Më lexo në e-book

28 Shkurt , 2013 • Mediat e Reja • by

Si funksionon shtëpia e parë botuese e librit elektronik në Shqipëri dhe Kosovë. Ideja e veçantë e shkrimtarit kosovar, Albatros Rexhaj, dhe pse e ardhmja e librit është online.

“Do të më mungojë era që lëshon”. “Mua, fëshfëshja e faqeve teksa i shfletoj”. “Kurse mua do të më marrë malli ta kem në duar”. Sa herë keni pohuar këto e të tjera, kur dikush ju ka rrëfyer se sapo ka blerë një libër online dhe po e lexon në iPad ose Kindle. Në fillim jeni shfaqur skeptikë, duke i thënë se vlerën e librit mund ta ndjesh veçse kur e shfleton dhe se, në formatin dixhital, nuk vlen asnjë dyshkë. Pastaj, keni shtuar se kjo mënyrë e të lexuarit është e lodhshme për sytë, aspak komode, të mban larg librit dhe përpara ke një ekran të ftohtë kompjuteri.

Vërejtjet tuaja mund të qëndrojnë, por në moshën e internetit dhe të epokës dixhitale, kufijtë tradicionalë janë thyer e të tjerë kufij, më imagjinarë, po vendosen dita-ditës. Bota e librit nuk kishte se si t’i shpëtonte këtij fenomeni, i cili prej disa vitesh ka pushtuar Perëndimin, por çuditërisht në Shqipëri ende nuk ka hyrë, ose është në përpjekjet e para. Hapësira virtuale, ose interneti siç njihet ndryshe, e ka dhënë goditjen e vet në mënyrën se si ne komunikojmë, qoftë drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin, qoftë nëpërmjet medias. E kjo e fundit ka ndryshuar, e po ndryshon, ditë pas dite. Gazetat po shohin mundësinë për t’u botuar vetëm elektronikisht, disa prej të cilave e kanë kryer tashmë këtë proces. Ka revista që kanë kaluar nga shtypi në online për shumë arsye, por më kryesorja për faktin se numri i lexuesve në internet, të apasionuar pas lajmit të shpejtë, po rritet gjithnjë e më shumë. Sigurisht, libri ka filluar të jetë pashmangshmërisht pjesë e këtij sistemi, dhe si rrjedhojë botimi i tij online ka filluar të lulëzojë në vendet e zhvilluara.

Formati ebook po bëhet më i dashur dita-ditës për lexuesin dixhital, i cili mjafton të ketë një kompjuter iPad ose Kindle dhe mund të lexojë çdo libër që i ka qejfi, pa lëvizur nga divani. “Librat elektronikë janë në ekspansion të madh, sidomos te të rinjtë dhe te njerëzit që janë tërë kohën në lëvizje”, thotë Albatros Rexhaj, shkrimtar dhe drejtues i shtëpisë së parë të botimeve elektronike në Shqipëri dhe Kosovë, “Filozofia Urbane” (www.librariaelektronike.com). Një ide e veçantë, e cila i ka lindur nga dëshira për të krijuar traditën e librit ebook edhe në trojet shqiptare, duke qenë i pari që ka vënë gurin e themelit. Rexhaj e ka parandjerë se shumë shpejt, edhe në Shqipëri e Kosovë, tradita e botimit të librave elektronikë do të pësojë të njëjtin lulëzim si në vendet perëndimore. Sepse të gjithëve do të na duhet të ecim me hapin e internetit.

Sigurisht, pyetja që po ju vërtitet tani në mendje është: Çfarë është libri elektronik? Ç’do të thotë ebook? Ebook do të thotë libër elektronik, një libër të cilin e lexon në mënyrë dixhitale në kompjuter, laptop ose në aparate të tjera kompjuterike, që njihen si “ebook readers” (lexues librash elektronikë). Librat ebook gjenden në formate të ndryshme, por më i përhapuri është formati PDF. Të gjithë lexuesit e librave elektronikë i japin akses këtij formati. Libri mjafton të shkarkohet në internet dhe ai bëhet i yti përgjithmonë. Faqe të ndryshme online tregëtojnë një gamë të gjerë librash elektronikë me çmime më të lira se një libër i zakonshëm, i printuar në shtyp. Ky është një nga avantazhet më të mëdha të formatit ebook, bashkë me faktin se për të pasur një të tillë nuk të duhet të shkosh në librari apo në bibliotekë. “Besoj në atë, se ne duhet të ecim në hap me botën. Botimet elektronike janë duke marrë një hov të madh. Së fundi, jemi dëshmitarë të faktit se revista prestigjioze “Newsweek”, që nga 1 Janari i këtij viti botohet vetëm në formatin elektronik”, ndërhyn Rexhaj. Një tjetër gazetë, si New York Times, po sheh mundësinë për të kaluar plotësisht në botimin elektronik, ndërsa shumë analistë të medias mendojnë se e ardhmja e shtypit është online.

Po e ardhmja e librit? Deri tani, gjithçka flet për një dixhitalizim të librit dhe librarive, e kjo na bind se në një të ardhme të afërt ose të largët, ky medium do të bëhet plotësisht pjesë e sistemit elektronik. Shqipëria dhe Kosova janë një vend shumë i frytshëm për zhvillimin e botimeve elektronike. Rexhaj thotë se të rinjtë shqiptarë janë shumë të dhënë pas teknologjisë dhe beson se me kalimin e kohës, ata do ta përqafojnë konceptin e librit elektronik. Nga ana tjetër, botimeve elektronike duhet t’u njohim edhe të mirat që kanë. Shumë shkrimtarë dhe studiues, kryesisht të rinjtë, të cilët nuk kanë mjete financiare për të botuar një libër sipas mënyrës tradicionale, mund ta shohin librin elektronik si një mundësi të mirë për t’u afirmuar. “Duke e marrë parasysh koston e ulët të prodhimit, libri elektronik ebook është një mundësi e mirë për shkrimtarët dhe studiuesit e rinj, por edhe për të tjerët”, shprehet Rexhaj, i cili në shtëpinë e tij të botimeve elektronike u ka hapur vend shkrimtarëve të rinj e të vjetër. Por, duke ruajtur kriteret e cilësisë së botimit të shtëpive botuese tradicionale.

Botimi i librave elektronik (ebook) nuk ka asnjë ndryshim nga botimi i tyre në shtyp. Që do të thotë se, nëse botuesi i përfill me përpikmëri rregullat ndërkombëtare të ISBN-së, botimi elektronik konsiderohet si botim i barazvlefshëm me botimin tradicional. Botimet e shtëpisë “Filozofia Urbane” botohen në përputhje me udhëzimet për botimin e librave elektronikë të hartuara nga Agjencia Ndërkombëtare e ISBN-së. Kjo e fundit është organi ndërkombëtar që mbikëqyr të gjitha botimet në shkallë botërore dhe librin elektronik e njeh si botim të rregullt. Në mënyrë që një libër të kualifikohet si libër elektronik, duhet të pajiset me një numër të veçantë ISBN-je, të dallueshëm nga varianti print. Rregullat e ISBN-së parashohin që edhe variantet e ndryshme të të njëjtit libër (PDF ose EPUB) duhet të pajisen me ISBN të ndryshme. Por, duhet kuptuar se botimi elektronik nuk është i barasvlershëm me projektin e dixhitalizimit, që është një projekt ekskluziv i bibliotekave, pasi dixhitalizimi nënkupton kopje të skanuar të një libri ekzistues dhe si e tillë, ajo nuk mund të pajiset me ISBN për botim elektronik. “Konsideroj se projekti për botimin e librave elektronikë është strategjik dhe me interes nacional”, ndërhyn Rexhaj, i cili përveçse u jep përparësi shkrimtarëve bashkëkohorë në Shqipëri e Kosovë, paralelisht me këtë po sjell në ebook të gjithë klasikët e Rilindjes Shqiptare. Ekipi i shtëpisë botuese “Filozofia Urbane” ka filluar projektin e botimit elektronik të të gjitha veprave të klasikëve të letërsisë shqiptare, duke përfshirë të gjitha veprat e Periudhës së Rilindjes Kombëtare si dhe të Periudhës së Pavarësisë Kombëtare. Një projekt, i cili pritet të përfundojë brenda 12 muajve. “Ne jemi populli i vetëm më Evropë që nuk i kemi botuar si libër elektronik veprat e klasikëve të letërsisë sonë kombëtare. Ky projekt është shumë me rëndësi për studiuesit e letërsisë, që në një të ardhme do t’i kenë online të gjitha këto botime. Po ashtu, edhe për nxënësit, që nga komplekset e adoleshencës janë refuzues ndaj librit klasik, si dhe është shumë me interes për diasporën”.

Por, ajo çka e bën edhe më tërheqës botimin e librave elektronikë nga “Filozofia Urbane” është fakti se botimi bëhet falas. Pra, nëse libri që kërkohet të botohet i përmbush kriteret e cilësisë, të vendosura nga ekipi i librarisë elektronike, ai sheh dritën e botimit online. “Libraria elektronike dhe botimet tona nuk mbështeten nga askush. Këtë projekt e mbështes me fondet e mia personale dhe është një lloj filantropie modeste në shërbim të zhvillimit të letërsisë shqipe dhe botimeve tjera në shqip”, sqaron Rexhaj, i cili siguron se ky shërbim është falas dhe do të mbetet përherë falas. Ama, edhe libri juaj do të shpërndahet falas. Sepse jemi në fillimet e traditës së librit elektronik, andaj më e rëndësishme është promovimi. Sa për librat që botohen në print, mos kini frikë: Do të vazhdojnë të shtypen edhe për një kohë të gjatë.

Botuar tek revista Klan, date 8 shkurt 2013, Linku i shkrimit origjinal: http://www.revistaklan.com/material.php?id=3211

 

 

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend