Adi Krasta: Nuk jam entuziast për TV në Shqipëri

29 Nëntor , 2011 • Gazetaria e Medias • by

Intervistë e moderatorit dhe gazetarit të njohur të TV, Adi Krasta për revistën AKT, Nr. 7. Në këtë intervistë Krasta flet për gjendjen dhe problemet aktuale të gazetarisë televizive në Shqipëri e më gjerë.

Adi Krasta, prezantues i njohur televiziv dhe gazetar i vjetër, në këtë intervistë, të dhënë me rastin e marrjes së çmimit AKT për njeriun televiziv të vitit, flet ndër të tjera për gazetarinë televizive në Shqipëri dhe sfidat e saj. Intervista jepet më poshtë e shkurtuar me lejen e autorit.

Tanimë, çdo stacion televiziv ka një figurë qendrore të vetin. Si e gjeni veten në këtë komunitet?

Është një komunitet i vështirë. Bëhemi spitullaqë dhe sistematikisht përkëdhelemi duke ia bërë me sy egos tonë. Nuk njoh ndonjë eksponent të këtij komuniteti jo të madh që të mendojë e sidomos të pranojë se vjen i dyti apo i pesti në radhën e vlerësimit popullor apo edhe të kritikës. Është një konfiguracion njerëzish që mezi i flasim njëri-tjetrit, nuk mungon ndonjë ngërdheshje në ambiente publike, pastaj përsëri izolimi në kullën e fildishtë të vetëbesimit dhe ambicies së sëmurë. Ka ndonjë emër që realisht e vlerësoj, por është një, e shumta dy. Të rrallë.

Çfarë mendoni për njeriun televiziv në Shqipëri?

Një teknologji haluçinante gëlon brenda njeriut të vogël, të një populli të vogël. Edhe ne sillemi sikur jemi Vipa të mëdhenj edhe audienca sillet sikur është audience e madhe e një vendi të madh. Në jetën e zakonshme nuk jam entuziast për televizionin në Shqipëri. Si konsumator më duket i dobët, jo profesional, nën nivelin mesatar kulturor të vendit, drejtuar më së shumti nga pronarë pothuaj injorantë dhe që në mënyrë fare të paturpshme, “merr në mbrojtje” publikun me shije të papërpunuar. TV në Shqipëri nuk ka qenë bashkues i shqiptarëve dhe është i paaftë të përpunojë platforma kombëtare.

Thuhet se ju jeni një nga njerëzit më me ndikim në vend nga pikëpamja e komunikimit. Çfarë ka në qendër të kësaj fuqie, nëse kjo ekziston?

Në këtë vend ka momente kur nuk ka ndikim as edhe një nga mendimtarët më të shndritshëm të 50 vjetëve të fundit, Ismail Kadare. Kjo sepse polarizimi i popullsisë nuk e lejon konvergimin në pika interesante e me energji pozitive zhvilluese. Natyrisht që nuk më duket se jam një njeri me ndikim. Kjo është relative besoj, për shkak të pranisë në programe televizive. Sidoqoftë, kjo nuk më ka penguar të them atë që mendoj. Të mendoj përpara se të flas dhe të jem shumë i kujdesshëm për të mos keqpërdorur industrinë për dalldi dhe interesa personale. Nuk jam shumë i bindur nëse kjo ka një vlerë realisht dhe nëse ka publiku ndonjë mekanizëm fin për të bërë analiza në raport me qëndrimin profesional-qëllim-mirë dhe qëndrimit jo profesional-qëllim-keq. Zhurma, zëri i lartë, shpesh dialekti i rëndë, paturpësia që shitet si sens humori dhe njerëzillëku që shitet si qasje e drejtpërdrejtë e ka shuar vijën ndarëse dhe të bën shpesh të ngatërrohesh.

Ka një shprehje nga një mogul i një TV shqiptar: “Manastiri të qëndrojë, murgjit shkojnë e vijnë”. I referohet logos së TV dhe figurave të tij. Ndonjë koment për këtë?

Duhet të ketë qenë një pronar televizioni dhe madje në fillimet e tij. Jo nuk jam dakord me këtë. Manastiri bëhet bosh, i zymtë dhe i trishtë pa murgjit që i japin jetë me sakrificat, lutjet dhe këmbënguljen e dashurinë e tyre për tempullin. Kam pasur një përballje një herë me pronarët e një stacioni dhe kur më thanë me inat se ai ishte televizioni i tyre ju përgjigja: Jo zotërinj, ky është televizioni im sepse aty punoj unë (dhe ndoshta ju jo) dhe aty unë rris fëmijët e mi. Murgjit e mbajnë manastirin. E mbajnë sakrificat, dashuria, këmbëngulja, pasioni.

Çfarë nuk shkon me program-bërjen në Shqipëri?

Një pjesë e mirë e programeve janë dukshëm të varfër financiarisht. Nuk kalojnë sitën e vlerësimit paraprak. Nuk praktikojnë regjistrimet pilot dhe vlerësimin e kritikës. Programet në Shqipëri janë të rrëmujshëm, pa shije të kolauduara dhe me vendime pothuaj diktatoriale personale të atyre që japin apo gjejnë financimin.

Po për program-bërësit çfarë mund të thuhet?

Nuk jemi të kulturuar. Nuk dëgjojmë shumë. Na pëlqen mendja jonë. Nuk flasim me pasion dhe gjatë. Jemi të kërcënuar nga axhenda kohore të lidhura me marketingun. Jemi të bindur se e duam televizionin më shumë se kolegët dhe se të tjerët bëjnë më shumë dëme sesa sjellin vlera. është marrëdhënia e gabuar. Pra, është marrëdhënia njerëzore ajo që shpesh kushtëzon atë profesionale.

Ju qëllon të lexoni komente armiqësore ndaj jush në rrjete sociale?

Kam lexuar rrallë. Ka diçka që nuk shkon me identitetin e këtyre sulmeve që më së shumti i konsideroj të ulëta. Janë të paprincipta aq sa janë pa emër ose me emra të shpikur… Unë ju them hapur se i respektoj si shikues, por i neglizhoj si “specialistë” të një zejeje, të cilën nuk e njohin dhe me shumë gjasë nuk do e njohin kurrë.

A mund të flitet për një “Shkollë Shqiptare të TV”?

Tani që Ballkani ka televizione të zbehta, të paafta edhe për të kopjuar, mund të flitet për një shkollë shqiptare të televizionit. Ajo është agresive, me dëshirë për t’u bërë e kuptueshme dhe e krahasueshme, një shkollë jo shumë aristokratike dhe të tilla në botë ka disa, por një shkollë e re në moshë dhe ambicioze brenda territoreve shqipfolëse. Top Channel, ia ka arritur të shihet si televizioni i gjithë shqiptarëve kudo që janë. Shumë ndoshta e shohin si defekt politikën editoriale kritikuese të qeverisë. Unë e kam parë gjithnjë si favor të institucionit ose individit. Qetësohen ujërat sapo ndodh një rotacion politik. Dhe jeta vazhdon.

Botuar tek revista “Akt”, nr.2, 2011

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend