Gazetaria sot? E dembelosur dhe sipërfaqësore

29 Nëntor , 2012 • Gazetaria e Medias • by

Po t’u heqësh titujt gazetave apo logot televizioneve, të gjitha kronikat janë njëlloj, të gjitha lajmet janë njëlloj, nuk ka individualitet.

I sapokthyer nga Prishtina për në Tiranë, duket se nuk po e kap dot ritmin e mëparshëm. Ndoshta, kështu na duket ne që e njohim kalimthi Prishtinën dhe jetën atje. Por, për themeluesin e Klan Kosovës, që sapo është rikthyer në Shqipëri, në postin e Drejtorit të Departamentit të Informacionit pranë Televizionit ABC, Prishtina është një oaz i mrekullueshëm shqipfolës. Mjafton që ta njohësh. Armand Shkullakun e gjejmë në zyrën e tij të re, me një vizion të qartë dhe një gazetari që duket se do ta ribëjë nga e para.

Z. Shkullaku, ju keni një kohë të gjatë që jeni shkëputur nga Tirana për t’u vendosur në Prishtinë, duke punuar në Klan Kosova. Si e keni gjetur situatën këtu?

Për hir të së vertetës nuk është se kam një shkëputje totale. Kam qëndruar rreth 4 vjet në Prishtinë ku themelova dhe krijova TV Klan Kosovën. E kam ndjekur aktualitetin sepse në Shqipëri kanë qenë periudha të nxehta që, edhe po të isha miliona kilometra larg, prapë së prapë ta tërhiqnin vëmendjen. Kanë ndodhur ngjarje, zgjedhje, kriza poltike dhe duhet të isha prezent edhe në Tiranë për të diskutuar për të tilla tema. Por nga afër, kontaktet me gazetarinë e Tiranës dhe me punën e përditshme ishin shkëputur, ishin thjesht lidhje komunikimi dhe shkëmbimi lajmesh, por jo punë e përditshme. Kështu që më vjen keq ta them, por e gjej më keq se ç’ka qenë.

Në ç’kuptim më keq?

Flas më keq, në kuptimin e nivelit të gazetarisë. Ka më pak gazetari, çdo gjë është sipërfaqësore, ka presion nga botuesit dhe pronarët mbi gazetarët. Por edhe gazetarët e shfytëzojnë këtë presion në mënyrë të pandershme për të mos e bërë si duhet punën e tyre. E dinë që një pronari ose botuesit i pëlqen diçka dhe bëjnë atë duke i rënë shkurt. Nuk ka thellim, nuk ka profesionalizëm, nuk ka kujdes, nuk ka përgjegjshmëri, nuk merret njeri me lajmin dhe informacionin. Media po humb edhe rolin e përcjellësit, sepse partitë politike dhe ngjarje të tjera që ndodhin i transmetojnë vetë lajmet e tyre, ndërsa gazetarët thjesht shfaqen.

Duke qenë se jeni themelues i Klan Kosovës, cila është arsyeja e largimit tuaj?

Arsyet kanë qenë të shumta. “Klan Kosova” është pjesë e paketës së Klanit në Tiranë dhe funksionon në bazë të një projekti që drejtuesit e Klanit e zbatojnë. Pra, kemi pasur biseda të vazhdueshme me Aleksandër Frangajn si Drejtor i Përgjithshëm, për një periudhë të gjatë, pra vendimi nuk ishte i menjëhershëm. Ai gjykonte se kontributi im në “ABC News” ishte më i vlefshëm se ai në “Klan Kosova”, në kuptimin që “Klan Kosova” tanimë është konsoliduar për katër vite (më 17 shkurt) dhe është ndër televizionet më të suksesshme në Kosovë. “ABC News”, sipas tij, kishte nevojë për një ndryshim ose përmirësim. Kjo ishte një arsye. Arsye tjetër ishte se unë, kur u nisa në Prishtinë nuk kisha menduar të rrija 4 vjet. Thashë se do të rri një vit, do të ndërtoj një TV dhe do t’ua lë njerëzve që janë atje, pasi televizioni është i Kosovës, pavarësisht se qendra ndodhet në Tiranë. I gjithë stafi ka qenë lokal. Duke pasur parasysh background-in tim, formimin, eksperiencën time këtu, vjen një moment kur 4 vjet janë shumë, dhe nëse do të vazhdoja më gjatë, nuk do të kthehesha më. Ka edhe arsye të tjera familjare, sepse largimi ishte i gjatë dhe mungesa ime në familje po ashtu, për të përmendur disa arsye. Megjithatë unë nuk e mendoj asnjëherë si braktisje, por si një shkëputje, si një pasion që e di që më pret gjithmonë.

Do vazhdoni të jepni kontributin në Klan Kosova?

Unë lidhjet i kam dhe jam në kontakt me ta, nuk mund të jap kontributin si më parë sepse në punën tonë duhet të jesh i pranishëm në punë nga mëngjesi deri në darkë. “ABC”si televizion tani po e njoh dhe më kërkon shumë më tepër angazhim. Por ata janë në vëmendjen time, nuk është diçka që unë e kam bërë “delete”. Kontributi është që ne komunikojnë për emisione, programe, komunikoj me drejtorin e programit, me Batonin etj. Por emisionin mendoj që për momentin nuk e marr do përsipër sepse është një angazhim shumë më tepër sesa janë mundësitë, do të më marrë një kohë të gjatë “ABC”-ja, pasi do të jetë fushata apo post-fushata, problemi i qeverisë së re mbetet për t’u parë sezonin tjetër. Nëse gjërat këtu shkojnë mirë shtatorin ose tetorin e vitit 2013 mund të filloj një emision.

Si ishte të punoje me stafin e “Klan Kosova” dhe çfarë veçorie kanë gazetarët atje?

Ka një paragjykim të gabuar dhe semplist për të mos thënë injorant nga shqiptarët e Tiranës ndaj atyre të Prishtinës, që nisen nga një paragjykim për dialektin që s’mund t’i vë emër. Por besoj se në këta 22 vjet që merrem me gazetari, në Prishtinë kam pasur ekipin më të mirë në gjithë karrierën time. Një veçori është se atje gazetaria bëhet për pasion dhe jo për një vend pune. Atje njerëzit mund të paguhen shumë më pak se këtu, por rrinë në punë shumë më tepër se këtu dhe nuk pyesin për orarin. Kur ti merr dikë në punë, duhet ta testosh, ata nuk pyesin se sa është rroga, por pyesin çfarë do të bëj unë, a kam mundësi të bëj më tepër, a mund të dal në ekran, a mund të dal në terren, a mund të bëj “stand-up”. Nuk është thjesht përgatitja profesionale, por është diçka në punën tonë që pa pasion dhe pa qejf nuk e bën dot. Mund ta bësh, por nuk je gazetar, je thjesht një përcjellës. Në momentin që punon me shpirt, atëherë je gazetar.

A mund të themi që gazetaria atje është më e lirë dhe më e zhvilluar, duke e konsideruar më profesionale se sa tek ne?

Më e lirë dhe më e zhvilluar janë terma relative, por është më profesionale se sa këtu. Atje njerëzit mendohen para se të shkruajnë, këtu nuk mendon asnjë kur shkruan. Atje, gazetat përpiqen të nxjerrin nëntituj, që paragrafi i faqes së parë të mos jetë i njëjtë me atë që vijon në faqen 2, që lajmi që jepet në 4 radhët e para të mos përsëritet, ka rubrika të veçanta, ka botime të kulturës që kanë debate, kanë polemika intelektualësh që punojnë. Bëjnë mbledhjen e mëngjesit dhe dalin për të gjetur lajmin, për të shkuar në konferenca shtypi, sepse nuk ekziston sindikata e shpërndarjes së lajmit si këtu. Atje ka më shumë dëshirë për punë dhe për individualitet, pasi gazetari do të ketë emër dhe jo të jetë anonim. Këtu, po t’u heqësh titujt gazetave apo logot televizioneve, të gjitha kronikat janë njëlloj, të gjitha lajmet janë njëlloj, nuk ka individualitet. Kur flasim për zhvillim mund të shikojmë studiot e Big Brother, X-Factor apo “E Diela Shqiptare” që janë investime kolosale dhe që konkurrojnë në Europë, mirëpo ky është një tjetër aspekt. Mua si gazetar dhe ty si gazetare na intereson përmbajtja, na intereson pjesa jonë, dhe këtu Shqipëria është mjaft pas. Kosova është përpara në këtë aspekt. Ndoshta në një të ardhme dembelizimi mund t’i prekë edhe ata. Por, kush merret me gazetari atje sheh shumë televizon të huaj, gazetarët kanë edukim anglo-sankson, kanë jetuar në Angli, kanë jetuar në Amerikë, në Zvicër, në Gjermani, në Skandinavi dhe kur kthehen në Kosovë ata kanë një program të preferuar në BBC, në FOX, në CNN. Pra, e ndjekin aktualitetin botëror dhe nga kjo kanë marrë një formim më perëndimor. Ndërsa këtu, unë do vija bast nëse do të kishin ndonjë emision ndërkombëtar të preferuar që nuk do ta linin dot pa e parë. Nuk kanë asnjë.

Sa ndikon politika në media?

Këtu ndikon më shumë sepse interesat dhe përplasjet janë më të mëdha. Atje ka ndikime relative, shtypi ka liri më shumë se këtu, sepse sindikatat dhe shoqëria civile funksionojnë. Mbi të gjitha politika nuk është aq agresive sa këtu, sepse konfliki politik dënohet edhe me votë. Ka një tendencë drejt komunikimit sepse ëndrra e tyre ka qenë të jenë shtet i pavaruar dhe tani e duan tolerancën.

Po ju, e keni ndjerë trysninë e poltikës?

Shumë pak. Pothuajse fare.

Po bërrylat mes kolegëve gazetarë?

Jo…ndoshta nuk i kam vënë re…

 

Intervistuar nga Emanuela Sako. Marrë me shkurtime nga gazeta “Shekulli”, datë 25 nëntor 2012. Titulli i shkrimit në origjinal: “Pak punë dhe më shumë presion, kjo është gazetaria pas 4 vitesh“

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend