Efektet e medias në konstruktimin e shoqërisë

31 Tetor , 2012 • Gazetaria e Medias • by

E ekspozuar përballë një morie të madhe informacioni të dhunshëm, që vjen nga politika dhe nga baza e shoqërisë, të cilat ritransmetohen nga media, e cila është burimi i vetëm i informacionit për publikun e gjerë, duket se njerëzit po bëhen si media e tyre.

Niveli i kriminalitetit në vend po avancon sikur të jetë shtypur butoni “fast forward”, duke u agravuar frikshëm. Vrasje nga më ordineret janë bërë pjesë e përditshmërisë familjare shqiptare por më i frikshëm akoma është “kreativiteti” primitiv që po demonstrojnë kriminelët në familje. Për më tepër që vrasjet që po ndodhin sot nuk janë më çështje e familjes apo grupit shoqëror që i përkasin, por e çdo familjeje shqiptare dhe eventualisht e rreth tre milionë shqiptarëve, të të gjitha moshave.  Shpeshherë druhem dhe rezervohem të shikoj edicione informative në televizion kur pranë meje kam fëmijë, sepse do të më duhet ose të ndërroj kanal, ose të tërheq vëmendjen e tyre përtej ekranit. Dhe nëse do të kaloj kanalin, do të bie sërish mbi një tjetër kanal, që sërish do ta gjykoja të papërshtatshëm për sytë e veshët e fëmijëve. Por, ndërkohë, a janë edicionet informative apo përmbajtja e mediave në përgjithësi të “shëndetshme” (psikologjikisht) për gjithë shoqërinë?
Media, dhe në veçanti televizioni, me pushtetin që zotëron si pasojë e ndërthurjes së audios dhe videos, sjell në çdo shtëpi, në një kohë të shkurtër, një sistem koherent të mesazhit dhe imazhit, nga të gjithë cepat e vendit. Në pjesën më të madhe të saj, pasuria përmbajtësore e medias përqendrohet në fjalë dhe shprehje të tilla si: mosmarrëveshje, akuza, përplasje, debate (jo diskutime), shmangie, manipulime, dhe duke intensifikuar fjalorin, zgjerohen në fjalë si: vrasje (e dyfishtë), gjak, dhunë, sëpatë, litar, thikë, e shumë makabritete të tipit horror. Sipas një studimi të kryer, 51–81% e lajmeve në edicionet informative u përkasin lajmeve politike dhe të kronikës së zezë, ku paraqitet edhe intensiteti më i madh problemor në vend me lajme ku dominojnë çështje të dhunës, verbale e fizike, mungesës së konsensusit, dështimit të marrëveshjeve, zënkave banale, shkëmbimit të akuzave apo shfaqjeve të forcës e të pushtetit etj.
Përballë kësaj situate që reflektohet në media, shoqëria shqiptare duket të reflektojë të njëjtat karakteristika që pasqyrohen nga media. Në këtë kontekst, shoqëria shqiptare, sikurse është pranuar nga analistët, është tejet e politizuar. Nga ana tjetër, ajo është tejet e dhunshme, e ashpër, jomiqësore, arrogante, shpesh e papërgjegjshme. E ekspozuar përballë një morie të madhe informacioni të dhunshëm, që vjen nga politika dhe nga baza e shoqërisë, të cilat ritransmetohen nga media, e cila është burimi i vetëm i informacionit për publikun e gjerë, duket se njerëzit po bëhen si media e tyre. Nga ana tjetër, ata po bëhen gjithnjë e më pak të ndjeshëm ndaj fatkeqësisë së tjetrit, sado e dhunshme, e frikshme, makabre të shfaqet ajo.
Këto mund të konsiderohen akuza të dhimbshme për rolin e medias në një shoqëri, por fatkeqësisht gjithnjë e më shumë po shohim se media shumë po publikon dhe transmeton dhe pak përzgjedh se çfarë duhet të publikojë dhe transmetojë. Falë zhvillimeve të teknologjisë, gjithçka që media zgjedh të transmetojë, pavarësisht sa e përshtatshme është, bëhet publike që në çastin që ndodh dhe përsëritet kaq shumë herë, në çdo media, në çdo orë të ditës. Imazhe të skenave të dhunës që sa po vijnë e po shtohen në ekrane apo faqet e gazetave vijnë përpara syve tanë dhe depërtojnë në veshët tanë. Vitet e fundit, statistikat e vrasjeve, vetëvrasjeve të raportuara janë të frikshme. Por, më e frikshme se kjo është tendenca për të publikuar çdo informacion që lidhet me këto ngjarje. Në më pak se 15 ditë, në media janë publikuar në mënyrë të detajuar 3 lajme makabre të dhunës në familje, të paraqitura si narracion letrar dhe të ofruara mijëra lexuesve dhe dëgjuesve, pasqyruar në televizion dhe duke u përsëritur në çdo edicion informativ, akoma deri edhe në mëngjesin e së nesërmes dhe duke vijuar në të gjitha gazetat e ditës që pasojnë. Ekspozimi i lartë i lajmeve që mbartin njëfarë emocionaliteti, të mban të ngërthyer brenda një stresi të pafund që të bën të ndihesh i shqetësuar rreth shoqërisë në të cilën jeton, por që në fund të fundit ti nuk ke mundësi të bësh shumë për ta ndryshuar atë. Kështu, përpiqesh të luftosh për të jetuar me problemin e tjetrit (të cilit nuk i shmangesh dot për sa kohë që media e ekspozon vazhdimisht apo për sa kohë që ajo përsëritet tjetërkund dhe ti sërish ekspozohesh në një tjetër histori të ngjashme). Dhe, si të ishte një ngjarje e shkëputur që thjesht e kujton si pjesë e një libri horror, historia në gazetë mbyllet aty. Prej këtij çasti nis lufta e individit, i cili në përpjekje për të eksternalizuar situatën, ose do të bojkotojë median, ose do t’i nënshtrohet një procesi biologjik që krijon një ndjenjë boshllëku dhe mungese sensibiliteti që reflektohet nga indiferentizmi dhe individualizmi i shoqërisë sot. Si pasojë e kësaj, njerëzit janë bërë homofobikë dhe janë tepër të rrallë ata njerëz që ndihmojnë kur shohin një rast nevoje në rrugë.
Por, sa nevojë ka publiku të ngarkohet me fatkeqësinë e tjetrit, aq më tepër kur kjo vjen dhe shfaqet si një copë informacioni pa mesazh? Media, nga njëra anë, mund të pretendojë të realizojë misionin e saj të informimit të publikut, porse më kryesore do të ishte konsiderimi i përcjelljes së informacionit në interes të publikut. Duke konsideruar këtë interes, media ka një pushtet të madh në ndërtimin e realitetit social, çka më tej influencon në konceptimin e botës nga njerëzit. Si rrjedhim, përdorimi i medias dhe përmbajtja e saj krijojnë një model mental që përforcon kultivimin e sjelljeve. Thënë ndryshe, ajo që njerëzit shikojnë dhe ajo që ata perceptojnë se shikojnë përsa i përket përmbajtjes, kontribuon në formimin e modeleve të sjelljes që tentojnë të imitohen. Kjo është njësoj e vlefshme për shfaqjet e dhunës që vijnë nga autoriteti, siç janë përplasjet politike mes partive apo pushteteve, të cilat, me shumë gjasa, mund të riprodhohen në jetën e përditshme. Ky modelim i sjelljes përforcohet së pari nga mbiekspozimi i informacionit violent në media, si dhe nga (mos)përcaktimi i përgjegjësive ndaj personave që ndërmarrin këto akte të dhunshme, çka krijon idenë e një fenomeni normal.
Kështu, është e frikshme dhe psikologjikisht e dhunshme të lexosh apo dëgjosh detajet e një vrasjeje për çështje të rëndomta; për imoralitet, për një vijë uji, për një fjalë goje apo për një shikim, shoqëruar ndonjëherë nga imazhe të papërshtatshme, duke i trajtuar historitë personale si lajme interesante për të rritur audiencën e medias, sesa për të adresuar problem sociale. Detajimi i procedurës së zhvillimit të vrasjeve është e ngjashme si të informosh dhe “edukosh” rreth mënyrës/modelit se si mund të vrasësh apo të vetëvritesh. Dhe duke e ripërsëritur lajmin në të gjitha mediat e mundshme: gazetë, radio, televizor, internet, në çdo orë të ditës, në mënyrë të pavetëdijshme i shtyn njerëzit, veçanërisht ata që kanë prirje kriminale, në veprime që ata nuk do të mund ta bënin nëse nuk do të perceptonin që kjo gjë është një ndodhi normale, që ndodh shpesh dhe që, për më tepër, nuk dënohesh. Ky është efekti i mediave, që këto të fundit duhet të kuptojnë; moria e informacionit të dhunshëm, mbiekspozimi i tij, mpin mendjen dhe nxit njerëzit të imitojnë.
Në kushtet kur njerëzit janë të ngarkuar me situata të pafavorshme ekonomike, me probleme shëndetësore dhe familjare, shoqëruar kjo me një nivel të ulët social, mbiekspozimi i dhunës në media thjesht si lajm dhe jo si problem e fenomen, vështirëson funksionimin e mekanizmave logjikë të analizës së lajmit. Pasqyrimi i dhunës si lajm mpin sensibilitetet dhe kontribuon në perceptimin e dhunës si pjesë e jetës, në atë masë sa njerëzit nuk do të shqetësohen, madje as do të reagojnë prej saj. Përkundrazi, dhuna e transmetuar do të ngjallë egzaltim deri në nivele të agresionit, i cili do të reflektohen në akte konkrete në çastin që atij do t’i jepet rasti. Për më tepër, kur fenomeni nuk trajtohet dhe as ndëshkohet, kjo do të formësojë ndërgjegjen e publikut dhe do të ndërtojë shoqëri të dhunshme. Kjo gjë është evidente në Shqipëri, ku jeta duket të jetë e pavlerë për arsye banale.
Dhe nëse do të kishte ndonjë fajtor për këtë, edhe media duhet të marrë përgjegjësitë e veta (ka edhe faktorë të tjerë, që nuk janë bërë pjesë e kësaj analize). Nga ana tjetër, nëse do të jetë dikush që mund të kontribuojë më fuqishëm për të ndryshuar shoqërinë dhe perceptimin e individëve për shoqërinë, ajo sërish mund të jetë media. Media mund të kontribuojë në mënyrën se si çështjet sociale mund të perceptohen nga shoqëria, duke ndryshuar qasjen ndaj lajmit dhe duke vlerësuar ndikimin e tij në shoqëri. Ndërkohë, komercializimi i medias dhe tendenca e saj për të tërhequr klientë më shumë sesa audiencë, e detyron këtë të fundit të ofrojë atë lajm që ngjall interes dhe shet, pra tërheq audiencë (klientë – në terma tregtarë), çka e ka bërë media si organizatë të tejkalojë rolin edukativ të saj duke mpirë sensibilitetet e saj ndaj detyrave që ka ndaj shoqërisë.

Botuar në gazetën “Panorama”, date 30 tetor 2012

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend