Nga dallohet shtypi serioz nga ai më pak serioz?

25 Shkurt , 2014 • Gazetaria e Medias • by

Ishte interesante të vije re pardje reagimin e shtypit botëror pasi fotografi francez, Pascal Rostain lëshoi bombën në radion ‘Europe 1’, duke thënë se “Obama ka një lidhje jashtëmartesore me këngëtaren Beyonce”. Në fakt, ai tha shumë më tepër se sa kaq, tha se “të martën, dmth dje, do duhej të lexonim gazetën amerikane Washington Post, ngaqë kjo gazetë do të publikonte provat që demonstronin këtë liaison”. E marta iku, dhe lajmi i paralajmëruar prej paparacit në fjalë doli një rrenë e madhe. Washington Post-i nuk kish në faqet e veta asgjë të këtij lloji.

Duhet thënë se gazetat serioze nuk ranë në grackën e ngritur nga fotografi që vinte dorën në zjarr se gjithçka ishte e vërtetë. As që i dhanë hapësirë çaprashitjeve të tij. Nëse do t’i jepnin pak hapësirë nuk është se do të bënin ndonjë mëkat; paparaci kish kredenciale të mira për të dhënë lajme të tilla; ish po ky që, nëpërmjet fotove të shkrekura rrugëve të Parisit, nxorri në shesh lidhjen e Presidentit francez François Hollande me aktoren Julie Gayet. Por të përditshmet serioze e injoruan. E njoroi The Guardian, The Independent, Le Monde, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Süddeutsche Zeitung, El Pais, El Mundo, etj. Veç nja dy gazeta franceze dhe nja dy italiane e hëngrën karremin. Ndërsa gazetat amerikane as që bëhej fjalë të merreshin me këtë lajm. Vetë Washington Post-i, që u hamendësua si regjia e ‘përbetimit’ antipresidencial, nuk zhgënjeu me qëndrimin e vet. Mú në pikun e bujës që provokoi fotografi francez, dikush në emër të saj u mjaftua të thosh, se “ne nuk e kemi zakon të përgatisim artikuj të këtij lloji” . Kaq. Dhe me këtë qëndrim u la të kuptohej jo vetëm që Washington Post-i nuk ish qendra e ‘përbetimit’, por edhe që ajo gazetë nuk e ka praktikë punë të fokusohet më tepër se sa duhet në çështje të tilla, dhe nuk është e prirur ta gjykojë një President amerikan mbi bazën e jetës së tij private.

Gazetat serioze, përfshirë ato franceze, bënë në thelb të njëjtën gjë edhe në rrethanat e ‘aventurës’ së Presidentit francez, Hollande. Ok, informuan mbi faktin, madje çdo ditë, por nuk është se u ndalën për të gjetur në këtë histori ndonjë arsye për ta kryqëzuar njeriun më të fuqishëm të Francës. Dhe me këtë sjellje, kanë përcjellë mesazhin: Të zgjedhurit, sidomos kur janë me shumë pushtet, mbahen gjithë kohën nën vëzhgim, vlerësohen edhe me kritere morale, por gjykohen para së gjithash mbi bazën e kontratës që ata kanë lidhur me zgjedhësit. Shtypi serioz e ka bërë me kohë të vetën këtë sjellje.

Botuar në gazetën Dita më 12 shkurt, 2014

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend