Lidhje mes gazetarisë investigative në Europën Lindore

16 Mars , 2016 • Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Kohët e fundit është lançuar një rrjet ndërkombëtar për mbështetjen e gazetarisë investigative në Europën Lindore dhe për lidhjen e gazetarëve investigativë me përvojë në rajon.

Rrjeti i quajtur “N-vestigate” synon të bashkojë gazetarë nga Armenia, Gjeorgjia, Moldavia, Ukraina, Rusia dhe EU, për të ndarë përvojat dhe punët në projekte ndërkufitare bashkëpunuese. Gazetaria investigative ka qënë e shpërfillur në shumë nga këto vende në të shkuarën, në shumicën e rasteve për arsye politike. Në Armeni, vend i cili tashmë ka vetëm një media investigative, gazetarët kanë qenë subjekt i represionit, dhe në disa raste kanë qenë edhe viktima të sulmeve fizike.

Gazetaria investigative në Gjeorgji kishte njohur një lloj lulëzimi deri në fillim të viteve 2000. Mirëpo që nga Revolucioni Rozë i 2003 pas ardhjes në pushtet të Misha Saakashvilit, ndërmarrjet investigative janë goditur rëndë. Në Moldavinë post-komuniste, media ka vuajtur nga mungesa e traditave demokrative, burimet financiare të pamjaftueshme, aftësitë e pakta të menaxhimit dhe marketingut dhe vetë-censurimi.

N-vestigate mbledh kryesisht gazetarë që kanë përvojë në kërkimin investigativ, punët e të cilëve janë të standardit të lartë profesional. Megjithatë, N-vestigative do të hapë edhe disa workshope  më të vogla për gazetarë me më pak përvojë. Rrjeti shpreson që gazetarët të cilët e kanë kaluar skemën e trajnimit, mund të organizojnë më pas workshope lokale për të tjerët.

Projekti do të menaxhohet nga Network for Reporting on Eastern Europe, (N-ost) (Rrjeti për Raportime në Europën Lindore – N-ost). Koordinatorja Annika Gläser, thotë se projektet e kaluara kanë zbuluar një boshllëk të madh mes dispozitave të Aktit të Lirisë së Informacionit dhe praktikës aktuale. “N-vestigate është një përgjigje ndaj kësaj situate”, thotë Glaser.

Projekti bashkon katër organizata jo-fitimprurëse: Instituti Rajonal i Zhvillimit të Shtypit (Ukrainë), RISE Moldova (Moldavi), Hetq (Armeni) dhe Liberali (Gjeorgji). Së bashku, këto organizata do të nxisin studime ndërkufitare të cilat do të publikohen më pas.

Fokusi investigativ dhe impakti social

N-vestigate synon të përfshihet në një shumëllojshmëri të gjerë problemesh dhe tematikash. Këto mund të jenë investigime për kontrabandën ose korrupsionin, por edhe për çështje sociale, si arsimi ose kujdesi shëndetësor. Përshembull, një projekt mund të fokusohet në ilaçet e falsifikuara, ose në trafikimin e kafshëve në zhdukje, të cilat shiten nga Afrika në Ukrainë ose Armeni për kënaqësinë private të të pasurve.

Artikujt do të publikohen në platformën e N-ost, si edhe në mediat ku punojnë gazetarët që marrin pjesë. Në të njejtën kohë, N-vestigate planifikon të bashkëpunojë me një media partnere të profilit të lartë. “Ne kemi një gazetar televiziv në ekipin tonë, por fokusi ynë i parë do të jetë shtypi dhe media online”, thotë Glaser. “Megjithatë objektivi i projektit në të ardhmen është të punojë përmes llojeve të ndryshme të mediave”, shton ajo.

Për t’u siguruar që hetimet të kenë impakt, Glaser shpreson të organizojë edhe fushata të bazuara tek historitë e investiguara. Për t’a arritur këtë, N-vestigate gjithashtu do të përfshijë edhe individë të tjerë: avokatë të medias, aktivistë, këshilltarë politikë dhe dekanë të universiteteve – njerëz të cilët janë të angazhuar për një rezonancë më të gjerë socio-politike të materialeve të prodhuara nga N-vestigate.

Gläser thotë se N-vestigate do të punojë me rrjetet ekzistuese të gazetarëve investigativë: “Ka shumë projekte (si Correctiv dhe Organised Crime and Corruption Reporting Project – Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – OCCRP) që po punojnë në një kontekst të njëjtë. Ne nuk e shohim veten konkurentë, por si një mbështetje e punës së tyre.
N-ost, e cila është financuar nga Ministria Federale e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ekonomik të Gjermanisë, ka qënë e angazhuar për të përmirësuar raportimin në Europën Lindore qysh në 2006. Rrjeti bashkon profesionistë nga një sërë disiplinash, duke përfshirë gazetarët lokalë investigativë, kolegë nga vende të tjera, si edhe ekspertë ligjorë, vendimmarrës nga politika dhe shoqëria civile dhe aktivistë të Open data.
Ky artikull u botua për herë të parë në  EJO Gjermane

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend