Në emër të të njëjtit mision

16 Korrik , 2012 • Profesionalizmi në media • by

Sot media shqiptare nuk vuan nga reporterët ky është thelbi, por nga interesat e mëdha që luhen pas shpatullave të tyre e që i bën ndonjëherë të shtrembërojnë realitete apo të tregojnë të vërteta të tjera.

Lexova dy ditë më parë një intervistë të koleges dhe mikes time, Monika Stafa, për sa i përket gazetarisë si element bazë për të sjellë realitetin e zonave të humbura, të harruara e të braktisura që vjen në sytë e publikut vetëm përmes zhanrit të reportazhit. Në fakt, mes radhëve kishte shumë të vërteta të pamohueshme duke filluar nga mungesa e mirëtrajtimit deri te mungesa në masë të madhe në mediat shqiptare të reportazheve që vijnë nga terreni, nga ai terren që nuk përfshin sigurisht vijën e verdhë të qyteteve të mëdha. Sigurisht ky zhanër haset pak në median shqiptare, diku për shkak të një mungese profesionalizmi, diku për mungesë hapësire, diku për mungesë dëshire, e diku edhe ndoshta për mungesë burimesh të mjaftueshme financiare. Megjithatë, ne sot nuk mund e nuk duhet të bëhemi kurrsesi përjashtues, duke pohuar se ky zhanër në Shqipëri nuk ekziston apo aq më tepër që gazetarë të tillë mediat shqiptare nuk kanë. Nuk është kjo e vërteta e plotë, sigurisht që jo.

Pavarësisht vështirësive të mëdha që ka realizimi i një reportazhi nga terreni në median shqiptare ka disa gazetarë që përpiqen të krijojnë apo të sjellin prodhime nga të vërteta të fshehura zonave të vendit.  E duhet pasur parasysh që reportazhi nuk ka të bëjë thjesht me raportimin e varfërisë, por edhe me atë që po ndodh në minierat e Bulqizës, të Kukësit, të Martaneshit, atë që po ndodh pyjeve të Ersekës, të Korçës e të Lurës, atë që po ndodh lumenjve e liqeneve apo edhe në detin kufitar me Greqinë, atë që po ndodh në Shkrel, në Lazarat, në Vermosh, në Dangëlli, Labëri, Mamël apo edhe në Çamëri, në Manastir, në Tuz, në Kosovë pra kudo ku flasin e mbijetojnë të vërteta të ndryshme. E kjo jo vetëm aty ku të pret një automjet për të të çuar deri në hyrje të fshatit, por edhe në Currajn e Epërm në Lekbibaj të Tropojës, në Kurth, fshati pranë Tiranës, në Okshtuni të Bulqizës ku mund të shkohet vetëm duke ecur orë të tëra në këmbë për të gjetur kulla që ende jetojnë nën dritën e kandilit apo shkolla ku fëmijët mësojnë pa një çati mbi kokë. Kjo është të sjellësh reportazhe nga terreni përmes syve të banorëve të këtyre zonave, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve kanë humbur shpresën se diçka mund të ndryshojë.

Unë sigurisht lexoj apo shikoj me ëndje reportazhe të tillë nga terreni shpesh për të marrë nxitjen edhe për të miat, por edhe për të njohur realitete që ende s’mund t’i kem prekur. Fatos Baxhaku, Ben Andoni, Artan Hoxha, Ilir Mati apo edhe kolegë të afërt si Klodiana Kapo, Sokol Bregu e Anila Hoxha meritojnë respekt për punën që bëjnë duke sjellë reportazhe të shkëlqyera në median shqiptare. Pikërisht kjo nuk duhet harruar, sepse këta emra, por edhe shumë të tjerë kanë vite që prodhojnë të vërteta të Shqipërisë sonë, asaj Shqipërie që nuk mund ta njohësh duke ndenjur thjesht pas një tryeze apo një poltrone lëkure. Kurrë nuk duhet pasur vend për vetëkënaqësi, por çdonjëri prej nesh duhet të mësojë nga tjetri, nga eksperienca që marrim kudo që shkojmë duke e prekur përmes temave të ndryshme. Nuk mund të mos them sot se mësuesi i reportazhit në Shqipëri është Fatos Baxhaku e kjo jo thjesht se e kam pasur pedagog dikur në universitet, por sepse ai është vërtet njeriu që i ka prodhuar që të dyja zhanret në mënyrë të përkryer si në televizion ashtu në median e shkruar. Një ndërthurje e ëmbël e imazhit të një zone me historinë e saj që vjen e shkrihet natyrshëm me leximin që bëhet më shumë se i këndshëm.

Kam qenë një kritikues shpesh i ashpër i faktit se përse mediat shqiptare janë të mbytura nga lajmet politike, por kjo nuk më ka bërë të harroj bashkëluftëtarët e mi, nëse mund t’i quaj kështu, në betejën për zhvillim të mëtejshëm të medias shqiptare. Sado probleme ka kjo media dhe nuk janë pak, reporterët e vërtetë në këtë vend ekzistojnë, po ekzistojnë. Ka edhe nga ata që hetojnë, që investigojnë, që rrezikojnë jetën duke prekur interesa individësh të rrezikshëm e në këtë gazetarët e “Fiks Fare”, por edhe Artan Hoxha me emisionin “Xhungël” janë shembuj kuptimplotë që s’mund të anashkalohen apo të fshihen sikur të mos ekzistojnë askund. Sepse terreni në fakt është një tjetër gjë nga ajo që shumë nga analistët e sotëm trumbetojnë, herë duan të bëhen gazetarë për kredite besueshmërie, e herë kur nuk u pëlqen ky rol marrin rolin e kapadaiut që mund të gjykojë gjithçka e gjithkënd. Gazetari i terrenit nuk është një lojë me hope që bëhet sa herë të leverdis apo sa herë të intereson, por një sfidë e përditshme në këtë vend që ende nuk e njeh as lirinë e shtypit e as të drejtën e fjalës së lirë. Ka 9 Janar, ka Dhëmblan, ka Gërdec, ka 21 Janar e në të gjitha këto ngjarje askush nga gjyqtarët tanë nuk del në skenë, askush. Vetëm llomotisin duke kritikuar fjalë gazetarësh e qëndrime të tyre. Por lind pyetja, a ka vend për përmirësime? Sigurisht që po, por ama jo me fjalime mendjemëdha e demagogji boshe… Nëse nga këta, askush nuk ka qenë gazetar terreni atëherë është e kotë, terrenin nuk kanë për ta kuptuar kurrë dhe po ashtu kurrë nuk do të marrin statusin e gazetarit të vërtetë, që nuk i takon e nuk mund t’i takojë gjithkujt.

Sot media shqiptare nuk vuan nga reporterët ky është thelbi, por nga interesat e mëdha që luhen pas shpatullave të tyre e që i bën ndonjëherë të shtrembërojnë realitete apo të tregojnë të vërteta të tjera.

T’i japim Çezarit çfarë i takon Çezarit e të mos fshihemi pas hijes tonë duke menduar se jemi ne dhe askush tjetër që raporton e që sjell reportazhe nga terreni i vështirë shqiptar. Në fund të fundit jemi të gjithë konkurrentë padyshim, por në radhë të parë jemi gazetarë që përpiqen të kontribuojnë për ndryshimin e realiteteve të ndryshme në Shqipërinë tonë, për fat të keq ende të pazhvilluar. E kjo duhet të na bëjë të reflektojmë nëse është më e rëndësishme të shuajmë e fshimë njëri-tjetrin apo të pranojmë se gara nuk bëhet duke i shpuar gomat makinave pranë. Shqipëria ka nevojë për gazetarinë e terrenit, gazetarinë e vërtetë të njerëzve të vërtetë e jo për egoizmin që shpesh kthehet në pengesë për zhvillimin e saj. Ndaj edhe kjo replikë sigurisht miqësore për të mos harruar se as unë, as ti Monika, nuk jemi të vetmit në betejën e raportimit, por rrethohemi edhe nga kolegë të tjerë që janë e mbeten një vlerë e shtuar për median shqiptare. Ne duhet të jemi pjesë e të njëjtit mision jo kundër njëri-tjetrit, por të vërtetës që vjen përtej, atje larg nga terreni i shqiptarëve të vërtetë.

Botuar në gazetën Shqip, 5 Qershor 2012

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend