Udha e shkronjave dhe shtegu i Djallit

8 Shtator , 2013 • Profesionalizmi në media • by

Para se të dal në temë, do bëj nja dy xhiro jashtë teme. Është verë, dhe ne prodhojmë prapë shumë ngjarje. Problemet, nuk shkojnë kurrë me leje te ne. Po të vësh re, çdo problematikë, bluhet e konsumohet fort për disa ditë, maksimumi një javë, dhe harrohet sapo hapet një diskurs tjetër. Nuk ka nevojë shumë për të kuptuar se debati publik nuk pjell thuajse asgjë, as reforma, as politika qeveritare, as ndryshim të sjelljes institucionale, as dorëheqje e as hetime. Kam frikë se Rama nuk lexon publicistikë më prej kohësh, ndërsa Berisha lexon jo për të kuptuar problemin por atë që e ka shkruar. Nga institucionet e tjera të shtetit, e kotë të presësh. Pra, prodhojmë ngjarje, por veç sa për “muhabet” e jo për të zgjidhur gjë. Jemi si ajo makineria që pret dru me furi në pyll, dru që kalben se askush nuk vjen t’i mbledhë. Kjo makineri, është media.
Diskursi i hapur nga Baton Haxhiu mbi sjelljen e Top Channel me të majtët në pushtet në raport me sjelljen e Klanit në pushtet me të djathët, është një debat i mprehtë. Ky debat u mbyll për pak ditë, dhe si normalisht u kalua tek prerja e druve të tjera. Unë mendoj se ky debat është thelbësor. Madje më shumë, është një debat për jetë a vdekje. Jo se të tjerat, nuk kanë rëndësi – Basha që zëvendëson Berishën; LSI në një qeverisje rilindjeje; SHQUP-i si abuzimi i fundit i pushtetit; kisha në Përmet si faktor lufte i Greqisë; fashistët e Agimit të Artë që recitojnë poezi në kishat e Himarës – por, janë (edhe) nënprodukt i makinerisë.
Dolëm në temë. Armiku më i madh i qytetarit. Media.

Media si armik

Në librin “Viti ‘97” Mero Baze shpjegon sesi u krijua lajmi për paratë që dilnin me gomone nga Shqipëria, një lajm i paverifikuar dhe i dalë prej pushtetit me ndihmën e gazetarëve mbështetës. Pavarësisht se në libër shpjegohet se ky lajm është i rremë, akoma në psikën tonë jemi të bindur që paratë e Vefa-s dilnin me gomone jashtë shtetit. A mos e kam përdorur me ekzagjerim cilësimin “armik”? Fundja, po të lexosh “makinerinë që pret dru” ne jetojmë mes armiqsh. Media, vetëm veten e vet nuk e konsideron armik.
Asgjë nga këto që kanë ndodhur në këto 23 vjet (koha e Enverit do të meritonte një konsideratë më vete, lidhur me median) nuk ka ndodhur pa pasur bashkëpunimin, ku të heshtur ku bërtitës, ku pjesëmarrës e ku miratues, ku të blerë e ku të marrë me dhunë të medias. E vërteta, fshihet dhe deformohet, dhe gjella jonë mediatike funksionon (siç është thënë më parë) përmes gjysmë të vërtetave. Gjysmë të vërtetat – janë armiku më i madh i së vërtetës, më shumë dhe se injoranca.
Kjo ndodh, sepse media mbahet me para dhe paraja bën ligjin në mungesë të ligjeve.

Media dhe paraja

Para disa vitesh, kur punoja në radio, dhashë informacion për një ngjarje në lidhje me bankat që e dinte gjithë Tirana, por që censurohej gjithandej. Vetëm e përmenda ngjarjen, por kaq mjaftoi që Banka të pezullonte reklamat në radio, të kërkonte pushimin tim nga puna, madje, të betohej se unë nuk do punoja më në këtë qytet. Për disa vjet, emri im nuk dilte në titrat e produksioneve televizive, nga frika e hakmarrjes së Bankës. Banka, mund të kishte zgjedhur të më hidhte në gjyq nëse e kisha cënuar diku, por jo, zgjodhi armën e arrogancës.
Rasti im është gjithsesi i parëndësishëm para presioneve që bëjnë “ata me lek” ndaj mediave. Në rastet më të mira, “bankat” e mbushin një media me reklama për ta censuruar çdo lajm. E keni vënë re që kur ndodhin grabitje në një bankë, të qëllon mos ia lexosh dot emrin Bankës përkatëse në asnjë media? Banka nuk preferon të trembë klientët e saj! Sa hetime gazetarësh ka mbi abuzimet e kompanive celulare? Thuajse asnjë. Tërë media mbahet me paratë e telefonive. Që, për ironi janë paratë e publikut që ka të drejtë të informohet. Por, pushteti i koroporatave është vetëm njëra pjesë e manipulimit të së vërtetës. Ka individë super-të pasur që nuk lejojnë të dalë asnjë fakt rreth tyre, larg qoftë të bëhen investigime.
Dosjet me krime të përbindshme flenë në sirtarët e kryeredaktorëve të gazetave a TV-ve, e nuk kanë për të dalë kurrë. “Ata me lek” kanë aq pushtet (shpesh të dhunshëm) sa ta bllokojnë gazetën në shtypshkronjë e të mos e lënë të dalë në tezga.

Gazetarët – Tunxhët

Kam punuar disa muaj në një gazetë të përditshme. Aty, gazetarët paguheshin me dy bordero: “paratë e bankës” e “paratë e dorës”, dmth, paratë e deklaruara e ato të padeklaruara. Dhe ju prisnin që media të denoncojë evazionin fiskal? Apo prisni që gazetarët e trajtuar si skllevër, të dhunuar nga porositë e shefave e nga dhuna e “atyre me lek” të gjurmojnë për ju të vërtetën?
Dhaskali dhe Tunxhi, një dyshe bardh-e-zi e kinemasë socrealiste, janë dy krijesa në një Udhë Shkronjash. Nëse duam të bëjmë një paralelizëm thjeshtëzues, Dhaskali do duhej të ishte gazetari, por në të vërtetë, gazetari shqiptar, sa vjen e bëhet një tunxh i paskrupullt në një udhë mbijetese. Gazetarët janë klientë të forcave politike apo të individëve të veshur me pushtet e para. Në kohë zgjedhjesh qëllon të shohësh të njëjtën figurë non stop në një ekran. E pra, “figura”, e ka blerë nën dorë prezencën e vet. Madje më keq, ai mund të diktojë edhe që kundërshtarët e tij të mos shfaqen në atë ekran.
Nëse gazetari tenton të ruajë integritetin e vet e të emisionit, nuk do ishte çudi t’i vinte pronari i medias e ta urdhëronte ta bënte. Po nuk u shite ti, shitet ai sipër teje. Po t’i dinin adresën Zotit, edhe atë e blenin. Dhe e i kanë bërë aq para. Numri i madh i TV-ve dhe gazetave mbahet vetëm me favore financiare të pahetuara. Le të flasim pak për tempullin e të vërtetës, median.

Tempulli i farisejve

Mungon një investigim shtetëror mbi financimet e mediave. Mungon, sepse, askujt nuk i intereson. Pushteti dhe opozita, drejtuesit e mediave, pronarët dhe bizneset janë të interesuara të bëjnë lojërat e tyre të fshehta për të “bërë sa më shumë lek”. Informacioni, edhe pse janë media, nuk del jashtë. Lëveret (lexo: paratë) e pista lahen brenda shtëpisë. Ka gazeta që shiten me 200 kopje. Askush nuk investigon si mbijetojnë. Nga u vijnë paratë. Gazeta të mëdha botojnë tirazhe të mëdha, dhe shesin vetëm gjysmën, sepse raportojnë para donatorëve apo politikanëve vetëm tirazhin por jo shitjet reale. Kjo dëmton mbi të gjitha mediat që përpiqen të mbahen vetë, të pavarur. Mision i pamundur.
Transparenca financiare është shpëtimi i vetëm për publikun. Transparenca e audiencës është shpëtimi i vetëm për vetë median. Kur të publikohen çdo javë shitjet reale dhe audienca reale e programeve TV apo radio, vetëm atëherë do mund të priten paratë informale apo të pandershme që sponsorizojnë media apo gazetarë të caktuar. Kush mund ta bëjë këtë? Sigurisht, ata që nuk u intereson. Mazhoranca e djeshme dhe ajo e nesërme.

Rama dhe media

Para zgjedhjeve, po përpiqesha t’i tregoja dikujt se Berisha ka në dorë mediat. Mora t’i numëroja, kush ishte me pushtetin e kush me opozitën. Tek numërimi ngeca. Më dilnin më shumë media që mbështesnin opozitën!
Nuk dua të jem paragjykues. Dua shumë që maxhoranca e re të mund të kapërcejë traditën (edhe të vetën) dhe të bëjë një Shqipëri tjetër. Por, dëshira nga shpresa, e për më tepër besimi, janë larg. Nuk mund të harroj sesi u zhduk nga ekranet Kreshnik Spahiu (pavarësisht se kush është e çfarë bëri), pasi u konfliktua me opozitën. Një pushtet i tillë është i frikshëm. Nuk do e dimë kurrë sa para janë derdhur në media dhe nga kush para e gjatë fushatës. Akoma nuk dimë sa do të paguhet Toni Bler. As nga do vijnë paratë. Nuk do e dimë kurrë deri në çfarë niveli na manipulojnë. Ky sistem manipulimi ka vetëm një rrugë shpërndarjeje: median. Ajo është armiku. Është armiku, sepse është bërë palë me pushtetin. Pushteti korrupton. Tanimë ato kanë krijuar një pushtet absolut.
Z.Rama nuk besoj se lexon gazetat, dhe e kuptoj përse. Pushteti absolut (e nuk e kam thënë unë) korrupton në mënyrë absolute.

Botuar në revistën KLAN

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend