Integrimi dhe media

27 Mars , 2012 • Media dhe Politika, Profesionalizmi në media • by

Raportimi për integrimin në BE në media ndjek linjat politike dhe përgjithësisht i qëndron besnik asaj që quhet “raportim pasqyrë”…

Një diplomat perëndimor nga ata të rëndësishmit në Tiranë ka një ëndërr: të bëhet diktator për një ditë dhe të detyrojë politikanët shqiptarë të lexojë Progres Raportin. Për shkak se këtë deklaratë ai e bëri në prani të disa gazetarëve, mesazhi është edhe për median. Gazetarët duhet të lexojnë para se të shkruajnë.

Në të vërtetë ëndrrat e mëdha janë pak të realizueshme. Një ëndërr më realiste do të ishte që gazetarët të lexonin jo dhjetëra faqe analizë dhe rekomandime të Progres Raportit, por një faqe të vetme format A4 ku janë shkruar 12 rekomandimet e BE-së.

Raportimi për integrimin në BE në media ndjek linjat politike dhe përgjithësisht i qëndron besnik asaj që quhet “raportim pasqyrë”, që të kujton në kanun pasthirrmën “lajmësi nuk ka faj”.

Për shembull, nëse përfaqësuesi i qeverisë raporton se fajin për mosmarrjen e statusit e ka opozita, kjo “raportohet” e plotë. Nëse përgënjeshtron në konferencë shtypi apo në “Twitter” lideri i opozitës, edhe kjo transmetohet e plotë.

Mungon një raportim profesional, ku gazetari kontrollon, pyet, (kam përshtypje që po vijmë në një ditë që reporterët të kenë turp të pyesin), merr një mendim të specializuar, ballafaqon dhe për më tepër e jep lajmin në një kontekst të gjerë ku publiku të marrë vesh se për çfarë bëhet fjalë.

Pak ditë më parë po ndiqja në disa kanale televizive “debatin” për integrimin. Formati i zakonshëm: dy nga të pozitës, dy nga të opozitës. Politikanë të trajnuar për debate elektorale, të cilët marrin fjalën, e tjerrin sa të mundin (sepse këshilla e trajnuesve është që të mos i përgjigjesh pyetjes nëse nuk të intereson, të sulmosh dhe të mos pranosh asnjë përgjegjësi) dhe në fund të dy orëve “debat”, je më pak i informuar se para nisjes së debatit dhe sigurisht më shumë konfuz.

Edhe në çështjen e integrimit nuk ndiqet linja e informacionit, por e propagandës. Debati i munguar për “integrimin në BE” ka anën e vet pozitive. Të dy forcat kryesore politike, bashkë me 104 partitë e tjera politike janë në një emërues të përbashkët për interesin strategjik të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE. Në këtë kontekst mungesa e debatit është pozitive, por fakti është se punët nuk ecin shpejt edhe atëherë kur të gjithë janë dakord.

Një sondazh i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare thotë se administrata publike, media, OJQ-të dhe grupet e biznesit duhet të informohen më shumë për procesin e integrimit në BE. Duhen artikuluar më shumë dhe më qartë përfitimet, sepse nga rezultatet e sondazhit dilte se përfitimi më i madh i vendit është lëvizja e lirë! Barazimi i procesit të integrimit me vizat është një gjë që nuk e nderon median. Barazimi me vizë është t’i vësh vizë apo kryq procesit.

Çfarë e bën bashkë BE-në – vende me gjuhë të ndryshme e të kaluar problematike në marrëdhënie me njëri-tjetrin – një nordik me një spanjoll, një britanik me një bullgar apo rumun? “The rule of law” (shteti ligjor), media e pavarur, ekonomi funksionale tregu, luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, dhënie fund të kulturës së pandëshkueshmërisë, rregulla të njëjta.

Integrimi nuk është kuptuar si një rrugë e gjatë, e mundimshme, që kërkon reforma të thella ekonomike, politike, sociale, një proces që do të ndryshojë për mirë të gjithë vendin. Nuk është kuptuar ende si duhet, si një proces që fillon në Tiranë dhe përfundon në Bruksel dhe jo anasjelltas, një proces që strikt ka të bëjë me detyrat e (pa bëra) të shtëpisë.

Mungesa e Qasjes krahasuese

Një qasje interesante për fazën ku ndodhet Shqipëria do të ishte qasja krahasuese. Ne ndodhemi në një fazë në të cilën janë ndodhur dikur Sllovenia dhe Kroacia – Sllovenia anëtare prej 2004-ës dhe Kroacia pritet të bëhet anëtare me të drejta të plota vitin e ardhshëm. Procesi, koha e marrë, sfidat dhe ndikimi që kanë pasur reformat në vendet e sipërpërmendura do të shërbenin si një pasqyrë për të parë deri diku të ardhmen tonë. Mund të mësonim shumë nga sukseset dhe dështimet e të tjerëve. Të paktën do të kuptonim se, që nga hapja e negociatave, duhet e pakta një dekadë.

E vetmja qasje krahasuese që po vihet re këto ditë është lajmi se “Serbia e mori statusin e vendit kandidat dhe Shqipëria ende nuk e ka marrë”.

Një tjetër problem që shfaqet në raportimin për Bashkimin Evropian është mungesa e gazetarëve të specializuar për BE-në. Rëndom ndodh që Komisioni Evropian ngatërrohet nne Këshillin e Ministrave, Këshillin e Evropës; përcjellja e debateve të Parlamentit Evropian ka prirjen e raportimit të debatit në Kuvend.

Megjithë vërejtjet për punën e medias duhet thënë se media si burim kryesor informimi është aktori që ka kontribuar më shumë në mbajtjen gjallë të entuziazmit dhe deri diku të qartësimit të procesit.

Raportimet e gazetarëve shqiptarë nga Brukseli kanë qenë një mundësi për të dalë nga ping pong-u i akuzave politike në Tiranë. Përmes tyre publiku është informuar se dera e Brukselit mbetet e hapur, se shpejtësia e procesit varet nga Shqipëria dhe jo nga Bashkimi Evropian, se ka disa detyra që duhet t’i bëjmë vetë dhe nuk mund të na i bëjnë të tjerët.

Në përfundim, mund të thuhet se për procesin e integrimit është ora e medias, jo vetëm për të mbajtur shënim kohën, por edhe për të raportuar, për të hapur një debat të munguar për sfidat, për avantazhet dhe disavantazhet. Për të përdorur një togfjalësh të vjetër: për të kërkuar llogari.

Botuar tek “gazetastart.com”, datë 13.3.2012

Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip

 

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend