Çfarë fshehin mediat lidhur me zjarret?

3 Shtator , 2012 • Profesionalizmi në media • by

Lidhur me zjarret që kanë përfshirë disa sipërfaqe të rëndësishme pyjore dhe të gjelbra, mediat kanë raportuar këto ditë vazhdimisht, dhe shpesh me një ndjenjë alarmi dhe shqetësimi qytetar të kuptueshëm. Megjithatë, duke parë me vëmendje raportimet e mediave bie në sy se ato nuk janë në nivelin e duhur profesional.

Thelbi i gazetarisë informative sot nuk është thjesht përmbajtja e lajmit. Sot informacionin mund të ta japë me telefonin e vet celular edhe një bari apo edhe një fëmijë që kalon aty pari dhe i gjendet një i tillë rastësisht në duar. Vlera e shtuar e profesionit të gazetarisë po bëhet gjithmonë e më shumë jo pyetja “Çfarë ndodhi?”, por “Përse ndodhi?”. Pra, kërkohen analiza live njëkohësisht me informacionin që jepet, përndryshe publiku mbetet i painformuar si duhet.

Nuk ka askush të drejtë të mendojë se media i fsheh me qëllim këto analiza. Por së paku nuk mund të mos pranohet se informacioni është global, flitet për pemë të djegura në malin e Dajtit, në Sarandë, në zonat veriore gjithashtu, etj.

Ndokush mund të pyesë: Po për çfarë të informojë tjetër? Pikërisht këtu duhen ato detajet që mungojnë, sepse siç thotë një shprehje e vjetër, “djalli fshihet te detajet”.

Së pari, publiku ka nevojë të dijë se të cilëve pronarë janë këto pyje, sipërfaqe të gjelbra dhe kullota që digjen? Eshtë një element informacioni për t’u ditur – “kush?” – pra, kush është pronari i tyre? Kemi të bëjmë me lajmin më bazik që nuk mund të evitohet. Pra, është pronare një familje e caktuar, një person privat? Janë pyje që kanë mbetur pronë publike? Apo i takojnë atyre hapësirave që dikur i përkisnin gjithë komunitetit, për shembull të gjithë fshatit? Duket sikur është një mall pa zot, ndërkohë që në një shoqëri të mbështetur mbi ligjin dhe pronën, duhet të dimë se cilët janë pronarët e tyre? Një mall pa zot, sikurisht në mos e merr flaka, e rrëmben lumi.

Së dyti, nuk dimë me hollësi, nëse këta pronarë jetojnë afër pronës së tyre, apo nuk kanë asnjë lidhje me të. Po ashtu nuk dimë se në sipërfaqen e kujt komunave konkretisht kanë ndodhur djegiet.

Përse duhet kjo e dhënë? Sigurisht që duhet sepse e bën lajmin konkret dhe të detajuar. Publiku ka nevojë të dijë nëse prona është komunale, shtetërore apo private, nëse janë të mbrojtura kufijtë e saj apo jo, sikurse njerëzit në qytete vënë kufijtë për të mbrojtur dhe përcaktuar territoret e shtëpive dhe oborreve, kur i kanë. Kufizime, gardhe, roja, mirëmbajtje që janë të imponuara kur është fjala për këto prona dhe pasuri kaq me vlerë.

Mbi të gjitha kush i kryen shërbimet e mirëmbajtjes në këto hapësira të rëndësishme, të cilat duhet të jenë të detyrueshme? Ne kërkojmë që të bëhet kontrolli teknik edhe i një automobili të thjeshtë sepse mund të shkaktojë dëme publike, dhe jo më kur është fjala për pyje të tëra, djegia e të cilave jo vetëm bën shkrumb e hi sipërfaqe të tëra, çon për dreq pasuri të tëra kombëtare, por edhe rrezikon jetë njerëzish.

Së treti, publiku ka nevojë të dijë nga informacioni që japin mediat masive nëse këto të mira materiale kanë qenë apo jo të numëruara? Sa pemë ka një pyll? Cili është lloji i drurëve dhe i shkurreve, si edhe sa është vlera monetare e pemëve që ndodhen atje, të atyre që nuk janë djegur dhe të atyre që tashmë nuk i’u ka mbetur tjetër veçse hiri?

Edhe kur kanë ndodhur më përpara raste të tilla, mediat nuk kanë informuar sesa është demi i shkaktuar drejtpërdrejt si lëndë drusore e çuar dëm, por edhe dëmi për peizazhin, mikromjedisin dhe ekosistemin lokal. Jemi në një shoqëri të përgjegjësisë dhe duhet ditur se këto humbje monetare, vihen në ngarkim të dikujt nëse ai nuk ka zbatuar rregullat e mirëmbajtjes apo të sigurisë së këtyre pasurive.

A ka një inventarizim të pasurive drusore te ne, a bëhet ai vit për vit? Si është e mundur që nga media nuk jepen të dhëna të tilla që kanë të bëjnë me nikoqirllëkun e inventarizimit të asaj që zotërojmë si shoqëri në kuptimin e masës së gjelbër?

Së katërti, publiku ka nevojë të dijë nëse janë të siguruara këto pasuri? Nuk është një çështje parapëlqimesh sigurimi pranë kompanive përkatëse e vlerës së këtyre pasurive, sikurse nuk është në dorën e pronarit të sigurojë ose jo autoveturën e tij. Ka ligje që duhet t’i detyrojnë pronarët ta bëjnë këtë gjë. Sepse nëse nuk duan ta bëjnë për veten e tyre, janë të detyruar t’a bëjnë për shkak se mund të rrezikojnë të tretët dhe në këtë plan, sigurimi i dëmeve ndaj të tretëve është një detyrë qytetare. Nuk mund të mos thuhet gjithashtu se në këtë rast do të ishin kompanitë e sigurimeve që do të ushtronin presion që të respektoheshin rregullat e ruajtjeve të pyjeve sikur është e natyrshme ndaj të siguruarve.

Së pesti, media ka nevojë të mos rrijë në pohime të përgjithshme, por të informojë se cilat aktivitete ekonomike kryheshin në pyjet që janë dëmtuar tashmë apo rrezikohen nga flakët: prodhim lënde drusore, kullota, peisazhe, pyje në mirëmbajtje, a çfarë tjetër? Në këtë mënyrë publiku do të kuptonte nëse ato pyje ishin përfshirë në veprimtari legale ekonomike apo kanë qenë jashtë tregut dhe jashtë aktiviteteve profesionale të komuniteteve apo të bizneseve private.

Kam përshtypjen se një pjesë e këtyre zonave kanë mbetur jashtë vëmendjes, pikërisht se pas tyre nuk ka interesa legale ekonomike, pra nuk janë objekte legale për aktivitete fitimprurëse. Përse të mos ketë mekanizma shoqëria që këto zona t’i japë me qira, apo t’i kthejë në zona industriale, apo shërbimesh blegtorale duke ndërtuar politika dhe strategji të zhvillimit rural? Mekanizmat e këtij integrimi ekonomik do të ishin të ndryshme, por gjithsesi jo vetëm do të hapnin vende pune, por edhe do të lidhnin njerëzit me natyrën duke i bërë ata mbrojtës të pasurive kombëtare, pra edhe të pyjeve.

Këto elemente informative nuk po gërmohen nga mediat ndonëse është detyra e tyre për ta informuar në hollësi dhe në detaje publikun.

Unë nuk jam nga ata që ta lejoja veten të pohoj kaq lehtësisht se kjo mungesë infomacioni është e qëllimshme. Nuk jam aspak në gjendje ta provoj apo ta çoj mendjen drejt kësaj piste pa pasur nje arsye të fortë. Për mendimin tim duhet filluar nga më e thjeshta. Mjetet e medias për të bërë mbulimin e informacionit duke shkuar në afërsi dhe trajtuar çështjen lokalisht dhe afatgjatë mungojnë. Kërkohen ndërkohë investigime të hollësishme, përndryshe lajmet bëhen globale.

Këtu nuk është puna thjesht te informimi i publikut. Kjo është njëra anë. Puna është se në këto detaje flenë edhe arsyet e vërteta të zjarreve që ndizen dhe bëjnë pyjet tona të digjen si qiriri. Një pjesë e tyre kanë mbetur pa zot, pjesa tjetër ka dalë jashtë qarkullimit ekonomik efikas dhe real, po kështu nuk respektohen të gjitha detyrimet që vijnë nga një pronësi, e mbi të gjitha mungojnë forcat njerëzore që bëjnë mirëmbajtjen e tyre. Territorin e vendit e survejojnë në radhë të parë qytetarët e tij.

 

Ky shkrim është postuar nga autori në faqen e tij në Facebook që gjendet në adresën http://www.facebook.com/pages/Artan-Fuga/27892188595. Më poshtë po botojmë disa nga komentet e lexuesve për këtë shkrim, të botuara në këtë faqe:

 

  • Florian Dedja Jo cka shihet e thuhet esht e vertet , e vertet esht ajo qe shihet dhe thuhet pa subjektivitet ,kte mund te na e vertetoj vetem Pamja e syrit ton live ne vendin e ngjarje, goxha ndryshe nga lajmi
  • Leonard Ramaj Titulli nuk me pelqen,duket sikur kemi te bejme me conspiracy theory,dhe jo me djegjen e Shqiperise.

 

  • Cen Hasani Perjashtuar ato media qe megjithese vatrat e zjarrit shtohen ato thone jane vene nen kontroll, kemi edhe media qe kete problem e perdorin per te mbushur hapesiren e emisionit te lajmeve. Dmth pikat kryesore te ketij problemi nuk shtrohen fare. Publiku merr nje informacion per nje zjarr te ri dhe e selekton ate tek informacionet “varja”. Nese nje ekolog do na fliste per gjitha demet qe shkaktohen nga djegia e pyjeve, dhe nje ekonomist te na tregonte humbjet ne ekonomi, megjithemend do na kapte paniku.

 

  • Emirjon Senja Nje vend qe ska ende nje nr te sakte votuesish apo makinash qe qarkullojne ne rruge, as qe mund te imagjinohet te dije nr e pishave,aheve apo bredhave ne male. Profesor, ju pershendes!

 

  • Hanging Around Profesor, shume po i kerkoni personelit te medias sone primitive. Kam vene re qe nje pjese e mire e reportereve ne terren ne pamundesi per te transmetuar informacion mundohen qe nje lajm vetem nje fjali ta tjerrin ne gjithe format e mundshme me idene se kush flet, informon. Ne cdo ndodhi, nese i perkushtohet nje gazetar i mire mund te nxjerr shume pyetje per te trajtuar, por media jone furnizon publikun vetem me lajme siperfaqesore. Si pasoje e mungeses se raportimeve te fakteve, rrethanave, e detajeve te nje ngjarje edhe analizat jane pergjithesuese dhe pa ndonje vlere reale per publikun. Megjithate kjo eshte nje nga mangesite me te vogla qe kane mediat tona sot, po te krahasosh me probleme, te propogandes se drejtuar, keqinformimit, fshehjes se vertetes, apo tregimi i nje te vertete te pjeseshme, manipulimit, qe behen qellimisht ne baze te politikave qe caktojne pronaret e tyre. Media, nga nje kollone e peste e demokracise gjithmone e me shume po kthehet ne nje arme e personave te caktuar qe ne mer te lirise se fjales po i shfrytezojne per interesat e tyre. Kam lexuar genjeshtra nga me te pabesueshmet nga gazetar te cilet fshihen mbas te shprehjes tashme bajate “nje burim konfidencial shume i besueshem” , Vihet re nje mungese totale e etikes, dhe nje arrogance deri ne nivelin e gazetareve qe shkelin rregullat e qarkullimit, dokumenti i vetem qe kane eshte nje etikete qe tregon se kujt media i perkasin, e nese ndonje polic ben gabim e i ndalon i kercenohen se do i bejne artikuj e do e filmojne. Me keq akoma eshte se ky problem fshihet e nuk behet prezent, si nje pakt i heshtur qe gazetaret kane bere me njeri tjetrin duke shmangur “luften brenda llojit”. Megjithate shpresoj se komunikimi me ane te rrjeteve online do tju zvogeloj mediave pushtetin si aktor te vetem te informimit te publikut..

 

  • Armand Bakalli Per mendimin tim jane disa faktore qe po shkrumbohen kodrat dhe malet e shqiperise…e para nga fshatare te zonave te ndryshme per kullotat e reja,te cilet mediat e demaskojne lehte,se nuk i cenoset interesi kurkujt nga pushtetaret..e dyta,nga njerez te pa vetedijshem per ate cka bejne,cigare,per te djegur ndonje dege,etj..e treta,ndoshta dhe nga vete sindikata e zjarrfikesve.qofsha i gabuar,per te thithur sa me shume fonde,dhe hapur vende pune,,,e katra per arsye politike,per te treguar qe shteti eshte i pafuqishem…dhe e pesta,vete politikanet qe ligji te lejoje lejet e ndertimit,duhet djegur ndonje cope pyll…kte te fundit mediat e kane te veshtire ta analizojne,

 

  • Mirjeta Rexha Profesor, ajo qe keni shkruajtur ju eshte nje paragraf leksioni qe mund ti jepet ne ndihme nje studenti qe po profilizohet per gazetari apo ndonje punonjesi. pavarsisht kritereve dhe 5 w qe duhet ti permbahet hartimi i nje lajmi nuk jane te mjaftueshme per nje pune te mire dhe te arrir. pavarsisht ketyre nje gazetar eshte i till ateher kur punen e tij e kryen me vullnet, deshire, pa sforcime dhe per me teper duhet te punoje me pasion. nese punon se thjesht e ka per detyre atehere asnjeher nuk i ka aftesite dhe intelegjencen e duhur te sjell nje te re me gjera te reja dhe jo thjesht te informoj publikun se cfar ka ndodhur, sepse ajo cfar po ndodh po e shikojme vete ne anash vatrave tona. une studjoj per gazetari dhe sh flm per leksionin profesor. shume respekte dhe nderime nga ana ime per ju profesor.

 

  • Reli KurtiKeto jane observime shume te rendesishme por per mendimin tim eshte gabim te thuhet “sot ne bote … Perse ndodhi ?”. sepse mendoj qe ne bote kjo ka qen prej shume vitesh. ne jemi me shume prapa ne kete aspekt.Nuk kam pasur kohe te ndek lajmet shqipe keto kohet e fundit, por nje nga problemet, ose shpifjet qe kam ndaj medias jane ediconet e lajmeve ku thuhet (pak a shume) “mire dita … sot ne nje konference per shtyp Berisha deklaroj qe jane ritur rogat … te ndjekim kroniken” kronika shjesht paraqet berishen qe ben te njejten deklarat, “… disa minuta pas, Z. edi rama tha qe nuk jane shtuar rogat te ndjekim kroniken”, tani rama thote qe berisha e ka gabim “… tani rreth sportit…”

    Mendoj qe nuk e egzagjirova fare. Aty nuk ka lajm. pasi ato deklarata jane normale per sa kohe kur media eshte e gatshme ti transmetoj pas as nje pikpyetje.

    Nderkohe keto probleme besoj qe nuk jane ndrequr sot ne bote, por bota e ka bere pyetje “Perse ndodhi ?” shume kohe me perpare

    … Dhe c’fare eshte me e neveritsheme, nese pyet, te thone qe media ne shqiperi ka perparuar shume me shume se aspektet e tjera ne shqiperi. Por ne te vertet, media jane si clubet. Klubet ne shqiperi (me sa ka degjuar) jane njesoj sic ishin para shume vitesh POR sot jane me te zbukuruar materialisht.

 

 

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend