Sekretet e televizionit, sipas Dhimitër Gjokës

17 Prill , 2014 • Profesionalizmi në media • by

Një jetë në televizion. Ishte dhe është një nga ikonat e suksesshme të ekranit televiziv në Shqipëri. Dhimitër Gjoka del në tregun e gjerë të librit me botimin e fundit “Ekran TV” serioz dhe skrupuloz deri në manierizëm duke zbërthyer në detaje sekretet e të bërit televizion.

Është një përvojë dhjetëravjeçare e grumbulluar dhe e manifestuar me origjinalitetin e tij brenda të qenit artist i fjalës së shqiptuar të gjuhës shqipe, i regjisorit themelues të transmetimit televiziv, folësit të spikatur me ngjyrat dhe fizionominë, që mbetet i admirueshëm për një komunikim mjaft ekspresiv me publikun, si dhe të një drejtuesi artistik potencial të ekranit.

Figura shumëdimensionale e ekranit në 300 e ca faqe libër ka freskuar dhe pasuruar shkollën e atyre brezave që themeluan dhe rritën ekranin televiziv të shqiptarëve. Shkolla apo teoria e të bërit televizion, ky libër të shpalos thjesht, qartë dhe me profesionalizëm “sekretet e magjisë televizive”. 

Njeriu i televizionit, teknika (teknologjia televizive) dhe teleshikuesi (opinioni, publiku) është trekëndëshi i njohur i marrëdhënieve mbi të cilin ngrihet koncepti i të bërit televizion. Ikona e televizionit shqiptar e ka parasysh këtë gjë që në rreshtat e parë dhe deri në fund të librit. Ndihet shqetësimi i profesionistit për të hyrë deri në imtësitë dhe sekretet e këtij profesioni.

Sot gazetarët, montazhierët, kameramanët  folësit, regjisorët e transmetimit live si dhe drejtuesit e televizioneve kanë mundësinë të përfitojnë nëpërmjet këtij libri vlerën e papërsëritshme të përvojës 50-vjeçare të brezave.

Sot, pavarësisht tejkalimit teknologjik marramendës të zhvillimit, më të rinjtë, por edhe kushdo ka gjithsesi nevojën e njohjes së disa “sekreteve”, të cilat në themel mbeten të përhershme. Ky libër i tejkalon parametrat e një rrëfimi të thjeshtë, që sigurisht garanton një literaturë, ku hapet horizonti për të gjithë brezin e ri që punon sot në televizione.

Padyshim dhe jo vetëm për të rinjtë. Magjia e të bërit televizion, siç e thotë autori është: “Të krijosh, të realizosh dhe të transmetosh, trinomi i domosdoshëm televiziv…”.

Me gjuhën e thjeshtë të të shprehurit, ai deduksionon dhe arrin në konkluzione filozofike mbi të gjithë universin e profesionit apo të marrëdhënieve që krijohen në botën televizive. Ajo që të bën përshtypje   në

këtë libër është që autori nuk i drejtohet shembujve të shumtë që ka pasur nga jeta e përditshme në televizion, duke përmendur ngjarje apo episode gjatë punës. Por nisur nga kjo përvojë e përditshme e dhjetëra viteve nëpër televizione, abstraktimi i rrafshit teorik është shprehur me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme.

Në çdo rresht dhe në pasazhe të tëra ndihet atmosfera e ditëve plot pasion dhe profesionalizëm i të gjithë atyre që ngritën televizionet e para, sidomos pas viteve ’90 e deri në vitin 2000.

Dhimitër Gjoka është për një ekran, nga i cili duhet të burojë profesionalizmi, paanshmëria dhe shërbimi që duhet t’i bëjë publikut për njohjen e zhvillimeve në Shqipëri dhe jashtë saj, për rolin që duhet të kryejnë këto televizione gjithnjë e më tepër në jetën e përditshme të njerëzve, në edukimin atdhetar dhe plotësimin e nevojave shpirtërore.

Ai është i qartë dhe shpesh këmbëngulës në shpjegimin e funksionit themelor dhe të rolit që luajnë ekranet sot. Ai ngre shqetësimin, që kjo pasuri të përvetësohet nga brezat e rinj, të cilët do të çojnë në nivele më të larta televizionet.

Ai nuk është për televizione komerciale apo të politizuara nga politika. Vështrimi i gjerë, ku brenda linjës kombëtare, Gjoka pranon që çdo televizion mund të ketë fizionominë e tij, që Shqipëria të dalë nga këndvështrimi i caktuar, por pa cenuar interesin gjithëkombëtar të shqiptarëve.

 

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend