Vlerësimi dhe ndikimi i internetit e rrjeteve sociale në politikën shqiptare

16 Nëntor , 2012 • Media dhe Politika, Mediat e Reja • by

Tashmë është bërë i zakonshëm edhe në Shqipëri përdorimi i internetit dhe shërbimeve që ofron ai, për qëllime politike.

Nga një vështrim i të dhënave që ofrojnë motorët e kërkimit në internet, faqet që pasqyrojnë trafikun dhe tendencat e përdoruesve dhe statistikave të rrjeteve sociale, rezulton se, përdorimi i internetit nga politikanët apo forcat politike ka pësuar një rritje progresive nga viti në vit, ose më saktë nga fushata në fushatë.

Disa nga politikanët shqiptarë e vlerësojnë më shumë se disa të tjerë internetin dhe shërbimet e tij, sidomos rrjetet sociale, të cilat janë të afta të tërheqin një numër të madh përdoruesish në varësi edhe të strategjisë së përdorur. Disa të tjerë, jo vetëm që nuk e përdorin internetin ose rrjetet sociale, por duket se kanë një lloj alergjie nga kjo mënyrë komunikimi.

Dy liderët kryesorë të politikës shqiptare janë të ndryshëm në këtë pikë. Kryeministri Sali Berisha, edhe pse deklaron se është dashamirës i teknologjisë, nuk duket se e shfrytëzon internetin dhe rrjetet sociale për të shpërndarë ide, deklarata, apo për të mbetur në kontakt me simpatizantët. Ai preferon më shumë konferencat e shtypit, mbledhjet e punës, konferencat shkencore dhe inagurimet, për të publikuar qëndrimet e tij, ndërsa media më e parapëlqyer për të, duket të jetë televizioni.

Nga të dhënat rezulton se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është e kundërta e kryeministrit. Ndoshta edhe për faktin se është në opozitë dhe nuk ka shumë mundësi për të përhapur deklaratat dhe qëndrimet e tij në kushtet e kryeministrit, Rama ka zgjedhur të jetë mjaft aktiv në internet: me website personal, një llogari në Twitter, e cila është më e preferuara e tij dhe faqe në Facebook.

Nga hulumtimi rezulton, se edhe bashkëpunëtorët e ngushtë të kryeministrit kanë një lloj alergjie prej internetit, me përjashtim të Lulëzim Bashës. Ndërsa nga krahu tjetër pothuajse gjithë deputetët socialistë, duan të imitojnë pak a shumë shembullin e kryetarit të tyre.

Pothuajse gjithë forcat politike shqiptare kanë një faqe interneti dhe po ashtu edhe mediat e tyre (në përgjithësi gazetat). Edhe pse nuk ka filluar ende fushata për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, duket se të gjitha forcat politike po “nxehin motorët” dhe pritet një interesim më i madh me publikun përmes internetit dhe rrjeteve sociale. Deri në ditën e zgjedhjeve shifrat sigurisht do të ndryshojnë, po le t’u hedhim një sy se çfarë preferojnë politikanët dhe forcat politike që drejtojnë në botën e madhe të internetit dhe rrjeteve sociale.

Kështu, ndër faqet më të vizituara të partive politke është ajo e Partisë Socialiste, ps.al, me 580 vizitorë në ditë (PS).

Ndërsa prej gazetave online, organe të partive politike, duket se vizitorët më të shumtë i ka RD, rilindjademokratike.com, me 1620 vizitorë në ditë.

Përsa i takon ndjekësve më të shumtë të një llogarie në rrjetin social Twitter, ata i ka Edi Rama, Ediramaal me 37787 ndjekës.

Kurse faqja më e pëlqyer në Facebook, mbetet ajo e Lulëzim Bashës, Tirana2011, me 326424 pëlqime (likes).

Motorët kryesorë të kërkimit si Google parapëlqejnë më shumë Partinë Demokratike, qoftë për rezultate tekstesh, qoftë për fotografi.

Edhe në zgjedhjet e fundit për president në SHBA mediat në internet dhe rrjetet sociale luajtë një rol thelbësor, edhe pse më pak të vlerësuar nga analistët se në vitin 2008. Kështu pak ditë para zgjedhjeve faqja e presidentit Barack Obama renditej në 100 faqet e para të SHBA, ndërsa e kandidatit Romney në 200 faqet e para.

Edhe për rrjetet sociale presidenti Obama ishte dukshëm para kandidatit republikan, duke arritur një shifër rekord prej më shumë se 23 milionë ndjekës në Twitter dhe 33 milionë në Facebook (likes).

Si do të jetë tendenca e përdorimit të internetit në prag të fushatës së ardhshme për zgjedhjet e viti 2013? Një parashikim më të mirë mund ta japim kur stafet elektorale të kenë shpallur strategjitë e tyre, por infrastruktura këtë rradhë është përmirësuar ndjeshëm. Në fund të dhjetorit 2011 në Shqipëri numëroheshin 1.441.928 përdorues interneti, ose 48% e popullsisë, një shifër e krahasueshme me ato të vendeve të Europës. (Europa ka mesatarisht 67% të popullsisë përdorues interneti). Nga këta rreth 1.000.000 janë përdorues të Facebook, ose 34% e popullsisë. Numri i përdoruesve të internetit nëpërmjet celularëve, vlerësohet të jetë rreth 1.2 milionë përdorues (40% e popullsisë). Ky shërbim është përmirësuar ndjeshëm edhe falë përdorimit të teknologjisë 3G. Sipas “Global Information Technology Report” të vitit 2012, indeksi i tendencës së përdorimit të teknologjisë së informacionit ka renditur Shqipërinë të 68-tën nga 142 vende nën studim, një rritje me 12 vende më lart.

Duket se ka vlerësime të ndryshme mbi rëndësinë që i jep një forcë politike internetit, por të dhënat e fundit rreth përdorimit të internetit në Shqipëri, janë inkurajuese për ata që mendojnë të investojnë politikisht në këtë hapësirë ende të pahulumtuar

Botuar në gazetën Metropol, datë 12 nëntor 2012

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend