Media e kërcënuar nga gazetaria e “Facebook”-ut

7 Prill , 2015 • Gazetaria e Medias, Shkrimet më të fundit • by

Një video e filmuar me një aparat telefoni celular dhe e hedhur në rrjetet sociale, mbërriti në dyert e mediave gati 9 muaj më vonë. Për shkak të skenës që tregonte, atë të ngacmimit seksual të një vajze pa ndjenja, ose më saktë në gjendje të dehur, videoja, pasi hyri në centrifugën e të ashtuquajturave media online, shkaktoi një stuhi reagimesh të qytetarëve kundër shkallës së sigurisë dhe nivelit të shërbimit në spitalet tona. Në fakt për këtë nuk ishte nevoja e një videoje, por ajo ishte një ngacmim i fortë gjithsesi. Për shkak të këtij impakti, policia dhe drejtësia nuk qëndruan në heshtje, por nxituan të hapin një hetim dhe disa prej personave të implikuar u ndaluan dhe janë në kërkim, pikërisht ata që e filmuan dhe konsumuan edhe ngacmimin seksual.
Videoja u bë menjëherë objekt lajmi edhe në mediat serioze, televizione dhe gazeta. Të gjithë ne nxituan dhe e cilësuam video-skandali i spitalit dhe kryqëzuam aforfe urgjencën, mjekët, spitalin, shëndetësinë në tërësi. E trembur për ç’mund ti ndodhte, drejtoresha e QSUT, papritur asnjë përfundim hetimi, nxitoi të thoshte se ngjarja s’ka ndodhur në kohën kur ishte ajo drejtoreshë. Por nuk ishte aspak kështu. Të gjithë akuzuam spitalin se si ka mundësi që lejoheshin tre njerëz ti rrinin tek koka e një pacienteje, kur të gjithë e dimë se si paguajmë ryshfet tek roja që të hapë derën jashtë orarit zyrtar për të vizituar sa për qokë e të tërë si fis, për një qokë, dikë që është i shtuar apo për ti qëndruar pranë një të afërmi të shtruar pasi ka nevojë për shërbim. Më shumë se kaq, njerëzit në rrjetet sociale dhe mediat po ashtu, akuzuan mjekët se e kishin lënë vajzën të vetme pa i dhënë asnjë shërbim. Por pas kryerjes së hetimeve zyrtare u zbulua se videoja e hedhur në rrjetet sociale nuk ishte e plotë dhe se vajza aty ishte filmuar pasi kishte marrë serumin dhe mjekimin e nevojshëm dhe ishte lënë të qetësohej dhe në pritje të ardhjes së prindërve për ta marrë.
Këtu nuk dua ti dal në mbrojtje mëkatarëve me bluza të bardha, pasi shumë njerëz që mund ti lexojnë këto radhë mund të më sulen e të më thonë një mijë të zeza të këtij sistemi e për këtë edhe unë ndaj të njëjtin mendim. Por këtu dua të them ca të zeza për veten dhe shumë njerëz si unë që bëjnë gazetari dhe informojnë publikun.
Pra, në fund doli se nuk ishte fare e vërtetë që mjekët nuk i kishin ofruar shërbim, por të gjithë rendëm dhe bëmë lajmin bazuar mbi videon që ishte hedhur në “Facebook”. Pikërisht këtu dua të ndalem, tek marrëdhëniet e medias serioze, medias së vërtetë, me median qytetare, rrjetet sociale dhe lukuninë e mediave online. Në kushtet e (sh)përdorimit masiv të internetit, secili sot mund të hapë një “gazetë” dhe secili mund të shkruajë ç’të dojë e për këdo. Një lajm i hedhur në këto rrjete shumëfishohet me përmasat dhe shpejtësinë e një reaksioni zinxhir të tipit bërthamor.
Por ka një pyetje të fortë që duhet të na bëjë të mendohemi ne gazetarëve: A duhet që mediat online apo mediat sociale tu referohen mediave serioze, pra tradicionale, apo këto të fundit tu referohen mediave sociale? Më qartë akoma; a duhet të shërbejnë si burim informacioni mediat dhe rrjetet sociale? Kur studentë të gazetarisë më kanë bërë këtë pyetje, u kam thënë: Jo dhe Jo! Kurrë, asnjëherë! Rrjetet sociale mund të shërbejnë si indice për të marrë një informacion paraprak, por jo si burim i besueshëm, zyrtar apo përfundimtar.
Rrjetet sociale janë bërë sot një mënyrë masive komunikimi dhe mediat janë “shtrënguar” të përdorin apo tu referohen rrjeteve sociale kur citojnë deklarata që zyrtarët e lartë hedhin në faqet e tyre. Përdorimi masiv i këtyre rrjeteve ka bërë që edhe komunikimi i pushtetarëve me shoqërinë të bëhet më shumë online sesa drejtpërdrejt. Por kjo nuk justifikon që gazetarët të ulen të shkruajnë një lajm bazuar mbi informacionin që hidhet në rrjetet sociale apo mediat copy-paste online. Edhe budallallëkun më të pabesueshëm ta hedhësh tani në një media të tillë, ajo do të shpërndahet si një virus në mënyrë të rrufeshme. Gjithkujt mund ti marrësh erzin sot, nëse do ta bësh. Por gazetarisë së vërtetë kjo nuk i falet. Ne nuk duhet të biem në batakun e “lajmeve” të “Facebook”-ut. Media tradicionale duhet të vazhdojë të rezistojë dhe të shërbejë si pikë referimi për median online, e cila më shumë dezinformon se informon.
Nëse për mjekësinë rasti i asaj videoje shërbeu si një alarm për të marrë masat brenda vetes, për ne gazetarët duhet të shërbejë si alarm për të mos e bërë gazetarinë mbështetur tek rrjetet sociale, por të shkojmë atje ku ndodh lajmi, të bëjmë durim derisa ta mësojmë të vërtetën dhe të mos përfshihemi nga dalldia e konkurrencës së lajmit nga “Facebook”-u.

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend