Për një debat të ri për lirinë e medias

29 Nëntor , 2011 • Gazetaria e Medias • by

Debati për lirinë e shtypit Shqipëri është një debat i vjetër, i bërë pafund këta 20 vjet Shqipëri, është një debat brenda nocionit debatit madh për lirinë (një debat i vjetër sa vetë bota, qëkurse njerëzit vendosën organizohen dhe jetojnë “polis”). Por ka nevojë rimendohet tani kur po hyjmë dekadën e tretë demokracisë re shqiptare.

Libri studimor i gazetarit Sokol Balla që shpresojmë të kthehet në shkas për një debat rreth lirisë së shtypit në Shqipëri, do të duhej megjithatë të merrte përsipër të ndërtonte një debat të ri për lirinë e shtypit. Tri ose katër konsiderata mbi perimetrin e këtij debati të ri për lirinë e shtypit në Shqipëri mendoj se janë këto:

Konsiderata e parë lidhur me lirinë e shtypit në Shqipëri është fakti se nuk kemi më problematikën e 10 apo 15 viteve më parë, kur ishim në fillesat e shtypit të lirë, por ende nuk mund të thuhet se kemi një “industri të medias” në këtë vend. Ndaj disa fabula burgosjesh apo rrahjesh gazetarësh duken sot shumë heroike dhe romantike në raport me një problematikë të sotme tejet të komplikuar e që lidhet me lirinë e shtypit në këtë vend.

Konsiderata e dytë është fakti se në qendër të problemit të lirisë së medias në Shqipëri, sot është vendosur problemi ekonomik dhe prej tij derivojnë të gjitha çështjet e tjera. Problemi i parë dhe i vetëm që ka sot media, është mënyra se si ajo financohet. Ashtu si është ndërtuar sot sistemi i medias në Shqipëri, “industria” e saj, ajo është një nga sektorët me humbje financiare, por njëkohësisht dhe paradoksalisht, i vetmi sektor që nuk falimenton! Madje media të reja hapen çdo ditë; të tjera blihen apo shiten. Nëse, si studentë të mirë, do të bënim një vlerësim paraprak, mund të thuhet se, nëse industria e medias harxhon sot një shumë X parash për të qëndruar në këmbë, jo më shumë se 1/3, ja të themi jo më shumë se 40 për qind e kostove të saj, mbulohen nga shitjet e produkteve apo nga reklama. Atëherë, ku sigurohet pjesa tjetër e parave për të mbuluar kostot e kësaj industrie? Nga gjithçka: që nga sponsorizimi apo mecenati i pastër, deri tek trafiku i interesave me pushtetin, segmentet okulte të ekonomisë e deri tek trafiqe apo të tjera si këto. Asgjë nuk mund të shenjohet pa pasur në dorë prova, por njëkohësisht asnjë nuk mund të përjashtohet me një “common sens” të thjeshtë në lidhje me arsyetimin se nga vijnë këto para.

Dhe mesa duhet, askush nuk është i gatshëm të shkojë te ballafaqimi i “industrisë së medias” me kostot reale, sepse shpërblimi, paga apo honorari i të gjithëve ne që jemi në media do të ulej me së paku dy të tretat, shumë vende pune do të shkurtoheshin etj. nga këto. E derisa kjo nuk do të ndodhë, i njëjti mekanizëm do të vazhdojë. Por fakti që të gjitha këto ndodhin, do të thotë se kemi të bëjmë me diçka që është realitet dhe që ka kushte objektive për të ndodhur.

Pikërisht këtu ka vend një refleksion i ri lidhur me faktin që një sistem i tërë mediatik qëndron në këmbë kështu e madje nuk njeh të ndalur. Kemi të bëjmë me kushte të reja, me rrethana të reja të zhvillimit tonë ekonomik dhe kulturor. Dhe meqenëse të njëjtat probleme me lirinë e shprehjes ndodhin kudo tjetër në shoqëritë e zhvilluara, siç autori me të drejtë e vë re në këtë studim, atëherë jemi ndoshta para një statusi të ri të medias në shoqëritë e sotme: Më shumë se sa një pushtet i katërt, ndoshta mund ta shohim gjithnjë e më shumë sistemin e mediave si pjesë e shoqërisë së shërbimeve, si zgjatim i grupeve ekonomike apo formave të marketingut.

Ndaj si e tillë, problematika e re lidhur me lirinë e shprehjes vjen dhe bëhet më e koklavitur dhe ia vlen një diskutim i ri që shtron disa pyetje cinike. Si për shembull: Në kushtet kur media nuk e përligj veten financiarisht, a ka kuptim tensioni mes interesave të gazetarëve dhe pronarëve, pasi që të dy janë të interesuar për burime të tjera për të vijuar subvencionimin e medias përkatëse? Nëse grupe të rëndësishme ekonomike vendosin të hapin apo financojnë një media si pjesë e planeve të tyre të marketingut, a është kjo kundër lirisë së shprehjes dhe, a mund të ndaloheshin ato?

Konsiderata e tretë lidhur me çështjen e lirisë së shprehjes në Shqipëri, është shfaqja dhe zhvillimi i shpejtë, në të gjithë botën, në epokën e komunikimit masiv i “marrëdhënieve publike”. Që të gjithë aktorët ekonomikë, institucionalë dhe të çfarëdolloj lloji kanë filluar ta zhvillojnë PR-in (marrëdhëniet publike) me intensitet edhe te ne. Edhe pse kemi pak eksperiencë në tregun e lirë dhe lirinë e shprehjes. Këtu sërish janë shtruar e mund të shtrohen disa pyetje cinike: një informacion mbi shërbime apo produkte, sa është informacion dhe sa është reklamë? Sa është transparencë pasqyrimi i gjerë i aktivitetit politik qeveritar, bashkiak apo opozitar, dhe sa është propagandë? Si do të bashkëjetojnë në të ardhmen kodet etike të medias me praktikat e marrëdhënieve publike apo të marketingut?

Për të gjitha këto, për ta përballuar lirinë e shprehjes si “një sfidë europiane”, siç e titullon Sokol Balla këtë libër, del nevoja e konsiderimit të çështjes përtej problemeve klasike që ka pasur deri tani e ka edhe sot media në Shqipëri.

Botuar më 21 tetor 2011 në gazetën “Mapo”

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend