White: Raportimi i zgjedhjeve – test për gazetarinë

9 Gusht , 2013 • Gazetaria e Medias • by

Drejtori i “Rrjetit të Gazetarisë Etike”, Aidan White, thekson në një intervistë ekskluzive për “Gazetën Shqiptare” se zgjedhjet janë testi më i madh për etikën gazetareske dhe se në kohë zgjedhjesh, qytetarët kanë nevojë për gazetari të mirë me qëllim që ata të informohen saktë.
“Raportimi i zgjedhjeve nuk është aktiviteti i radhës në kalendarin e medias; ai është momenti i së vërtetës për gazetarinë dhe ne duhet të bëjmë gjithshka që mundemi për ta bërë atë mirë”, – thotë White.
Irlandezi 62-vjeçar, i cili ka punuar më parë edhe për “The Guardian” dhe që njihet si një luftëtar në mbrojtje të të drejtave të gazetarëve, prej shumë kohësh mendon se zgjedhjet janë testi më i fortë i ngjyrave të vërteta etike.
“Gazetarët duhet të mbrojnë veten e tyre, me qëllim që të mos manipulohen për propagandë politike. Dhe mbi të gjitha, ata duhet t’u shmangen komprometimeve me anë të dhuratave apo ryshfeteve. Gazetarët dhe Media duhet të sigurohen që ata nuk janë të përfshirë në konflikte interesash të papranueshme. Nëse na ofrohet ndonjë formë përfitimi personal, ne duhet ta deklarojmë atë; kjo është e vetmja mënyrë që gazetaria të qëndrojë e ndershme”, – thotë gazetari. 
Sipas tij, kur informacioni vjen i saktë në veshin e njerëzve, “cilësia e procesit zgjedhor përmirësohet dhe demokracia bëhet më e fortë.”
– Siç mund ta dini, zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri mbahen më 23 qershor 2013. Si e shikoni binomin etikë-raportim zgjedhjesh?
Zgjedhjet përfaqësojnë testin më të madh të gazetarisë etike. Kjo është koha kur propaganda politike dhe menaxhimi i së vërtetës në mënyrë mashtruese janë kërcënimet më të mëdha të raportimit të ndershëm. Gazetarët duhet t’u qëndrojnë shumë besnikë parimeve të tyre bazë: të thonë të vërtetën; të jenë të pavarur dhe të paanshëm, si dhe të tregojnë humanizëm në mënyrën e raportimit.
Qytetarët kanë nevojë për gazetari të mirë në kohë zgjedhjesh, sepse ajo është e vetmja mënyrë që ata të marrin informacionin që iu nevojitet për të marrë vendimet e duhura përkatëse. Dhe, nuk ka vendim më të rëndësishëm për t’u marrë sesa ai i zgjedhjes së qeverisë.
– Kur fillojnë të bien kambanat e alarmit kur vjen puna tek etika në kohë zgjedhjesh?
Gazetarët duhet të jenë vigjilentë kundër komenteve keqdashëse; pretendimeve politike tendencioze, fyerjeve të panevojshme dhe korrupsionit.
Kambanat e alarmit duhet të bien sa herë që një politikan bën premtime të bujshme. Kush janë faktet? Kush do të fitojë më shumë nga ky premtim? Nga vijnë paratë? Gazetarët kanë nevojë të testojnë çdo deklaratë e të mbrojnë veten e tyre, me qëllim që të mos manipulohen për propagandë politike.
Dhe mbi të gjitha, ata duhet t’u shmangen komprometimeve me anë të dhuratave apo ryshfeteve. Gazetarët dhe Media duhet të sigurohen që ata nuk janë të përfshirë në konflikte interesash të papranueshme. Nëse na ofrohet ndonjë formë përfitimi personal, ne duhet ta deklarojmë atë; kjo është e vetmja mënyrë që gazetaria të qëndrojë e ndershme.
– Sipas jush, kush janë disa nga teknikat më objektive të raportimit dhe cili është stili mediatik që duhet aplikuar kur kemi të bëjmë me mbulim zgjedhjesh?
Pikë së pari, mos merrni anë. Shmangni anësitë dhe sigurohuni se, kushdo që kritikohet rëndë ka një mundësi për t’u përgjigjur.
Së dyti, i përfshini të gjithë. Zëri i pakicës dhe i komuniteteve duhet të ketë të drejtën e fjalës gjithashtu. Zgjedhje nuk do të thotë të raportosh vetëm për figurat e mëdha politike.
Së treti, korrigjoni gabimet tuaja. Do të ketë shumë gabime, gjithmonë do të ketë në periudha të vrullshme zgjedhjesh; pra sigurohuni që, sapo të identifikohet një gabim, ta korrigjoni sa më shpejt. Të thuash “më fal”, nuk është shenjë dobësie. Për gazetarët, ajo është shenjë profesionalizmi dhe përgjegjësie.
Së katërti, shmangni të gjitha format e shprehjeve që nxisin urrejtje. Zgjedhjet përfaqësojnë një kohë kur politikanë të paskrupullt përpiqen të nxisin urrejtje kundër komuniteteve minoritare dhe armiqve të tyre politikë.
Media nuk duhet të raportojë asgjë që mund të nxisë dhunë apo urrejtje. Pikërisht sepse është deklaruar nga një kandidat politik pompoz, nuk do të thotë që duhet të raportohet pa ndonjë kontekst të caktuar. Nuk është puna e medias të ruajë qetësinë, kemi policinë për këtë. Por gazetarët duhet të bëjnë gjithçka që të shmangin kushtet për krijim dhune e urrejtjeje.
– Disa parti politike i pajisin disa stacione televizive me kaseta të gatshme ku pasqyrohet aktiviteti i partive të caktuara. Sa etike është kjo?
Nuk është një kërcënim i madh për etikën tonë nëse ne e bëjmë të qartë se filmimi është përgatitur nga grupe politike të interesit dhe jo nga gazetarë. Gjëja kryesore është të informohen shikuesit për këtë; nëse materiali i shfaqur është përgatitur nga një parti, ne duhet ta deklarojmë këtë në transmetim. Kthehet komplet në joetike në momentin që media përpiqet ta fshehë këtë të vërtetë.
– Duke marrë parasysh median sociale në zhvillim dhe progresin teknologjik, kush janë sfidat kryesore që hasin sot gazetarët në raportimet e zgjedhjeve?
Sfida kryesore me median sociale që shkakton zhurmë anekënd është të sigurohesh se ne botojmë dhe transmetojmë informacion të cilin ne e kemi verifikuar dhe që ne e dimë se është i vërtetë. Gazetaria nuk ka të bëjë me shpërndarje gënjeshtrash, zërash a spekulimesh – kjo është ajo që ndodh me rrjetet sociale. Është detyra jonë të verifikojmë faktet dhe të sigurohemi që po përpiqemi t’u tregojmë njerëzve lidhur me çka po ndodh në një kontekst etik të përshtatshëm. Kur e bëjmë një gjë të tillë, lexuesit dhe shikuesit do të na besojnë.
– A mendoni se zgjedhjet, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet aspirante për të hyrë në BE, janë një test tregues i ngjyrave të vërteta etike?
Absolutisht. Media dhe gazetarët kanë nevojë ta testojnë vetveten në kohë zgjedhjesh. Ne duhet të monitorojmë punën tonë. Shqyrtoni çfarë është mirë dhe çfarë është keq. Sigurohuni se po raportoni me përpikmëri dhe brenda një konteksti.
Kur njerëzit dëgjojnë një media dhe një informacion tek të cilët ata besojnë, cilësia e procesit zgjedhor përmirësohet dhe demokracia bëhet më e fortë. Raportimi i zgjedhjeve nuk është aktiviteti i radhës në kalendarin e medias; ai është momenti i së vërtetës për gazetarinë dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë atë mirë.
– Kush është rekomandimi juaj për gazetarët shqiptarë që do të gjenden më 23 qershor në vijën e parë të raportimit të zgjedhjeve?
Thjesht, përmbajuni etikës dhe tregoni solidaritet me kolegët tuaj.
Në kohë zgjedhjesh, gazetarët mund të ndahen ashtu si komuniteti politik.
Ne duhet të sigurohemi që të sillemi si një komunitet i vetëm në mbrojtje të vlerave tona profesionale. Patjetër që ne mund të përfaqësojmë media me tradita të ndryshme politike, por ne të gjithë ndajmë të njëjtët objektiva profesionalë, dhe nëse një gazetar a organizatë mediatike bëhet qendër sulmesh për shkak se u përmbahet parimeve të etikës, ne duhet të bashkojmë forcat tona në mbrojtje të tyre.
Solidariteti profesional është ai që e bën gazetarinë të fortë dhe ne duhet të punojmë së bashku për ta kultivuar këtë ndjenjë, sidomos në kohë zgjedhjesh.

Botuar në Gazeta Shqiptare, datë 16 qershor 2013

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend