Monologu në studiot televizive

27 Nëntor , 2014 • Profesionalizmi në media • by

Në shoqërinë tonë ka kohë që zhvillohet një lloj autizmi social që shprehet nga individët, të cilët në planin e të folurit dhe të dëgjuarit nuk kanë probleme të veçanta organike, por janë të mbyllur brenda një muri moskomunikimi në planin e kuptimit të mesazheve që japin dhe marrin. Personat që shfaqin shenja autizmi shpesh mbyllen në vetvete dhe bëjnë një monolog të vazhdueshëm me veten. Ata, nga njëra anë iu flasin të tjerëve sikur të ishin thjesht vetja e tyre, duke riprodhuar veten tek tjetri, ose e shprehur ndryshe, projektojnë veten tek tjetri. Ky i fundit nga mënyra sesi perceptohet, i humb specifikat personale, nuk vlerësohet si i ndryshëm, autonom, me personalitet tjetër nga ai që flet, por shihet si shumëfishim i tij. Pra, tjetri konsiderohet si një qenie e huaj me të cilën mund të dialogohet vetëm për t’i diktuar mendimin tënd dhe jo për të ndarë pikëpamjet e ndryshme.

Mjafton t’i hedhin një sy komunikimit në studiot televizive për të kuptuar shkallën e autizmit në të cilin është përfshirë shoqëria shqiptare. Në shume prej formateve televizive ku zhvillohen debate të natyrës politike, ekonomike dhe sociale, konstatohet lehtësisht degradimi i komunikimit. Gjithkush komunikon ose me të ngjashmin e tij/saj, ose  mbyllet brenda vetes së tij/saj duke manifestuar monolog. Atij/asaj nuk i intereson se çfarë thotë tjetri. Në njëfarë mënyre, për të nuk ka rëndësi halli i tjetrit, rëndësi ka halli im. I gjithë procesi i komunikimit është vet preferencial dhe i adresuar nga vetvetja.

Më specifikisht, moderatori bën kujdes për pyetjen dhe për përgjigjen që ai dëshiron të dëgjojë sesa për mendimin ndryshe që mund të shprehë i ftuari. Nëse tjetri i shpreh një përgjigje përtej pritshmërive apo interesave të moderatorit, ndërhyhet për t’i prishur mesazhin dhe kalohet tek pyetja e radhës ose i kthehet celularit për të komunikuar me simpatizantët e tij duke mos dëgjuar se çfarë po thotë i ftuari. Pasi, moderatori nuk e ka përgatitur veten të dëgjojë diçka ndryshe nga ajo që ai pret të dëgjojë. Atij, i intereson të dëgjohet halli i tij dhe jo i tjetrit. Pikërisht për ta siguruar këtë gjë, moderatori përzgjedh një numër të kufizuar njerëzish që i njeh dhe dihet se çfarë do thonë duke përjashtuar çdokënd tjetër që mund të dalë jashtë skenarit të parashikuar. Jo vetëm kaq por edhe marrjen e feedback-ut të audiencës nëpërmjet celularit apo instrumenteve të tjera matës e ka në lidhje me atë se çfarë thanë të ftuarit. Pra i jepet publikut të mendojë për atë që vetë media iu servir të mendojnë.

Të njëjtën epidemi shfaqin dhe të ftuarit. Ata e dëgjojnë njëri-tjetrin për sa kohë nuk ndeshin mendimin ndryshe. Sapo shfaqen pikëpamjet e ndryshme, secili nga të ftuarit i kthehet personit që vjen nga i njëjti kamp politik apo interes dhe i adresohen njëri-tjetrit ose mbyllet në vetvete dhe i kthehet aparatit celular për të marrë feedback nga të ngjashmit e tij/saj për atë çfarë ka thënë më përpara. Tjetri, i ndryshëm as dëgjohet dhe as pranohet t’i flitet.

E njëjta gjë ndodh edhe me audiencën. Vetë televizioni duke qenë se shpërndan informacion linear, nuk mundëson ndërveprim siç mundësojnë media online, në këto kushte bëhet edhe ai vetë një burim autizmi ku vetëm flet por nuk dëgjon. 

Botuar në gazetën Mapo

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend