Gazetaria – gjashtë prirje kryesore të vitit 2012

3 Korrik , 2013 • Gazetaria e Medias • by

– Sipas Raportit mbi Gjendjen e Mediave të Lajmeve, prodhuar nga Projekti për Cilësi në Gazetari të Qendrës Kërkimore Pew –

1. Efektet e një dekade shkurtimesh në redaksi janë reale – dhe publiku po mban shënim. Thuajse një e treta e të rriturve në SHBA, 31%, nuk i drejtohen më një mediaje lajmesh sepse nuk i ofron më lajmet që ishin mësuar të merrnin. Meshkujt janë larguar në përqindje disi më të larta se sa femrat, ashtu si edhe personat me arsim më të lartë dhe me të ardhura më të larta – me fjalë të tjera, shumë prej atyre që sipas të dhënave të kërkimeve të mëparshme nga Qendra Pew kanë qenë ndër konsumatorët më të mëdhenj të lajmeve. Shkurtimet drastike të burimeve të raportimit dhe pakësimi i specialiteteve në media kanë çuar në kompromentimin e nivelit të ekspertizës së gazetarëve në çfarëdo fushe si dhe aftësisë për t’u thelluar në një lajm. Në fakt, kur njerëzit që kishin dëgjuar diçka lidhur me vështirësitë financiare u pyetën se cilin efekt ndjenin më shumë, lajme më të paplota apo më pak lajme në tërësi, 48% përmendën lajme më të paplota ndërkohë që 31% vërejtën më pak lajme. Në tërësi, ndërgjegjësimi për vështirësitë financiare të fushës së gazetarisë është i kufizuar. Vetëm 39% kanë dëgjuar shumë ose njëfarë niveli. Ndërkohë që ata që kanë më shumë ndërgjegjësim kanë edhe më shumë gjasa të jenë ata që kanë braktisur një media.

2. Industria e lajmeve vazhdon të humbasë prej reklamave të reja dixhitale. Dy fusha të reja reklamimi dixhital që edhe para një viti dukeshin se premtonin shumë tani duket se po lëvizin larg medias së lajmeve: pajisjet mobile dhe reklamat lokale dixhitale. Në total, reklamimet mobile gjatë vitit 2012 u rritën 80% dhe arritën 2.6 miliardë USD. Megjithatë, nga kjo shifër, vetëm një segment i reklamës është në dispozicion të lajmeve: shfaqja (display). Ndërkohë që shfaqja mobile po rritet me shpejtësi, 72% e atij tregu shkon në vetëm gjashtë kompani – përfshi Facebook, i cili as nuk e kishte krijuar produktin e vet të parë të reklamës mobile deri në mes të vitit 2012. Edhe reklamat lokale dixhitale, një segment kritik reklamash për lajmet meqenëse shumica e mediave iu shërbejnë një audience lokale, janë në rritje – 22% në vitin 2012. Ndërkohë, shënjestrimi i përmirësuar gjeografik po lejon shumë reklamues kombëtarë që t’i drejtohen Google, Facebook dhe rrjeteve të tjera të mëdha për të blerë reklama që dikur mund të shkonin tek media lokale. Gjithashtu, Google dhe Facebook po përmirësojnë aftësinë e tyre për t’iu shitur hapësirë reklamash reklamuesve më të vegjël dhe vërtet lokalë, duke marrë kështu biznesin që dikur i shkonte medias lokale. Është e vështirë të shihet se si mediat e lajmeve do të arrijnë të sigurojnë diçka të ngjashme me pjesën e tyre tradicionale. Tani Google është udhëheqësi i reklamave në kërkim, shfaqje dhe teknologji mobile. Edhe njëherë, duket se në fushat kryesore të të ardhurave, industria e lajmeve mund të jetë kapërcyer nga gjigandët e teknologjisë.

3. Kategoria e reklamave të sponsorizuara, pas përgjumjes së gjatë, po përjeton rritje të madhe. Kjo është një fushë e të ardhurave në rritje të reklamave dixhitale ku organizatat e lajmeve kanë ndërmarrë herët hapa për të hyrë. Një pjesë e rritjes vjen prej tweeteve të promovuara në Twitter, së bashku me rritjen e reklamave të brendshme – termi dixhital për advertoriale (bashkim i fjalëve reklamë [advertising] + editorial) që përmbajnë artikuj të prodhuar nga reklamuesit – të cilat shpesh shfaqen përkrah përmbajtjes editoriale të vetë medias. Ndonëse mbetet e ulët në shifra dollarësh, përqindja e rritjes së kësaj kategorie është aq e madhe sa është e dyta pas përqindjes së videos. Reklamat e sponsorizuara u rritën me 38.9%, duke arritur në 1.56 miliardë USD; kjo vinte pas një kërcimi prej 56.1% në vitin 2011. Botime tradicionale si The Atlantic dhe Forbes, si dhe botimet dixhitale BuzzFeed dhe Gawker, janë mbështetur tek reklamat e brendhshme për të ndërtuar shpejt të ardhura nga reklamat dixhitale, dhe përdorimi i tyre pritet të ketë veç rritje. Sipas faqes teknologjike PadoDaily, botuesit kryesorë përfshi Hearst, Time dhe Condé Nast po investojnë në formate për të përballuar reklamat e brendshme, ashtu si dhe shumë gazeta. Megjithatë, ky zhvillim ka rrezikun e çoroditjes së lexuesve lidhur me dallimin midis reklamave dhe përmbajtjes së lajmeve. Në janar, The Atlantic e hoqi me nxitim nga faqja e saj një advertorial që vështirë të identifikohe, sjellë nga Kisha e Shentologjisë, duke shpjeguar më pas: “Tani e kuptojmë që teksa eksploronim forma të reja të reklamave dixhitale, kishim dështuar të përditësonim politikat që duhet të përcaktojnë vendimet që marrim gjatë rrugës. Është me vend të thuhet që pas përdorimit të asaj reklame, po mendojmë shumë më tepër për këto politika se sa më parë.”

4. Rritja e eksperimenteve me përmbajtjen e paguar dixhitale mund të ketë një ndikim domethënës si mbi të ardhurat e lajmeve ashtu edhe përmbajtjen e tyre. Pas vitesh të tëra debati thuajse teologjik lidhur me nëse përmbajtja dixhitale duhet të jetë falas apo jo, industria e gazetave mund të ketë arritur pikën e kthesës në vitin 2012. Në fakt, 450 nga 1,380 të përditshmet në vend kanë filluar ose kanë shpallur planet për një lloj pajtimi për përmbajtje të paguar, duke zgjedhur në shumë raste modelin e matur që lejon një numër të caktuar vizitash falas përpara se t’u kërkojnë përdoruesve të paguajnë. (Kjo prirje është shtrirë përtej gazetave, siç vihet në dukje nga vendimi i kohëve të fundit i blogerit të njohur Andrew Sullivan për të vendosur një pagesë për faqen e tij, The Dish) Duke qenë se të ardhurat nga reklamat dixhitale kanë një rritje anemike prej 3% në vit në industrinë e gazetave, pajtimet dixhitale shihen gjithnjë e më shumë si përbërës jetik për çfarëdo modeli të ri biznesi për gazetarinë – ndonëse, në shumicën e rasteve, nuk ia dalin të zëvendësojnë reklamat e humbura nga reklamat. Kryesisht falë programit të saj dyvjeçar për pajtimet dixhitale, gazeta The New York Times raporton se të ardhurat e saj nga tirazhi kapërcejnë të ardhurat nga reklamata, çka përbën një ndryshim madhor nga ndarja tradicionale e të ardhurave që vinin 80% dollarë reklamash dhe 20% dollarë tirazhi.  Shumë drejtues ekzekutivë në industrinë e lajmeve besojnë që do të lindë një model i ri biznesi lajmesh, ku përzierja midis të ardhurave nga reklamat dhe nga tirazhi do të jetë thuajse e barabartë, me shumë gjasë edhe me lindjen e një shtylle të tretë të ardhurash që nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me produktin e lajmeve. Rritja e përmbajtjes së paguar dixhitale mund të ketë një ndikim pozitiv edhe mbi cilësinë e gazetarisë teksa organizatat e lajmeve përpiqen të prodhojnë përmbajtje unike me cilësi të lartë që publiku beson se ia vlen të paguhet. Synimi është në përputhje me filozofinë e Clark Gilbert, shefi ekzekutiv i Deseret News Publishing Company dhe novator dixhital. Si avokat i betuar i organizatave të lajmeve që i përqendrojnë përpjekjet editoriale në fusha kyçe ku mund të sjellin vlerë të vërtetë dhe të shquhen, Gilbert i tha Qendrës Kërkimore Pew se në epokën dixhitale, mediat e lajmeve duhen diferencuar. Sipas tij, “Investo aty ku mund të jesh më i miri në botë.”

5. Ndërkohë që industria e parë dhe më e goditura, gazetat, mbetet në qendër të vëmendjes, TV lokale janë prapë në pozita delikate. Audiencat e TV lokale ranë në çdo fashë kohore dhe në të gjitha rrjetet në vitin 2012. Oraret larg kohës parësore si 4:30 e mëngjesit që stacionet kishin vite që i shtonin duket se kanë arritur tavanin e audiencës. Ndërkohë që TV lokale mbeten një burim kryesor lajmesh për amerikanët, përqindja është në rënie – dhe rënia është e theksuar mes brezave më të rinj. Shikueshmëria e rregullt e TV lokale mes të rriturve nën 30 vjeç ra nga 42% në vitin 2006 në vetëm 28% në vitin 2012, sipas të dhënave nga sondazhi i Pew Research. Për më tepër, temat për të cilat njerëzit i shohin më shumë – moti dhe lajmet e fundit (breaking news) dhe më pak trafikun – kanë arritur kohën e zëvendësimit nga çfarëdo mediash me bazë interneti apo mobile. Ndërkohë që shumë stacione i rritën ofertat e lajmeve dixhitale gjatë vitit të kaluar, prapë janë me vonesë në këtë lojë dixhitale. Të ardhurat nga reklamat u rritën për vitin e kaluar, por kjo ndodhi kryesisht për shkak të një stuhie prej 2.9 miliardë USD në të ardhurat nga reklamat politike, diçka që nuk mund të përsëritet në vitet që nuk ka zgjedhje. Në total, të ardhurat mesatare për stacionet që prodhojnë lajme ranë me më shumë se një të tretën (36%) nga viti 2006 në vitin 2011.

6. Të dëgjuarit nga lajmet nga miqtë dhe familja, si me anë të medias sociale ashtu dhe fjalës së folur, çon në konsum më të thellë lajmesh. Një sondazh i fundit i Pew Research zbulon që shumica e amerikanëve e kërkojnë një lajm të plotë pasi dëgjojnë për një ngjarje apo çështje prej miqve dhe familjes. Për thuajse treçerekun e të rriturve (72%), mënyra më e zakonshme për të marrë lajme nga miqtë dhe familja është duke folur me ta – ose ballë për ballë ose në telefon. Dhe brenda këtij grupi, rreth dy të tretat (63%) kërkojnë disi ose shumë shpesh një lajm për atë ndodhi apo çështje. Rrjetëzimi social tani është pjesë e këtij procesi: 15% e të rriturve në SHBA i marrin shumicën e lajmeve nga miqtë dhe familja në këtë mënyrë, dhe shumica e tyre (77%) ndjekin nyjet për lajmet e plota. Mes grupmoshës 18 deri 29 vjeçarë, përqindja që kryesisht mbështetet tek media sociale për këto lloj lajmesh tashmë arrin një çerek. Dhe praktika në rritje e ekraneve të dyfishta për ngjarje madhore lajmesh shton më shumë mundësi për të ndarë lajme elektronikisht. Miqtë dhe familja janë ende vetëm një pjesë e dietave të lajmeve të konsumatorëve – dhe një pjesë më e vogël se sa ajo që shkon drejtpërdrejt te vetë mediat, sipas një studimi të mëparshëm nga Pew Research.

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend