Rrjetet sociale, Berisha & Rama

2 Qershor , 2013 • Mediat e Reja • by

Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, ndoshta do të jenë më interesantet sa i takon zhvillimit të fushatave në Shqipëri. Një ndër më interesantet ka qenë hapja e një faqeje në  Facebook nga kryeministri Berisha. Berisha ka gjasa të bëhet shqiptari i vetëm që do arrijë shifrën e 1 milion pëlqyesve.

Fushata është shtrirë kështu edhe në rrjetet sociale, si një nga sferat dhe hapësirat e reja publike e cila mund të përdoret fare thjesht për të arritur rezultate. Duke bërë një analizë të thjeshtë, duket se Berisha është më ambicioz se Rama në rrjetet sociale. Në fakt pritej e kundërta. Faqja e Kryeministrit në Facebook, ka arritur një numër rekord prej 540 mijë pëlqyesish. Por ajo që është edhe më për t’u vënë re ka të bëjë me faktin se pëlqyesit janë aktivë. Në të dhënat e publikuara në Facebook, vetëm në një javë janë rreth 2.4 milionë shqiptarë që lexojnë aktivitetin e Berishës në Facebook. Ata shohin rregullisht postimet, bëjnë komente apo lënë ndonjë shenjë tjetër. Faqja zyrtare e kreut të opozitës ka një numër pëlqyesish që shkon në 340 mijë, edhe pse është hapur dy vjet më parë që për zgjedhjet lokale të 8 majit 2011. Për më tepër, më pak se 10 për qind e pëlqyesve janë aktivë në faqen e tij. Nga ana tjetër, Rama përdor Twitter, por ky rrjet social nuk është i larmishëm sa Facebook, e për më tepër shqiptarët janë më të afeksionuar me këtë të fundit.

Këto të dhëna tregojnë një paradoks në fakt. Nëse sheh në vende të tjera, opozitarët janë më aktivë në rrjetet sociale dhe kjo është e kuptueshme. Të qenit aktiv nënkupton edhe energjinë dhe vullnetin në projektin politik apo në kauzën që përfaqëson. Në këtë pikë, përmbajtja e materialeve në rrjetet sociale është thelbësore. Berisha krijon tjetër frymë nga Rama.

Duke qëndruar te rëndësia e rrjeteve sociale, ato mund të përdoren fare mirë për të mbajtur të karikuar mbështetësit. Studime të fundit tregojnë se deklaratat e politikanëve në faqet e tyre në rrjetet sociale japin, shpeshherë, më tepër impakt se deklaratat për shtyp. Në rastin e Shqipërisë, në fakt ka shumë vend për të vepruar e për të përfituar. Është e vërtetë që Facebook nuk të garanton fitoren, por sërish është një pasqyrim real i aktivitetit të një lideri apo një kauze. E nëse atë e humbet në rrjetet sociale, mund të jetë tepër e vështirë për ta fituar me mjete të tjera të komunikimit. Duhet kuptuar që rrjetet sociale pasqyrojnë feedback-un e gjithë aktivitetit të gjerë të një personazhi. Suksesi në Facebook është drejtpërdrejt i lidhur me suksesin në aktivitetin e përditshëm.

Një rast tepër i suksesshëm ishte faqja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Basha, e cila në njëfarë mënyre u bë lajtmotiv i fushatës së tij. Ai kërkoi votën e të rinjve, që prej kohësh konsideroheshin si mbështetësit kryesorë të kreut të opozitës, dhe ia arriti. A ndikoi Facebook-u në fushatën e Bashës? Nëse shikon të dhënat e votuesve në zgjedhjet e 8 majit dhe numrin total të votave të Bashës, atëherë vetëkuptohet. Por nga ana tjetër, mbështetësit e Bashës në Facebook ishin 2 herë më të shumtë se të Ramës, duke paralajmëruar për fitoren e tij.

Në rastin e zgjedhjeve të 23 qershorit, duket se Berisha është më aktiv me fushatën e tij. Me postimet e para në Facebook janë të rinjtë ata që janë më aktivë në faqen zyrtare të Kryeministrit. Nëse vijon me këtë ritëm, gjasat janë që ai mund të joshë të rinjtë që të votojnë për të ditën e zgjedhjeve.

E kundërta duket se ndodh me liderin e opozitës, i cili në faqen zyrtare në Facebook, është më i tërhequr krahasuar me Kryeministrin. Një gjë është e sigurt: në zgjedhjet e 23 qershorit, rrjetet sociale do luajnë për herë të parë një rol domethënës në politikën dhe zgjedhjet shqiptare.

*Autori është student i Komunikimit dhe i Teknologjisë në Universitetin Westminster në Londër.

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend