Videoja e televizionit dhe sfida e mobilitetit

2 Dhjetor , 2015 • Kryesoret, Mediat e Reja, Shkrimet më të fundit • by

Nga Rrapo Zguri.

Videoja e ofruar nga interneti, hyri në ekosistemin e medias dekada më vonë se sa videoja e televizionit. Por, siç zbulohet edhe nga kërkimet empirike dhe studimet në këtë fushë, videoja e internetit po fiton terren gjithnjë e më të madh në vitet e fundit. Në studimin e Pew Research Center, “State of the News Media 2014”, zbulohet se numri i amerikanëve që shohin video në internet ka arritur në 63 % të popullsisë, ose rreth 6 ndër 10 amerikanë. Ndërkohë 36 % shohin lajme në video në web, duke shënuar një depërtim të videos së internetit jo thjesht në tërësinë e videove në përgjithësi, por edhe në terrenin e news video.

Edhe më surprizuese janë të dhënat që lidhen me grupmoshat e reja. Nëntë nga dhjetë të rinj (pra 90 %) të moshës 18-29 vjeç shohin video online kurse 48 % shohin lajme online në video.  Rritja impresive dhe në terma rekord e shikueshmërisë së videove online në Vice News, median më të suksesshme në web aktualisht, sillet në studim si një dëshmi e pakontestueshme e suksesit që po korr aktualisht videoja e webit.

Edhe të dhënat që vijnë nga kërkimi empirik dhe studimet e kryera në Shqipëri, provojnë një rritje të numrit të përdoruesve që i aksesojnë lajmet nëpërmjet internetit, sidomos në radhën e grupmoshave të reja. Kështu, sipas një kërkimi të kryer në vitin 2014, rezulton se për grupmoshën 18-35 vjeç, zgjedhjet për kanalet e informimit janë përkatësisht: 67 % informohen përmes internetit, 30 % përmes televizionit, 1.6 % përmes shtypit të shkruar dhe 1.4 % përmes radios.  (Mema, Briseida, 2015:423).

Prirjet e reja reflektohen edhe në zgjedhjet e përdoruesve për pajisjet dixhitale që ata përdorin apo kanë aktualisht në zotërim. Anketimet e kryera flasin për një ndryshim të spektrit dhe të strukturës së pajisjeve elektronike në familjet shqiptare. Kështu, sipas anketës me audiencat të realizuar nga Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit në tetor 2015, televizori HD që suporton transmetimin e dixhitalizuar  është i pranishëm në 67.67 % të familjeve shqiptare. Por ndërkohë janë të pranishme në një masë të konsiderueshme edhe kompjuteri Laptop (46.33 %), kompjuteri desktop (33.33 %), celulari Smartphone (44.67 %), etj. Ajo që bie në sy është rritja e përdorimit të pajisjeve të teknologjisë së komunikimit të cilat mundësojnë lidhjen me internetin, përfshi këtu edhe gjeneratën më të fundit të Smart TV me akses në internet. Por impresionuese është sidomos rritja e tregut të pajisjeve mobile.

Përveç strukturës së tregut, ndryshime të rëndësishme kanë ndodhur edhe lidhur me kohën e shpenzuar nga përdoruesit në këto pajisje elektronike. Anketimi me audiencën i realizuar nga Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit zbulon se koha e konsumuar duke parë TV mbetet ende e lartë, krahasuar me kohën e konsumuar në disa prej pajisjeve të tjera elektronike, si laptopi, tabletet apo kompjuterat desktop. Por, për herë të parë në këtë histori dhjetëra-vjeçare të televizionit, ka dalë në skenë një medium që mund ta konkurojë në këtë pikë. Dhe ky medium është pikërisht celulari smartphone.

Siç rezulton edhe nga anketimi që përmendëm pak më sipër, përqindja e audiencës që konsumon më shumë se katër orë në ditë televizion arrin në 25.62 %, kurse përqindja e përdoruesve që konsumojnë në shumë se katër orë në ditë në celular shkon në 44.78 %. Arsyeja? Natyrisht janë shumë arsye, por diferencën më të madhe sipas meje e bën shkalla e lartë e mobilitetit të informacionit të ofruar nga Smartphone.

Një nga përparësitë e videos së internetit në krahasim me videon e televizionit është pikërisht shkalla e lartë e mobilitetit të saj. Ashtu si edhe për modalitetet e tjera të komunikimit, edhe për videon, kërkesa për ta patur atë me vete, kurdo dhe kudo që të ndodhesh, ka ardhur në rritje. Dhe videon kudo dhe kurdo mund ta ofrojnë vetëm pajisjet mobile. Në anketën me audiencat të realizuar nga Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit në tetor 2015, vijnë të dhëna edhe lidhur me preferencat e audiencës shqiptare për videon mobile në raport me videon statike.

Kështu, në përgjigjet e pyetjes “Cilat nga pajisjet e mëposhtme i përdorni për të parë video”?, vihet re se tre pajisjet mobile (përkatësisht, laptop, smartphone dhe tablet) janë shumë më të preferuara për të parë video se sa kompjuteri desktop që është një pajisje statike. Të dhënat flasin qartë: laptopi përdoret nga 45 % e të pyeturve për të parë video, celulari smartphone përdoret nga 36 % e tyre për të parë video, tabletet përdoren nga 10 % kurse kompjuterat desktop përdoren nga vetëm 7 përqind e të anketuarve.

Madje preferenca ndaj informacionit mobil nuk shfaqet vetëm në rastin e videos, por edhe kur bëhet fjalë për informimin dhe informacionin në tërësi. Këtë e tregojnë edhe të dhënat e kërkimi empirik, sipas të cilave, pjesa dërmuese e internautëve shqiptarë, rreth 65 % hyn në internet nëpërmjet telefonisë celulare dhe vetëm 35 % nëpërmjet PC desktop (Mema, Briseida, 2015:424).

Duke e kthyer fokusin sërish tek videoja, lind pyetja: Në këtë situatë ku prirja është drejt videos mobile, çdo të ndodhë me videon statike të televizorit, ku shkalla aktuale e mobilitetit është pranë zeros? Ç’mund të ofrojë dixhitalizimi për ta përballuar këtë sfidë?

Disa zhvillime teknologjike të kohëve të fundit, siç janë hedhja në treg e televizorëve të pajisur me sistem operimi Android, por edhe zhvillime të tjera, mund të krijojnë terrenin për një infrastrukturë mobiliteti më të madhe. Edhe huazimi prej internetit i responsive design, mund të ofrojë zgjidhje për përshtatjen e shfaqjes së përmbajtjes në  varësi të formës dhe madhësisë së ekranit të pajisjeve dixhitale të videos. Teknologjia padyshim do ta gjejë zgjidhjen. Por sfida më e madhe i takon operatorëve dhe stafit të mediave televizive, të cilët duhet të kenë vizionin e duhur si dhe të zotërojnë të gjitha aftësitë e kërkuara për t’iu përshtatur zhvillimeve të reja dhe për të prodhuar përmbajtje të përshtatshme për mobilitet.

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , ,

Send this to a friend