Protesta për lëndët kimike dhe revolucioni i mediave sociale

8 Janar , 2014 • Mediat e Reja • by

Revolucion i ngjizur në mediat sociale! Kështu u pagëzuan protestat disa ditore kundër importit të mbetjeve kimike në Shqipëri javën e shkuar, që nisën në kryeqytet dhe që me një efekt domino nëpërmjet rrjeteve sociale, u përhapën pothuajse në të gjithë qytetet e vendit dhe jo vetëm. Bilancet e humbjeve dhe fitoreve të bëra pas protestës, herë e quajtën këtë si një epokë të re për demokracinë, e herë si histeri kolektive. Megjithatë shumëkush nxori disa leksione, politika, faktori ndërkombëtar, shoqëria civile, rinia dhe padyshim media.

Për mediat klasike në Shqipëri, kjo protestë qe një shuplakë më shumë për të treguar se skemat klasike të komunikimit janë thërrmuar, se ato nuk janë më në qëndër trafikut të mesazheve dhe mbi te githa se ato nuk kanë më monopolin e krijimit të kohezionit social. Specialistë të komunikimit gjejnë dakortësinë në faktin se kjo është epoka ku mundësitë për të shpërndarë mesazhe janë më të mëdha se kurrë. Kjo ishte pikërisht ajo çka ndodhi me protestat e të rinjve në Tiranë. Ndoshta për herë të parë kaq qartë, u vu re roli i gazetarisë qytetare.

Por si arritën rrjetet sociale, të nxirrnin me mijëra qytetarë në shesh, në një vend si Shqipëria ku historia e afërt flet për sheshe që janë mbushur vetëm nga militantë me flamuj partiakë? Le të përmendim shkurtimisht atë që padyshim është historia e suksesit në këto ngjarje, faqja e fansave në rrjetin social Facebook “1 milionë shqiptarë kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri”. U krijua në datën 3 nëntor dhe në vetëm dy javë ajo ka në këtë moment 136.751 fansa, më shumë se 150.000 mijë të tjerë flasin për të, 543 foto live nga protesta të postuara dhe qindra mijra share. Në 3 nëntor Aleanca Kundër Importit të Plehrave, dhe shoqata të tjera ambientaliste organizuan protestën e parë, e cila edhe pse e anoncuar në rrjetet sociale, ishte  e varfër në pjesmarrje, për rrjedhojë e raportuar në mënyrë jo primare në mediat tradicionale.  Megjithatë raportim primar ky event, mori nga raporterët qytetarë të cilët, të pajisur me mediumin e duhur, bënë foto, dokumentuan ngjarjen në mënyrën e tyre dhe i hodhën në mediat e tyre personale. Në pak orë fluksi i fotove live nga protesta u rrit së tepërmi dhe një trend lindi. Po në 3 nëntor, u krijua hapësira virtuale, ku u paketuan të gjithë këto flukse raportimi live të gazetarisë qytetare që vinin protesta.  Që nga ky moment, rrjetet sociale dhe specifikisht faqja “1 million shqiptarë kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri”, u kthyen në pasqyrën  virtuale të protestës në kohë reale.

Ditët e para të protestës në rrjetet sociale qarkullonin kryesisht kronika dhe informacione të marra nga mediat klasike, pra vërehet fillimisht një varësi dhe besnikëri ndaj mediave klasike, por ndërthurej kjo edhe me gazetarinë e qytetarëve protestues në shesh. Me përshkallëzimin e protestave, raportet e burimeve të informacionit përmbysen, boshti dhe peshorja rëndon tanimë  kah raportimet e protestuesve nga terreni. Pra, një pavarësi e fituar e mediave qytetare ndaj atyre tradicionale, për të shkuar në ditët kulmore të protestës, ku ishin mediat tradicionale ato që i referoheshin si burim kryesor mediave sociale. I gjithë transformimi i skemës së komunikimit në vetëm pak ditë. Ajo çfarë ndodhi me median klasike ishte një shterim dhe stepje e saj, përball gojëve të kycura të qeverisë dhe institucioneve. Ndërkohë nga ana tjetër ajo çka ndodhi me mediat qytetare, ishte një vërshim informacioni, në shumicën e rasteve i paseleksionuar dhe me burime të palegjitimuara. Një mori mesazhesh e thirrjesh për t`iu bashkuar aksionit qarkulluan në rrjet, duke zhvendosur publikun nga para ekranit të televizionit, para ekranit të kompjuterit apo telefonit celular.

Ndërsa mjegulla informative rritej, bashkë me të konfuzioni, tensioni e frika, gjithmonë e më shumë njerëz vërshuan në shesh, e gjithmonë e më shumë reporterë dhe qytetarë i bashkoheshin rrjetit. Facebook-u theu heshtjen e institucioneve. Rrjeti social shuajti etjen e publikut për informacion. Për çdo prind, kishte një foto fëmije që i bashkohej protestës, për çdo ambientalist, një foto katastrofe mjedisore, për çdo të ri, një slogan trendy i gdhendur në posterat shumengjyresh dhe për çdo idealist, tashmë një kauzë për të luftuar.

Gjithsesi pyetja që ngritën të tërë ishte se si arritën mediat sociale të krijonin atë kohezion të fortë social në shumë pak ditë, dhe cili ishtë çelsi që nxorri në shesh atë që njihet si brezi pasiv dhe peng i virtualitetit, të rinjtë? Pse diferencoi kjo lëvizje qytetare nga tubimet e tjera? Së paku tre janë arsyet; e para, potenciali i jashtëzakonshëm i medias sociale për të përhapur mesazhe në një numër të madh njerëzish në kohë reale, e dyta, bëhej fjalë për një çështje sensitive siç është kërcënimi i shëndetit apo sigurisë fizike, dhe e treta në mos më e rëndësishmja, dëshira për protagonizëm e pjesës më të madhe të të rinjve. Dëshira që secili të kishte median e tij, rrjedhimisht publikun e tij, dëshira që secili të kishte foto eksluzive nga vendngjarja.

A mund të konsiderohet ky një lloj revolucioni social për një vend si Shqipëria? Po, sepse pjesa më e madhe e njerëzve në shesh ishin aty me vullnetin e tyre të lirë, pa u kërcënuar dhe pa u ndikuar nga interesa politike, sepse pjesa më e madhe e tyre ishin të rinj dhe sepse ndryshe nga çdo tubim tjetër, komunikimi ishte horizontal, pa hierarki të qartë dhe pa një lider të vetëm. Dhe ky ishte një lloj revolucioni ndryshe nga të tjerët, sepse u projektua në median sociale, sepse prodhoi një organizim amorf, kaotik dhe gjithëpërfshirës. Dhe jo pa çudi, tiparet e tubimit përkojnë me ato të rrjetit social, sepse revolucionet janë pasqyrim i mediumeve.

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend