Eco dhe “budallenjtë e internetit”

14 Tetor , 2015 • Kryesoret, Mediat e Reja, Shkrimet më të fundit • by

Nga Pishak Zhgaba.

Apeli i Umberto Eco-s, shkrimtar e semiolog i famshëm, për shtypin e përgjegjshëm dhe rolin e tij në kontrollin e informacionit në internet, shkaktoi debate të shumta. Kryesisht në internet e komente, por edhe në shtyp pati reagime.

Në shkrimin e vet në L’Espresso (26 qershor 2015) Eco riparaqiste një arsyetim të vjetër, të bazuar thjesht në bonsens. Ja çfarë thoshte në një pasazh [përkthimi im]:

Po të pranojmë se në shtatë miliardë njerëz që banojnë planetin, ka një dozë të pashmangshme budallenjsh, shumë prej tyre një herë e një kohë ua komunikonin përçartjet të afërmve ose shokëve në lokal – e kështu opinionet e tyre mbesnin të kufizuara tek një rreth i ngushtë njerëzish. Tani një sasi e konsiderueshme e këtyre personave ka mundësinë t’i shprehë mendimet e veta në rrjetet sociale. Si rrjedhim, këto opinione arrijnë dëgjues të shumtë, e ngatërrohen me shumë të tjera të shprehura nga persona të arsyeshëm.

Le të jemi të sinqertë. Nuk është se prisnim të na e thoshte Umberto Eco që ta besonim këtë gjë. E kemi konstatuar këtë fakt edhe këtu në blog, kur kemi folur shpesh, seriozisht e me humor, për komentet e anonimësinë në internet. Fakt është se në hapësirën virtuale qarkullojnë plot budallallëqe, që shpeshherë me zukamën e tyre mbysin pikërisht zërat e besueshëm.

Po si mund të dilet nga kjo situatë? Si mund të filtrohen faqet që komunikojnë idiotësi në internet? Shkrimtari italian nuk ia beson dot shkollës këtë gjë, për faktin se një mësues i një lënde do të ishte krejt i papërgatitur të jepte mendime në një fushë që nuk e ka të veten. Kështu ai fut në lojë rolin e mediave tradicionale, siç janë gazetat. Eco vëren se gazetat janë shpesh të nënshtruara ndaj rrjetit, sepse mbledhin në internet lajme e ndonjëherë legjenda, duke gabuar dyfish, sepse nga njëra anë i japin hapësirë konkurruesit më të madh të tyre, nga tjetra e japin informacionin gjithmonë me vonesë në krahasim me Internetin.

Gazetat duhet t’i kushtonin të paktën dy faqe në ditë analizës së faqeve ueb (ashtu siç bëhen recensionet e librave ose të filmave) duke treguar ato virtuoze e duke sinjalizuar ato që përcjellin gjepura ose pasaktësira. Do të ishte një shërbim publik i pafund e ndoshta edhe motiv për të cilin shumë lundërtarë në rrjet, që kanë filluar t’i snobojnë gazetat, të kthehen për t’i lexuar çdo ditë […] Një nismë sigurisht e kushtueshme, por kulturorisht e çmueshme, e do të shënonte fillimin e një funksioni të ri të shtypit.

Ky propozim i Eco-s u kundërshtua shumë në rrjet, shpeshherë me argumente inekzistente. Michele Serra, shkrimtar e humorist, e vlerësoi idenë por e konsideroi si të parealizueshme, për faktin se recensionet e gazetës do t’i bënin shërbim të mirë lexuesve të vet, qoftë edhe atyre metisë, që lexojnë gazeta e ueb njëkohësisht, po masa e madhe e lundërtarëve do të ishte krejt indiferente ndaj tyre.

Në numrin e fundit të L’Espresso (16 korrik 2015), gjithnjë në rubrikën e njohur “Bustina di Minerva”, Umberto Eco e rihedh me forcë idenë duke e çuar më tej. Sipas tij, gazetat mund t’i korrigjojnë gabimet e përhapura në Internet, ndërsa rrjeti mund ta kontrollojë shtypin. Një ushtrim që mund të mësohet në shkollë, madje të rinjtë mund ta mësojnë kontrollin e uebit nëpërmjet uebit, mendon shkrimtari italian. Së fundi, uron që diçka të bëhet në këtë drejtim, pastaj me të parë e me të bërë.

Po të nisemi nga opinionet e fundit të Umberto Eco-s mund ta themi pa frikë se ai i bën apel të vjetrit e tashmë të konsoliduarit sens kritik. Ky normalisht duhet të jetë aftësia e analizës dhe e vlerësimit, që mund të mësohet në shkollë, por që mund e duhet të zbatohet në gazeta, në internet, në libra e në politikë.

Ky debat kulturor në Itali, që prek midis të tjerash edhe raportet midis mediave tradicionale e të reja, rrjetet sociale dhe sistemin arsimor, është mëse aktual për realitetin shqiptar, por me disa specifika. Përse? Sepse Umberto Eco i shikon gazetat e internetin si të ndara mes tyre, edhe pse ndërveprojnë, e më pas hedh idenë e kontrollit të ndërsjellë. Në Shqipëri, përshtypja është se gazetat dhe interneti e kanë arritur pikën e shkrirjes mes tyre. Kjo është aq e vërtetë saqë shpeshherë gazetat shqiptare furnizohen aq shumë nga uebi, saqë është e vështirë t’i dallosh si entitete më vete. Duken si kopje më të sistemuara të internetit, që dalin edhe në letër, por jo më shumë. Madje ka raste, siç ndodhi pak kohë më parë, që informacioni merret keq, përcillet me gabime e duke polemizuar me internetin.

Këtu hyn pa diskutim edhe çështja e të drejtave të autorit, por nuk po ndalemi në çështje juridike. Fakt është se gazetat shqiptare, marrin e japin me internetin, japin e marrin me gazeta të tjera online, herë shqiptare e herë të huaja. Lajmin për aksh aktore që ka fryrë buzët mund ta gjesh nga të gjitha cepat e globit, por tani edhe në faqet e para të gazetave shqiptare. Të gjithave, si fotokopje.

Megjithëse interneti dhe mediat në shqip kanë bërë hapa përpara, përsëri bashkëfajtore mbetet cilësia e ulët e të dy palëve, çka edhe shërben si zamkë për një produkt të ri hibrid, ku pjesa virtuale nga ajo tradicionale nuk dallohet mirë. Kjo zonë gri nuk mund ta luajë rolin e kontrollit, sepse nuk do ta dallonte veten nga pjesa e kontrolluar. Problemi është se mediat në përgjithësi nuk duan të distancohen nga profkat e përdoruesve të internetit, madje ka raste që duan t’i përdorin ata si energji për të ecur më tej. Por ndodh gjithashtu e kundërta.

Pra fillimisht duhet të rritet autoriteti i mediave shqiptare, që më pas të kontrollojnë nëse faqet e ndryshme në internet ia fusin kot ose jo. Por nga ana tjetër, duhet që edhe interneti të vlojë me kritika e kontrolle të besueshme ndaj mediave shqiptare, pa i parë me tifozllëk e me amatorizëm. Por të dyja këto nuk mund të realizohen pa i përcaktuar saktë rolet e mediumeve e pa një proces vetëkorrigjimi, si në mediat tradicionale ashtu edhe në internet. E mbi të gjitha, nuk mund të arrihet pa seriozitet, përgjegjësi dhe sens kritik të përdoruesve.

Botuar tek peizazhe.com. Titulli në origjinal “Budallenjtë e internetit”

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend