Webi dhe e drejta e autorit

4 Mars , 2015 • Mediat e Reja • by

Web-sitet që kanë bërë një emër, kanë një ndjekje të madhe të publikut, kanë një numër të lartë klikimesh dhe shikimesh, përbëjnë një të mirë publike për informacionin. Janë shtuar dhe nuk është aspak keq. Por kanë brenda tyre një të keqe të madhe edhe kur janë (mundohen) sigurisht serioze dhe etikisht në rregull. Pjesa e madhe dhe sidomos ajo e info-foto-video e lajmit ndërkombëtar, politikës, kulturës, blogjeve, opinioneve përvetësohet në mënyrën më të paedukatë dhe kundër së drejtës së autorit. Kur them edukatë, e kam fjalën për ato pamje dhe informacione që shoqërohen nga testatat e mëdha botërore me lirinë e infos. Kurse për të drejtën e autorit, kur shoqërohen me copyright-in e duhur. Sot, sit-et dhe web-et e rëndësishëm jo kryesisht të shoqërimit të gazetave, mbajnë veten me punën e të tjerëve dhe nuk ju thonë as “faleminderit”, as nuk i përmendin në editimin e punës së tyre. Është një mënyrë “vjedhacake” e autorësisë në mënyrë banale dhe të panevojshme. Dikush pastaj për më tepër, bën dhe gafën se si foton dhe shkrimin, e konsideron si të vetën, pikërisht si publikim të vetin. Etikisht dhe në të drejtën e autorit akoma e parespektuar te ne, të gjithë e dinë se minimumi duhet thënë nga vjen foto dhe info, apo dhe video, e të tjera editime të tilla. Kjo do të bënte që të “qetësohej” dhe nderohej në një farë mënyre edhe autori, por dhe testata që ka të drejtën autoriale. Për shembull po marr diçka banale, por që ishte tepër e bukur. Një nga websitet e mëdha tonat, që ka një audiencë të madhe dhe informacione të mëdha, kishte botuar disa foto të një qyteze të vogël në Japoni që banohej nga shumë mace dhe vetëm 20 njerëz. Ishin foto të jashtëzakonshme të pamjeve tipikisht profesionale dhe të autorësisë Rueters!

Unë sapo i kisha parë te web-i i “Corriere della Sera” ose testatës së madhe italiane. Ishin katër sit-e shqiptare që po i botonin pa ju thënë asgjë publikut dhe ai më i rëndësishmi, prej tyre, i trajtonte si diçka të tijat me një marrëzi edituese të një emri në kllapa si (da . xha ….web) dhe nuk po ja tregoj emrin për respekt të testatës shqiptare, që bën një punë të mirë, por që nuk ka edukatën të thotë se fotot vijnë nga: Corriere della Sera si editim i Reuters!? Kurse testata e madhe italiane e deklaronte. Por nuk ishin vetëm macet, ishin lajmet për ndodhitë në Rusi, për blogjet, për Irakun, për Italinë, për… shumë e shumë të tjera, dhe janë me mijra e mijra info që nuk ju tregohet autorësia e vërtetë. Duket sikur web-i shqiptar, ka reporterë dhe gazetarë në të gjithë botën, kur në fakt, ka disa persona që i marrin nga një testatë italiane dhe disa të tjera të huaja. U shqepën duke marrë nga sit-et italiane të testatave të mëdha. Mbase kjo vjen se shumica dinë italisht, nga ato të që merren me siti-in në fjalë. Editohen foto të jashtëzakonshme e nuk thonë se ku i kanë marrë, editohen video të jashtëzakonshme nuk i thuhet as “flm” atij që e ka pronë, biles ka akoma më keq, sepse dikush i merr fotot dhe ju vë dhe siglën e web-it sipër, pa qenë aspak një produkt dhe autorësi e tyre. Në fakt, është një turp në gazetari. Nganjëherë, nuk përkthejnë mirë, biles shpesh herë me gabime të mëdha, duke ndryshuar dhe të vërtetën ose lajmin në mënyrë tragjike. Ju besohet nganjëherë përkthimi ose njerëzve që nuk dinë mirë gjuhën, ose që nuk interpretojnë mirë lajmin dhe që janë “aut” në gazetari dhe etikë. Kjo është akoma më keq. Kam parë disa info në një sit të rëndësishëm që trajtonin dikur një problem të një takimi mes zonjës Merkel dhe Putinit dhe lajmi ishte transformuar në një mënyrë trashanike dhe të pa vërtetë, sa të vinte turp se si kishin mundur të silleshin ashtu me një info të një testate të madhe në botë. Dukej se ishte lajmi i tyre dhe nuk tregonin se nga vinte, për më tepër e kishin përkthyer me sa duket me google translate!?

A është ndonjë problem i madh ky i përdorimit pa autorësi dhe marrjes së autorësisë së infos dhe lajmit nga të tjerët? Sigurisht për një shoqëri, politikë, gazetari në shumë raste dhe model si i yni nuk është. Por për një shoqëri me rregulla loje, në demokraci të qartë dhe të pranuar në ligje është një e keqe e madhe. Kështu në këtë gjendje, askush nuk është askush dhe gjithkush mund të bëhet “sikushi”. Në këtë mënyrë, merren të drejtat e autorit jo thjesht nëpër këmbë, por i bëhet një atentat të vërtetës dhe të krijimit. Në shtyp sigurisht që ka më shumë se kudo, por kjo është një fushë shumë e madhe e lojës pa të drejtën e autorit që bëhet në mënyrë jo civile dhe urbane. Në fakt, në këtë rast, goditet lajmi dhe sidomos e vërteta. Nis lajmi me mashtrim dhe padyshim që kjo është një madhësi e jashtëzakonshme anti ligj. Nëse do të mund të thoja në ditën e sotme të maceve se sa pjesë e informacioneve ishin të tilla në web-in e madh shqiptar, më duhet të pranoj fatkeqësinë e mbi 60% të infove të cilat ishin nga jashtë, pa adresim të autorit dhe pa ju referuar të vërtetës.

Unë them se është shumë e kollajtë të jesh brenda etikës gazetareske, për të mos thënë me ligjin e autorësisë. Etika e kërkon të përmendësh emrin e autorit, dhe kështu në fund të fundit ke bërë një veprim që nuk të çon në turp. Sepse kështu sillen edhe me lajmet e njëri tjetrit në Shqipëri. E kjo është skandaloze, dhe sigurisht retro civilizuese. Së paku kini edukatën dhe tregoni se ku e keni marrë informacionin!

Botuar në gazetën “Sot”, datë 3 mars 2015. Titulli në origjinal: “Web-sitet dhe e drejta e autorit”.

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend