Tifozët

6 Korrik , 2012 • Gazetaria e Medias, Marrëdhëniet Publike • by

Njeriu ka dëshirë të shohë, por edhe ta shohin që ai po sheh. Njeriu që ndjen se nuk shihet që po sheh, humbet shikimin. Njeriu si pjesë e publikut kërkon ta ndajë me të tjerët informacionin e marrë, atë posepo, por edhe përjetimet psikologjike të tij, pasionet e veta, ndjenjat e tij, komentet që bën mbi këtë informacion.

Këto mbrëmje të nxehta tiranase kanë qenë të mbushura javët e fundit nga spektaklet televizive që transmetonin ndeshjet e Kampionatit Evropian të Futbollit. Si çdo ngjarje tjetër e madhe shoqërore dhe kulturore, edhe transmetimi i këtyre ndeshjeve përbën një eksperiment të rëndësishëm për të studiuar jetën e një qyteti, sjelljen e banorëve të tij, pse jo, të gjithë shoqërisë. Duket sikur qyteti futet në një epruvetë të madhe laboratori, gjithçka tjetër ngrin dhe zhduket, dhe ti ke lëndën tënde të pastër nga çdo mbetje, gati për eksperiment për të matur kiminë e çështjes. Një pjesë e madhe e njerëzve, sidomos e kategorive të caktuara shoqërore, kanë parapëlqyer t’i shijojnë ndeshjet në mjedise bashkë me miq të tjerë, të njohur të tyre, ose brenda një publiku rrethues të çfarëdoshëm. Disa ftojnë miq për ta parë futbollin së bashku në familjet e tyre, mbi ekranin ku lëvizin ngjyrat dhe format estetike plot dinamizëm.

Komshiu im, një burrë i moshuar, me të cilin u kryqëzova para disa ditësh në korridorin e katit të përbashkët, i zhveshur në kanotiere, nuk mungoi të më këshillonte dhe të më ftonte njëkohësisht: “Dëgjo, mos e shih sportin vetëm, ec nga unë ta shohim ndeshjen bashkë”. E ndjeva se dëshironte që duke parë ndeshjen të kishte edhe një publik për veten e tij kur të komentonte me zë të lartë aksionet sulmuese të lojtarëve, rastet e humbura apo ndonjë vendim të diskutueshëm të arbitrit.

Është fort interesante kjo sjellje e publikut. Kërkon medoemos njeriu t’i ketë të dyja dimensionet e komunikimit. I pari ka të bëjë me marrëdhëniet e tij me ekranin e televizorit, me skenën e teatrit, me fushën e blertë që duket që nga shkallët e një stadiumi, etj.; kurse i dyti, nuk është vertikal, nuk drejtohet përkrah objekti që shihet, por vëmendja drejtohet në atë rast drejt publikut që merr pjesë në të njëjtin spektakël, është një komunikim horizontal. Njeriu ka dëshirë të shohë, por edhe ta shohin që ai po sheh. Kam frikë se njeriu që ndjen se nuk shihet që po sheh, humbet shikimin.Njeriu si pjesë e publikut kërkon ta ndajë me të tjerët informacionin e marrë, atë posepo, por edhe përjetimet psikologjike të tij, pasionet e veta, ndjenjat e tij, komentet që bën mbi këtë informacion.

Shqiptari mesatar ende nuk e duron dhe e dëshiron vetminë. Ka frikë nga vetmia. Nuk është aq i fortë psikologjikisht sa të jetojë vetëm. Ende ka nevojë të ndjejë, përjetojë, argëtohet kolektivisht. Ende nuk është një qenie vetmitare si modeli i njeriut modern. “Trimi i mirë me shokë shumë” – vazhdon të thotë, ndërsa trimëria në fakt është një përjetim që mund të ushqehet vetëm nga vetmia. Trim është i vetmuari.

Përpos atyre që mblidhen nëpër shtëpi është edhe pjesa e “burrave të pallatit” apo “të lagjes” që grumbullohen nëpër kafenetë në afërsi të banesave. Një publik tërësisht mashkullor, me një farë moshe, zakonisht që më duket se konsumon shumë kafe e alkool, përgjithësisht shpërthyes në raste golash apo rastesh të humbura për gol, veshur çuditshëm, me një model ku përzihen rrobe shtëpie, pizhame, kostume sportive të konsumuara dhe veshje me origjinë nga të Gabit.

Ata më elegantët mblidhen gjetiu, në ato qindra kafenetë e qytetit, apo baret, restorantet, apo pabet e tij. Janë me mosha të reja, përgjithësisht vijnë si çifte, sport, spektakël, dashuri, pije, koktej i padurueshëm, te ajo turmë mbizotëron ngjyra e bardhë e veshjeve verore, të pastra, si edhe krahët e djemve dhe këmbët e vajzave, të cilat godasin vështrimin e gjithkujt me lakuriqësinë e bronztë të tyre. Kam përshtypjen se përgjithësisht konsumojnë akullore, pije freskuese, pica, e ndonjë gotë birrë.

Kur ndeshja fillon bashkë më natën që bie mbi çati dhe tarraca pallatesh, pas një dite të nxehtë qershori, qyteti duket sikur boshatiset. Rrugët zbrazen, automobilat flenë buzë trotuareve ose sipër tyre, turma laramane e njerëzve i ka braktisur tashmë hapësirat e hapura urbane dhe është mbledhur para ekraneve të llojeve dhe tipave apo të madhësive të ndryshme. Mund të shëtisësh i qetë në një qytet që i ngjan një kafshe xanxare dhe që më në fund, pas një vrapi të çmendur ditor nëpër savanë, është shtrirë buzë një gjoli për t’u freskuar, me sytë gjysmëmbyllur, duke prehur trupin e psikikën e dalldisur gjatë ditës. Qyteti nuk bie më erë djersë në këto orë të vona kur klientët e kafeneve ndjekin sportin, veshur e pispillosur si një ballo oborri kështjellor fisnikësh.Kur Italia shënoi golin e dytë ndaj Gjermanisë, pikërisht në çastin kur afrikani me atë mbiemrin e çuditshëm italian hoqi fanellën për të ngrirë bustin e tij të zi si statujë prej qymyri, një djalë te Parku i Liqenit, pranë një lokali me ekran të madh mbi barin rrotull, i hodhi krahun në qafë vajzës së tij, duke vazhduar rrugën së bashku për më në thellësi të pyllit.

Eci nëpër qytet dhe e ndjek ndeshjen nëpër ekrane të ndryshme duke qëndruar për pak çaste në secilin prej tyre. Nuk shoh ndeshjen jo, më intereson spektakli i atyre që shohin ndeshjen. Shoh ata që shohin. E kam fiksuar shumë mirë në kujtesë që ndërsa porta e Gjermanisë pësoi golin e parë, atë të shënuar me kokë, një polic i shëndoshë, mu përballë derës së shkollës “Petro Nini Luarasi” po kruante veshin e tij të majtë.

Ngjarje të njëkohshme mbi këtë planet. Ndërsa, kur sulmuesi turko-gjerman gjuante penalltinë atje larg në Varshavë, në këtë pjesë të qytetit tim, një mace e hirtë, aspak e pisët, kaloi nga njëra anë e rrugës te tjetra. Më tej, në po atë minutë, dy punonjës bashkiakë po zbraznin kazanin e plehrave në një kamion të zhurmshëm.

Komentatori televiziv thërret sa i ha koka, fort i eksituar ose bën gjasme, para një publiku televiziv përgjithësisht të qetë. Edhe ai me siguri që është duke e ndjekur ndeshjen në ndonjë ekran televizori, në ndonjë studio, por simulon sikur të ndodhet gjasme në stadium. Ai kërkon të ndërtojë atmosferën e stadiumit në qytet. Ja, e dëgjoj të thotë: “Çfarë mbrëmjeje!!! Çfarë emocionesh!!!” Është eksituar me vetveten. I ka vendosur emrin gjendjes së vet emocionale, ose aktrimit të tij që kërkon ta përcjellë. Ndofta gjithë ai publik televiziv, pa zërin e komentatorit nuk do të kishte pasur fare emocione. Është ai që i stimulon i shkakton, dhe pastaj i konstaton. Televizori pa zë është shumë i qetë. Imazhi është një media e ftohtë akull. Edhe vrasje të ndodhnin pa asnjë zë, por vetëm me imazh, nuk do të na tmerronin aq shumë. Ndërsa zëri është përplot me pasion, ndoshta, thonë, prej veshit që qysh prej njeriut të shpellave mbledh tingujt e shqetësuar.

Natën, koha e shqetësimeve, në errësirë, syri nuk shihte, veshi dëgjonte. Që atëherë mbase ka mbetur plot ankth. Ankthi dhe veshi janë e njëjta gjë. Nuk është i njëjti gol kur zëri i televizorit është i mbyllur. Nuk është i njëjti gol atëherë kur komentatori sportiv deklaron ftohtë:“Sikurse e patë, sapo u shënua një gol”, dhe kur ai këlthet si i ikur nga trutë: “Gooooooooooool!”Sa lehtë mund të manipulohet njeriu!

Mendoja se i gjithë ai publik televiziv që ndjek me ethe aksionet e ndeshjeve transmetuar në televizion, nuk e di, dhe nuk mund ta dijë, nëse ngjarjet janë apo jo të vërteta. Me të vërtetë po luhet një ndeshje reale futbolli, ka një dyluftim real, si ai i gladiatorëve në Koloseun romak, tani atje larg në Varshavën martire, apo gjithçka nuk është veçse një pasojë efektesh speciale, të prodhuara nga një mendje e djallëzuar planetare që synon të verë në gjumë popullin e Tiranës, së paku për disa orë në këtë mbrëmje verore qershori?Kushedi…Ndërkaq, një djalë rreth të njëzetave, veshur me shapka llastiku, sapo dëgjohen thirrjet për golin e dytë të skuadrës italiane, I panjohur për mua, më pyet sikur të më kishte pasur shok qysh në fillore:“Kush shënoi?”“Italia”.“Mos! Kisha vënë bast”.Duhet të jenë të shumtë bastaxhinjtë e Tiranës. Një lloj ekonomie e spekulimit. Askush ndofta nuk e di me saktësi sasinë e parave që qarkullon në Shqipëri lidhur me bastet sportive. Besoj se disa megjithatë janë në gjendje ta përllogarisin këtë shumë së paku me përparësi.

Në kohë ndeshjesh futbolli, sektorët e ekonomisë të qytetit përzihen keqazi me njëri-tjetrin. Të gjitha anët e jetës sociale në fakt gërshetohen mes tyre duke formuar një univers të vetëm. Përpara ekranit të televizionit luhen të gjitha dramat dhe komeditë e ditës. Disa kalojnë aty orët e lira, pushimin, ndonëse për mijëra të papunët nuk ka kuptim koha e lirë, për aq sa për ta nuk ka kohë pune.

Në fakt, çfarë është sektori i tifozerisë sportive? Qejf, dëshirë, pasion, socializim. Por, edhe çasti kur kafenetë presin klientelën e tyre. Thërritjet e komentatorit sportiv me siguri e shtojnë konsumin e pijeve nëpër lokale: disa kërkojnë përsëri birrë, të tjerët çaj kamomili për çdo gol të komentuar. Kamerierët ëndërrojnë bakshishin. Stacionet televizive kanë orët më të mira për të shitur orët e transmetimit të reklamave televizive.

Bastexhinjtë janë në çastet kur presin të mbledhin gjithë shpresë e ankth paratë nga parashikimet falazi që kanë bërë. “Oktapodi që parashikonte rezultatet e ndeshjeve përgjatë kampionatit të fundit të futbollit ngordhi” – më thotë dikush. “Seç ka dalë një lopë tani” – shton me siguri. Qyteti është plot e përplot mbushur me mitologji urbane. Botë e e çuditshme është krijuar. Ndeshja e sportit në televizion duket si një gjë qejfi i pafajshëm, por në fakt është një industri e tërë mediatike.

Provoj miqësinë që më rrethon. Telefonoj të gjithë miqtë që mendoj se shohin futboll atë orë të mbrëmjes. Pikërisht në çastet më kulminante të ndeshjes. Vdis. Askush nuk të përgjigjet në planet. Asnjeri nuk ma hap telefonin. E di që të nesërmen do të gjejnë lloj-lloj rrenash për tu justifikuar. Jo isha në dush, jo e kisha lënë telefonin në shtëpi, e të tjera folklore si këto. Qesh me vete. Miqësia ka shkëputur lidhjet. “Tani e gjeti ky të më telefonojë?” – përfytyroj të nxehur mikun tim. Qesh me inatin e tij të mire.

Bashkimi i sportit, televizionit, basteve përbën tipologjinë e botës së sotme ku njëkohësisht lulëzojmë dhe degjenerojmë. Në këtë bashkim, askush nga përbërësit e tij nuk është më vetja e vet. As sporti. Bastet i kanë transformuar ndeshjet e futbollit në shumë vende të botës. Kryeministri dhe kuratori i madh i ekonomisë italiane, Mario Monti, përpara nisjes së Kampionatit Evropian të Futbollit, duke pare skandalet në futbollin italian të ndikuar fuqishëm nga ekonomia e basteve, deklaronte se për mendimin e tij do të kishte qenë mirë që kampionati italian të pezullohej për nja dy vjet.

Utopi.Ai nuk mund ta dinte atë kohë se skuadra italiane në Kampionatin Evropian do të ishte një imazh i shkëlqyer i vendet të vet. Do të ishin thirrjet e nëpunësve të tij në sallën ngjitur, në çastin e një goli italian, që do ta ndërprisnin fjalën e tij në konferencën e shtypit që ai dhe Presidenti francez po jepnin së bashku. Çfarë bëjnë nëpunësit e Kryeministrit italian në orarin e tyre të punës, ndërkohë që zhvillohet një ndeshje futbolli? Thjesht, shohin ndeshjen në televizor. Ata do të duhej të ishin pushuar të gjithë nga puna..

Koha i ka kthyer të gjitha gjërat mbrapsht. Shkaku bëhet pasojë dhe pasoja bëhet shkak. Bastet përcaktojnë shpesh tani rezultatet e ndeshjeve, jo ndeshja rezultatin e saj. E ardhmja paracakton kështu të shkuarën e vet. Ligjet e kohës natyrore nuk janë më të vlefshme në ekonominë e komunikimit. E gjitha kjo nuk do të ishte e mundur pa mediat planetare që e kanë kthyer Tokën në një stadium gjigant, në salla bursash bankare, në holle pultesh montazhi televiziv golash falsë, penalltish artificiale, triblimesh mashtruese.

Opinioni publik është sa i njehsuar aq edhe i ndarë në kohë ndeshjesh në televizor. I njehsuar sepse të gjithë e kanë syrin atje. I ndarë, sepse pjesët e publikut janë grupuar në kampe kundërshtare, sipas skuadrave të tyre të zemrës. Kam përshtypjen se moderatorët e komenteve dhe bisedave televizive sportive e nxisin dhe e provokojnë edhe më shumë këtë ndarje.

Mediat si zakonisht përçajnë. Duan spektakël mbi spektakël. E shtrydhin ngjarjen deri në fund. “Ne italionët…” dëgjoja të shprehej dikush në një studio televizive me një theks të fortë tiranas, “ju thamë ju gjermonve se nuk keni shanse me ne…”. Çfarë e përcakton si të tillë psikikën njerëzore? Kur dy kampe ndeshen përballë syve të njeriut, qoftë lojë futbolli, qoftë luftë gjelash, njerëzit marrin kurdoherë njërin krah kundër tjetrit. Bëjnë tifo. Ndofta kështu është edhe në politikë? Njeriu i kupton më lehtë gjërat e kësaj bote të ndara në grupime armiqësore.

Bëhet grup, ndjehet më i fortë, vendos kufij që e dallojnë nga të tjerët dhe në këtë mënyrë ndërton identitetin e vet. Nuk e di përse nderohen kaq shumë ata njerëz që thonë se kanë pesëdhjetë vjet që bëjnë tifo me Gjermaninë ose me italianët. Çudi me tifozët si racë njerëzore! Si shpjegohet që në sporte të ndryshme janë përsëri me të njëjtin klub? Nuk kam gjetur ende dike që në futboll për shembull të ishte me Tiranën, në basketboll me Partizanin, në volejboll me Dinamon e kështu me radhë, sipas sporteve. Apo që pjesën e parë të lojës të ishte me Italinë dhe në të dytën me Gjermaninë… Do ta quanin njeri pa karakter atë të shkretin. Spektakli vazhdon…

(Botuar tek gazeta “Standard”, 30/6/2012)

Print Friendly, PDF & Email

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Send this to friend