Fushata elektorale nën ndikimin e teknologjive dhe mediave të reja

25 Maj , 2013 • Mediat e Reja • by

Partitë politike në Shqipëri janë duke kuruar me shumë kujdes imazhin e tyre në aktivitetet publike, në një kohë që po e orientojnë intensivisht komunikimin me votuesit në hapësirat e rrjeteve sociale.

Partitë politike nuk kanë pritur afatin ligjor për fillimin e fushatës elektorale, që parashikon vetëm një muaj para ditës së votimeve, por me padurim janë duke zhvilluar prej javësh aktivitete të ndryshme publike për të sensibilizuar në çdo cep të vendit mbështetësit dhe të pavendosurit. Bie në sy kujdesi deri në detaj për gjithçka që lidhet me procesin elektoral, në mënyrë të veçantë që media ta përcjellë me sa më shumë kolorit atmosferën tek mbështetësit, mesazhet dhe gjestikulacionet e lidershipit, sfondin me flamujt, simbolet e logot partiake etj. Edhe për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 një gjë është e sigurt në angazhimin e shtabeve elektorale: mbulimi mediatik për takimet dhe mitingjet publike do të realizohet nga vetë ato dhe do ju përcillet redaksive të gazetarëve si një produkt i gatshëm.

Aspekti i dytë i dukshëm është shpenzimi i mjaft energjive nga kandidatët për deputetë dhe subjektet politike për të përdorur rrjetet sociale në komunikim me votuesit. Si asnjëherë tjetër në fushatat e mëparshme ata po tregohen shumë aktivë dhe interaktivë me gjithçka postohet në Facebook, Twitter etj., duke bërë një harmonizim të kontakteve reale me ato virtuale të elektoratit të tyre. Për ekspertët e medias jo gjithçka që serviret është efektive, por ka sjellë një evoluim në mënyrën e të bërit fushatë dhe të përcjelljes së mesazheve për qytetarët.

Informim real apo “bombardim” propagandistik?

Prof. As. Mark Marku, lektor në Shkollën Doktorale të Shkencave të Komunikimit e Informacionit në Universitetin e Tiranës, mendon se produkti mediatik që shpërndajnë partitë në fushatë ka efekt pozitiv nga pikëpamja e komunikimit politik. Sipas tij, subjektet politike e fokusojnë më shumë në këtë mënyrë publikun tek mesazhet dhe idetë që duan të shpërndajnë. Por nga pikëpamja e lirisë së medias, unë mendoj se kjo e cenon shumë këtë liri, thotë për DW, Prof. As. Mark Marku.

“Praktikisht kjo mënyrë i pengon mediat që të marrin informacion direkt dhe të mbeten në misionin e tyre si struktura të përpunimit të këtij informacioni. Nëse futen aktorë të ndërmjetëm, siç janë partitë politike, atëherë kemi deformim të sistemit të qarkullimit të informacionit te publiku. Për rrjedhojë kemi fenomenin e deformimit të demokracisë, duke krijuar premisat që publiku gjatë fushatës të mos informohet drejt për atë që ndodh realisht, por të kemi një lloj ‘bombardimi’ propagandistik.”

Drejtori i të përditshmes TEMA, Mero Baze vëren një evoluim të dukshëm të aspekteve estetike dhe skenografike të fushatës elektorale. Nëse më parë media luante rolin kryesor në pasqyrimin e aktivitetit të subjekteve konkurruese, tani kemi një produkt të gatshëm që ideohet, realizohet dhe shpërndahet nga vetë shtabet elektorale në formë multimediale, thotë ai për DW.

“Mendoj se kjo duhet interpretuar drejtë. Më duket normale që shtabet elektorale të partive bëjnë punën e tyre duke shpërndarë DVD të gatshme, ose duke ofruar sinjal televiziv live për aktivitetet e tyre. Sepse qëllimi i tyre është që gjithçka të duket perfekte. Nga ana tjetër media nuk frenohet të bëjë punën e saj. Ajo nuk ndalohet p.sh që të investigojë në ato raste kur kemi ekzagjerime nga partitë politike në pasqyrimin e fushatës, kur disa qindra njerëz i paraqet si disa mijëra, kur disa mijëra i paraqet si dhjetëra a qindra mijë e kështu me radhë.

Ne që e njohim Shqipërinë na bën përshtypje që në një tubim në një shesh afër 100 metra katrorë të pretendohet se ka 100 mijë njerëz prezentë. Partitë e pretendojnë këtë, ama medias i mbetet që të verifikojë me kamerat e saj, të ndajë si të thuash produktin që përgatit PD, PS, LSI a ndonjë parti tjetër me produktin që përgatit vetë ajo. Kësisoj publikut i paraqiten pamjet reale me një produkt gazetaresk përballë filmimeve e shtabeve elektorale që shpesh falë risive teknologjike tregojnë 2 – 3 mijë vetë me imazhin sikur janë 50 mijë ose 100 mijë vetë. Dua të them që media është e lirë të bëjë reportazhet e veta për pjesëmarrjen në aktivitete, për organizimin, nga vijnë njerëzit, kush i sjell etj, etj. Nëse media jep vetëm produktin e partive atëherë ky nuk është faj i partive, por i medias që nuk ka produktin e saj të mirëfilltë gazetaresk”.

Pjesëmarrja në votime si perceptim virtual

Mero Baze thotë se përdorimi në shkallë të gjerë i rrjeteve sociale ka demokratizuar shumë mënyrën e të bërit fushatë elektorale në Shqipëri. Sipas tij, aty mund të ndjekësh debate reale mes atyre që votojnë dhe atyre që kërkojnë të zgjidhen në parlament.

“Vlerësoj faktin se angazhimi në rrjetet sociale i takon në shumicë pjesës së ndriçuar të shoqërisë, e cila kërkon të kontribuojë me ide, sugjerime, plotësime, kritika dhe mospajtime për çështje konkrete. Pjesëmarrja e më shumë njerëzve në rrjetet sociale jep dhe impakte konkrete. Po ju përmend një rast të kohëve të fundit: Menjëherë sapo dy kryetarët e PS dhe LSI-së njoftuan aleancën paraelektorale mes tyre, pati reagime të shumta në hapësirat komunikuese të rrjeteve sociale. Nga ky shkak, Edi Ramës dhe Ilir Metës, për më shumë se dy javë ju deshën që të jepnin shumë e shumë sqarime publike për vendimin e tyre. Rrjetet sociale ishin një tregues real për perceptimin e publikut mbi njërën prej lëvizjeve më të bujshme politike në prag të këtyre zgjedhjeve parlamentare.”

Prof. As. Mark Marku shprehet se aplikimi i mediave dhe teknologjive të reja është një çështje e debatuar mes ekspertëve për faktin se sa demokracia elektronike është një demokraci reale, apo sa interaktiviteti shndërrohet në një bashkëbisedim real dhe se sa ky mbetet si perceptim virtual.

“Problemi është se cili ose cilët janë ata që komunikojnë në rrjetet sociale më qytetarët, me votuesit. Nga pikëpamja logjike e ke të vështirë të pranosh që një lider, ose një kandidat të rrijë nonstop në dispozicion të dinamikës së komunikimit në një adresë në Facebook a Twitter. Një aspekt tjetër është efektiviteti i interaktivitetit nëpërmjet rrjeteve sociale: sa siguri ke që një komunikues në rrjetet sociale do të jetë aktiv realisht në procesin elektoral, pjesëmarrja e tij në aktivitete, apo vajtja në kutinë e votimit. Pra, është një mënyrë komunikimi që tërheq vëmendje, përmirëson imazhin e formacioneve dhe liderëve politikë gjatë fushatës, por duhet verifikuar se sa ndikon kjo në pjesëmarrjen reale në ditën e votimeve. Studiues të ndryshëm mbrojnë idenë se këto mënyra mund të nxisin dhe pasivitetin në elektorat, pasi qytetarët e ndjejnë detyrën e kryer pas realizimit të komunikimit virtual, duke e parë si jo të domosdoshme të ushtruarin e të drejtës për të shkuar në kutinë e votimit. Studiuesit e qasin këtë fenomen me efektin që krijojnë p.sh filmat erotikë tek një pjesë e madhe e njerëzve. Nga pikëpamja e komunikimit është interesante të studiohen efektet konkrete që shkakton përdorimi masiv i rrjeteve sociale në procesin elektoral”.

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , ,

Send this to a friend