Burimet duhet të përmirësohen dhe të punësohen persona të rinj”, -thotë Kokëdhima.Megjithatë, sipas kryeredaktorit të “Telegraf”, Xhevdet Shehu, ka edhe lëvizje të gazetarëve drejt një oferte më të mirë në tregun e medias së shkruar.

Por ofertat në këtë periudhë janë minimale. Në një kohë kur shtypi është i prekur nga kriza ekonomike është shumë e vështirë të ketë lëvizje të gazetarëve, pasi sipas mendimit të kryeredaktorit të gazëtës MAPO, Arion Sulo, edhe tregu i medias së printuar nuk ka oferta pune të konsiderueshme.

Shpeshherë edhe pasi gazetari e ka siguruar një vend pune, vështirësia më e madhe është të mbijetojë ne tregun e medias. Më të prekur nga intesiteti i profesionit të gazetarit, janë studentët por edhe të sapodiplomuarit, të cilëve iu mungon formimi i duhur. “Studentët i pranojmë vetëm për praktikë dhe jo si të punësuar. Ata kanë mangësi prandaj edhe largohen sepse nuk i rezistojnë dot vrullit të profesionit”, -shprehet drejtori i gazetës “Telegraf”, Ëngjëll Musai.

Për Robert Rakipllarin, studentët nuk duhet të jenë pjesë e stafit të gazetave të mëdha. Sipas tij ata duhet ta fillojnë karrierën e tyre në gazeta të vogla. “Fazën e selektimit duhet ta bëjnë mediat e vogla. Studentët duhet të marrin bazën e punës dhe pastaj të afirmohen në gazeta më prestigjoze”, -pohon kryeredaktori.“Shekulli” punëson vetëm gazetarë të diplomuar që plotësojnë kriteret e një edukimi me rezultate të mira. Studenti gazetar, sipas Kokëdhimës, nuk mund të punojë pasi mbi të gjitha ai duhet të jetë i përkushtuar ndaj profesionit dhe të mos ketë angazhime të tjera. “Reporteri ka përgjegjësi të cilat një student nuk mund t’i mbulojë dot”, -shprehet Kokëdhima.

Ndërkohë, pjesë e stafit të gazetës “Shekulli” janë disa gazetarë me kohë të plotë që nuk kanë mbaruar ende sistemin bachelor.

Lexuesi mbetet arbitri më i mirë në vlerësimin e gazetave. Edhe pse tirazhi i tyre mund të rritet, sërish ky fakt nuk hedh poshtë praninë e krizës së shtypit në vendin tonë.

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend