Konferencë për median, minoritetet dhe diversitetin

29 Nëntor , 2011 • Etika dhe Cilësia, Reklama dhe Marketingu • by

Në datat 24 dhe 25 tetor u organizua në Tiranë një konferencë rajonale për median, minoritetet dhe diversitetin, në të cilën morën pjesë përfaqësue të medias, të shoqërisë civile dhe të minoriteteve nga vende të ndryshme të Ballkanit. Në konferencë mori pjesë edhe Komisioneri Shqiptar për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Qëllimi kryesor i konferencës ishte shkëmbimi i pikëpamjeve dhe i eksperiencave mes pjesëmarrësve lidhur me problematikën e mbulimit të minoriteteve nga ana e medias duke identifikuar sfidat kryesore dhe zgjidhjet për të ardhmen. Debati dhe diskutimet u përqëndruan jo vetëm në minoritetet etnike por u shtrinë edhe tek pasqyrimi “i tjetrit”, tek diversiteti etnik, fetar, gjinor apo seksual, tek rastet e gjuhës së urrejtjes në media, etj.

Diskutimi u shtri edhe në prirjet që ekzistojnë sot në media gjatë mbulimit nga ana e saj të grupeve të veçanta dhe minoriteteve, duke e vënë theksin tek pranimi dhe kultivimi i diversitetit përkundër prirjeve që e shmangin apo e nënvlerësojnë këtë diversitet. Një vëmendje  e veçantë iu kushtua rolit të mediave publike të rajonit në raportimin nga dhe për minoritetet, duke theksuar nevojën për përmirësime në këtë drejtim.

Përfaqësuesit e grupeve të minoritetit diskutuan për vështirësitë që ata ndeshin në lidhje me median, për praninë e stereotipeve, por gjithashtu edhe për nevojën e tyre për akses në media. Më tej ata parashtruan edhe vështirësitë dhe sfidat financiare dhe profesionale me të cilat përballen gjatë mbajtjes dhe zhvillimit të mediave të tyre. Konferenca u organizua nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Shoqata e Mediave të Europës Juglindore, me mbështetjen e Kooperacionit Austriak të Zhvillimit.

Marrë nga www.insitutemedia.org

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend