Mbi koherencën dhe paanësinë e gazetarëve

23 Shkurt , 2017 • Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Ndërprerja e kontratave për Drejtorin e Informacionit në ABC News, Armand Shkullaku dhe Drejtorin e Botimeve Mapo, Alfred Lela, u pasuan nga një “luftë” akuzash e kundërakuzash mes elitës së gazetarëve, të cilët “i treguan vendin” njëri-tjetrit se kush i ka shërbyer kujt, në këtë apo atë rrethanë…

Debatet janë publike dhe të njohura për lexuesin.

E megjithatë, pa dashur të përfshihem në diskutimet mes tyre, thuajse në të gjitha opinionet e shkruara gazetarët dhe analistët reflektonin të njëjtin kompleks: Të qenit koherent dhe të paanshëm!

Dukej qesharake në fakt, zelli i tyre për tu shfaqur si të tillë, në kushtet kur ndjekësit dhe lexuesit e LapsitMaposTemës, portalit 360 gradë dhe disa mediave të tjera janë të njohur me qëndrimet e gazetarëve dhe analistëve.

Megjithatë, dëshiroj të ndalem te këto dy koncepte,  “paanësinë” dhe “koherencën”, për të dhënë një qasje paska të ndryshme nga ajo që është ngulitur në opinion, ku një rol kryesor ka luajtur vetë media.

A është “mëkat” mungesa e koherencës?

Në parantezë dëshiroj të rikthej shkurtimisht në vëmendje të lexuesve kuptimin e fjalës “koherent”, sipas fjalorit të gjuhës shqipe:

KOHERENT mb. 

  1. Që i ka të bashkuara fort a të lidhura ngushtë elementet përbërëse; që ka koherencë. Trup koherent. Valë koherente valë që kanë dritë të njëjtë e të vijueshme në të gjitha fazat. Lëkundje koherente.
  2. Që përbëhet nga pjesë të lidhura ngushtë e në përputhje të plotë njëra me tjetrën (për ide, mendime etj.). Zhvillim koherent.
  3. Që është parimor, nuk bie kurrë në kundërshtim me veten dhe i përmbahet të njëjtit mendim, të njëjtës teori a doktrinë. Njeri koherent. Është koherent.

Pra koherenca e mendimit shihet si virtyt i një njeriu parimor dhe që i qëndron besnik të njëjtit mendim…

Në talk show-t “Meet the Press” fituesi i çmimit Nobel në Ekonomi, Paul Samuelson, krahas doktrinës ekonomike, mbahet mend edhe për qëndrimin e tij në emisionin 20 dhjetor 1970, kur gjatë bashkëbisedimit u shpreh se “…i vuaj pohimet e mia. Në tekste të njëjtë por botime të ndryshme, herën e parë kam thënë se niveli i tolerancës është 5%. Më pas unë e ripunova librin dhe shkruaja se toleranca është 3% dhe më pas 2%.

AP publikon një artikull në të cilin thuhej se “Autori duhet ta ndajë mendjen” dhe përgjigja ime për ta është: Kur ngjarjet dhe faktet ndryshojnë, unë ndryshoj mendje. Po ju?”

Por nobelisti Samuelson nuk është i vetmi që nuk është treguar koherent në qëndrimet publike. Para tij, këtë gjë e kanë bërë Keynes, Einstein, Orwell, Tolstoy, Emerson… apo pas tij filozofi Habermas, politikanë Gorbachev, Churchill e shumë, e shumë të tjerë…

Mendoj se sot është më vështirë se më parë për të qenë koherent…

Mjaft t’iu kujtoj se në ditët e sotme një qytetar amerikan, italian, francez, britanik, e pse jo dhe shqiptar, konsumon mbi 34 GB informacion në ditë vetëm nga mediat (TV, ueb, gazeta online) që është rreth 350% më shumë se një person në vitet 1980 dhe 500% më shumë se një qytetar në vitet 1960; (Scherer, 2012, f.54)

Numri i studimeve, sondazhet, burimet e  informacionit, botimet dhe aksesi në to është me qindra herë më i madh se 10, 15 apo 20 vite më parë;

Ndërsa vrulli teknologjik ka përmbysur dhe transformuar media, koncepte dhe dije të konsoliduara në dekada…

Sot, ka aq shumë koncepte që evoluhojnë sa duket si “mëkat” të jesh koherent!

Ka dhe përjashtime, sigurisht.

Ka fjalime, qëndrime, analiza, libra e studime që janë pa kohë…

Elementi i dytë që spikati në debat ishte përpjekja e analisteve dhe komentatorëve, që orientojnë opinionin publik, për t’u shfaqur të paanshëm.

Me të drejtë, – mendova, pjesa dërrmuese e gazetarëve të post diktaturës, aktualisht drejtues mediash, janë brumosur me parimet e studiuesit te gazetarisë Melvin Mencher dhe  botimeve të tij mbi “Raportimin dhe shkrimin lajmit”.

Po sikur,  Profesori Emeritus i Universitetit të Kolumbias, z.Mencher ta ketë patur gabim ndërsa rendiste “objektivitetin, paanësinë dhe saktësinë”, si parimet bazë të gazetarisë?

A bien këto parime ndesh me qëllimin e “profesionit më të bukur në botë”, që është zbardhja e të vërtetës?

A është e mundur që gazetari të jetë i paanshëm në raportim?

Parimet ideale, që evidentohen edhe nga studiuesi Mencher, janë vënë prej më shumë se një dekade në pikëpyetje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jo vetëm. Porfesorë, si John Pavlik, që i përket poashtu shkollës së Kolumbias, por edhe studiues të tjerë, kanë ngritur prej vitesh shqetësimin se “objektiviteti, paanshmëria dhe saktësia, janë kthyer në parime problematike të cilat nxisin gazetarët që të qëndrojnë larg të vërtetës”.

Pak rëndësi ka për gazetarët,-shkruan Pavlik, nëse raportimi përputhet apo jo me realitetin, e rëndësishme është që ai të jetë korrekt profesionalisht. Kemi arritur në pikën ku raportimi është objektiv, “i paanshëm” dhe i saktë, por jo i vërtetë. (Pavlik, 2001, p. 93)

Kjo, në fakt, vihet re rëndom edhe në realitetin mediatik shqiptar. Me qindra artikuj gazetash e portalesh por dhe kronika lajmesh ku vendosen përballë medoemos dy a më shumë palë, për hir të parimeve të paanshmërisë dhe objektivitetit, duke prodhuar raportime shterpë.

Dhe shkrimet e kronikat fillojnë e mbarojnë aty, me dy qëndrime përballë njëri-tjetrit, duke lënë vetë shikuesin të vendosë se cili ka të drejtë.

Gazetari kënaqet se është profesionalisht objektiv, i saktë e i paanshëm!!!

Ndërsa publiku, shpesh herë i panjohur me kontekstin politik, social dhe ekonomik, rrezikon të mos kuptojë asgjë mbi të vërtetën e ngjarjes në fjalë.

Por, problematika duket shumë më e thellë se kaq!

Çështja qëndron nëse është e mundur që gazetari, qoftë dhe në kushte ideale, të jetë i paanshëm?

Një ndër mendimtarët më të madhej të Shekullit të kaluar, filozofi Karl Popper, kur u pyet nëse televizioni kishte rol për informimin apo edukimin e publikut, u shpreh se nuk ka asnjë dallim mes këtyre dy koncepteve. Sipas Popper, nuk mund të ketë informim që nuk shpreh një lloj tendence, anësimi, dhe, kjo, vijonte ai, vërehet që te mënyra e përzgjedhjes së lajmeve të cilat informojnë njerëzit. Gazetari duhet të zgjedhë dhe para se të bëjë këtë, shton Popper, duhet të gjykojë mbi faktet dhe rëndësinë e tyre. Kjo do të thotë se nuk ekziston informimi i paanshëm:

“…Të thuash se ekziston informim i pastër, si transmetim i thjeshtë faktesh, është naive. Ju do tentoni gjithmonë t’i impononi këndvështrimin tuaj spektatorit dhe nuk mund mos ta bëni këtë. Prandaj, dallimi mes edukimit dhe informimit nuk qëndron. Por, ky dallim jo vetëm që është fals, por bëhet enkas për një objektiv të qartë, që ju (gazetarët) t’i thoni njerëzve “ne jemi objektivë, ne ju komunikojmë vetëm faktet ashtu si janë dhe jo ashtu si ne duam që ju ti shihni”(Popper, 1994)

Pra, që në momentin që nisin e mendojnë dhe artikulojnë, gazetarët ( por jo vetëm) mbajnë një qëndrim, një pozicion, një anë… varësisht nga qëllimi që kanë dhe mesazhi që synojnë të përcjellin gjatë raportimit.

Dhe, për të qenë korrekt dhe të ndershëm me parimet e tyre ata i rendisin faktet në mënyrë objektive…

Pra, të anshëm por objektiv!

Ose, të anshëm dhe jo objektiv!

Por jo të paanshëm.

Paanësia është një iluzion!

E te mendoni, se këtu flitet edhe për media të paanshme e të pavarura…

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , , , , ,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Send this to friend