Inovacioni dhe gazetaria online

11 Korrik , 2016 • Kryesoret, Mediat e Reja, Shkrimet më të fundit • by

Inovacioni është rruga më e sigurt drejt suksesit sot. Problemet me të lidhen me besimin, pra me hapjen që njerëzit, institucionet, bizneset bëjnë ndaj tij. Si çdo risi tjetër dhe inovacioni shikohet me mosbesim dhe frikë por si çdo risi që konsolidohet është e destinuar të kthehet në një mjet të sigurt pune a jetese.

Ja psh gazetat online: njerëzit i kthehen gjithmonë platformave të besueshme, për herë të dytë apo të tretë, derisa bëhen ushqim i përditshëm informacioni që influencon zgjedhjet e përditshme. Duke filluar nga supermarketi ku shkojnë e blejnë ushqimet. Në tregun shqiptar blerja e gazetave është në rënie gjithnjë e më të madhe, dhe njërezit nuk i referohen më gazetave print për të lexuar lajmin. As televizorët nuk mund të krenohen më për shpejtësinë e lajmit. Duket se sitet informative apo mediat sociale po zënë një vend gjithnjë e me të madh në dhënien e marrjen e informacioneve në interaktivitet me lexuesin, i cili i referohet shtypit të përditshëm vetëm për ndonjë detaj rreth ngjarjeve, për opinione dhe analiza.

Shqipëria ka një moshë mesatare rreth 30 vjeç dhe kjo është dhe mosha mesatare e përdoruesve të internetit i cili ka një karakteristikë të rëndësishme që i siguron suksesin atij. Informacioni është falas.

Idea e dhënies së një informacioni me anë të pagesës nuk është e destinuar të ketë rrugë të gjatë në treg. Njerëzit nuk paguajnë për të marrë lajme në internet. Nëse dikush mendon së duhet të paguash për të patur lajmin, ka bërë absolutisht një projekt të gabuar, sepse njerëzit nuk janë disponibël të paguajnë për të lexuar online, por si në Shqipëri ashtu dhe jashtë ka një vakuum legjislativ përsa i përket rregullimit të internetit në aspektin ligjor.

Interneti ka lindur si nevojë e njeriut për të komunikuar, që në kohën kur quhej Arpanet. Ai ishte projekt amerikan për sigurinë. Ka dhe do të ketë tentativa për ta vënë nën kontroll, por kjo është e dështuar. As superfuqitë nuk e bëjnë dot. Çështja është problematike në momentin kur qeveritë fillojnë dhe aprovojnë ligje që më shumë se mbrojnë qytetarët e vet, ushtrojnë një kontroll të drejtpërdrejtë mbi informacionet që ata hedhin në internet. Shqipëria ka po ashtu një rrugë të gjatë për të bërë.

Gjuha e përdorur në internet zakonisht është shumë më e lirë sesa ajo që përdoret nëpër gazeta të shtypura, televizion apo radio. Njerëzit janë shumë më të lirë të shkruajnë dhe të komentojnë sepse nuk duken, nuk shihen dhe mund të zgjedhin të mos njihen fare, prandaj ndjehen më komod të flasin nëpër komente dhe pse në një pjesë të mirë ajo që thonë nuk ka fare lidhje me temen e lajmit, apo artikullin për të cilin shkruajnë gazetarët.

Shprehen vetëm për të shfryrë për një padrejtësi, apo për kundër asaj që është thënë. Këta përdorues që në gjuhën e teknike quhen ‘troll’ bëhen problem për një editor, në momentin kur ajo çfarë thonë është penalisht e denueshme.

Duhet ta pranojmë që ka tentativa për ta kontrolluar internetin, aq sa ka dhe kaos brenda tij, ku njerëz ndjehen të lirë për të folur dhe për të denigruar. Duhet gjetur një rrugë e mesme, për të gjithë dhe duhen vendosur standarte, sigurisht jo me rregulla të pa aplikueshme në realitet, por me një seri mekanizmash të dala nga debatet mes palëve, ku secila merr hapësirën e vet të punës dhe informimit.

Burimi: http://hermesnews.al/shkence_teknologji/Inovacioni-dhe-gazetaria-online.html

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend