Mbijetesa është sukses

3 Maj , 2012 • Mediat e Reja • by

Reuters Institute for Journalism ka publikuar kohët e fundit një studim mbi realitetin dixhital në Evropë. Studimi është kryer nga Nicola Bruno dhe Rasmus Kleis Nielsen të cilët kanë marrë nën shqyrtim nëntë portale online në Gjermani, Francë dhe Itali. Titulli i studimit, “Survival is success” (Mbijetesa është sukses), hedh dritë paraprakisht mbi konkluzionet e studimit.

Raporti fokusohet te nëntë lojtarë “të pastër” të Web-it, si Netzeitung, Mediapart, ose Il Post, të cilat demonstrojnë se për fazën fillestare të revolucionit dixhital në Evropë, të mbijetuarit në vetvete do të thotë sukses. Nga nëntë portalet e marra në shqyrtim, vetëm dy në fakt, Mediapart dhe Perlentaucher janë pak a shumë rentable dhe me buxhet të balancuar, krahasuar me të tjerat, Lettera43, il Post dhe Linkiesta, që janë me humbje dhe mund të mbijetojnë vetëm falë mbështetjes nga jashtë. Madje një prej tyre falimentoi gjatë kohës kur kryhej studimi.
Interes të madh zgjon në këtë raport analiza e modeleve të ndryshme të biznesit dhe pozicionimit të mediave në modelet e testuara. Mediapart, në Francë, punon me një cilësi të lartë, përmbajtje të fokusuar, ka një lexues shumë të specializuar dhe ka adaptuar pagesën (paywall) me tarifa të ulëta abonimi. Një model tjetër me buxhet të balancuar ekonomik është portali gjerman Perlentaucher, i cili mbijeton në sajë të fokusimit në kontrollin e kostos dhe një model shumë të larmishëm biznesi. Për këtë mjafton të vizitosh një herë faqen e Web-it (www.perlentaucher.de).
Raporti sugjeron gjithashtu se ka dy probleme, dy sfida për t’u ndeshur, madje edhe për lojtarët e vërtetë informativë në mediat dixhitale. Nga njëra anë, një treg i dominuar thellësisht nga botimet e gazetave kryesore, të cilat mund të mbështeten në këtë “mall” të tyre dhe mundësinë për të investuar; nga ana tjetër, në fakt, të ardhurat nga reklamat të përqendruara në duart e disa aktorëve, sic është Google. Sot për kompanitë e vogla është ende shumë e vështirë  të gjesh të ardhura domethënëse nga reklamuesit online.

Nicola Bruno, bashkëautor i studimit dhe gazetar i Effecinque, deklaron se “gazetat evropiane duhet të shikojnë përtej modeleve amerikane, si Huffington Post apo Politico, fituese të çmimit Pulitzer për vitin 2012. Këto modele duket se funksionojnë fare mirë në tregje kaq të mëdha, si SHBA, por nuk është provuar se ato mund të aplikohen edhe në kontekstin evropian”. Ai vazhdon: “Edhe në Francë, ku kemi një shpërthim të vërtetë të gazetave online, pjesa më e madhe e portaleve gazetareske dixhitale ende lufton për mbijetesë”.

Në përfundim, studimi sugjeron se për të mbijetuar, portalet e reja online (the newcomers) duhet të shmangin konkurrencën e drejtpërdrejtë me portalet e njohura qendrore në internet, në përpjekje për t’u diferencuar,  sic bëri Mediapart duke propozuar një gazetari investiguese cilësore. Kjo gazetë online, nuk krahasohet me asnjë media të tjetër në skenën mediatike franceze. Hartat që tregojnë pozicionin e secilës media në një vend janë shumë të dobishme për të shpjeguar se si funksionon tregu i tij.

Këto dhe të tjera mund të lexohen në këtë studim 116 faqësh, i cili ofron një panoramë më të qartë për gjendjen aktuale të medias online dhe perspektivat realiste të këtij sektori.

Për të lexuar studimin e plotë, vizitoni Reuters.

Postuar nga Pier Luca Santoro në Mediat e Reja dhe Web, 20 prill 2012. Linku i botimit në origjinal: http://it.ejo.ch/6414/nuovi-media/per-linformazione-online-onlyla-sopravvivenza-e-un-successo

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend