“One man news” dhe sfidat për profesionin e gazetarit

31 Maj , 2013 • Profesionalizmi në media • by

Duke naviguar para pak kohësh në website-in e abcnews ndesha në një shkrim të gazetarit freelance amerikan Mike Lee, i cili sillte përvojën e tij gjatë projektit personal të jetës që ai e kishte pagëzuar me emrin “The Road to Anywhere” – “Rruga për gjithkund”. Në mënyrë metaforike “rruga për gjithkund” e Mike Lee ishte rruga e një gazetari që udhëton i vetëm nga njëri vend në tjetrin në të gjithë botën në kërkim dhe në ndjekje të lajmit. Në një çantë shpine ai mban  gjithçka që i duhet për një raportim dixhital të shpejtë të ngjarjeve: Një laptop, një palmtop të serisë Psion 5mx, një kamera dixhitale Sony VX1000 (me 3 chip-e) dhe një tjetër Sony TRV9 (me një chip), dy telefona celularë, një telefon satelitor Inmarsat-M4 me lidhje ISDN për transmetimin e të dhënave, dhe një numër aksesorësh, si beanbag-u i tij i preferuar që ia lehtëson shumë punën sidomos gjatë filmimeve në terrene të vështira, siç i kishte ndodhur gjatë një filmimi nga një cep bunkeri në kohën e  luftës në Kosovë. Mike Lee raporton sot për World News Tonight si dhe për media e programe të tjera. 

“Unë kam një punë të mrekullueshme.-shkruan ai në këtë artikull. -Jam një turist i lajmit: Udhëtoj në të gjithë botën me një kamera dixhitale duke qenë vazhdimisht në kërkim të lajmit…”

Mike Lee është një nga protagonistët e shumtë të praktikës që po përhapet gjithnjë e më shumë,  dhe që njihet me emrin “one man news crew” (ekip lajmi me 1 person), ose siç e emërton vetë Lee “one-man reporting team”. Lee nuk ka kameraman apo asistentë që ta shoqërojnë. Ai e bën gjithçka vetë, që nga të shkruarit e tekstit deri tek fotografimi, filmimi, përpunimi i tyre në programet përkatëse kompjuterike dhe ngarkimi i tyre online.

Dihet se dixhitalizimi i mediave solli ndryshime të rëndësishme edhe për profesionin e gazetarit. Në kushtet e gazetarisë së asistuar nga kompjuteri, raportimi i lajmit pësoi ndryshime cilësore dhe po ashtu ndryshoi edhe qasja profesionale e gazetarit ndaj informacionit. Dalja në skenë e internetit dhe webit e nxiti edhe më tej konvergjencën mes mediave dhe ndikoi që edhe vetë reporterët “të dixhitalizohen” në të gjithë sjelljen e tyre ndaj informacionit.

Një nga praktikat pararendëse të “one man news crew” ka qënë projekti dhe praktika e njohur me emrin “backpack journalism” – “gazetaria në çantën e  shpinës”. Në thelb “backpack journalism” reflektonte fazën e re të zhvillimit të medias në mesin e viteve ’90-të kur nisi kalimi nga media e diversifikuar në median e konverguar. I eksperimentuar nga New York Times, projekti  “backpack journalism” kërkonte nga gazetari që të njihte një numër të madh teknikash dhe programesh të medias dixhitale dhe të ishte në gjëndje që të realizonte dhe përcillte një lajm përmes të gjitha modaliteteve komunikative dixhitale si, tekst, video, audio, grafika, animacione, slajde fotografike, aplikime multimediale, etj.

Në të njëjtën linjë me  “backpack journalism”  vijon edhe praktika “one man news”, që kërkon nga reporteri njohjen e programeve të përpunimit dixhital të tekstit, videos, audios, multimedias, etj, dhe njëherësh zotërimin e mjeshtërisë së përdorimit të mjeteve dhe pajisjeve dixhitale, si kamerat, kompjuterat, telefonat celularë apo satelitorë, etj., si dhe të ketë njohje të mjaftueshme për teknologjinë e internetit, për skriptet bazë të tij, për teknikat dhe protokollet e transferimit të lëndës, për hipertekstin dhe interaktivitetin, etj.

Si dukuri mediatike, “one man news”, edhe pse nuk ka një përhapje masive (madje në Shqipëri është gati e panjohur) reflekton disa zhvillime dhe sfida tepër të rëndësishme me të cilat po përballet raportimi i lajmit dhe vetë profesioni i gazetarit në kohën e sotme.

Së pari, gazetaria, e ndikuar në mënyrë të veçantë edhe prej zhvillimeve epokale të internetit dhe webit, po bëhet gjithnjë e më shumë mobile, e lëvizshme, duke u zhvendosur më pranë ngjarjeve dhe terrenit të raportimit. “Zyra” e redaksisë sa vjen dhe po e humbet kuptimin kur bëhet fjala për gazetarinë e lajmit. Modeli “work from home” që po aplikohet nga bizneset e tjera, në rastin e industrisë së lajmit do të përkthehej “work from the news scene”, pra “puno nga skena e ngjarjes”.

Teknologjia e webit e lehtëson shumë këtë mobilitet të gazetarisë. Përmes internetit broadband dhe wireless, duke përfituar nga kapacitetet e “live-streaming” të webit, mund të përcillen përmes një website-i pamjet live nga një ngjarje në filmim e sipër. Kamerat e reja dixhitale omnidireksionale që filmojnë në 360 gradë, krijojnë mundësi që të merren plane më të plota dhe më të detajuara të ngjarjes të cilat fare mirë mund të shoqërohen edhe nga komentet me zë të vetë reporterit që është duke filmuar.

Nga ana tjetër, njohja e teknologjisë së webit bën të mundur që reporteri të hyjë vetë në kohë reale në një website dhe të ngarkojë aty tekstin, videon, fotografitë dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me lajmin. Më tej ai mund të vendosë linqe në tekstin e lajmit për të sjellë informacion shtesë apo për të vendosur lidhje me shkrimet apo websitet e tjera që kanë lidhje me informacionin e ngjarjes.

Së dyti, në situatën e re të mediave, raportimi i një lajmi jo domosdoshmërisht mund kuptohet dhe realizohet si punë e një ekipi prej shumë vetësh.

Në përvojën tradicionale të shtypit puna e reporterit mbaronte me shkrimin e tekstit të lajmit.(Madje deri në vitet ’90-të,shumica e redaksive të gazetave në Shqipëri punësonin edhe daktilografistë që shtypnin materialin e shkruar me shkrim dore nga reporterët). Për fotografinë redaksia punësonte një fotograf apo porosiste foto nga agjencitë e fotografive. Të tjerë njerëz merreshin më pas me redaktimin, korrektimin, etj. Ndërsa për lajmin audio-viziv tradicional ekipi është edhe më i madh: për një lajm të vetëm do të duhet të angazhohet reporteri, kameramani, montazheri, specialisti i audios, redaktori, etj.  dhe shpesh edhe një shofer i cili thjesht paguhet për transportimin e ekipit të lajmit.

Në praktikën e “one man news”, reporteri bën në të njëjtën kohë  edhe kameramanin, edhe fotografin, edhe editorin e fotografisë apo të videos dhe shpesh edhe redaktorin.

Sfida bëhet e dyfishtë, sidomos kur përballemi me risitë dhe kërkesat e gazetarisë online. Nga njëra anë, lajmi online sot kërkohet të mendohet dhe të realizohet sipas konceptit të “paketës së lajmit”, ku teksti duhet shoqëruar edhe me foto, edhe me video, edhe me linqe dhe, nëse është e mundur, edhe me grafika, animime, slajde fotografike, efekte të multimedias, etj. Nga ana tjetër të gjitha këto priten të bëhen nga i njëjti person, nga reporteri, të cilit tashmë i kërkohet të jetë jo thjesht dhe vetëm një shkrues teksti, por një person i cili duhet të jetë “multitask” dhe “multimedial” në profesionin e vet.

Një shembull konkret i praktikës “one man news crew” janë edhe websitet individuale të krijuara nga individë të pasionuar pas mediave dhe teknologjive të reja, të cilët shpesh kryejnë gjithçka vetë dhe si rrjedhojë i njëjti person është edhe pronari i website-it, edhe reporteri, edhe redaktori, edhe web-masteri, edhe specialisti i grafikës, videos, fotos, audios, multimedias, etj.

Përveç disa përparësive në plan profesional, praktika  e “one man news”, po gjeneron edhe disa benefite të tjera që po merren në konsideratë gjithnjë e më shumë nga menaxherët apo aktorët e tjerë të industrisë së lajmit online. Në radhë të parë kjo praktikë është provuar të jetë me kosto më të ulët, për shkak të numrit të kufizuar të burimeve njerëzore dhe të mjeteve të përfshira. Gjithashtu praktika “work from the news scene”, duke  elemininuar zyrën, praktikisht heq nga lista e shpenzimeve  koston e qerasë së saj.

Me shumë interes është pritur nga mediat online edhe përfshirja e vetë qytetarëve në praktikën e “one man news”. Kohët e fundit kjo përfshirje është rritur në një masë të tillë saqë studiues të ndryshëm po shtrojnë pyetjen nëse gazetaria e së ardhmes dhe raportimi i ngjarjeve do të jetë punë ekskluzive e profesionistëve të medias apo pjesë e aktivitetit të përditshëm human të një numri të madh qytetarësh të apasionuar dhe të aftë për ta bërë këtë. Pavarësisht nga përgjigjja që do të rezervojë e ardhmja për këtë pyetje të studiuesve, fakt është se aktualisht po rriten raportimet e tipit “one man news” nga qytetarët , shpesh të shoqëruara edhe me foto, video dhe multimedia, dhe në më të shumtën e rasteve këto bëhen vullnetarisht dhe falas. Shkurtimet e vendeve të punës për gazetarët profesionistë në media serioze online në Perëndim kanë patur si shkak, mes të tjerash, edhe rritjen e numrit të artikujve dhe materialeve falas që vijnë nga qytetarët.

Por megjithë shtjellën e interesit, kuriozitetit, optimizmit dhe të simpatisë që ka përqarkuar në ditët e sotme këtë dukuri të re mediatike, nuk kanë vonuar të shfaqen edhe skeptikët dhe kritizerët. Autorë të ndryshëm vënë në dukje se produktet dhe kontributet e “one man news crew” nuk e kanë cilësinë e produkteve të ekipeve tradicionale të lajmit. Sipas tyre, videoja është shpesh në nivelin e videos amatore, redaktimi jo rrallë lë për të dëshiruar, ka nxitim në përcjelljen apo verifikimin e të dhënave dhe fakteve dhe në disa raste ka edhe probleme të saktësisë dhe të besueshmërisë. Më tej vihet në dukje natyra robotike e procesit të prodhimit të lajmit, cektësia në analizën rreth ngjarjeve dhe fenomeneve dhe një lloj prirjeje drejt një gazetarie kontekstuale.

Mes skeptikëve, përfshihen edhe ata simpatizantë që e shohim të vështirë përgatitjen e kësaj “mostre multi-dimensionale”, siç është gazetari i praktikës “one man news crew”, i cili duhet të jetë në gjendje të bëjë pothuajse çdo lloj operacioni që nevojitet në të gjithë konvejerin e prodhimit dhe publikimit të produkteve të gazetarisë.

Por pavarësisht nga këto mëdyshje apo kritika, prirja e përgjithshme e gazetarisë së sotme dhe sidomos e gazetarisë online duket se po shkon drejt tipologjisë së “one man news” të të bërit gazetari. Natyra multi-dimensionale dhe multimediale e profesionit të gazetarit nuk është më një fanta-shkencë por një realitet dhe një kërkesë për të gjithë ata që duan ta lidhin jetën me industrinë e mediave.

Ky realitet dhe kjo kërkesë duhet të nxisë edhe në Shqipëri përshpejtimin e ritmeve për ndjekjen dhe aplikimin e prirjeve bashkëkohore që lidhen me aftësitë dhe formimin profesional të njerëzve të lajmit. Hapi i derisotëm i breshkës do ta thellojë gjithnjë e më shumë distancën dhe për pasojë edhe inferioritetin tonë në epokën e informimit dixhital.

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend