Beteja politike, nga sheshi tek ekrani i kompjuterit

7 Shkurt , 2013 • Mediat e Reja • by

Liderët e stilit të vjetër e militantët që i ndjekin shesheve janë drejt perëndimit. Beteja zhvendoset në terrenin online, për të marrë më shumë friends, followers apo like. Por, a po tërheqin politikanët tanë më shumë votues përmes rrjeteve sociale? Lutfi Dervishi, Sokol Balla, Belina Budini e Rrapo Zguri analizojnë trendin e ri të komunikimit të politikanëve dhe sfidat e medias tradicionale në epokën e internetit.

Lutfi Dervishi: Revolucioni ndodhi, e ardhmja është “mobile”.

Pyetje 1-Gjatë ditëve të fundit, lideri i opozitës, Edi Rama dhe ambasadori Arvizu kanë realizuar konferencat e para në rrjetet sociale, ndërsa kryeministri Berisha ka postime thuajse të përnatshme në Facebook. Si e vlerësoni këtë mënyrë të re komunikimi të liderëve dhe betejën e tyre, tashmë përmes rrjeteve sociale? Është ky tregues i hapjes së tyre apo e kundërta, dhe sa realisht ndjekësit në rrjetet sociale mund të konsiderohen edhe votues?

Viti 2013 do të jetë viti i mediave sociale edhe për shkakun se do të shohim një rritje të përdorimit të tyre gjatë fushatës së ardhshme elektorale. Zhvillimi i teknologjisë ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën sesi ne e shpenzojmë kohën. Gjithnjë e më shumë po qëndrojmë online dhe brezi i ri, gjithnjë e më tepër po braktis median tradicionale. Mjaft njerëz, informacionet, lajmet, thashethemet, nevojat e tyre i plotësojnë duke dhënë e marrë me njëri-tjetrin përmes rrjeteve sociale. Janë afro 1 milion e 200 mijë përdorues të Facebook-ut në Shqipëri dhe numri vjen në rritje. Falë aksesit në internet dhe aplikacioneve në telefonat celularë, e ardhmja është “mobile”!  Liderët politikë, pak me vonesë, por e kanë kuptuar sa shumë kanë për të fituar dhe sa pak kanë për të humbur nga përdorimi i rrjeteve sociale! Facebook, Twitter apo platforma të tjera janë peshore transparente ku kushdo nga zyrtarët apo politikanët mund të provojë sa “i vlen lëkura”. Komunikimi në mënyrë të drejtpërdrejtë pa patur nevojë për “shkes” është edhe risia që kanë sjellë mediat sociale.

Prirja tjetër është se brezi i ri (që janë edhe votues) nuk ia ka ngenë më të marrë informacionin, lajmet, pikëpamjet në orarin që i dikton media tradicionale, pra nuk ka më pse të zgjohet në mëngjes për të marrë gazetën, apo të presë orën 19:30 apo 20:00 për të parë lajmet në TV. Lajmi është online. Përmes Facebook apo Youtube, secili mund të shohë atë që dëshiron kur të dojë ai/ajo dhe kur vendos redaktori apo kryeredaktori. Liderët politikë, partitë politike do të ndeshen gjithnjë e më ashpër në platformat e reja- dhe do të fitojë ai që do të mbledhë më shumë “kallaballëk”. Nga sheshet tradicionale që gjithmonë “mbushen” me 100 apo 200 mijë vetë, beteja do të zhvillohet në ekranin e vogël të kompjuterit apo celularit! Parti të reja apo të vjetra që e gjejnë të mbyllur derën e TV dhe gazetës, kanë një mundësi të artë për të treguar veten….

A janë ndjekësit e rrjeteve sociale votues? Sigurisht që po. Nëse në Shqipëri janë afro 1 milion e 200 mijë përdorues të Facebook-ut, afërmendsh që janë votues potencialë. Sa do të ndikohen ata për të votuar, kjo është një pyetje tjetër? Nëse e thjeshtëzojmë trupën elektorale, PD dhe PS kanë votues besnikë 30% të votuesve secili. Beteja do të jetë për votuesit e rinj dhe të lëkundur. Jo më kot edhe Facebook-u i Kryeministrit apo Twitter-i i liderit të opozitës janë fokusuar tek të rinjtë! Ne po shohim e do të shohim gjithnjë e më shumë mesazhe elektorale (imazh, video, tekst) në rrjete sociale!

Rezultati do të varet shumë nga strategjia dhe cilësia e përdorimit! Një slogan elektoral i përdorur në Shqipëri, ishte “Koha për Ndryshim”. Në kontekstin e përdorimit të rrjeteve sociale “koha ka ndryshuar”.

Pyetje 2- Media tradicionale po humbet rolin e të qenit ndërmjetës mes pushtetit dhe publikut, por sa realisht e rrezikuar është ajo? Cilat janë sfidat e medias në kushtet kur vetë politikanët kthehen në media?     

Media tradicionale jo është e rrezikuar, por është në pikëpyetje të madhe! Burimet financiare që e mbajnë median tradicionale (reklamat dhe lexuesit/shikuesit) po shterojnë me shpejtësi. Po mbyllen gazeta në Perëndim, pas një historie suksesi prej 150 vjetësh. Është fundi i periudhës 600-vjeçare të Guttenbergut! Media tradicionale po neglizhon median e re dhe në këtë rast, basti im është se media e re do të triumfojë shumë, shumë shpejt! Asnjë gazetë nuk përdor Facebook-un si mjet për të qenë më afër lexuesit. Shumë pak gazetarë përdorin Facebook/Twitter në shërbim të profesionit. Këmbanat nuk kanë rënë vetëm për gazetat! Mendoj se kjo është qartësisht e kuptuar. Këmbanat po bien për televizionet! Por përgjithësisht këtu po e përballojmë këmbanën duke mbushur veshët me pambuk! Sfida e mbijetesës është tejet e vështirë! Nëse gazetat në mbrëmje zbardhin emisionet televizive dhe në mëngjes televizionet lexojnë gazetat, lexuesit, shikuesit, dëgjuesit kanë ndërruar “zanat” – tanimë janë përdorues. I gjen në çdo orë të ditës në median sociale! Nëse të rinjtë shpenzojnë më shumë kohë në Youtube dhe Facebook sesa në televizion, kjo tregon se është koha për të menduar për ndërtimin e muzeumit të gazetave dhe për t’u përgatitur për funeralin e televizioneve! Duket pak apokaliptike, por ndryshimet janë shumë të shpejta dhe druaj se për ne në media ia vlen të kujtohet thënia e George Bernard Show: “Gazetarët e kanë shumë të vështirë të bëjnë dallimin mes një aksidenti me biçikletë dhe rënies së një qytetërimi”! Revolucioni ka ndodhur dhe si çdo revolucion ka viktimat e veta! Plagët më të rënda i ka marrë gazeta. Por, a mund të mbijetojë gazeta? Përgjigja është po, por druaj se jemi vonë. Gazeta mbijeton nëse ruan misionin për të cilin është krijuar- rolin mbikëqyrës ndaj pushtetit. Gazeta mbijeton nëse bie në dorë të filantropëve. Por ne nuk kemi filantropë. Gazeta mbijeton nëse pronari i saj nuk e ka gazetën për të bërë para dhe për të mbrojtur bizneset e tij, por për “të treguar çfarë ndodh”. (Në një vizitë në Suedi, një grup gazetarësh nga Ballkani pyesnin të habitur se si është e mundur që pronari nuk merr në celular për faqen e parë, apo titullin kryesor – përgjigja ishte se, këtu pronarët i kanë gazetat “to tell the story” and not to make the money”.) Ne nuk kemi pronarë të tillë. Gazeta mbijeton nëse heq dorë nga lajmi klasik që sot konsumohet me celular dhe ofrohet më shumë drejt shpjegimit të kontekstit të lajmit. Gazeta sigurisht që jeton, nëse i kthehet gazetarisë investigative, por kjo kërkon këllqe…Shanset e mbijetesës janë shumë të vogla dhe jemi vonë për të marrë kthesën!

Sokol Balla: Mos kini frikë! I dashurojnë ekranet

1-Gjatë ditëve të fundit, lideri i opozitës, Edi Rama dhe ambasadori Arvizu kanë realizuar konferencat e para në rrjetet sociale, ndërsa kryeministri Berisha ka postime thuajse të përnatshme në Facebook. Si e vlerësoni këtë mënyrë të re komunikimi të liderëve dhe betejën e tyre, tashmë përmes rrjeteve sociale? Është ky një tregues i hapjes së tyre apo e kundërta, dhe sa realisht ndjekësit në rrjetet sociale mund të konsiderohen edhe votues?

Liderët politikë po përdorin rrjetet sociale dhe bëjnë mirë. Sidomos ndonjëri prej tyre, që u tall për shumë kohë me cicërimat e tjetrit. Por mure apo cicërima, rëndësi ka se çfarë thuhet në to. Dhe njerëzit janë pjekur shoqërisht sa të kërkojnë në këto mure a cicërima jo përsëritjen e sharjeve në TV, por alternativat, që në fund të vendosin se cila prej tyre është më e mira. Sa i përket nëse është apo jo votues potencial populli i rrjeteve sociale, unë kam një mendim timin, nisur edhe nga përvoja ime me këto rrjete. Ata ndahen kryesisht në dy kategori: të pozicionuarit dhe ata që bëjnë kinse sikur nuk janë të tillë, sepse nuk janë apo janë indiferentë. Tek kategoria e parë, politikanët synojnë vetëm një gjë: që t’i nxisin të votojnë ditën e zgjedhjeve. Por një pjesë e mirë e atyre që përdorin rrjetet sociale janë jashtë. Sa i përket të dytës, mendoj që është kohë e humbur pasi kjo pjesë, as voton e as ka ndërmend të votojë. Gjithsesi, dimensioni interaktiv është një gjë e mirë, me një kusht: që politikanët dhe ata që i ndjekin a komentojnë, të fitojnë etikë dhe edukatë. Pacipëria dhe mungesa e edukatës gjen strehë tek anonimët që fshihen pas pseudonimeve në internet.
2- Media tradicionale po humbet rolin e të qenit ndërmjetës mes pushtetit dhe publikut, por sa realisht e rrezikuar është ajo? Cilat janë sfidat e medias në kushtet kur vetë politikanët kthehen në media?
Media tradicionale e ka humbur këtë rol për arsye të tjera, shumë më serioze se Twitter apo FB. Ajo është e rrezikuar nga probleme të tjera më të rënda. Por vetë media duhet të reflektojë e të bëhet më interaktive në rrjetet sociale. Është e papranueshme që politikanët të kenë më shumë kujdes të kenë ndjekës, sesa mediat më të ndjekura në vend. FB, por unë them më shumë Twitter, janë zona të paeksploruara ende nga mediat e zhvilluara elektronike në vend. Sa i përket rrezikimit nga politikanët-media, po citoj Berishën pak ditë më parë: “Unë FB e kam për komunikim, televizionet për politikë”. I dashurojnë ekranet. Mos kini frikë, nuk ikin kollaj prej tyre!

Rrapo Zguri: Themelet e politikës,  në botën reale, jo në atë virtuale 

1-Gjatë ditëve të fundit, lideri i opozitës, Edi Rama dhe ambasadori Arvizu kanë realizuar konferencat e para në rrjetet sociale, ndërsa kryeministri Berisha ka postime thuajse të përnatshme në Facebook. Si e vlerësoni këtë mënyrë të re komunikimi të liderëve dhe betejën e tyre, tashmë përmes rrjeteve sociale? Është ky tregues i hapjes së tyre apo e kundërta dhe sa realisht ndjekësit në rrjetet sociale mund të konsiderohen edhe votues?

Zhvillimet që ju përmendni, unë i shoh si përpjekje të politikës për të ndjekur një trend aktual të komunikimit me publikun. Nuk e bëj dot entuziastin që të them se ka ndodhur çudia, pasi thjesht kemi të bëjmë me një përpjekje për të modernizuar komunikimin politik, ndërkohë kur ne nuk kemi modernizuar politikën vetë. Tek ne shumë gjëra kanë mbërritur përpara se të ndërtohet apo të modernizohet subjekti. Kështu kanë ardhur automobilat, përpara se të krijohet shoferi i të njëjtit nivel me teknologjinë e lartë të aplikuar tek automobilat.

Gjithsesi, pavarësisht nga shkalla e ndikimit të këtyre zhvillimeve në jetën e vendit, ato e meritojnë atë vëmendje që iu takon. Përtej skepticizmit, mendoj se është pozitive që politikanët tanë po aplikojnë apo imitojnë praktika të njohura të komunikimit online të politikanëve perëndimorë. Si teknicien, unë do të doja të ndalesha tek specifikat e rrjeteve sociale dhe shanset që ato mund të krijojnë edhe për politikën. Njohja e këtyre specifikave është tepër e rëndësishme për suksesin e aksionit politik online (ose, për atë pak sukses që mund të sjellin në rastin e Shqipërisë). Le të fillojmë me Twitter-in. Mes të tjerash, Twitter funksionon si një rrjet marrëdhëniesh dhe komunikimi vertikal, që do të thotë se, në një kuptim, është edhe në kundër-rrjedhë me vetë tipologjinë e mediave sociale në tërësi. Individi është në kërkim të ndjekësve të vet (followers) duke u ndodhur vetë në një pikë prijëse. Nga ana tjetër, po ky individ bëhet ndjekës apo pasues i të tjerëve që ai zgjedh t’i ketë si pika prijëse. Praktika e twitting e zbut disi këtë vertikalitet në marrëdhënien dhe komunikimin online përmes Twitter, por nuk e eliminon atë. Statistikat thonë se Twitter ka audiencë më të madhe në vendet me demokraci të zhvilluar. Kjo shpjegohet në një masë të konsiderueshme edhe për shkak se në këto shoqëri kemi një nivel reagimi dhe idealizmi më të lartë, si dhe një kulturë më të zhvilluar të ndjekjes së modeleve apo idhujve, qofshin këta edhe në politikë. Kurse në vendet ish-komuniste duket se njerëzit janë lodhur nga të qenit ndjekës apo pasues dhe tashmë parapëlqejnë më shumë një komunikim horizontal, si rreth një tavoline të rrumbullakët, ku nuk ka prijës. Kjo shpjegon deri diku edhe faktin që në këto vende Twitter është shumë më pak i përhapur, krahasuar me Facebook-un.

Nga ana e vet Facebook, edhe pse zbret shpesh në nivelin ndërpersonal të komunikimit, me praktikën e vet të krijimit të një rrjeti miqsh (friends), bëhet më horizontal dhe ofron për individin më shumë baraspeshë dhe komoditet.

A është praktika e përdorimit të mediave sociale tregues i hapjes së liderëve apo e kundërta? Faktet flasin se themelet e politikës mbeten në botën reale dhe jo në atë virtuale. Është e natyrshme që një forcë politike të angazhojë staf, të cilët duhet të merren 24 orë me monitorimin e rrjeteve sociale, me postimin e informacionit të ri, me fushatën virale për të kompromentuar aksionin politik të tjetrit etj., por që liderët të harxhojnë orë të tëra në botën virtuale, kjo nuk do të ishte e natyrshme dhe do të sillte në vend të hapjes, atë që ju me të drejtë e quani mbyllje. Edhe për arsyen sepse diferenca që mund të bëjë aksioni politik online, sidomos në Shqipëri mbetet në një përqindje shumë të vogël krahasuar me aksionin politik në terrenin real.

2- Media tradicionale po e humbet rolin e të qenit ndërmjetës mes pushtetit dhe publikut, por sa realisht e rrezikuar është ajo? Cilat janë sfidat e medias në kushtet kur vetë politikanët kthehen në media?   

Elitat e shoqërisë, mes tyre edhe elitat politike, kanë investuar shumë për ta sjellë individin “brenda shtëpisë”, përpara ekranit të TV apo përpara faqeve të gazetave. Qenia humane kontrollohet më lehtë kur individi , i mbyllur brenda mureve të shtëpisë, bëhet një receptues  i vetëdijshëm ose jo, i mesazhit politik. Ajo që po ndodh pas daljes në skenë të mediave sociale dhe internetit është se individët po u largohen gjithnjë e më shumë ekraneve të TV dhe faqeve të gazetave dhe po “dalin nga shtëpia”, duke preferuar të shkojnë online. Por sa më pak njerëz të ketë përpara ekranit të TV dhe faqeve të gazetave, aq më shumë zbehet roli i këtyre mediave për të qenë si ndërmjetës mes pushtetit dhe publikut. Ç’mund të bëhet? Mendoj se mbase duhet të ndodhë e kundërta e asaj që ka ndodhur deri më tani: duhet që mediat të ndjekin publikun aty ku është, dhe jo siç ka ndodhur deri më sot që publiku ka ndjekur mediat. Pra, si fillim duhet shkuar online, nëse s’ka ndodhur akoma. Por online ka edhe shumë aktorë të tjerë, janë websitet individuale, është blogosfera, janë rrjetet sociale, janë platformat që publikojnë lëndë të krijuar nga përdoruesi, siç është YouTube etj.

Dhe janë edhe vetë politikanët, në këtë rast të kthyer në media përmes profileve të tyre në rrjetet sociale, përmes blogjeve apo faqeve të tyre në Flickr apo në YouTube. Gjithashtu online, edhe rregullat e lojës janë të ndryshme. Beteja për të qenë faktor është shumë herë më e koklavitur dhe më e vështirë. Një logo e madhe mediatike, që dikur kishte zë të fortë në publik, tashmë mund të dëgjohet vetëm si një cicërimë në xhunglën e pafund të internetit. Por kjo nuk do të thotë se kanë humbur shpresat që kjo media, të paktën, të jetë “dikush” në këtë xhungël. Nëse kjo e fundit ndodh, atëherë këto media do të kthehen përsëri, sadopak, tek misioni i ndërmjetësit mes pushtetit dhe publikut. Pra, do të rizgjohet edhe interesi i politikës për to. Por natyrisht, jo si  dikur, në “kohët e lavdishme”.

Belina Budini: Demokracia online, rojtarët e informacionit janë aty

1-Gjatë ditëve të fundit, lideri i opozitës, Edi Rama dhe ambasadori Arvizu kanë realizuar konferencat e para në rrjetet sociale, ndërsa kryeministri Berisha ka postime thuajse të përnatshme në Facebook. Si e vlerësoni këtë mënyrë të re komunikimi të liderëve dhe betejën e tyre, tashmë përmes rrjeteve sociale? Është ky një tregues i hapjes së tyre apo e kundërta, dhe sa realisht ndjekësit në rrjetet sociale mund të konsiderohen edhe votues? Dalja online ose në rrjetin virtual e komunikimeve politike është e vonuar në rastin shqiptar. Subjektet politike janë gjithnjë në kërkim të rrugëve dhe shtigjeve të reja që mundësojnë më tepër publicitet dhe ndikim të opinionit publik. Interneti ose hapësira virtuale e komunikimit në rrjet është një rrugë ose shteg i rrahur, që përpara politikanëve ose protagonistëve të politikës shqiptare e kanë shkelur plot politikanë anekënd botës, disa me më shumë sukses dhe disa pa ndonjë lavdi apo përfitim të madh. Konkretisht, rrjetet sociale si Facebook apo Twitter, ku janë shfaqur edhe Berisha e Rama, janë opsione komunikimi me mundësi të reja për ndërveprim dhe menaxhim të informacionit dhe si të tilla një komunikues i mirë politik nuk ka pse i injoron ose i lë të pashfrytëzuara. Është pra krejt i justifikuar ky kalim në përmasën virtuale edhe i protagonistëve të politikës në Shqipëri. Duhet thënë se nga ana e kryeministrit Berisha ky kalim në komunikimin online është disi i vonuar në raport me kundërshtarin e tij politik, Rama, megjithëse vjen në një kohë mjaft të përshtatshme për të gjeneruar interes, siç është periudha përpara zgjedhjeve. I vonuar duhej të dukej edhe për ambasadorin amerikan Arvizu, vendi i të cilit i ka shpikur dhe potencuar këto forma komunikimi me publikun, mirëpo në rastin e tij një konferencë në rrjet me publikun shqiptar tingëllon më tepër e çuditshme dhe e sforcuar në kohën kur ai nuk është përfaqësues i zgjedhur në Shqipëri, që të kërkojë forma të komunikimit të drejtpërdrejtë me publikun shqiptar. Nga ana tjetër, është disi e pakuptueshme përse një pjesë e politikës shqiptare, sidomos ata që janë përfaqësues të zgjedhur, e injorojnë krejtësisht këtë terren komunikimi, duke i lënë kështu në avantazh komunikimi ata që e shfrytëzojnë ose që e kanë futur në përdorim këtë opsion. Ndërveprimi ose kontakti i drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, është në fakt edhe thelbi ose arsyeja e përdorimit të rrjeteve sociale nga ana e subjekteve politike si forma të komunikimit me publikun. Të paktën ky besohet të jetë edhe qëllimi më fisnik i komunikimeve në rrjet si formë pra e shprehjes demokratike, e pjesëmarrjes së lirë dhe të drejtpërdrejtë të njerëzve në diskutimin për politikën me vetë protagonistët e politikës. Mirëpo pikërisht përmbushja e këtij premtimi mbetet e pasigurt për të mos thënë e paarritur ende, në mos e paarritshme me anë të shkëmbimeve ndërmjet politikanëve dhe qytetarëve në rrjetet sociale ose në komunikimet online në përgjithësi. Si në rastin e përdorimit të Twitter-it, ashtu edhe në atë të përdorimit të Facebook-ut opsionet e censurimit, të bllokimit përmes raportimit ose të ndalimit të hyrjeve të padëshiruara të personave që shprehin pikëpamje radikale ose jo konform politikave “editoriale” të stafit që menaxhon informacion në rrjetet sociale të politikanëve, janë gjerësisht të përdorura. Edhe pse mund të lejohen që këtë gardh ta kalojnë disa syresh, me justifikimin e lirisë së mendimit, një pjesë e mirë e mendimeve ose e qytetarëve që shprehin mendimet e tyre kundër, nuk arrijnë t’i shprehin ato as në rrjetet sociale, duke mos e përmbushur dot pra këtë shpresë të re të lirisë ose të demokracisë qytetare në rrjet. Ajo që duket pra si hapje e politikanëve përmes komunikimeve të reja në rrjet, pa ndërmjetës, nuk ndryshon në thelb si mënyrë apo formë komunikimi nga ndërveprimet tradicionale ose klasike, me ndërmjetës. Në çdo rast na shfaqen të ashtuquajturit “gatekeepers”, pra rojtarët e informacionit, vetëm se në rastin e rrjeteve sociale janë vetë politikanët ose stafet pranë tyre që luajnë rolin e rojtarëve të informacionit, rol të cilin deri më tash e kanë luajtur mediat e komunikimit masiv, pra kanalet klasike të komunikimit publik.

2- Media tradicionale po humbet rolin e të qenit ndërmjetës mes pushtetit dhe publikut, por sa realisht e rrezikuar është ajo? Cilat janë sfidat e medias në kushtet kur vetë politikanët kthehen në media?      

Në të vërtetë, për arsyet që përmenda në përgjigjen e pyetjes së parë, standardi i komunikimit duket akoma më i ulët në rastin e shkëmbimeve online sesa në rastin e mediave klasike. Të paktën duke patur parasysh mënyrën si këto komunikime ose shkëmbime ndërmjet politikanëve dhe qytetarëve janë administruar deri tani. Këtu duhet të llogarisim edhe faktin se këto forma komunikimi janë përdorur më tepër për të arritur një publik përtej atij të përfshirë ose me akses real në rrjetet sociale dhe në mjetet e komunikimit online. Ky qëllim bëhet i qartë në vetë ligjërimin e liderëve politikë, për sa kohë Rama në konferencën e tij në rrjet pohon se këto komunikime nuk i konsideron si humbje kohe, jo për faktin se është në dialog me njerëz konkretë, mendimin e të cilëve ka shansin të dëgjojë drejtpërdrejt aty në Twitter (gjë që do të ishte plotësisht e justifikuar po të pohohej), por për faktin se, gjithnjë sipas fjalëve të tij, ky është një shans për të dëgjuar e gjithë Shqipëria ato që thuhen aty. Qëllimi nuk është tjetër veçse mbërritja e mediave tradicionale përmes formave ose mediave të reja të komunikimit në rrjet. Vetëm ato ende e bëjnë të mundur shpërndarjen dhe përhapjen e mesazheve nga Twitter-i i zotit Rama tek një audiencë më e gjerë. Pra, mediat tradicionale mbeten të rëndësishme në procesin e komunikimit dhe për politikanët shqiptarë, pavarësisht se tentativa ose përpjekja në këtë rast është për t’i shmangur ato, ose për t’i shndërruar në pasive apo referenciale. Në të vërtetë, janë ato që e mundësojnë realizimin e ëndrrës së politikanit për të komunikuar vetë si media, duke pranuar rolin pasiv të caktuar prej tyre. Do të ishte ndoshta zgjedhje më e mirë nga ana e tyre “bojkotimi” ose lënia e politikanëve ta përmbushin pa ndihmën e tyre misionin e komunikimit në rrjet, duke bërë më tepër funksionin “Watch-dog”, funksion bazë i mediave në demokraci dhe që kërkon largim nga format e lehta të të raportuarit për politikën, qoftë ai në konferenca për mediat apo në konferenca në rrjet.

Botuar në gazetën Mapo, datë 12 janar 2013

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , , , ,

Send this to a friend