A na duhen më gazetarët?

20 Janar , 2014 • Mediat e Reja • by

“Çdo qytetar është një media, interneti i ka dhënë mundësi gazetarisë të rishpikë vetveten”.

Eshtë gjithnjë prezent në debatet publike në internet dhe shumë i dhënë pas teknologjisë. Elvin Luku, gazetari i Vizion Plus duket sikur “jeton në re”. Në fakt, nuk është kështu. Kur e takuam për këtë interviste kuptuam se gazetari i ri ishte me këmbë në tokë. Elvini, krahas punës në televizion, ndjek studimet në shkollën doktorale për komunikim. Ai thotë se interneti i ka dhënë mundësi gazetarisë të rishpikë vetveten. “Ka marrë fund gazetaria e autoritetit, tashmë ajo bëhet në linjë, bashkë me qytetarët”, – thotë Luku. Në këtë bisedë, gazetari i Vizion Plus, flet dhe për të ashtuquajturën “Pranverë Shqiptare”, protestën e nxitur në rrjetet sociale për armët kimike si dhe për rolin e medias në konfliktin mes brezave.

Intervistë me gazetarin Elvin Luku

Po e filloj këtë intervistë me një debat bashkëkohor sot në botë, që është cekur pjesërisht në Shqipëri. Thuhet se mediat e reja “vrasin” të vjetrat. A vlen kjo shprehje për mediat tradicionale, si gazetën, televizionin apo radion, tashmë që rrethet sociale kanë një shtrirje kaq të gjerë?Ju thoni se debati është bashkëkohor dhe keni të drejtë. Por, unë do të thoja se ai është aq i vjetër sa vetë njerëzimi. Në esenë “E ardhmja e librit”, studiuesi dhe shkrimtari Umberto Eko ngre të njëjtën pyetje si ju. M.q.s unë e kam huazuar atë në shkrimin tim, me titull “Facebookpolitika”, të botuar në shtyp, më lejoni ta citoj saktë: “Kur Hermesi, shpikësi i shkrimit, sipas Platonit, i prezantoi krijimin e tij faraonit Thamus, këtij të fundit i ngriu buzëqeshja dhe i tha: I mençuri Hermes, memoria është një dhuratë që ne duhet ta mbajmë gjallë. Me shpikjen tënde, njerëzimi do ta humbasë atë. Njerëzit nuk do të jenë më të aftë ta kenë kujtesën si aftësi të brendshme, por si një mjet përtej tyre”.

Në atë kohë, shkrimi ishte një media e re. Ishte i njëjti debat që po ndodh sot me  rrjetet sociale, që kontestohen, pikësëpari, nga gazetarët dhe punonjësit e gazetave apo televizionit.

Historia u përsërit me shpikjen e shtypshkronjës së parë, kur Gutenbergu cilësohej si, “e përdala që do të “vriste” pendën”; apo kur thuhej se libri do të “vrasë” katedralen; makina-njerëzimin, televizioni-librin, kompjuteri-TV-në, etj…

Ky debat përsëritet sa herë që shpiken media të reja.

A do të “vrasin” rrjetet sociale mediat tradicionale?

Historia është tepër kokëfortë. Nga Egjipti i lashtë e deri më sot, ajo na ka treguar se ato media që fillojnë të transformohen, ose përshtaten i mbijetojnë ndryshimeve. Në këtë kuptim, unë them se gazeta në letër mund të zhduket, por ajo do të jetë më e fuqishme se kurrë nëse ajo transformohet “on line” (në linjë).

A ka gazeta që e bëjnë këtë në Shqipëri?

Ka përpjekje, por jo profesionalizëm. E them këtë sepse pjesa më e madhe e gazetave në treg, kanë të njëjtën përmbajtje si në letër dhe “on line”. Kjo është absurde. Interneti është një media ku informacioni është me bollëk, dhe nëse një gazetë në internet lodh syrin e lexuesit, ai të braktis. Kjo media është e destinuar të vdesë, njësoj si simotra e tij në letër.

Si mundet një gazetë apo televizion të jetë e suksesshme në linjë?

Për këtë informacion duhet të më paguani.

Përtej humorit, unë nuk do futem në teknikalitete, që janë shumë të rëndësishme por do iu evidentoj disa parime baze. Së pari, duhet kuptuar se çfarë risie solli interneti në krahasim me mediat tradicionale. E reja kryesore është se arriti që të shkrijë televizionin, gazetën, radion, foton, etj., në një. Kjo do të thotë se dhe mënyra e komunikimit duhet të jetë e kombinuar mes gjuhës së shkrimit, imazhit, videos dhe audios. Në internet flitet me katër alfabete…

Së dyti, mediat duhet urgjentisht të integrojnë rrjetet sociale. Sa më konservator të jenë gazetarët, gazetat apo televizionet e sotme, aq më hakmarrës do të jenë këto lloj mediash ndaj tyre.

Së treti, sikurse thotë profesor Eric Scherer, “nuk është interneti armiku i mediave tradicionale, por koha”. Në një studim të bërë në vitin 2010 rezulton, se mesatarisht marrja e reagimit të parë në gazetë është pas 48 orësh; në një televizion gjeneralist pas 24 orësh; në një televizion me lajme 24 orë pas gjysmëdite; në blogje pas 15-20 minuta ndërsa në Facebook e Tëitter brenda dy minutash.

Së katërti, faqja duhet të ketë interaktivitet.

Tani besoj se mund ta gjeni vetë përgjigjen lidhur me profesionalizmin e mediave në linjë.

Më bëri përshtypje cilësimi që i bëre gazetarëve si konservatorë. Çfarë do të thuash me këtë?

Po, madje për ta perifrazuar saktë, thashë gazetarë dhe media konservatore.

Gjërat e mira nisin nga fundi, prandaj unë po e nis nga kjo e dyta. Me media konservatore nënkuptoj ato gazeta apo televizione që ndalojnë, me fletushka në mur, rrjetet sociale dhe të nesërmen kanë si kryetituj, pikërisht, deklaratat e Ramës e Bashës në Facebook e Tëitter. Kjo është qesharake. Rrjetet sociale duhet të vihen në funksion të punës së gazetarit për të krijuar kontakte apo për të cituar burime. Jo vetëm kaq, po ato duhet të vihen në funksion të vetë gazetës apo televizionit pasi ngrenë në mënyrë të rrufeshme aksionet e tyre në treg.

Ka dhe gazetarë konservatorë. Shumë, madje. Gazetari te ne nuk po e kupton, ose nuk do ta pranojë se skema, tashmë e vjetruar, vertikale, ku ai flet nga lartë dhe të tjerët nga poshtë marrin informacionin në mënyrë pasive, nuk “pi më ujë”. Ai nuk po përshtatet me idenë, se autoriteti i tij si përçues i dijes ka rënë. Nuk duron dot faktin që sot “çdokush është një media”.

Sot gazetaria bëhet “në linjë”, në mënyrë horizontale. Së pari, kjo do të thotë se qytetari mund të jetë reporteri dhe, së dyti, një opinion-bërës apo analist. Në kohën e rrjeteve sociale një artikull, koment apo opinion duhet të hidhet në treg, aty ku reagimi i publikut të etur, jo më për informacionin që e ka me bollëk, por për dialog e ndërveprim, është i jashtëzakonshëm.

Madje, unë dhe protestat për armët kimike i shpjegojë me këtë teze, që nuk e kam parë të artikuluar në asnjë media.

Në fakt, ka patur analistë që i kanë argumentuar tubimet kundër armëve kimike si një “Pranverë Shqiptare”. Bini dakord?

Sigurisht që, po!

Por, askush nuk e ka shpjeguar këtë fenomen, që ka të bëjë, pikësëpari, me përmbysjen e komunikimit publik vertikal, si të medias ashtu dhe të klasës politike.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Po them që strategjia qeveritare e menaxhimit të opinionit publik, nga pikëpamja e marrëdhënieve me publikun, ishte një dështim total.

Në shkrimin tim të sipërcituar, me titull Facebookpolitika, unë i njoh kryeministrit Rama meritën e të parit politikan që ka arritur të integrojë në politikë rrjetet sociale. Ky është një revolucion i paparë në koncept, sepse politikani shmang filtrin mediatik dhe komunikon drejtpërdrejt me qytetarin. Këtë e bëri për herë të parë Bill Klinton në fillim të viteve 1991 përmes lidhjeve satelitore dhe Barak Obama në vitin 2008. Suksesi ka qenë i garantuar.

Gjithashtu, Edi Rama ka meritën për organizimin e të parës konferencë me pyetje përgjigje në Facebook. Menjëherë pas tij, këtë metodë e huazoi dhe ambasadori Aleksandër Arvizu.

Por çfarë ndodhi në mes të nëntorit?

Qeveria dështoi në pikën më të fortë të saj, komunikimin e drejtpërdrejtë me opinionin publik.

Ata përdorën një komunikim të pastër vertikal, që tregoi të metat e tij, ndërsa tubuesit ishin gjatë gjithë kohës në linjë, pra në një komunikim horizontal të vazhdueshëm. Nga njëra anë ata merrnin në rrjetet sociale informacione nga mediat e huaja e ato shqiptare që do vijnë armët kimike dhe nga ana tjetër përballeshin me një heshtje qeveritare.

“Ruhuni nga trupëzimi i turmës”, – thotë sociologu, Gustav Le Bon, sepse një turmë e njësuar ka forcën të shkatërrojë gjithçka.

Do ju tregoj vetëm një detaj: brenda dy-tri ditëve distancë nga komunikimi publik i kryeministrit, falë informimin dhe shkëmbimit të lajmeve në rrjetet sociale, u bashkuan mbi 80 mijë fansa në faqen “Një milionë shqiptarë kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri”.

E kuptoni fuqinë e rrjeteve sociale?! Cila media ka patur më parë një ndikim kaq të madh, në një kohë kaq të shkurtër, në opinionin publik?!

Asnjë!

Po devijoj pak nga pyetjet e mia, sepse më bëri përshtypje një fjali e juaja, se “sot çdokush është një media”. Përderisa qytetari ka marrë në dorë këtë pushtet, atëherë, përse duhen gazetaret? 

Dua të sqaroj se kjo nuk është një shprehje e imja, por e gazetarit dhe studiuesit francez, Eric Scherer. Njësoj si ju, në kushtet kur cilido prej nesh zotëron disa media njëkohësisht, ai ngre këtë pyetje: A na duhen më gazetarët?

Para pak kohësh kam patur një debat me një kolege rreth trajtimit të lajmit ndërkombëtar në median shqiptare. Dhe, në diskutim e sipër, ajo thotë, që ju, gazetarët e lajmeve nga rajoni dhe bota jeni thjesht përkthyes.

Pas disa ditësh, një gazetare e “Reporterit” më bën një pyetje shumë inteligjente: A mendoni se gazetarët e lajmeve ndërkombëtare janë të paragjykuar?

Po, – i thashë, jemi të paragjykuar. Ekziston një opinion, sipas të cilit, punën tonë mund ta bëjë fare mirë një përkthyes.

Së pari, unë i qëndroj tezës se Umberto Ekos se “çdo përkthim është një rikrijim”.

 Së dyti, ka ende naiv që besojnë se mediat e pasqyrojnë realitetin, kur në fakt ajo e prodhon atë. Stuart Hall pyet me të drejtë: Si është e mundur që për të njëjtën ngjarje media të ndryshme pasqyrojnë realitete të ndryshme?

Së treti, për tu rikthyer te Scherer, është e vërtetë, se tashmë ku çdokush mund të transmetojë direkt një ngjarje, të postojë në kohë reale një lajm në Facebook, në blog, apo të hedhë video në kanalin e tij personal, në YouTube. Problemi qëndron që në kaq shumë kanale komunikimi, kaq shumë media në internet, kujt duhet t’i besojmë?

Në kushtet e këtij fluksi informacioni të vazhdueshëm, del në pah gazetari. Ai ka aftësinë e “nuhatjes” së lajmit dhe filtrimit të informacionit. Gazetari përzgjedh, kontekstualizon dhe informon. A mund ta bëjë përkthyesi apo qytetari këtë?

Në një intervistë, në emisionin “Dita Ime” në Vizion Plus, ju keni thënë se “lufta mes brezave është një luftë mediash”. A mund të na e argumentoni pak?

Vërtetë e kam thënë këtë?!

Unë i qëndroj idesë, se të gjitha qytetërimet janë produkte mediumesh. Këtu influencohem nga autori kanadez Marshall McLuhan.

Në parantezë, më lejoni të bëj një shpjegim termash: Me “media”, nuk nënkuptojë vetëm gazetat, televizionet, internetin, etj., por mediumin, ndërmjetësin, gjithçka që qëndron mes njeriut dhe qëllimit të tij. P.sh. Shkrimi është një medium; zjarri është një medium; hekurudha është një medium; shtypshkronja e Gutenbergut është një medium; makina, anija, avioni janë mediume, etj., për të ardhur sot te mediat elektronike dhe dixhitale.

Në këtë kuptim, qytetërimet janë përcaktuar nga mediat: Pa hieroglifët s’do të njihnim civilizimin e hershem egjiptian; pa shkrimin s’do të kishim kujtesë dhe dije; pa shtypshkronjën e Gutembergut s’do të kishim masivizim të leximit, etj., e deri te një revolucion i ri, ku pa internetin nuk do të kishte masivizim të shkrimit.

Më lejoni të citoj autorin Scherer, kur thotë: “nëse shtypshkronja demokratizoi leximin, interneti demokratizoi shkrimin”.

Për t’u rikthyer te pyetja juaj, në esenë “Erdhën ata… analfabetët”, studiuesi Artan Fuga shpjegon bukur konfliktin që krijohet nga përplasja mes prindërve dhe fëmijëve, të cilët janë rritur, edukuar dhe formuar me media të ndryshme. Çfarë do të thotë kjo?

Nga njëri brez në tjetrin shfaqet konflikti i librit me televizionin, shkronjës dhe imazhit, gazetës dhe internetit, “prime time-it” me “my time”…

Mes tyre s’do të ketë asnjëherë paqe!

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend