A do të jenë mediat njëlloj me Ramën si me Berishën?

13 Gusht , 2013 • Profesionalizmi në media • by

Institucioni më i fuqishëm medial shqiptar, Top Channel duket të rrugëtojë mirë drejt imitimit të Klan-it të vitit 2005: njëri nga gazetarët e përkushtuar të këtij televizioni, që për nga forma e raportimit dhe gjuha profesionale ndoshta është më i miri i gjeneratës së tij, shndërrohet në figurë të triumfuesit medial dhe bashkë me Edi Ramën edhe të fituesit politik të zgjedhjeve të fundit. Gazetari quhet Muhamet Veliu dhe përfaqëson Top Channel-in.

Déjà-vu që paralajmëron një ngjarje tejet të njohur të vitit 2005?

Për ata që mund të kenë harruar dhe mund të pyesin: çfarë ngjashmërie ka ndërmjet vitit 2005 dhe këtij 2013? Përgjigjja: Fituesi i zgjedhjeve!

Në korrik të vitit 2005 bëra një vështrim të gjatë për mediat vizuale shqiptare ku shpalosa një shqetësim timin karshi televizionit ku jam duke punuar. Çka thash atëherë? Po citoj: “(…) Frika më e qëndrueshme për mua qëndron në faktin se televizioni “Klan” shumë lehtë mund të dehet nga fitorja e kësaj beteje dhe të rrëshqet atje ku gazetaria përfundon më së lehti – vazhdimi i mbajtjes së qëndrimit “pro” një procesi dhe një partie fituese edhe pas zgjedhjeve. Ky synim dhe gjuha e TV Klan do ta shndërronte këtë televizion nga një fitues momental në humbës të madh. Por kjo mbetet të shihet…”.

Dhe pasi të kem analizuar situatën e disa viteve pa modesti mund të them se atëherë kam konstatuar drejt.

Kjo tashti natyrshëm implikon pyetjen e radhës: Cila mund të ishte ngjashmëria ndërmjet dy gjigantëve medial “Klan” dhe “Top Channel” ose precizuar edhe më; ku qëndron Top Channel pas këtyre zgjedhjeve?

Top Channel dhe njeriu tani i këtij televizioni thuhej të ishte nga lloji i atyre menaxherëve që më së paku njihte zejen e gazetarisë, mirëpo që njihte shumë mirë se si funksionon burokracia, gjë që e shtynte të masë me milimetra fjalët e gazetarëve. Fuqia e tij menaxheriale kishte shkuar aq larg sa që me dijen e tij për teknologjinë mediale dhe për televizionin në veçanti “detyronte” gjithë gazetarët, dhe jo vetëm ata, të mendonin si ai. Të flasin si ai. Të argumentojnë si ai. Kur ishe në hapësirat e Topit, identiteti vokal ishte i njëjti. Dhe ndoshta nuk bënin keq që e kopjonin. Një dorë të mirë të kësaj kulture i kishte dhënë, natyrisht Bejtja me dijen e tij ekselente.

Por, fillimi i fitores së Ramës dhe PS ka vendosur një shkarje raportuese për njeriun që e përcjell në çdo hap Kryeministrin e ri. Në këtë drejtim krye personazhi i këtij shkrimi, Veliu, ka vendosur edhe kritere të reja të raportimit: adhurimin pa kusht të figurës së tij politike! Figurë të cilën pa asnjë hezitim e vendos në minutat e para të lajmeve. Pa e fshehur fare. Dhe kjo sipërfaqësi e gjoja takimit për takimin që ushtron Top Channel riprodhon deri në pambarim sugjerimin; të gjithë të kënaqur dhe rrjedhimisht të gjithë të lumtur!?

Fakt është se kjo gjoja gazetari, do të qëndronte e pavërejtur dhe nuk do të ishte fare shqetësuese sikur kjo sëmundje e kaluar të mos shpërndahej rrufeshëm si virus në të gjitha mendjet dhe lokalitetet e Top Channel. Po si në vitin 2005 në Klan. Këto modele përfaqësimi, raportimi dhe mbështetjeje kanë qenë apo thënë edhe më realisht dhe fatkeqësisht, janë bërë udhërrëfyes gjoja profesional, pra si kriter i bërjes së gazetarisë!

Në një shkrim të mëhershëm, në logjikën e kësaj që po shkruaj, e pata përmendur një përvojë timen të gazetarisë së keqe duke e marrë si shembull drejtorin e një televizioni ne Maqedoni, i cili mbi tryezën e ish-kryeredaktorit dhe drejtorit të televizionit publik të Maqedonisë kishte vendosur një flamur partiak. Akt që tregonte më së miri për nivelin e kontrollit politik në mediat elektronike të Ballkanit. Kur e pyeta atëherë mikun tim, pse ky flamur mbi tavolinë, përgjigja e tij ishte: “Partia më ka vendosur në këtë post!”. Aty atë e kishte emëruar partia PDSH e Arber Xhaferit.

Çka nuk kisha dashur ta shoh në Top Channel dhe në logjiken e qeverisjes së re të Kryeministrit të ri – është vendosja e dorës së pushtetit mbi gazetarinë e Top-it. Mund ta them lirisht, dhe t’i them edhe mikut tim Rama që të largohet nga logjika e dominimit të protokollit, në mos për tjetër atëherë sepse Top Channel si kanal televiziv është pasuri kombëtare. Dhe si televizion vlen me shume se sa qeverisja e një kryeministri në katër vitet e tij.

I bindur nga maksima e ish- ministrit evropian Laurent Wauquiez që thoshte se pa shtyp të lirë s’ka Evropë demokratike (1975) po të drejtohem si mik qe të rrish larg nga mediumet dhe mos provo të bësh profesionin e gazetarisë të padenjë, protokollar, duke e shndërruar postin e kryeministrit në bunker të “të vërtetave” protokollare. Shqipëria, edhe më shumë se Evropa e 1975, ka nevojë për vlera demokratike. Për shtyp të lirë.

Po shqetësohem më shumë se sa duhet? Jo, sepse ky koncept i prapambetur varësie më bën të mbetem skeptik, kjo mënyrë flirtimi siç shprehet tani në Top Chanbel e bën mëkatin e radhës, ka filluar të ndërtojë një aleancë të re, të dëmshme që pamundëson emancipimin e profesionit, me këtë edhe të fjalës së lirë. Krijimi i varësive të tilla nuk ka se si përfundon diku tjetër përveç se në atë konstatimin e politikanit gjerman Oskar Lafontaine që akuzoi mediat të jenë “prangat dhe të pranguarat moderne” të politikës, shoqërisë, lirisë dhe ekonomisë. Jam skeptik se edhe në vitin 2013 për arsye se edhe pas zgjedhjeve të vitit 2005 kisha menduar se ne si shoqëri do të mbrohemi nga presionet e titullarëve të niveleve të ndryshme, por jo. Kam menduar se do të largohemi nga kronikat e qilimave të kuq dhe protokolleve që s’thonë asgjë. Por assesi.

Prandaj zoti Rama duhet ta qartësojë raportin me mediat dhe me veten. Nëse është afër tyre, shumë afër tyre, përvoja më bind se: do digjet! Do të bëheni inflativ dhe jo i besueshëm. Butoni dhe teknika fascinante e kohës, që mundëson ndërrimin e programeve, na jep shumë mundësi për të shikuar civilizime dhe projektime të ndryshme mediale. Na jep pasqyrën për njeriun që udhëheq me një projekt dhe raportin që ndërton me një ide dhe projekt medial. Në këtë mënyre na jep mundësi që të gjykojmë ne dhe të na gjykojnë të tjerët si vend dhe si popull. I respektueshëm sot gjithandej është ai lider shpirtmadh dhe nuk pretendon të kontrolloj mediat por që qytetarët të gjykojnë vetë “mbi të vërtetat”.

Kryeministri i ri nuk do duhet në asnjë mënyrë të ndjekë po atë rrugë që e shtroi paraardhësi i tij. Berisha i mediave, kishte harruar se sa e populluar është, sot, hapësira mediale në Shqipëri. Dhe, Rama, sot, pas kësaj fitoreje politike nuk ka nevojë për shefa protokollesh. Nuk ka nevojë të krijojë atmosferën artificiale të rëndësisë së ngjarjes! Rama nuk duhet të jetë kryeministër që ndërhyn brutalisht për të treguar se çka është lajm dhe çka është qëndrim. Sidoqoftë, nga “Topi…” ka një pritje të madhe, profesionale dhe legjitime që mos të jetë televizion qe zhgënjen. Që i nënshtrohet miqësisë dhe rrëshqet  rëndë nga ideja e profesionit. Ndoshta edhe pse e kanë një shembull të gjallë parasysh vigjilohen: Veliu po jep filizat e përqafimit direkt, një shembull se si nuk duhet të vazhdojnë! Sepse kolegët e Top-it e dinë se politika nuk duhet të na mbysë profesionin. As dinjitetin. Duhet të besojmë se në këtë fushatë nervash, kompromisesh, luftash për konkurrencë, investimesh dhe dhimbjesh, njëra patjetër të shënojë fitore: Gazetaria e lirë.

Botuar në gazetën Tema datë 12 gusht 2013

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend