A është e rëndësishme paanshmëria në epokën e internetit?

22 Shtator , 2014 • Mediat e Reja • by

Kompanitë e mediave tradicionale duhet të përshtaten me epokën e internetit ose përndryshe ato rrezikojnë të humbasin audiencën e të rinjve. Saktësia dhe paanshmëria janë akoma të rëndësishme, por mediat tradicionale duhet të përshtaten me tonin dhe ethosin e webit të hapur, duke aplikuar një transparencë më të madhe dhe duke u bërë më interaktive dhe më të hapura.

Terreni i medias ka ndryshuar shumë në epokën dixhitale, kanë lindur modele të reja biznesi dhe platforma të reja të raportimit, që shfaqen gati çdo ditë. Epoka dixhitale ka ndryshuar thelbin e asaj që gazetarët bëjnë, dhe kompanitë e mediave, si ato të rejat edhe ato tradicionale, kanë qënë të detyruara të përshtasin standartet e tyre editoriale.

Në një studim të kryer për Reuters Institute for the Study of Journalism, unë parashtrova dy pyetje: Cilat janë ato standarte gazetareske që janë të përshtatshme në këtë epokë të re? Dhe cilat standarte formojnë bazën e asaj gazetarie të re që është themeluar nga sajte hibride lajmesh të cilat janë zhvilluar në epokën dixhitale?

Studimi im, i titulluar “Saktësia, Pavarësia dhe Paanshmëria: Cila është qasja e standarteve e aplikuar në epokën dixhitale nga mediat tradicionale dhe digital born media”, fokusohet në tre media tradicionale (the GuardianNew York Times, dhe BBC) dhe tre media dixhitale (Quartz, BuzzFeed, dhe Vice News). Nieman Lab ka një përmbledhje të mirë lidhur me mënyrën se si i përshtasin standartet këto media.

Në përgjithësi, pamja është premtuese. Ardhja e një webi të hiper-linkuar i ka dhënë audiencës një akses më të madh tek moria e fakteve, të dhënave dhe opinioneve. Mediat e reja dixhitale si ProPublica, FiveThirtyEight, dhe Vox na zbulojnë punën e tyre për të ndërtuar besimin. Sajti i biznesit Quartz (në pronësi të The Atlantic) ka ndërtuar një sistem inovator njoftimi përmes së cilës audienca mund të ofrojë faktet e veta ose njohuritë për një ngjarje, ndërsa sajti sportiv dhe kulturor Grantland  demonstron se si një media mund të ofrojë korrigjime apo plotësime të cilat i ofrojnë lexuesit një kontekst më të gjerë.

Oferta e epokës dixhitale ka këto pika të forta në plan editorial:

  • Përdorimi i hiperlinqeve për të demostruar saktësi dhe hapje
  • Kontekst më i gjerë dhe kohështrirje për korrigjime dhe plotësime online
  • Një përfshirje e më shumë zërave që e shton pluralitetin
  • Transparencë përkrah paanshmërisë (dhe jo në vend të saj)

Por ekzistojnë edhe disa risqe përsa i takon standartve, që janë krijuar prej internetit:

  • Shpejtësia dhe viraliteti mund të kërcënojnë ndershmërinë dhe saktësinë
  • Mungesa e një strukture lineare sjell një tejhapje të përmbajtjes. Dallimet mes llojeve të përmbajtjes krijojnë vështirësi për ato media që i janë përkushtuar paanshmërisë
  • Reklamimi dixhital dhe rritja e gazetarisë së MP mund të pengojnë audiencat që të bëjnë zgjedhje të informuara lidhur me atë që duhet të besojnë dhe me arsyet për ta bërë këtë.

Një nga konkluzionet e mia është konstatimi se një formë e tretë e gazetarisë është duke lindur; një formë që kombinon standartet më të mira të mediave tradicionale dhe qasjet e reja të digital natives. Ky është një trend që është trajtuar më gjerësisht nga Emily Bell i Tow (Columbia University) dhe kolumnisti i Guardian  Frederic Filloux. Sërish, në qarkun e kompanive të lindura në web po rishpiken standartet për shekullin e 21-të.

Digital natives siç janë QuartzVox, dhe ProPublica po farkëtojnë një lloj gazetarie të re që po kombinon integritetin editorial me një ton dhe paraqitje që i shkon më shumë webit. Është gjithnjë e më e rëndësishme për mediat tradicionale që të riformulojnë standartet e tyre në përshtatje me epokën dixhitale. Pa përshtatje ato rrezikojnë të humbasin audiencat e reja në morinë e pafund të zgjedhjeve të tjera online.

Që të ndërtojnë besimin dhe integritetin gazetaresk në epokën dixhitale, mediat duhet ti japin prioritet: një transparence më të madhe; formave më të hapura të gazetarisë (open source, open code, open data); dhe të ndërtojnë një zë që i përshtatet webit, i krijuar më së shumti prej zërave individualë të reporterevë se sa prej markave të reja.

Analizat duhet të jenë të bazuara më shumë tek faktet se sa tek opinionet dhe duhet të ketë një frymëmarrje më të gjerë të ideve dhe perspektivave.

Epoka e internetit kërkon gjithashtu përmbajtje të cilat janë gjerësisht të ndashme përmes platformave sociale, por të cilat janë sërish të sakta; ndërveprim që e vendos lexuesin në një lloj pozicioni eksperti si dhe një ofrim më të mirë të kontekstit.

Kompanitë e lajmeve duhet të adaptojnë standartet e tyre në mënyrë që të përshtaten me këtë epokë hibride dhe të përforcojnë përkushtimin ndaj saktësisë dhe gazetarisë së fortë, e cila gjithashtu i përshtatet tonit dhe ethosit të internetit.

Photo credit: Free Press / Flickr Cc

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend